E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligje dhe vendime të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave

-          - Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan vendimet dhe projektligjet si më poshtë:

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PER RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKES SE GREQISE DHE REPUBLIKES SE ITALISE, PER PROJEKTIN PER GAZESJELLESIN TRANS ADRIATIK (Projekti tap)”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2,  dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V e n d o s i:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar,  në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS së GREqisë DHE REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR PROJEKTIN PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V e n d o s i:

Neni 1

 Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”.

 Neni 2

 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN  E PROTOKOLLIT TË KATËRT SHTESË TË KONVENTËS EUROPIANE TË EKSTRADIMIT”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit të katërt shtesë të Konventës Europiane të Ekstradimit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***

P R O J E K T L I G J

PËR

RATIFIKIMIN E PROTOKOLLIT TË KATËRT SHTESË TË KONVENTËS EUROPIANE TË EKSTRADIMIT

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e protokollit të katërt shtesë të Konventës Europiane të Ekstradimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)

***

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E Inspektoratit SHTETËROR të Mjedisit, Pyjeve, UJËRAVE dhe PESHKIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 3, 51 e 56, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011,“Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Krijimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, në vijim “ISHMPUP”, si institucion qendror buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin, pyjet, ujërat dhe peshkimin.

2.     Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve, ujërave dhe peshkimit.

3.     ISHMPUP-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën e përgjegjësisë së ministrisë përkatëse për mjedisin, ujërat, pyjet dhe peshkimin.

4.     Përveç sa parashikohet në pikën 3, të këtij vendimi, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit është përgjegjës për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për Inspektoratin Shtetëror, që mbulon fushën e mjedisit.

5.     Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit organizohet në dy nivele, në drejtori, në nivel qendror, dhe degët territoriale, në nivel qarku, për çdo qark.

6.     Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit drejtohet nga kryeinspektori, i cili është titullari i institucionit. Kryeinspektori përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin e bashkërendimin e punës për funksionimin dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së ISHMPUP-së.

7.     Kryeinspektori i ISHMPUP-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës për mjedisin, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse.

8.     Drejtoria e Përgjithshme e ISHMPUP-së kryen këto funksione kryesore:

a)     Planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit.

b)    Siguron unifikimin e praktikave të inspektimit në shkallë vendi.

c)     Jep mbështetje teknike dhe administrative për veprimtarinë e inspektimit.

ç)  Harton programin dhe raportin vjetor të inspektimit.

d)  Merr pjesë në inspektime specifike jashtë programit, të parashikuara në ligjin e posaçëm dhe në nenin 27, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

dh)  Informon  publikun  për  veprimtaritë  e inspektimit dhe vendimet e marra.

9.     Në drejtorinë qendrore të ISHMPUP-së krijohet Komisioni i Shqyrtimit të Ankimeve, i cili drejtohet nga kryeinspektori dhe ka në përbërje të tij:

a)  një përfaqësues të njësisë që mbulon çështjet juridike;

b)   një përfaqësues që mbulon çështjet e metodologjisë së inspektimit;

c)   dy ekspertë të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme.

10.    Përbërja nominale e komisionit të sipërpërmendur miratohet me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit dhe bëhet publike me mjete të përshtatshme.

11.    Degët territoriale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në këtë qark. Me autorizim të posaçëm të kryeinspektorit, inspektorët e një drejtorie rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me degën territoriale përkatëse.

12.     Në degët që kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit, inspektorët bashkëpunojnë me organet donanore dhe organet e tjera shtetërore për parandalimin e hyrjes së faktorëve të rrezikshëm për mjedisin, ujërat, pyjet dhe peshkimin.

13.     Dega territoriale, në nivel qarku, drejtohet nga kryeinspektori i degës përkatëse të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit. Kryeinspektori është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së degës.

14.     Në strukturën organizative të ISHMPUP-së në drejtorinë qendrore dhe në degët territoriale mbahen parasysh dhe ruhen profilet më të specializuara lidhur me inspektimin për mjedisin dhe ujërat, inspektimin mbi fondin pyjor dhe kullosor, florën dhe faunën, gjuetinë, si dhe inspektimin e peshkimit dhe aktivitetin e akuakulturës. Një pjesë e trupës inspektuese sipas strukturës përkatëse gëzon dhe ushtron statusin e policisë pyjore.

15.     Kryeinspektori i degës territoriale kryen këto detyra:

a)     Lëshon autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit;

b)    Vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, sipas ligjit;

c)     Vendos për zëvendësimin e inspektorëve, gjatë inspektimit, sipas ligjit;

ç)  Shqyrton  ankimin e  veçantë ndaj vendimeve për masat urgjente të marra nga inspektorët e degës përkatëse;

d)   I raporton kryeinspektorit të ISHMPUP-së, përveçse kur ky i fundit ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër të posaçëm, një njësi tjetër raportimi në drejtorinë qendrore.

16.     Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.

17.     Stema e ISHMPUP-së përbëhet nga Stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit”.

18.     Vulat e ISHMPUP-së kanë formën dhe elementet e përcaktuara në  pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e drejtorisë përmban dhe shënimin identifikues “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, Drejtoria Qendrore”, ndërsa vulat e degëve territoriale përmbajnë dhe shënimin identifikues: “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, dega territoriale e qarkut përkatës”.

19.     Vula e ISHMPUP-së dhe vulat e drejtorive rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

20.     Ngarkohet ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që, brenda 1 (një)  muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për realizimin e emërimit të kryeinspektorit dhe përgatitjen e strukturës e të organikës së Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit.

21.     Kryeinspektori i ISHMPUP-së, mbështetur nga njësitë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse të ministrisë dhe në përputhje me kërkesat specifike për arsimin e inspektorëve, të miratuara nga Inspektorati Qendror, miraton kërkesat specifike për çdo vend pune. 

22.     Nëpunësit, që kryejnë funksionet e inspektimit, që janë aktualisht të emëruar në ministri, përfshirë institucionet e saj të varësisë apo degët rajonale, të cilët plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil si dhe kërkesat specifike, të përcaktuara sipas pikës 22, të këtij vendimi, transferohen në detyra të reja në ISHMPUP, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas këtij vendimi.

23.     Brenda tre muave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ministri përcakton rishpërndarjen e mjediseve dhe mjeteve të punës së ISHMPUP-së.

24.     ISHMPUP-ja fillon punën sipas organizimit dhe funksionimit të përcaktuar në këtë vendim, nga data e emërimit të kryeinspektorit dhe miratimit të urdhrit përkatës të Kryeministrit për miratimin e strukturës dhe të organikës së Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit, sipas legjislacionit në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

25.     Çdo akt nënligjor në kundërshtim me këtë vendim shfuqizohet.

26.     Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Inspektorati Qendror për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, NJË KAT DHE TRUALLI, PJESË E SHTËPISË SË FAMILJES RAPO, NDODHUR NË LAGJEN “PALORTO”, GJIROKASTËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë  2.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.         Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, një kat dhe truall, ndodhur në lagjen “Palorto”, Gjirokastër.

2.         Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Gjirokastër.

3.         Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen, banesë dhe tokë truall, 27 (njëzet e shtatë) m2, të vlerësuar me çmimin e banesës 49 000 (dyzet e nëntë mijë) lekë/m2 dhe çmimin e truallit 6000 (gjashtë mijë) lekë/m2, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 1 477 000 (një milion e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë) lekë.

4.         Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 477 000 (një milion e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë) lekësh, të përballohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

5.         Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

6.         Regjistrimi i ri i pasurisë, një kat dhe tokë truall, me sipërfaqe 27 (njëzet e shtatë) m2, shpronësuar në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Gjirokastër, të bëhet brenda  30 ( tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.         Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për zbatimin e këtij  vendimi.

        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren  zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1265, DATË 16.12.2009, “PËR MIRATIMIN E LISTËS  PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË DELVINË, TË QARKUT TË VLORËS”, DHE NR.250, DATË 24.4.2003, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Transferimin në pronësi të bashkisë së Delvinës të pronës me numër rendor 279, me emërtesë “Ish - Komisariati i Policisë, Delvinë, lagjjia “Sinan Ballaci”, Delvinë”. 

2.     Në listën, që i bashkëlidhet vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, hiqet prona me emërtesë “Ish - Komisariati i Policisë, Delvinë”, me sipërfaqe totale të pronës 546 (pesëqind e dyzet  e gjashtë) m2, e me sipërfaqen e ndërtesës 108 (njëqind e tetë) m2, sipas formularit bashkëlidhur, e cila i shtohet listës që i bashkëlidhet vendimit nr.1265, datë 16.12.2009, të Këshillit të Ministrave.

3.     Ngarkohen Ministria e Brendshme, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe bashkia e Delvinës për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në  “Fletoren zyrtare”.
                                                    

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I URËS SË RE TË FSHATIT VELABISHT, NË KOMUNËN E VELABISHTIT, TË QARKUT TË BERATIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i urës së re të fshatit Velabisht, në komunën e Velabishtit, të qarkut të Beratit.

2.     Shpronësimi bëhet në favor të komunës së Velabishtit.

3.     Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në masën përkatëse sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqet 197 (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m², truall, 500 (pesëqind) m², tokë arë, dhe 60 (gjashtëdhjetë) m², objekt, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 3 306 207 (tre milionë e treqind e gjashtë mijë e dyqind e shtatë) lekë.

4.     Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.                                                                  

5.     Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6.     Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga komuna e Velabishtit.

7.     Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga komuna e Velabishtit për realizimin e këtij projekti.         

8.     Regjistrimi i ri i pasurive, prej 197 (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m², truall, 500 (pesëqind) m², tokë arë, dhe 60 (gjashtëdhjetë) m², objekt, shpronësuar në favor të komunës së Velabishtit, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

9.     Ngarkohen Ministria e Brendshme, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe komuna e Velabishtit për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

             Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME,QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS NË LAGJEN “1 MAJI”, PRONË PRIVATE NË BASHKINË   E ORIKUMIT, TË QARKUT TË  VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.         Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës në lagjen “1 Maji”, në bashkinë e Orikumit, të qarkut të Vlorës.

2.         Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Orikumit.

3.         Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në masën përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për sipërfaqen 32.5 (tridhjetë e dy pikë pesë) m², truall, në vlerën e përgjithshme të shpronësimit 580 677.5 (pesëqind e tetëdhjetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë pesë) lekë.

4.         Vlera e përgjithshme e shpronësimit të përballohet nga buxheti i bashkisë së Orikumit, sipas planifikimeve përkatëse.

5.         Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6.         Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Orikumit.

7.         Afati i përfundimit të punimeve për këtë objekt të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga bashkia e Orikumit për realizimin e këtij projekti.    

8.         Regjistrimi i ri i pasurisë 32.5 (tridhjetë e dy pikë pesë) m², truall, shpronësuar në favor të bashkisë së Orikumit, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

9.         Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe bashkia e Orikumit për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

                Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS QENDËR BILISHT, TË QARKUT TË KORÇËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të  neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1.         Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Qendër Bilisht, të qarkut të Korçës, sipas lidhjes 1 e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.

          Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Qendër Bilisht, të qarkut të Korçës, miratuar me vendimin nr.1056, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në komunën Qendër Bilisht, të qarkut të Korçës”.

2.         Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Qendër Bilisht për zbatimin e këtij vendimi.

           Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS KOLSH, TË QARKUT TË LEZHËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Kolsh, të qarkut të Lezhës, sipas lidhjes 1 e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.

Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Kolsh, të qarkut të Lezhës, miratuar me vendimin nr.9,datë 13.1.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në komunën Kolsh, të qarkut të Lezhës”.

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Kolsh për zbatimin e këtij vendimi.

          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *
V E N D I M

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2013, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, PËR SHLYERJEN E DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA TË FESTIMEVE TË 100 - VJETORIT TË PAVARËSISË

Nё mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Ministrisë së Punëve të Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, zëri “Shpenzime korrente”, t’i shtohet fondi prej 20 291 162 (njëzet milionë e dyqind e nëntëdhjetë e një mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy)  lekësh, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura  për organizimin veprimtarive të   100 - Vjetorit të Pavarësisë.

2.     Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. 

3.     Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KONTRATЁS SE KONCESIONIT PËR SHЁRBIMIN E MARKIMIT DHE MONITORIMIT TЁ KARBURANTEVE, TË LIDHUR NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT TË PËRKOHSHËM TË SHOQËRIVE “GLOBAL FLUIDS INTERNATIONAL”, S.A., DHE “PETROLEUM CONSULTING PARTNERS”, A.G.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, e 27, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Miratimin e kontratёs së koncesionit për shёrbimin e markimit dhe monitorimit tё karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International”, S.A., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A.G., sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.      Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

SHPËRNDARJEN PJESORE TË TË ARDHURAVE  NGA PRIVATIZIMI I SHOQËRIVE “HEC, BISTRICA 1 DHE BISTRICA 2”, SH.A., DHE “HEC, ULËZ - SHKOPET”, SH.A.                           

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 9, të ligjit nr.119/2012,  datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ligjit nr.93/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen  e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a”, dhe të ligjit nr.94/2013, “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz - Shkopet”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

1.Kufiri i shpenzimeve kapitale, miratuar në ligjin nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe shpërndahet në nivel programi, sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi.

2.Niveli i deficitit buxhetor, miratuar me ligjin nr.119/2012,  datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë dhe, njëkohësisht, financimi i deficitit buxhetor nga të ardhurat e privatizimit shtohet me 12 (dymbëdhjetë) miliardë lekë.

3.Ngarkohet ministri i Financave, pas propozimit të ministrit të fushës, për shpërndarjen e kufirit të investimeve sipas lidhjes 1 në nivel projekti, përpara arkëtimit në buxhetin e shtetit të të ardhurave nga privatizimet në fjalë.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

* * *

V E N D I M

PËR

REVOKIMIN E VENDIMIT NR.776, DATË 4.6.2008, TË KËSHILLITTË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN “ZONË EKONOMIKE”  NË ELBASAN”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 2, të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike”, dhe të neneve 121, 122 e 125, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”, me propozimin e zëvendëskryeministrit e ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

Revokimin e vendimit nr.776, datë 4.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen “Zonë ekonomike” në Elbasan”, të ndryshuar.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA
13/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›