E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në “Sofrën Pukjane 2011”

30 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, zhvilloi sot në mesditë një vizitë në qytetin verior të Pukës, ku mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm tradicional “Sofra Pukjane 2011” që po zhvillohet për të katërtin vit radhazi.

Në qendër të Pukës, Kreu i Shtetit u prit në një atmosferë të përzemërt e festive nga ideatori dhe organizuesi i “Sofrës Pukjane” Arjan Ndoi, nga intelektualë, artistë dhe qytetarë të shumtë që ishin mbledhur me këtë rast.

Pasi vizitoi “Ekspozitën etno-kulturore” të qytetit verior të Pukës, Kryetari i Shtetit mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Sofra Pukjane 2011”, në Koncertin e madh festiv me këngë dhe valle popullore e karakteristike të trevës, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Eqerem Çabej”.

Me këtë rast, u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të dy personaliteteve të njohura të Pukës, ku, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve presidenciale nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës, i dorëzoi zotit Elez Rrust Selimi, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për punë të palodhur e plot përkushtim në shërbim të shëndetit të njerëzve, për rezultate të larta në aplikimin e arritjeve bashkëkohore të mjekësisë në vendin tonë”, si dhe familjarëve të zotit Mark Dodë Alia (Pas vdekjes), Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Veprimtarit patriot, i cili jetën e vuri në shërbim të bashkimit, arsimimit dhe përparimit kombëtar dhe që diti t’i qëndrojë me dinjitet persekutimit të regjimit komunist”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›