Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e Panairit të Mobilierisë, Albania 2013: Industria e drurit dhe e përpunimit të drurit përbën një potencial të madh për vendin
-Për ne punësimi është objektivi më kryesor i të gjitha reformave tona. Ndërkohë do të bëjmë gjithçka për një klimë gjithnjë e më pak burokratike për biznesin.
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në çeljen e Panairit të Mobilierisë Albania 2013, organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit dhe Metalit në Republikën e Shqipëri. Ky panair organizohet, nën kujdesin e Kryeministrit Berisha dhe do të qëndrojë i hapur deri me 16 Mars.
Kryeministri Berisha, ka përshëndetur përzemërsisht të gjithë kompanitë që marrin pjesë, duke shprehur vlerësimin e tij më të madh për kontributin e rëndësishëm që ata japin në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri Berisha tha se, bizneset e drurit janë të përqendruara në rreth 1900 biznese, nga të cilat 60 përqind janë biznese të vogla, të tjera të mesme ose të mëdha, por këto biznese direkt dhe indirekt punësojnë në shkallë vendi rreth 50 mijë punëtorë, teknikë, inxhinier, mjeshtra dhe me radhë.
Duke vlerësuar punën e mrekullueshme, që është bërë në Shqipëri për përpunimin e drurit, Kryeministri Berisha u shpreh se, industria e drurit dhe e përpunimit të tij, përbën një potencial shumë të madh për vendin dhe ne sëbashku jemi të vendosur të përcaktojmë kuadrin ligjor dhe lehtësirat maksimale, që bëjnë të mundur zhvillimin më të madh dhe konsolidimin e mëtejshëm të kësaj industrie, si një nga degët më kryesore të ekonomisë dhe industrisë së vendit.
“Shqipëria duhet të vendosë një kuadër ligjor që të dekurajojë në maksimum inportet, të cilat dëmtojnë interesat tuaja. Duhet të bëjmë gjithçka, për të krijuar hapësirën më të madhe për prodhimet tuaja për eksportet tuaja. Duhet të bëjmë gjithçka që lënda drusore të kalojë nga sipërmarrjet tuaja në mënyrë që të valorizohet me produkte dhe nën produkte të fitojë vlerën e shtuar. Duhet të bëjmë gjithçka, që në këtë sektor ku sot punojnë rreth 50 mijë punëtorë, direkt dhe indirekt me një ambicie të madhe, në katër vitet që vijnë të punësohen 100 mijë punonjës në mbarë vendin. Duhet të bëjmë gjithçka që të ketë një lidhje të qartë, të sigurtë midis jush, shfrytëzuesve, mbarështruesve të pyjeve tona”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha, premtoi se qeveria me një dialog konstant me përpunuesit e drurit është e gatshme të ulet me përfaqësuesit e tyre të dëgjojë zërin e tyre dhe t’ju jepet përgjigje ligjore specifikave, kërkesave të këtij sektori.
Për të mbështetur industritë që nxisin punësimin në vend, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria ka ndërmarrë reforma të mëdha siç janë heqja e TVSH për makineritë e inportit dhe pagesën e të gjitha detyrimeve fiskale për tre vitet e para për të gjithë të rinjtë që punësohen për herë të parë, si dhe heqjen e taksës për pagat nën 30 mijë lekë.
“Për ne,- theksoi Kryeministri, - punësimi është objektivi më kryesor i të gjitha reformave tona”.
Gjithashtu kryeministri premtoi se, qeveria po bën gjithçka për një klimë gjithnjë e më pak burokratike për biznesin. “Pak kohë më parë ne instaluam sistemin e pagesës së taksave me celular ose komjuter. Po punohet me intensitet për të vendosur këtë sistem edhe për doganat. Shumë shpejt do të bëjmë që bizneset të regjistron online. Do të bëjmë çdo gjë që t’ju kursejmë juve kohen, e cila është më e çmuara se të gjitha të tjerat”, -theksoi Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh:
"Të nderuar përfaqësues të përpunimit të drurit të mbledhur sot në këtë ngjarje të madhe, për sipërmarrjet tuaja, për jetën ekonomike të vendit dhe vendin në tërësi.
Së pari unë dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju, të shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e rëndësishëm që jepini në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, që ju jepni në punësimin e qytetarëve shqiptarë.
Bizneset e drurit janë të përqendruara në rreth 1900 biznese, nga të cilat 60 përqind janë biznese të vogla, të tjera të mesme ose të mëdha, por këto biznese direkt dhe indirekt punësojnë në shkallë vendi rreth 50 mijë punëtorë, teknikë, inxhinier, mjeshtra dhe me radhë.
Ato kanë realizuar gjatë këtyre viteve një investim prej rreth 250 milion euro. Ato realizojnë eksportet, që shkojnë në shifra rreth 100 milion euro. Industria e drurit dhe e përpunimit të tij, përbën një potencial shumë të madh për vendin dhe ne sëbashku jemi të vendosur të përcaktojmë kuadrin ligjor dhe lehtësirat maksimale, që bëjnë të mundur zhvillimin më të madh dhe konsolidimin e mëtejshëm të kësaj industrie si një nga degët më kryesore të ekonomisë dhe industrisë së vendit.
Shqipëria ka një traditë të shkëlqyer në gdhendjen dhe përpunimin e drurit. Shqipëria ka një larmi të drurëve, në pyjet e saj ndër më të mëdhatë. Druri në vetvete përben pa diskutim, produktin më dekorativ dhe më të çmuar për inxhinieri për mobilim, për ndërtimin dhe për çdo gjë tjetër.
Shqipëria duhet të vendosë një kuadër ligjor që të dekurajojë në maksimum inportet, të cilat dëmtojnë interesat tuaja. Duhet të bëjmë gjithçka, për të krijuar hapësirën më të madhe për prodhimet tuaja për eksportet tuaja.
Duhet të bëjmë gjithçka që lënda drusore të kalojë nga sipërmarrjet tuaja në mënyrë që të valorizohet me produkte dhe nën produkte të fitojë vlerën e shtuar. Duhet të bëjmë gjithçka, që në këtë sektor ku sot punojnë rreth 50 mijë punëtorë, direkt dhe indirekt me një ambicie të madhe, në katër vitet që vijnë të punësohen 100 mijë punonjës në mbarë vendin. Duhet të bëjmë gjithçka që të ketë një lidhje të qartë, të sigurtë midis jush, shfrytëzuesve, mbarështruesve të pyjeve tona.
Përhapja e përdorimit të materialeve të drurit, përshtatja e tyre për ndërtim është dhe kjo një detyrë e rëndësishme, të cilën sëbashku ne do të mund ti japim përgjigjen më të mirë. Sot banesat e drurit ndërtohen së shumti më lëndë të inportuara, ndërkohë që materiali drusor në vend është i cilësisë së lartë dhe natyrisht kërkon shkallën më të avancuar të përpunimit për ta përshtatur atë për përdorim të gjërë në mjediset e jashtme.
Qeveria me një dialog konstant me ju, dhe ne jemi të gatshëm të ulemi me përfaqësuesit tuaj të dëgjojmë zërin tuaj dhe siç kemi bërë me sektorët e tjerë tu japim përgjigje ligjore specifikave të sektorit tuaj. Masat e fundit, paketa e re fiskale, përbën një mbështetje të fuqishme për industrinë e drurit. Ju sot do të inportoni të gjitha makineritë dhe materialet pa TVSH. Punonjësit në sistemin e kësaj industrie paguhen me 30 mijë lekë dhe më pak, nuk do të paguajnë më tatimin mbi të ardhurat personale, ç’ka përbën një avantazh jo të vogël. Për të gjithë të rinjtë e punësuar nga sipërmarrjet tuaja, shteti do të marrë përsipër për 3 vjet të gjitha detyrimet fiskale. Ky është një kuadër i ri ligjor, që synon para së gjithash dhe mbi të gjitha, nxitjen më të fuqishme të mundshme të prodhimit dhe punësimit në Shqipëri.
Natyrisht sipas sektorëve ekzistojnë dhe specifikat dhe ne jemi të hapur ti marrim ato një nga një, ti shqyrtojmë për ti lehtësuar. Ne do të bëjmë gjithçka, për një sukses të madh në rritje të kësaj dege të industrisë me kapacitete të mëdha prodhues, me kapacitet të madh punësimi.
Për ne punësimi është objektivi më kryesor i të gjitha reformave tona. Ndërkohë do të bëjmë gjithçka për një klimë gjithnjë e më pak burokratike për ju. Pak kohë më parë ne instaluam sistemin e pagesës së taksave me celular ose komjuter. Po punohet me intensitet për të vendosur këtë sistem edhe për doganat. Shumë shpejt do të bëjmë që bizneset të regjistron online. Do të bëjmë çdo gjë që t’ju kursejmë juve kohen, e cila është më e çmuara se të gjitha të tjerat.
Dhe njëherë ju uroj suksese dhe ju përgëzoj për këtë ngjarje të madhe, se ky panair përbën një ngjarje të madhe dhe ju garantoj se do t’ju mbështesim fuqishmit për një sukses në rritje të kësaj industrie shumë të rëndësishme për vendin.
Faleminderit".
13/03/2013