E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e rrugës Rruga nacionale- Lapardha 2, në Berat, me vlerë 67 milion lekë

Kryeministri Berisha vizitoi të shtunën paradite Beratin, ku mori pjesë në përurimin e dy rrugëve të rëndësishme për komunat e këtij qarku. Në fillim të vizitës, Kryeministri, së bashku me drejtuesit vendorë të zonës inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të Rrugës Nacionale- Lapardha 2, me gjatësi 3.5 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 67 milion lekë.

Rruga e rikonstruktuar  do ti japë një hapësirë  të re komunikimit për 12.500 banorë, ku përfitues direkt janë fshatrat Lapardha 1 dhe Lapardha 2, ndërsa indirekt do të përfitojnë edhe 12 fshatra  të komunës Lumas.

Gjithashtu, rruga vjen në ndihmë edhe të fermerëve të zonës, duke lehtësuar shërbimet për produktet bujqësore e blegtorale, si dhe për nxjerrjen e tyre më shpejt në treg.

Gjatë 6 viteve të fundit, në Qarkun e Beratit janë ndërtuar 430 km rrugë, duke përfshirë 230 rrugë, në të gjitha njësitë vendore. Janë ndërtuar dhe restauruar 82 shkolla e kopshte, 89 Qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe 74 sisteme ujësjellësash e kanalizimesh.

Në sektorin bujqësor janë investuar 633 milion lekë, të cilat përfshijnë subvencionimin e 2500 ha blloqe të reja.

Investimet në infrastrukturë i kanë dhënë një shtysë të re turizmit, duke bërë që Berati gjatë këtij viti të vizitohet nga 200 mijë turistë, kundrejt 30 mijë në vitin 2005.

Për sa i përket bizneseve të reja numri i tyre është shtuar dy herë, duke arritur në 5260 të tilla, krahasuar me 2830 biznese që ishin në vitin 2005.

Në takimin me banorët e zonës, Kryeministri shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në inaugurimin e një rruge të denjë për çdo qytezë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe të Evropës.

Kryeministri garantoi banorët dhe drejtuesit vendorë të komunave se qeveria do të mbështesë fuqishëm çdo projekt të tyre për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, për urbanizmin më të mirë të zonës, për daljen më të lehtë ne treg të prodhimeve të mrekullueshme bujqësore, etj.

Gjithashtu, kryeministri ftoi fermerët që të kenë përparësi mbjelljen e sa më shumë drurëve frutorë, me premtimin se do të subvencionohen nga qeveria.

Kryeministri shprehu ndër të tjera, angazhimin e qeverisë për përfundimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, si rrugën Berat-Lushnje, segmentin Berat-Elbasan, rrugën për në Përmet, rrugën Duhanas-Roshnik, etj.

Me premtimin se përpjekjet e qeverisë për të zhvilluar edhe më shumë këto fshatra, do të shumëfishohen, Kryeministri u shpreh:

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time të madhe se sot vij në qendrën e komunës suaj me një rrugë të re, e denjë për çdo qytezë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe të Evropës.

Kam ardhur këtu, kemi bërë inaugurime të tjera, por rruga e rrënuar ishte një mundim për ju, rruga nuk ju përfaqësonte ju, ndaj dhe kam shumë kënaqësi që sot, ju keni një rrugë të standardeve më të mira për të dalë në aksin kombëtar. Ju meritoni bulevard. Ju meritoni çdo mbështetje. Gratë dhe burrat punëtorë të komunës së  Otllakut dhe të gjitha komunave të Beratit do të kenë mbështetjen më të fuqishme të qeverisë shqiptare, në mënyrë që të disponojnë infrastrukturën më moderne, sikundër kjo rrugë është e denjë për çdo bashki të vendit.

Ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni shkollat, kanalizimet, sistemin e vaditjes, të standardeve më të mira. Në këto vite ne kemi investuar këtu, në rrugë, shkolla, kopshte, kanalizime rreth 600 milion lekë pa llogaritur shumën që kemi investuar në mbështetje të frutikulturës dhe serave në komunën tuaj. Ju garantoj se në vitet që vijnë kjo shumë do të shumëfishohet. Por, jam këtu për të garantuar kryetarin e Lumasit dhe kryetarët e të gjithë komunave të Beratit se qeveria do të mbështesë fuqishëm çdo projekt të tyre për ndryshimin e jetës së banorëve, për urbanizmin më të mirë të zonave të tyre, për daljen më të lehtë ne treg të prodhimeve të tyre të mrekullueshme bujqësore.

Ndaj dhe unë ju premtoj ju, ndërtimin e ujësjellësit dhe kanalizimeve në Lapardha, urën e Lumasit, rrugën Lumas-Mondrak.

Vëllezër dhe  motra,

Këto 6 vite, në qarkun e Beratit ne kemi ndërtuar 430 km rrugë. Vetëm në fshatrat e këtij qarku janë ndërtuar 230 km rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar 82 shkolla e kopshte, 89 qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe 74 sisteme ujësjellësash e kanalizimesh. Fermerët e qarkut të Beratit janë mbështetur me 633 milion lekë,janë subvencionuar 2500 ha blloqe të reja apo sera, 27 herë më shumë se sa në periudhën 8 vjeçare para kësaj qeverie.

Jam sot këtu, për tu premtuar ju se gjatë këtij mandati ne do të përfundojmë rrugën Berat-Lushnje, Boshtin e Jugut, segmentin Berat-Elbasan, rrugën për në Përmet, rrugën Duhanas-Roshnik dhe unë i përshëndes banorët e Roshnikut dhe të gjithë atyre fshatrave. Ne do të ndërtojmë rrugët dhe ju bëj thirrje të vazhdojnë në traditën e tyre më të shkëlqyer dhe ju të vazhdoni traditën tuaj më të mirë, të mbillni sa më shumë dru frutorë. Dua tu rrëfej diçka personale. Unë e pëlqej shumë pjeshkën, por më shumë se të gjitha, pjeshkat e Lapardhasë, absolutisht janë më të mirat. Ndaj dhe le të ndërtojmë ne, infrastrukturën që prodhimet tuaja të mos i shijojnë vetëm shqiptarët, por ti shijojë mbarë Evropa. Si askund tjetër, sa herë vij në rrethin tuaj më bën përshtypje të jashtëzakonshme fakti se nuk gjej asnjë pëllëmbe tokë të papunuar. Ky është frymëzim i madh për çdo njeri punëtor. Ne përpiqemi tu ndihmojmë ju, por ajo që bëni ju për veten tuaj, për familjen, për Lapardhanë për Beratin, për Shqipërinë është dhjetëra herë më e madhe, ndaj dhe ju keni nderimin tim më të madh.

Qytetare dhe qytetarë të Lapardhasë,

Vëllezër dhe motra,

Përpjekjet tona për tu ndihmuar ju do të vijnë në shumëfishim, sepse për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar, pa Lumas të zhvilluar, pa Lapardha të zhvilluar, pa Mbreshtan të zhvilluar.

Por sot çfarë ndodh, krerë të opozitës shqiptare për të sulmuar qeverinë,kërkojnë heqjen e Tvsh-së për prodhimet tuaja. Qëllimi i tyre është nga më të ligët që mund të ekzistojnë. Qëllimi është që juve tu mbeten prodhimet në fushë dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk e heqim Tvsh-në për prodhimet tuaja. Ne nuk e heqim sepse në Evropë, për çdo kokë lopë, fermerët marrin çdo ditë 3 euro subvencion dhe sigurisht që atij ia del të shesë qumështin më lirë, sepse merr subvencionin. Në Evropë, për çdo ha grurë marrin pothuajse aq sa ç’është çmimi i grurit. Në Evropë, për çdo kuintal fruta marrin subvencion pothuajse sa çmimi i tyre dhe unë ju them ju këtu, se nga 188 miliard euro buxhet në BE, më shumë se 90 miliard jepen për të subvencionuar prodhimin bujqësor.

Ndërkohë, sipas këtyre zotërinjve, ne do të mbushim tregun, ndërkohë kur ata kanë Tvsh, me prodhime të huaja dhe të lëmë në fushë prodhimet tona. Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Ju jeni njerëz të punës dhe i kuptoni mirë këto gjera. Sot në Shqipëri, 51 % e popullatës jeton në fshat. Sot në Shqipëri, njësoj si në çdo vend tjetër të Evropës, të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne? Ta thellojmë më tej këtë pabarazi? Të bëjmë që produktet tuaja të shiten për 5 lekë në treg? Jo, ne nuk e bëjmë këtë.

Edhe me këtë politikë ne bëjmë një shpërndarje më të ndershme të të ardhurave kombëtare. Vërtet mund të paguajnë pak më shumë në qytet, por ajo që paguajnë shkon në favor të fermerëve shqiptarë dhe të prodhuesve shqiptarë sepse në qytet marrin shumë më tepër të ardhura, se sa marrin ata në fshat.

Ne nuk e heqim Tvsh për importet siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste. Nuk e bëjmë sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk ul çmimin, përkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet tuaja dëmtohen, të ardhurat tuaja zvogëlohen, rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që ka shndërruar partia vetë, në parti të biznesit dhe asgjë tjetër.

Ndaj dhe kjo është arsyeja që ne qëndrojmë pas jush, do ju mbështesim, do rrisim subvencionet dhe do të ndjekim rregullat më të mira të mundshme në mënyrë që prodhimet tuaja të shiten në mbarë tregun shqiptar, të shiten në Kosovë, të shiten në Maqedoni, të shiten në Evropë, të shiten kudo.

Fatmirësisht, të dashur miq, ky ligj nuk kërkon tre të pestat, ndaj dhe të jeni të sigurtë se ky vend nuk do të shndërrohet ndonjëherë në Republikë tregtare, por do të jetë Republika e grave dhe burrave që prodhojnë çdo minutë, çdo orë, çdo vit dhe që pasurojnë vendin e tyre.

Ne, ende nuk e kemi rrugën përpara, bulevard, por nuk e kemi më aspak, siç kishim disa muaj më parë, këtë rrugë që inauguruam sot. E kemi më të lehtë dhe unë ju siguroj ju, se ne së bashku do të realizojmë projektin më të madh, “Shqipëria, vend i zhvilluar", ëndrra më e bukur e çdo shqiptari. Ne së bashku do të integrojmë Shqipërinë në Evropë.

Sot, krerët e PS përdorin pushtetin që ju kanë dhënë zgjedhësit e Lapardhasë, të Korçës, të Tropojës, të Gjirokastrës, të Tiranës, për të bllokuar ato pak ligje që janë të domosdoshme të votohen me tre të pestat për integrimin e vendit në Evropë.

Vëllezër dhe motra,

Këto janë jo më shumë se 5 % e ligjeve që nevojiten, ndërsa 95 % e ligjeve të tjera nuk bllokohen dot nga ata, të cilët përdorin pushtetin e  dhënë nga zgjedhësit, për të bllokuar ëndrrën, aspiratën, interesin më të mirë për zgjedhësit e vet.

Unë ju garantoj ju, se ne do të shtyjmë përpara procesin e integrimit, sepse ata, të cilët mendojnë se mund të na largojnë nga Evropa, nuk tregojnë gjë tjetër veçse atavizëm të origjinës së tyre. Nga Evropa, asgjë nuk do të mund të na largojë, drejt Evropës, asgjë nuk do të mund të na ndalojë. Mund ta ngadalësojnë, por në zgjedhjet e kaluara morën 141 mijë vota më pak dhe sot, zoti Edi Rama është i vetmi politikan në Evropë, i cili kalon nga disfata në disfatë, sepse zgjedhësit e ndëshkojnë për politikën e tij bllokuese. Është politikan, i cili do të dalë në pension në mënyrë edhe të pavullnetshme sepse socialistët do t’ia presin biletën brenda vitit 2013.

Edhe njëherë ju përshëndes, ju ftoj të vazhdojmë me përkushtim përpjekjet për të shtuar të ardhurat në çdo familje të fermerëve shqiptarë, përpjekjet për të shtuar të ardhurat, duke mbjellë sa më shumë dru frutorë, ullinj, pjeshkë, arrorë, përpjekjen për të shtuar të ardhurat duke shtuar sipërfaqet me sera diellore. Sot, Shqipëria, krahasuar me vitin 2004, s’ka as dyfishin e popullatës, nuk ka më 3,1 milion, por ka 7,5 milion banorë, vendas dhe të huaj, që konsumojnë në këtë vend.

Edhe njëherë gëzuar rrugën dhe ju premtoj se do të mbështes çdo projekt pa asnjë lloj dallimi, pas asnjë lloj hezitimi. Do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë jetën tuaj.


29/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›