E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Treguesit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në rrugën e suksesit

Gjatë vizitës në Fier, Kryeministri Berisha u takua dhe bashkëbisedoi me biznesmenë dhe anëtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së këtij rrethi për masat e ndërmarra nga qeveria dhe nismat e pritshme të saj për të lehtësuar aktivitetin e tyre dhe për krijimin e një klime gjithnjë e më të favorshme për biznesin dhe investimet.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë falënderoi Kryeministrin për mundësinë e bashkëbisedimit me të dhe vlerësoi disa nga nismat e rëndësishme të qeverisë në mbështetje të biznesit si uljen e çmimit të energjisë për biznesin, vendosjen e taksës së sheshtë, bërjen e doganës zero për firmat eksportuese me fason, ndihmën për agrobiznesin, aplikimi dhe dhënia e dokumentacionit për tenderat ‘on line', çka redukton kohën për biznesin etj..

Qarku i Fierit, tha Presidentii Dhomës së Tregtisë, ka 7320 subjekte private dhe 20 firma të huaja. Në sektorin privat janë të punësuar 23800 ose 78 për qind e të të punësuarve. Në këtë qark operojnë shoqëri të fuqishme si Albpetrol, Bankers Petrolium, Armo, rafineria e naftës e shumë firma të tjera prodhuese, si dhe shumë fabrika të përpunimit të drurit, të qeramikës, të prodhimit të tullave, polisterolit dhe prodhimeve plastike, duraluminit etj.. Rrethi i Fierit eksporton bitum, gurë dekorativ, mermer, grila, qeramikë dekorative, mobilieri, konfeksione, prodhime agrobujqësore etj.. Ai theksoi se biznesi i këtij qarku do të investojë edhe për zhvillimin e turizmit bregdetar e kulturor, pasi qarku i Fierit ka disa pika të rëndësishme historike si Apolonia, Bylisi dhe Ardenica.

Kryeministri Berisha, në fjalën e tij u shpreh:

"Ju falënderoj me shumë respekt për këtë takim, i cili më kujton një takim të zhvilluar në pranverën e viti 2005 me ju, ku me një grup ekspertësh paraqita para jush platformën fiskale dhe ekonomike të qeverisë.

Do të ndalem t'ju them se çfarë është bërë nga ajo platformë, siç është paraqitur para jush dhe që ju e mbështetet plotësisht.

I premtuam biznesmenëve të vegjël se do të përgjysmonim taksën dhe akti i parë i qeverisë që unë drejtoj ishte përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël.

Premtuam se do të ulnim me 15 për qind taksën e tatim fitimit dhe e ulëm në 10 për qind, duke filluar nga 1 janari i vitit që vjen.

Premtuam uljen e sigurimeve shoqërore dhe i kemi ulur 32 për qind ato.

Premtuam uljen e taksën mbi të ardhurat personale dhe, në qofte se tatim fitimi pësoi një ulje prej 150 për qind, taksa mbi të ardhurat personale pësoi një ulje rreth 130 për qind.

Premtuam se do të lehtësojmë biznesin nga burokracia dhe kemi thjeshtësuar me shpejtësi licencat, kemi hequr shumë prej tyre dhe kemi ulur barrën burokratike ndaj tyre.

Premtuam se do të shkurtojmë nga 42 në 8 ditë dhe më pas në "one stop shop" regjistrimin e biznesit dhe sot kam kënaqësi se takimi me ju korrespondon me ditën e hapjes së qendrës "one stop shop" në Tiranë dhe dua të falënderoj qeverinë amerikane për ndihmën e madhe që ka dhënë për këtë projekt. Dua t'ju siguroj se këtë e konsiderojmë vetëm një hap të parë shumë të rëndësishme, sepse ekspertët tanë kanë marrë porosi të prerë të shpejtojnë me çdo kusht kalimin me një sportel të vetëm për licencat. Praktikë kjo që ka thjeshtuar dhe ka bërë që në disa vende nga 90 ditë mesatarja për marrjen e saj, të zbresë në 10 ditë, nga 300 dollarë ryshfeti, të zbresë në 10 dollarë. Pas kësaj, ne do të punojmë me shpejtësi që licencat t'i merrni në një sportel të vetëm dhe në kohë sa më të shkurtër.

Ne premtuam se do të mbështesim eksportet. Një muaj më parë, qeveria krijoi Agjencinë e Mbështetjes së Eksporteve dhe përcaktoi fondin, duke u garantuar eksportuesve kredi me një garanci pothuajse qeveritare.

Premtuam se do t'ju ndihmojmë në konkurrueshmërinë tuaj dhe kemi krijuar Fondin e Konkurrueshmërisë dhe ju mund të aplikoni tek Agjencia Shqiptare e Investimeve.

Ne kemi ulur në një kohë shumë të vështirë çmimin e energjisë për ju. Jemi përpjekur, në emër të interesave tuaja, sepse suksesi juaj është interesi ynë më i madh, t'u mbrojmë nga informaliteti. Jam i vetëdijshëm se përpjekja jonë ka një dhimbje, por jam shumë i vetëdijshëm gjithashtu që, ashtu siç është në shpirtin dhe natyrën e reformave, dhimbja më pas shoqërohet nga një çlirim i madh, ndjenja e kënaqësisë dhe suksesi. Kështu që edhe lufta kundër informalitetit është interesi juaj më i mirë.

Ne shkuam drejt pagave të referencës dhe për këtë pati debate. Nuk ka vend të zhvilluar në botë që nuk ka pagën e referencës për orë pune. Ne nuk shkuam tek ora e punës, sepse është herët, por shkuam tek muaji i punës. Këtu, kërkojmë mirëkuptimin e bizneseve, atyre me fason, të cilët mund të kenë pasur ndonjë problem me taksën e të ardhurave personale prej 10 për qind dhe rrogën minimale që fiksuam, por, e theksoj, nuk ekziston vend i zhvilluar që të mos ketë pagën minimale të orës së punës. Ne po bëjmë çdo përpjekje për të ecur drejt vendeve të zhvilluara dhe jo në të kundërt. Kështu që edhe ky problem, që mund të ketë ngjallur diskutim, duhet të arsyetohet. Ne nuk e kemi bërë këtë aspak për interes të buxhetit, sepse një qeveri që ul tatim fitimin me 150 për qind dhe merr përsipër të pakësojë menjëherë në buxhetin e shtetit qindra milion euro, nuk mund ta bënte një veprim të tillë në buxhetin e saj. Por e ndërmorëm këtë hap, sepse qeveria është e detyruar të modulojë interesat e të gjitha grupeve në shoqëri, edhe të biznesit, edhe të punëtorit.

Ne kemi ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal, që nuk do të ketë të ndalur. Ne nuk do të reshtim të bëjmë të gjitha përpjekjet për t'u lehtësuar dhe çliruar ju nga barra fiskale dhe burokratike, për t'ju bërë më kompetitivë në tregun shqiptar dhe atë ndërkombëtar.

Disa tregues faktojnë se ne jemi në rrugë të drejtë, se jemi në rrugën e suksesit. Dhe këta tregues kanë lidhje me ju. Nëse i referohemi statistikave, gjeni rritjen e eksporteve "made in Albania" me 35 për qind në shtatë muajt e parë të këtij viti dhe kjo krahasuar vetëm me vitin 2006. Kjo është merita juaj, por ka lidhje edhe me disa rregulla të reja që ka vendosur qeveria për ju. Ka rritje marramendëse të kreditimit në Shqipëri, aq sa banka e Shqipërisë detyrohet të ndërhyjë. Por në dallim nga disa vende të tjera të rajonit, që kanë normë të lartë kreditimi, në Shqipëri 70 për qind e kreditit shkon tek biznesi dhe ky është avantazhi më i madh.

Përveç stabilitetit makroekonomik, kemi edhe tregues të tjerë. Kompani të mëdha botërore kanë vendosur projekte me vlerë shumë miliarda në Fier dhe në mbarë Shqipërinë.

Ne përballemi sot me probleme serioze energjetike, por dua t'ju informoj për dy fakte. Së pari, projektet që janë miratuar dhe pritet të miratohen deri në fund të vitit për shfrytëzimin e potencialeve tona ujore janë shumë më të mëdha se të gjitha hidrocentralet ekzistuese në Shqipëri. Nuk janë investim publik i qeverisë, por janë investime të kompanive më të mëdha të Europës në hidrocentrale.

Së dyti, qeveria ka marrë vendimin e prerë dhe përfundimtar që të investojë publikisht dhe privatisht me shpejtësi e përparësi absolute në prodhimin termik të energjisë. Kaskada e Devollit është projektuar nga EVN, në Vjosë sot janë 4 kompani të mëdha botërore, 3 prej të cilave kanë dorëzuar projektin. Lumenjtë e Alpeve janë që të gjithë të studiuar dhe ka projekte nga shumë kompani të huaja. Po kështu studime e projekte të mëdha po bëhen për Osumin, Shkumbinin, Matin dhe për të gjitha ujërat e Shqipërisë. Megjithatë ne do të përqendrohemi totalisht në termoprodhim, në mënyrë që thatësira të mos na shqetësojë kurrë në këtë drejtim. Ndërkohë filloi ndërtimi i TEC-it në Vlorë. Qeveria me paratë e saj do të fillojë shumë shpejt ndërtimin e një tjetër TEC-i në Porto Romano. Këtu janë dhënë me 1 euro territore për termocentrale dhe po përpiqemi të fillojmë ndërtimin e një TEC-i në Elbasan. Ashtu siç kemi përparësi absolute infrastrukturën rrugore do të kemi edhe termocentralet. Ky vendim që nuk është marrë 40 vjet me radhë, po merret tani. Sot, Shqipëria është krejt tjetër.Çmimi më i shtrenjtë i energjisë është mungesa e saj. Ndaj dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që shumë shpejt të mos kemi probleme energjetike, me të cilat nuk dëshiron askush të përballet.

Gjithashtu një tjetër projekti i qeverisë në fushën e prokurimeve publike po gjen zbatim. Brenda muajit tetor kalojmë në prokurim elektronik të plotë, ku askush nuk do të njohë ofertuesin, por do të jetë dosja ajo që do të përcaktojë fituesin dhe jo njohja personale. Kjo është e një rëndësie shumë të madhe për ju si sipërmarrës. Ekziston arbitrariteti në autoritetin tatimor, por ne po shkojmë drejt taksës ‘on line', në taksën elektronike, në mënyrë që ky arbitraritet të kufizohet maksimalisht.

Projekte të tjera shumë të mëdha janë në fushën e industrisë së çimentos. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë miratuar tre projekte me një total prej 750 milion euro investim. Janë edhe 5 projekte të tjera në studim, po kaq të mëdha.

Turizmi gjithnjë mbetet potenciali i parë i vendit. Në dhjetor përfundojmë studimin e bregut të Jonit dhe ai do të përbëjë një nxitje shumë të madhe për investime.

Ne do të privatizojmë korporatat ekzistuese dhe të gjitha sipërmarrjet. Ne mirëpresim pjesëmarrjen tuaj, sikundër i bëj thirrje bashkisë së Fierit, të gjitha bashkive të vendit dhe të gjitha institucioneve shtetërore që kanë në varësi vartësi ekonomike, të shfrytëzojnë ligjin e partneritetit publik privat, ligj ky që mund të bëhet leva e arkimedit për zhvillimin e suksesshëm të të gjithë sektorëve. U kam kërkuar autoriteteve vendore dhe ministrive të mos ngurojnë të aplikojnë nismën 1 euro, e cila është në thelb shpirti i partneritetit. Në një partneritet fitimi nuk është me ai që merr në fillim, fitimi është me atë që siguron, janë frytet e partneritetit. Jo pa vështirësi ne e futën pikërisht tek ligji i partneritetit nismën "Shqipëria, 1 euro". Kjo nismë nuk është mirëpritur nga të gjithë, por ajo është shumë e mirë, sepse lehtëson procedurat. Kjo nismë ka ekzistuar edhe pa u shpallur, sepse janë dhënë koncesione dhe fshatra turistike pa asnjë vlere çmimi në atë kohë. Tani ajo u konkretizua dhe le të shfrytëzojmë hapësirat ligjore të këtij ligji.

Fieri është rreth bujqësor. Tani sapo vij nga tregu. Në njërën anë të tij, pashë njerëz të lumtur dhe këta ishin prodhuesit shqiptarë që shisnin produktet e tyre, ndërsa, në anën tjetër të tregut, importuesit jo dhe kaq të kënaqur. Për prodhime të caktuara bujqësore kemi lidhur çmimet e referencës për të nxitur prodhimin vendas. Por ka sërish vend për ta përmirësuar. Një tregtar sugjeroi t'i vendosim ato me sezon dhe burokracia shqiptare duhet të lëvizë. Aty ku është e mundur, gjatë një sezoni që nuk dëmton prodhimin vendas, të ulë tarifat, të cilat nuk kanë asnjë qëllim në buxhetin e shtetit, por vetëm nxitjen e shitjes së prodhimit vendas. Dhe në fakt janë ndihmuar. Në tregun e Fierit kishte nga prodhues nga Korça, Fieri, Lushnja që shisnin produktet e tyre. Do të ishte tepër e rëndë për një fermer që punon 20 orë në ditë dhe nuk ka ku të shesë prodhimin e tij.

Ne do të vazhdojmë dialogun me ju dhe ju siguroj se ne i marrim me seriozitet vërejtjet dhe sugjerimet tuaja."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›