E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Universitetet janë parlamentet e përjetshëm të lirisë, janë vet ndërgjegjja e një kombi

-       Universiteti Politeknik i Tiranës është promotor kryesor i mendimit, kërkimit tekniko-shkencor e inxhinjerik të vendit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në Konferencën solemne, me rastin e 60 vjetorit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë,, rektorë të universiteteve të huaja e të vendit, stafi akademik, si dhe studentë të  Universitetit Politeknik të Tiranës. 

Kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimin dhe rolin e madh të këtij universiteti, duke e konsideruar atë si promotor kryesor të mendimit teknik e shkencor të vendit, pasi studentët dhe pedagogët e tij kanë firmosur në këto 6 dekada, qindra dhe mijëra projekte, që kanë transformuar Shqipërinë.

Duke u ndalur në rëndësinë e universiteteve në përgjithësi, Kryeministri theksoi se ata janë parlamentet e përjetshëm të lirisë, janë vet ndërgjegjja e e një kombi. Ekzistenca e tyre, vijoi Kryeministri, më shumë se nga çdo gjë tjetër përcaktohet nga liria, trinomi i saj liria e kërkimit, liria e debatit, liria e mësimit.

Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se për mazhorancën aktuale, edukimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi, është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive, duke nënvizuar se në këto vitet e fundit, me reforma të thella, qeveria ia arriti që të vendoste në shinat e zhvillimit një sistem edukimi që po degradonte dhe po shembej.

Duke iu referuar një prej poetëve dhe shkrimtarëve më të shquar anglez të shekullit që shkoi, John Masfield, i cili shkruan se “ka pak gjëra tokësore më të bukura se universitetet”, Kryeministri u shpreh se në Shqipëri nuk ka asgjë më të rëndësishme se universitetet, ndaj le të punojmë së bashku për të rritur cilësinë e tyre.

Në përshëndetjen e tij të plotë, në këtë 60 vjetor të Universitetit Politeknik të Tiranës, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj ministra,

I nderuar zoti Rektor, të nderuar dekanë, pedagoge dhe pedagogë të Universitetit Politeknik dhe universiteteve të vendit,

Zoti Sekretar i Përgjithshëm i Rrethit të Universiteteve të Detit të Zi,

Të dashur studente dhe studentë,

Të nderuar pjesëmarrës!

Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj, ju zoti Rektor, për nderin që më bëtë duke më ftuar të ndaj me ju gëzimin e 60 vjetorit të themelimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Unë shfrytëzoj këtë rast për t’ju uruar përzemërsisht ju, si dhe të gjithë studentëve dhe studenteve, pedagogëve dhe pedagogeve, profesorëve të këtij universiteti; Gëzuar këtë ditë të shënuar për të gjithë ju, për  mbarë vendin, ditë historike për mendimin, botën  intelektuale e shkencore të Shqipërisë.

Por unë gjithashtu, shfrytëzoj rastin të përulem me nderim të thellë para të gjithë atyre studentëve, pedagogëve, asistentëve, që themeluan 60 vjet më parë këtë universitet, si promotor kryesor i mendimit teknik e shkencor të vendit, si dhe mbi 25 mijë burra e gra, vajza dhe djem që gjatë këtyre 6 dekadave, në bankat, laboratorët dhe auditorët e këtij universiteti, bënë të vërtetë ëndrrën e tyre më të bukur rinore, ëndrrën universitare dhe dhanë ndihmesën e tyre të madhe në zhvillimin e vendit.

I themeluar 60 vjet më parë, me 60 studentë, si Instituti Politeknik i Tiranës, sot Universiteti Politeknik, feston këtë përvjetor pasi studentët dhe pedagogët e tij kanë firmosur në këto 6 dekada, qindra dhe mijëra projekte, që kanë transformuar Shqipërinë. Ai sot është lokomotivë e vërtetë e mendimit, kërkimit tekniko-shkencor, inxhinierik të vendit.

Nga 60 studentët që hynë në auditorin e tij, 60 vjet më parë, sot këtu studiojnë rreth 12 mijë vajza dhe djem, në gjashtë fakultete dhe dy institute kërkimore-shkencore të tij dhe japin mësim rreth 730 pedagogë. Universiteti disponon një infrastrukturë moderne për kërkim shkencor dhe mësimdhënie dhe ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar me universitetet e vendeve partnere dhe mike.

Zonja dhe Zotërinj,

Njëri nga poetët dhe shkrimtarët më të shquar anglez të shekullit që shkoi, John Masfield, shkruan se ka pak gjëra tokësore më të bukura se universitetet, kurse Profesori i shquar shqiptar Kostaq Cipo, ditën e themelimit të Institutit Pedagogjik në Tiranë, në 20 dhjetor të 1946, do të shprehej se: “ngritja e arsimit të lartë (de facto universitetit të parë të vendit) më ngjalli të njëjtat emocione të forta e të pa përshkruara si ngritja e flamurit të pavarësisë së vendit tonë, 34 vjet më parë, më 28 nëntor të vitit 1912”.

Poeti dhe mendimtari i madh Masfild, tek vlerësonte Universitetet si gjërat më të bukura të kësaj toke, frymëzimin sigurisht nuk e kishte nga arkitektura përgjithësisht e bukur e ndërtesave të tyre. Jo! Muza e tij  frymëzohej nga diçka tjetër; universitetet janë ndër gjërat më të bukura të kësaj toke sepse ato, për rininë e një kombi dhe mbarë shoqërinë, janë burimi drite dije e lirie, që shpërndan terrin dhe padijen, ndriçon mendjen dhe të vërtetën. Për kombet, thotë Karl Jasper, universitetet janë shtrati i mendimit intelektual dhe janë djepi ku ka lindur dhe rritet ndërgjegjja intelektuale. Por mbi të gjitha, ata janë parlamentet e përjetshëm të lirisë, janë vet ndërgjegjja e saj. Botëkuptimi i universiteteve, ka qenë, është dhe mbetet liria dhe vetëm liria.

Ekzistenca e tyre, më shumë se nga çdo gjë tjetër përcaktohet nga liria, trinomi i saj liria e kërkimit, liria e debatit, liria e mësimit.

Ju sot këtu, pedagogë dhe studentë, në kërkimet tuaja hulumtoni,  qëmtoni të vërteta apo copëza të atyre që do të përbëjnë veçse themelet e formimit tuaj profesional. Por këto të vërteta tekniko - shkencore e profesionale, nuk duhet kurrë të zbehin disa të vërteta të tjera më eprore, liritë dhe të drejtat e njeriut, përgjegjësinë qytetare, që përbëjnë dhe thelbin e vërtetë të çdo intelektuali, përgjegjësi me të cilat ju bëheni anëtarë të denjë të kombit që i përkisni, përgjegjësi të  cilat juve ju lejojnë të përmbushni rolin tuaj dhe të gëzoni plotësisht pushtetin e pamasë të dijeve dhe ideve.

Ata që 60 vjet më parë themeluan Universitetin Politeknik dhe universitetet e vendit, besonin se po themelonin institucione që do të konsolidonin regjimin e tyre diktatorial. Ata, nuk dinin se universitetet dhe liria, se mësimi dhe liria janë një dhe të pandara dhe kjo, u provua në Shqipëri më qartë se kudo në botë. Por, pas dekadash shtypjeje të egër, në auditorët dhe sheshet e tij, në sallat e laboratorët, shpërtheu uragani i lirisë, që do të bënte shqiptarët e lirë.

Ndaj dhe unë dua të shpreh me këtë rast, nderimin tim më të madh për ata mijëra studentë, studentë, pedagoge dhe pedagogë, që me lëvizjen e tyre të Dhjetor ’90, përmbysën në Shqipëri regjimin komunist, regjimin  më barbar në Evropë. Sot tingëllojnë më profetike se kurrë ndjenjat e gëzimit të prof. Kostaq Cipos.

Të dashur studentë dhe studente të Universitetit Politeknik të Tiranës por dhe të gjitha universiteteve të tjera të vendit,

Ju jeni gjenerata më e shkëlqyer e universiteteve në historinë shqiptare, sepse ju jeni gjenerata e parë e vajzave dhe djemve të këtij vendi që keni lindur të lirë, jeni rritur të lirë dhe studioni të lirë. Pra ju, në dallim nga të gjithë ne, nga paraardhësit tuaj, që studiuam apo dhamë mësim në këto universitete, ju firmosni vetë me dorën tuaj fatin, domethënë të ardhmen tuaj, por në të vërtetë firmosni të ardhmen tonë dhe të mbarë  shoqërisë. Kjo që mësoni, që kërkoni dhe hulumtoni sot, përgjegjësitë që merrni ju, janë vendimtare në përballjen e kombit tonë, me sfidat e vështira dhe të mëdha të të ardhmes, në shndërrimin ne realitet të projektit më të bukur  të çdo shqiptari, - Shqipëria vend i zhvilluar. Ky projekt do të bëhet realitet i qëndrueshëm vetëm e vetëm kur ne të vendosim në themel të zhvillimit të gjithanshëm, dijen, inovacionin revolucionin teknologjik dhe post-teknologjite.

Por që universitetet të jenë laboratorët e të ardhmes së ndritur të shoqërisë sonë, është jetike që familja, shoqëria dhe shteti, të vendosin edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë, në krye të të gjitha përparësive tona. 

Në këtë kontekst, unë dua t’u siguroj ju dhe mbarë shqiptarët se për mazhorancën aktuale edukimi i të rinjve dhe të rejave, fëmijëve të këtij vendi, është dhe do të mbetet përparësia e të gjitha përparësive. Në këto vitet e fundit, me reforma të thella, ne arritëm që një sistem edukimi që po degradonte dhe po shembej, të vendosej në shinat e zhvillimit. Në një kohë të shkurtër, ne mbi dyfishuam rrogat e mësuesve,  rindërtuam dhe ndërtuam mbi 1200 shkolla e kampuse, shtrimë internetin në çdo shkollë, por mbi të gjitha, ne ia dolëm që mbi 91 % e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të, të hyjnë në shkollat e mesme, nga më pak se 70 % që ishte kjo shifër në pak vite më parë.  Por arritja më e madhe në historinë e arsimit shqiptar, qëndron në faktin se numri i studentëve në universitetet tona u rrit nga 52 mijë, në vitin 2005, në 138 mijë.

Sot, në Shqipëri 70% e atyre që mbarojnë shkollat e mesme ulen në bankat  e universiteteve dhe kjo është një përqindje ndër më të lartat në botë. Sot, në sistemin universitar studiojnë mbi 138 mijë djem dhe vajza, në 556 programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, që zhvillohen nga një staf akademik prej 10 mijë pedagogësh, nga të cilët 6534 janë me grada dhe tituj shkencorë.

Pa dyshim që ky është një zhvillim madhor, i shpejtë dhe shoqërohet natyrshëm me vështirësi të pamohueshme, por është zhvillim i domosdoshëm dhe i vonuar. Kjo sepse: 

Së pari, pothuaj trefishimi i numrit të studentëve në universitete dhe shkollat tona të larta, brenda pesë viteve, dëshmon qartë se ëndrra universitare tek djemtë dhe vajzat e këtij vendi, ishte së paku tre herë më e madhe se sa shanset që u ofroheshin atyre për ta bërë atë të vërtetë dhe se burokracia shqiptare, duke mbajtur universitetet si “mollën e ndaluar” për shumicën,  si privilegj të një pakice, rrënonte tek shumica e të rinjve ëndrrën më të bukur rinore të tyre.

Hapja e dyerve të universiteteve për djemtë dhe vajzat e këtij vendi shënon “de fako” dhe “de juro” krijimin, vendosjen para shanseve të barabarta të shkollimit për të rinjtë e këtij vendi. Unë besoj se kjo e bën shoqërinë shqiptare më të ndershme, më të drejtë. Por, përveç këtyre, kritikëve të kësaj politike që pretendojnë se universitetet u shndërruan në pellgjet e papunësisë, duhet t’ju kujtoj  se në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës, universitet nuk shpërndajnë leje punësimi, por studimet në Shqipëri dhe në mbarë botën kanë faktuar se të diplomuarit i kanë 50% më të mëdha shanset e punësimit se sa të padiplomuarit, se të diplomuarit, sigurojnë 50 deri 70 % më shumë të ardhura se sa të padiplomuarit.

Por, politika e dyerve të hapura apo shanseve të barabarta për pranimet në universitetet tona është jetike për Shqipërinë. Ajo duhet me shpejtësi të kapë kohën e humbur. Shqipëria, në vitin 2001, kishte të diplomuar në raport me popullatën, rreth 8 herë më pak se SHBA-të dhe rreth 7 herë më pak se vendet e gadishullit skandinav dhe  rreth 6 herë më pak se një numër i madh i vendeve të zhvilluara të Evropës. Me gjithë përpjekjet që kemi bërë, të dashur pedagogë dhe pedagoge, sërish sot në vitin 2011, jemi disa herë mbrapa këtyre vendeve. Shqipëria ka sot gjithsej 240 mijë të diplomuar, kur duhet të kishim së paku tre herë më shumë. Historia e zhvillimit ka faktuar se për të arritur vlera të larta në ekonomi, në prodhime e shërbime, për të ndjekur orën globale, për të ndjekur revolucionin teknologjik dhe të komunikimit, revolucionin post-teknologjik dhe inovacionin, për të vendosur ekonominë mbi bazat e dijes, shkollimi i mirë është kushti më vendimtar.

Zonja dhe zotërinj!

Sot kemi arritur që 70 % e atyre që mbarojnë shkollat e mesme të hyjnë në universitete, por në rrafshin cilësor ne nuk jemi ende afër standardeve të vendeve të zhvilluara. Ne, këtë distancë, e marrim si një sfidë, si një mundësi për ta zgjidhur me vendosmërinë më të madhe, ndaj dhe unë, duke shprehur falënderimin tim dhe vlerësimin tim për punën e shkëlqyer që keni bërë dhe bëni, për përpjekjet e mëdha që ju, bota akademike e universitare e vendit, keni bërë pë reformat e thella dhe transformimet e kësaj jete, ju garantoj se qeveria do t’ju mbështesë fuqishëm ju në ato përpjekje, për t’i bërë universitetet e këtij vendi promotorët më kryesor të zhvillimit të tij.

Do ta mbyll, duke perifrazuar edhe njëherë John Masfield, poetin që zgjodhi të bukurën për të vlerësuar universitetet, se: “ka pak gjëra të kësaj toke më të bukura se universitetet”. E vërteta është se në Shqipëri nuk ka asgjë më të rëndësishme se universitetet. Ndaj dhe ne, le të punojmë së bashku për të rritur cilësinë e tyre. Le të na frymëzojnë shembujt e universitetet, para së gjithash, universitetet  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, universitete që e bënë atë komb më të madhin e kohës, e bënë atë vend më të fuqishmin. Këto universitete nuk janë më të vjetër, por janë më të lirët. Në këtë kontekst, le të përpiqemi të adaptojmë gjithnjë e më shumë atë model i cili ka në themel lirinë dhe respektin ndaj saj.

Faleminderit”.


01/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›