Kryeministri Berisha inauguron rrugën Mbreshtan-Sinjë, në Berat, me vlerë 131 milion lekë
Kryeministri Berisha vijoi vizitën, në qarkun e Beratit, me inaugurimin e rrugës fshat Mbreshtan-Sinjë, me gjatësi 10.1 kilometra, gjerësi 4 metra dhe vlerë 131 milion lekë, prej së cilës do të përfitojnë 5500 banorë të zonës.
Rruga e re lidh komunat Sinjë dhe Mbreshtan, duke bërë përfitues direkt fshatrat Mbreshtan, Galinë, Pastal, Sinjë, si dhe përfitues indirekt fshatrat Sadovicë, Kamcisht, Mbieshovë, Mbolan.
Kjo rrugë, e cila iu shtohet investimeve të shumta në qarkun e Beratit, vjen si një premtim i realizuar edhe në ndihmë të fermerëve, për transportin sa më të shpejtë të produkteve bujqësore e blegtorale.
Kryeministri Berisha, duke përshëndetur banorët, uroi për rrugën e re dhe u shpreh se ajo, së bashku me rrugë të tjera të përfunduara nxjerrin në pah mrekullitë turistike të zonës, të mbetura në harresë, për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme.
Duke ftuar fermerët në mbjelljen e sa më shumë druve frutorë, Kryeministri siguroi se investimet në infrastrukturë do të vazhdojnë, për ta lehtësuar edhe më tepër daljen në treg, si dhe premtoi dhënien e kredive të buta, nga ana e qeverisë për çdo biznesmen që do të investojë në linja të përpunimit të prodhimeve bujqësore.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj tu përshëndes vëllazërisht, të shpreh gëzimin tim që sot inaugurojmë së bashku rrugën e re Mbreshtan –Sinjë mbi 10 km e gjatë dhe e parametrave më të mira. Kohë më parë, ne inauguruam së bashku, rrugën Gorricë- Mbreshtan dhe njëkohësisht me përfundimin e saj, fillimin e kësaj rruge, dhe ja ku jemi sot me një premtim të mbajtur për të gjithë ju.
Unë, duke ardhur këtu sodita me një kënaqësi të veçantë, jo vetëm Shpiragun , vëllain e vogël të Tomorit, por mbi të gjitha sodita dhe u kënaqa shumë nga puna mrekullueshme e fermerëve të kësaj zone. Në të gjithë rrugën shtriheshin plantacionet e qershive dhe të ullirit dhe kjo është një meritë madhe e juaja. Unë duhet tu lutem ju të mbillni sa më shumë dru frutorë. Ja ku është rruga, në qofte se më parë prodhimet mbeteshin në shtëpi dhe kishit vështirësi për ti transportuar, sot prodhimet tuaja shkojnë në Berat, në një kohë shumë herë më të shkurtër se më parë. Por, nga ana tjetër unë jam këtu, për tu premtuar ju se çdo biznesmen i kësaj zone që dëshiron të ngrejë këtu, linja të përpunimit të prodhimeve tuaja, ne do ti japim kredi të butë për ngritjen e tyre.
Gjatë fushatës elektorale kundërshtarët e mi përqeshën një premtim timin që bëra në Urën Vajgurore. Ju premtova rrugën që të nxjerr në anën tjetër të Shpiragut , në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali turistik dhe ata thanë – imagjinoni dhe urës Vajgurore i flet për turizëm. Po, i flas dhe do ti flas për turizëm dhe i ftoj zotërinjtë socialistë që të mos harrojnë se këtë komunë kryetari është i tyre, të vijnë ti bëjnë një vizitë kryetarit të tyre banorëve, zgjedhësve dhe të shohin se çfarë interesi të madh ka unaza e Shpiragut. Të mësojnë se këtu në Sinjë nuk ka vetëm vota, por këtu ka një klimë të mrekullueshme, është një zonë turistike nga më të bukurat, të vijnë këtu dhe të shohin në të gjitha drejtimet se pamje të mrekullueshme të rrokin sytë nga Tomorri, në Mallakastër, Urën Vajgurore, e të gjitha anët. Kjo është mrekullia e Shpiragut dhe banorëve të fshatrave përreth tij. Jam këtu, për tu premtuar ju se rruga do të vazhdojë deri në Urën Vajgurore, në mënyrë që ata që duan të vijnë nga Tirana, si dhe turistët të mos kenë nevojë të kthehen dhe të shkojnë në Berat, por nga Ura Vajgurore të ecin drejt bukurive mahnitëse të Shpiragut, Mbreshtanit dhe prodhimeve të tyre të mrekullueshme.
Muaj më parë inauguruam një rrugë, e cila kalonte nga Ballshi në Aranitas. Kryetari i komunës kërkonte vazhdimin e kësaj rruge për tu lidhur me komunat tuaja dhe këtë zonë. Edhe atë do ta bëjmë. Ne do të bëjmë gjithçka që ju, kudo që jetoni të ndiheni si në një lagje qyteti, të keni rrugën, energjinë, ujin, vaditjen, shkollën, të njëjta me të lagjeve të qytetit. Të tjerat, ju jeni të aftë dhe do ti bëni vetë me mundin, djersën, përkushtimin tuaj, siç keni bërë. E rëndësishme është që ne sëbashku, kudo që jemi të përpiqemi të mbrothësojmë, të begatojmë familjet tona. Potencialet janë të jashtëzakonshme. Unë isha tani në Lapardha dhe erdha këtu. Sa herë që të mendosh nuk mund të përfytyrosh një vend me pasuri përrallore sa Berati. Por këto pasuri nuk janë shndërruar në vlera për qytetarët e tij, sepse nuk ka patur rrugë, nuk ka patur ujësjellësa , s’ka patur kanalizime, nuk ka patur energji. Pra, kanë qene mangësi të mëdha , nga të cilat kanë qenë të dënuara shumica e shqiptarëve.
Dje unë isha në Pac , në Tropojë dhe në Golaj. Nga Kruma u ktheva në Tiranë, brenda 2 orëve e 5 minutave për të vijuar me axhendën. Por çfarë ndodhi, pasdite zotëria Sms, shpërndau sms në të gjitha gazetat se Berisha udhëtoi me tre helikopterë. Fillimisht nuk më erdhi më erdhi mirë, por pastaj mendova që ai ka të drejtë, pasi imagjinata e tij nuk e kap dot se çfarë transformimi sjellin këto rrugë. Ai nuk e mendon dot dhe ata nuk e mendojnë dot se këto rrugë po ju japin shqiptarëve atë, që atyre ju ka munguar më shumë, kohën, të cilën ata detyroheshin ta shpenzonin në rrugët më të këqija të Evropës dhe ndër rrugët më të këqija në botë. Ne po ndërtojmë tani rrugët më të mira.
Jeni fatlum ju dhe çdo shqiptar se këto rrugë nuk kërkojnë votën me tre të pestat në parlament se dhe njëherë ju garantoj se po të kërkohej, këtu nuk do të ndërtohej qoftë edhe 1 km rrugë, apo tuba për ujësjellës apo për vaditje, sepse zoti Rama mendon se duke vështirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë do të mund të ngjallë tek ata pakënaqësi ndaj qeverisë dhe në këtë mënyrë do të mund të ngjisë shkallët e pushtetit. E vërteta është krejt e kundërta, e vërteta është se duke ju penguar ju , duke vështirësuar jetën tuaj, kurrë ndonjëherë, ju nuk do të mbështesni për pushtet, ata që përdorin një politike të tillë. Atëherë ju garantoj se do të vazhdojmë se bashku, kemi një pengesë me ligjet që kërkojnë tre të pestat, por ato janë jo më shumë se 3 deri në 5 % e ligjeve. Nuk kemi asnjë pengesë të ndërtojmë këtu në Sinjë, këtu në Mbreshtan , të ndërtojmë Evropën më të bukur, të ndërtojmë Sinjën e zhvilluar, Beratin e zhvilluar, Shqipërinë zhvilluar, Ndaj, le ta vazhdojmë ne, këtë udhëtim edhe me pengesat që na nxjerrin, të cilat ne do ti zgjidhim në mënyrën më demokratike. Në maj ishte prova me e madhe e demokracisë. Më 8 maj, shqiptarët votuan dhe i dhanë,politikës më të madhe të bllokimit, ndëshkimin më të madh ndonjëherë, në historinë e zgjedhjeve vendore, 141 mijë vota më pak.
Zotëria bërtet, përse po ikin qarqet. Por qarqet po ikin se janë 141 mijë shqiptarë që kanë votuar më shumë për Aleancën e maxhorancës. Zotëria shkruan “Kurbanin”, por sigurisht po bllokove Tiranën, tiranasit votojnë për të gjithë shqiptarët, të japin mësimin e merituar. Nuk ka shqiptar që e voton politikën e bllokimit, nuk ka shqiptar, i cdo bindjeje qoftë, që voton për të bllokuar fëmijët e tij, për të bllokuar familjen e tij , për të bllokuar fshatin apo qytetin e tij. Jo, nuk është kjo, rruga e ardhjes në pushtet. Megjithatë 2013 po vjen dhe ne jemi të vendosur në mënyrën më demokratike të zgjidhim çdo kundërshti.
Sikundër, unë ju them ju këtu, vëllezër dhe motra se absolutisht ne mbetemi shumë të respektueshëm ndaj opozitës, ne mbetemi shumë të gatshëm për dialog me opozitën. Ne mbetemi shumë të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, por ata që mendojnë se, jo bashkëpunimi, por bllokimi, ata që mendojnë se duke bllokuar procesin e integrimit evropian, do të shpërblehen nga shqiptarët, ata do të marrin ndëshkimin demokratik më të merituar.
Edhe njëherë ju falënderoj përzemërsisht të gjithëve për këtë pritje vëllazërore dhe ju falënderoj që më bëtë të vij këtu në këtë vend kaq të bukur që nuk e kisha parë më pare.
Ju uroj dhe ju garantoj se, pavarësisht se i cilit drejtim është kryetari juaj i komunës, unë do të mbështes çdo projekt që ai do të paraqesë për përmirësimin e jetës suaj.
29/10/2011