Kryeministri Berisha: Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të Mesdheut
- Këshilli i Ministrave miraton vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për ndërtimin e portit të kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për ndërtimin e portit të kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë, si dhe për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë.
Kryeministri Berisha tha se për shkak të thellësisë së ujërave të saj, Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të Mesdheut.
“Një kompani e madhe britanike tregon interes për të ndërtuar në Vlorë një nga portet më të mëdha të Mesdheut. Vlora është përmendur me qindra e mijëra herë si vendi më i përshtatshëm për portin më të madh të vendit, për shkak të thellësisë së ujërave. Por i takoi qeverisë sonë që këtë ëndërr ta shndërrojmë në realitet. Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të kontenierëve të Mesdheut. Porti do të jetë në zonën tek pylli i Sodës.”
Kjo zonë, u shpreh Kryeministri, do të ketë së shpejti edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit.
“Kjo zonë, së shpejti, do të ketë infrastrukturën më të mirë, autostradën me katër korsi, ka hekurudhën, të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe aeroportin dhe do ta ketë. Faktikisht, Vlora shndërrohet në një ndër portet më kryesore të zhvillimit të vendit. Kompania ka bërë punë të madhe. Krahas portit, do të jetë dhe zona e lirë, përveç zonës industriale që, sipas disa njoftimeve, grupi i biznesmenëve vlonjate po ecën dhe ne duhet të shohim mundësitë të çojmë rrugën aty, sipas premtimeve dhe t’i ndihmojmë me infrastrukturën”, u shpreh Kryeministri, duke siguruar se interesin e tyre është shumë të madh, qeveria do ta mbështesë me infrastrukturën e plotë të zonës.
27/01/2009