Kryeministri Berisha: Vau i Dejës, së shpejti nyje e transportit drejt alpeve dhe Kosovës perëndimore
Kryeministri Berisha vijoi dje pasdite takimet elektorale me banorë të Vau Dejës, ku prezantoi dhe shprehu mbështetje për zotin Gjon Marku, kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për këtë bashki.
Kryeministri Berisha u zotua para banorëve të Vaut të Dejës se në katër vitet që vijnë investimet në këtë bashki do të jenë pesë herë më të mëdha se katër vitet që shkuan. Kryeministri i garantoi se do të mbështesë çdo projekt të zotit Gjon Marku për të asfaltuar çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie, për të ndërtuar e rindërtuar çdo shkollë, çdo kopsht, çdo qendër shëndetësore, si dhe çdo projekt për të gjitha veprimtaritë kulturore të kësaj treve.
Nga Bashkia Vau Dejës Kryeministri Berisha i uroi Ditën e Pashkëve besimtarëve të krishterë. “Ju uroj ju, besimtarëve katolikë, besimtarëve ortodoks dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, gëzuar këtë Ditë të bekuar, këtë Ditë të madhe. Uroj nga zemra që Pashkët e vitit që vjen t’i festojmë edhe më mirë, edhe më të lirë, dhe më të mëkëmbur, ashtu siç e meritojmë”, u shpreh Kryeministri.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të bashkisë Vau Dejës,
E nderuar zonja kryetare e Parlamentit,
I dashur z. Gjon Marku, kryetar i bashkisë Vau Dejës dhe kryetar i ardhshëm i kësaj bashkie,
Së pari, dëshiroj që me shumë mirënjohje dhe me shumë respekt t’ju falënderoj nga zemra ju, burrave e grave, djemve e vajzave të bashkisë Vau Dejës për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe të vendosur që i keni dhënë Partisë Demokratike që nga dita e themelimit të saj e deri më sot. Ju garantoj se ndihem krenar për mbështetjen tuaj, mbetem thellësish mirënjohës ndaj secilit prej jush. Sikundër jam këtu për t’ju dhënë fjalën e nderit se në katër vitet që vijnë investimet në këtë bashki do të jenë pesë herë më të mëdha se katër vitet që shkuan, se suksesin e Gjon Markut më 8 maj do ta shndërrojmë në katër vite në sukses për secilin prej jush, për familjet tuaja, për komunitetet tuaja dhe gjithë bashkinë e Vaut të Dejës.
Zoti kryetar i ardhshëm i bashkisë dhe kryetar aktual,
Ju garantoj se do të bëhen realitet të gjitha projektet që ju do të hartoni me këta qytetarë për të shndërruar Vaun e Dejës në një qytet modern, për të shndërruar bashkinë e Vaut të Dejës në një nga bashkitë më të zhvilluara. Ju kërkuat këtu, me të drejtë, mbështetje për argjinaturat, për banesat, për unazën. Ju garantoj se mbështetje e plotë do t’ju jepet juve jo vetëm për këto, por për çdo projekt, për të asfaltuar çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie dhe të tetë fshatrave të saj, për të ndërtuar e rindërtuar çdo shkollë, çdo kopsht, çdo qendër shëndetësore të territorit të bashkisë tuaj. Mbështetja ime do të jetë e plotë për të gjitha veprimtaritë kulturore të kësaj treve, ndër të cilat ju keni shpirtin më të pasur. Mbështetja ime do të jetë e plotë për ju, për fermerët e kësaj bashkie dhe i garantoj ata se do të financojmë çdo rrënjë ulliri, çdo metër katrorë të mbjellë, çdo rrënjë shegë apo dru tjetër frutor që Vau i Dejës të shndërrohet në kopshtin, në bahçen më të bukur të Shqipërisë. Qeveria do të asfaltojë rrugën Vau i Dejës – Shkodër, ka përfunduar projekti i autostradës Koman – Fierzë. Vau i Dejës do të bëhet nyje kryesore e transportit drejt veriut, drejt alpeve, drejt Kosovës perëndimore.
Vëllezër e motra,
Sot, ne mblidhemi në këtë shesh pasi mbartim mbi supet tona edhe lodhje, edhe mundime, edhe sakrifica, por dhe jo pak dhembje. Rruga jonë e lirisë ka qenë rruga e dinjitetit, ka qenë rruga në të cilën ne, shqiptarët duke shfrytëzuar pasuritë e lirisë, mblidhemi sot në këtë shesh më krenar, më dinjitet se kurrë në historinë tonë kombëtare. Ne që 20 vjet më parë ishim qytetarë të një vendi të shkëputur nga bota, vendit më të izoluar në Europë, me besimin te liria, me punën dhe përkushtimin tonë, me besimin tonë te vlerat, te Zoti, ia dolëm me reforma të thella që Shqipërinë ta anëtarësojmë Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur. Ne, që 20 vjet më parë jetonim të rrethuar ne kufi me tela me gjemba, sot lëvizim të lirë në mbarë Europën pa viza, si qytetarë europianë. Ne, që 20 vjet më parë nuk ekzistonim në hartën e investimeve dhe kishim një ekonomi tërësisht të falimentuar, për 3 vite më radhë kryesojmë rritjen ekonomike në Europë. Ne, që pak vite më parë nuk ekzistonim në hartën e turizmit botëror, vijmë në këtë vit, pasi Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, ashtu siç e ka bërë Zoti. Ne që dolëm nga skamja dhe mjerimi më i madh, sot vendi vendoset në grupin e atyre vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe do bëjmë gjithçka brenda 2017, Shqipëria e shqiptarët me të ardhura të larta, Shqipëria vend i zhvilluar.
Sot, ne mblidhemi në këtë shesh si burra e gra, djem e vajza të ëndrrave të mëdha të realizuara, mblidhemi si burra e gra, djem e vajza që ndryshuam këtë vend me shpejtësinë më të madhe se çdo vend tjetër në Europë. Mblidhemi me besim të madh tek e ardhmja jonë, të bindur se vitet që vijnë me shpejtësi më të madhe do të ecim drejt të ardhmes që meritojmë.
Vëllezër e motra
Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, e djersës, e punës, alternativa e përkushtimit, e vlerave, e besimit tek njeri - tjetri, e besimit te Zoti, te familja, tek vendi, tek e ardhmja. Të dashur qytetarë, kjo alternativë ju ka juve në epiqendër, hallet dhe dertet tuaja, interesat dhe vizionin tuaj, përkushtimin, mendjen, shpirtin dhe zemrën tuaj. Ne jemi të bindur se në këtë alternativë ka vend për çdo shqiptar. Ndaj unë i ftoj shqiptarët të vijnë në shtëpinë e alternativës së qytetarit. Unë i garantoj ata se do t’i presim me dinjitet, me respekt. Le t’ua lëmë rrugën e vetme, vetmitarëve që ecin të sigurt drejt së shkuarës. Ne kemi një rrugë të vetme, kjo është rruga e Zotit, Zoti ka vend për secilin prej nesh. Rrugën e Tij, rrugën tonë, s’ia japim kurrkujt.
Shoku Edi Rama që zgjodhi për lajtmotiv të kësaj fushate sloganin e “E vetmja rrugë”, e nxori atë nga arkivat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Pra, mori sërish rrugën e etërve të tij. Natyrisht, kjo jo se mund të kthej në këtë vend të shkuarën e hidhur, por, ju lutem vëllezër, le të analizojmë pak se cila ishte rruga e vetme e Edi Ramës. Rruga e vetme e zotit Rama ishte rruga për të kundërshtuar çdo projekt për Vaun e Dejës, Shkodrën, për Vlorën, për Gjirokastrën, për Shqipërinë. Rruga e vetme e Edi Ramës ishte rruga për të shpallur kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve tuaja, ishte rruga për të bllokuar me çdo kusht anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, për të bllokuar pajisjen tuaj me pasaporta biometrike, për të futur vizat tuaja në kuti. Rruga e tij e vetme ishte rruga për të votuar kundër çdo buxheti, kundër çdo ligji, kundër çdo vendimi, vetëm e vetëm se ato ishin interesat tuaja jetike. Atëherë le t’i themi ne atij – udhë e mbarë shoku Edi në shtëpinë e vetmisë politike. Ne do të bashkohemi. Ne sot jemi më të vendosur dhe më optimistë se kurrë për ndërtimin e të ardhmes sonë. Është e vërtetë se kemi sërish punë për të bërë. Është e vërtetë se në këtë vend rruga nuk është bulevard me lule, por është e vërtetë se në 20 vjet, ne kemi arritur më shumë se çdo komb tjetër në 20 vjet në rrugën e lirisë.
Ndaj ju bëj thirrje që me 8 maj të votoni Gjon Markun! Ju jap fjalën se fitoren e tij do ta shndërrojmë në projekte të gjithanshme për zhvillimin dhe modernizimin e bashkisë tuaj.
Vëllezër e motra,
Pak muaj më parë, në Kishën tuaj, ne së bashku nderuam 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, shqiptares më të madhe të të gjitha kohërave. Ishit ju, kryeqyteti shpirtëror i nderimit të Shenjtores së kombit shqiptar. Nesër është Dita e bekuar e Pashkës. Ju uroj ju, besimtarëve katolikë, besimtarëve ortodoks dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, gëzuar këtë Ditë të bekuar, këtë Ditë të madhe. Uroj nga zemra që Pashkët e vitit që vjen t’i festojmë edhe më mirë, edhe më të lirë, dhe më të mëkëmbur, ashtu siç e meritojmë. Gëzuar të gjithëve!”
24/04/2011