E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha reagon për vrasjen e Bin Laden: Kjo është një fitore e SHBA mbi terrorizmin

Kryeministri Berisha reagoi sot për vrasjen e kryeterroristit dhe liderit të Al Kaedës, Osama  Bin Laden, duke e cilësuar  atë si një fitore të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj terrorizimit.

Në një prononcim  për mediat, kryeministri Berisha u shpreh se Bin Laden mori atë që meritonte, ndërsa ka theksuar se ky lajm është një lehtësim për familjarët e mijëra viktimave të 11 shtatorit.

Më gjërësisht kryeministri tha :

“Kryelajmi i botës  sot është eliminimi i njërës prej figurave më të zeza të historisë së njerëzimit. Njeriut që me primitivizmin e tij, me agresivitetin e tij mori mijëra e mijëra jetë  në Nju Jork, por dhe në shumë vende të  tjera, jetë  të pafajshme,të  burrave, grave  e fëmijëve, në të cilat ky njëri mizor, Bin Laden,  donte të realizonte qëllimet më mesjetare, qëllimet më çnjerëzore.

Këto ditë në strofkullën e tij ai mori atë përgjigje që meritonte prej  vitesh. Kjo është një fitore e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , presidentit Barak Obama,  është një fitore e madhe e paqes dhe të gjithë atyre që e konsiderojnë  terrorizmin si armik numër një të paqes dhe lirisë së tyre.

Ky është lajmi më ngushëllues për familjarët e mijëra  e mijërave viktimave të pafajshme, të sulmeve që kryeterroristi  Bin Laden organizoi në shumë vende të botës” .


02/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›