Sot paradite, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha uroi të gjithë mësuesit për festën e 7 marsit, duke e vlerësuar këtë një ditë të veçantë për të nderuar kon
Sot paradite, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha uroi të gjithë mësuesit për festën e 7 marsit, duke e vlerësuar këtë një ditë të veçantë për të nderuar kontributin e çmuar të mësuesve në Shqipëri.
Kryeministri siguroi se zhvillimi i fushës së arsimit mbetet përparësia më madhore e qeverisë, ndërsa nënvizoi në këtë drejtim se do të vazhdojnë hapat e ndërmarrë në plotësimin e objektivit për dyfishimin e rrogave të mësuesve brenda këtij mandati, për modernizimin e infrastrukturës shkollore, të mësimdhënies, kurrikulave, shtrirjen e internetit në çdo shkollë, etj. Të gjitha këto do të mund të realizohen përmes rritjes së madhe progresive të buxhetit për arsimin.
Ndër të tjera, Kryeministri bëri këto komente:
"Sot është një ditë e veçantë, dita në të cilën shqiptarët nderojnë bashkërisht mësuesit e fëmijëve të tyre, nderojnë njërën nga vokacionet, prirjen më të shkëlqyera që ata kanë, prirjen për dije. Me këtë rast, në emër të qeverisë, dua të përshëndes shumë përzemërsisht të gjithë mësuesit, mësueset, asistentët, pedagagët, profesorët, të gjithë punonjësit e arsimit dhe, dua t'i siguroj ata se kjo fushë mbetet përparësia më madhore e qeverisë sonë.
Hapat e ndërmarrë, siç janë rritja e ndjeshme e rrogave të tyre me 23 përqind në vitin e parë të qeverisjes, do të vazhdojnë vit për vit, deri në realizimin e objektivit tonë brenda këtij mandati, dyfishimin e rrogave të tyre. Do të vazhdojnë hapat e ndërmarrë në modernizimin e shkollave, ndërtimin e shkollave të reja dhe arritjen e standardeve të klasave për nxënësit, në mënyrë që të mos ketë klasa me më shumë se 30 nxënës, do të vazhdojnë me modernizimin e mësimdhënies, kurrikulave dhe shtrirjen e internetit, gjatë këtij viti në të gjitha shkollat e mesme dhe, në 2 vitet në vazhdim në të gjitha shkollat e Shqipërisë të të gjitha niveleve.
Reforma në arsim, si një reformë jetike për vendin, do të ketë në vëmendje universitetet e vendit. Ne i liberalizuam plotësisht universitetet, hapëm universitetin "Aleksandër Mojsiu" në Durrës, hapëm degën e Ekonomikut në Sarandë. Gjatë këtij viti do të bëhen përpjekje serioze për universitetin Myzeqeja, një premtim elektoral ky, por që do të mbahet, sepse mendoj se është i domosdoshëm një universitet i cili u mundëson të rinjve të Fierit, Lushnjes dhe Beratit, të ndjekin studimet e tyre. Është plotësisht i justifikuar me numrin e madh të të rinjve në këtë territor, me shkallën e zhvillimit të tyre, kapacitetet reale, të çmuara që ekzistojnë në këto qytete. Ministria e Arsimit dhe Qeveria do t'i japin ndihmë Universitetit Myzeqeja, në mënyrë që edhe ai të ketë një fillim të mbarë ashtu siç pati Universiteti i Durrësit.
Të gjitha këto nuk do të mund të realizoheshin dhe zbatoheshin në qoftë se nuk do të shoqëroheshin, siç po shoqërohen, me rritjen e madhe progresive të buxhetit për arsimin. Ne jemi të zotuar ta dyfishojmë atë si përqindje të prodhimit të brendshëm bruto. Ecuria e këtij objektivi, gjatë këtyre 18 muaj qeverisje, ka dëshmuar qartë se ky objektiv mund të realizohet edhe para kohës së premtuar.
Sot, në këtë ditë, në këtë mbledhje, për koeçidencë të mbarë, ne shqyrtojmë ligjin e ri të arsimit universitar, një ligj i cili është hartuar duke patur një mbështetje të gjerë të mendimit universitar vendas, por edhe ekspertizën e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë. Ligji mishëron standardet eeuropiane të arsimit të lartë. Ajo që ka një rëndësi shumë të madhe në këtë ligj, është thellimi dhe konsolidimi i autonomisë universitare. Autonomia universitare merr një sens shumë më real dhe më të qëndrueshëm. Vendoset Këshilli Administrativ, si një institucion që bashkëpunon me Senatin, me drejtuesit, por që garanton një transparencë të plotë financiare. Mekanizmi i ri financiar u jep këtyre institucioneve publike autonominë reale jetike për to.
Reforma e arsimit të lartë është tashmë e njohur, është një reformë permanente. Por unë kam bindjen se me këtë ligj, në këtë reformë, arrihet një nivel shumë i rëndësishëm i shkollave tona të larta dhe universitete.
Është modifikuar mënyra e përzgjedhjes së drejtuesve të këtyre universiteteve, ka një standardizim dhe trasparencë të plotë në procesin e rekrutimit të pedagogëve, gjë që është bërë e domosdoshme, ka një fuqi vetëvepruese të madhe brenda universitetit dhe fakulteteve për të përcaktuar drejtimet dhe për të përmbushur misionin e tyre. Ky ligj i përshtat përfundimisht shkollat tona të larta me Procesin e Bolonjës. Projektligji miratohet pas një serie të gjerë konsultimesh, pas një shqyrtimi të hollësishëm nga Këshilli i arsimit të Lartë, institucion ky që u krijua për herë të parë me personalitete të të gjitha fushave, të botës akademike dhe që në shqyrtimet e tij, është përpjekur të pasqyrojë sensitivitetet e ndryshme, sugjerimet shumë të çmuara të ekspertëve ndër më të shquarit të Europës për arsimit, ekspertëve të Departamentit të Këshillit të Europës për arsimin. Natyrisht, një kontribut të çmuar kanë dhënë grupet e akademikëve shqiptarë. Kështu që Ministria e Arsimit meriton një vlerësim për këtë projektligj shumë të rëndësishëm".