Kryeministri Berisha bashkëbisedon me fermerë e blegtorë të Shijakut

Kryeministri Berisha vazhdoi sot bashkëbisedimin me fermerë e blegtorë të zonës së Shijakut. Mikpritës i këtij takimi ishte një nga fermerët e zonës, i cili ka ngritur një nga fermat e suksesshme të mbarështimit të lopëve, Bioferma Ramilli, një investim prej 3.2 milionë euro.
Sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit mbetet një ndër sektorët më kyç të bujqësisë. Prodhimi i tij ka ardhur gjithmonë në rritje, me një shpërndarje në të gjitha qarqet si Fier, Elbasan, Tiranë, Korçë, e Shkodër. Sasia e prodhuar e qumështit ka ardhur në rritje, po ashtu dhe eksporti këto tre vitet e fundit drejt Kosovës. Ndërmarrjet e përpunimit të qumështit kanë arritur në rreth 345 ndërmarrje, me rreth 1150 punonjës, me një shtrirje pothuajse në të gjithë vendin. Po ashtu, si rezultat i teknologjisë së avancuar janë përmirësuar kushtet e marketimit të këtij produkti dhe tregtimin e tij. Ndërsa fermat që mbarështojnë gjedhë janë 212 mijë. Vetëm për rrethin e Durrësit, subvencionet për bujqësinë në vitet 2007-2012 kanë qenë 187,180,221 lekë.
Në bashkëbisedim me fermerët e blegtorët, Kryeministri Berisha parashtroi objektivat e programit për bujqësinë për katër vitet e ardhshme. Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe zhvillimi i bujqësisë, u shpreh Kryeministri, është synimi i kësaj platforme zhvillimi, ndërsa garantoi se mbështetja për ta do të trefishohet. Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, t’ju uroj ju, familjen dhe babin tuaj, themelues të këtij suksesi të madh, të uroj të gjithë punonjësit e kësaj ferme qumështi, që në një kohë të shkurtër, me përkushtim të madh keni ndërtuar e zhvilluar këtu një sukses, do të thosha të shkëlqyer. Ju keni ndërtuar e zhvilluar në këtë zonë, fermën më të madhe, më të mirëorganizuar e më prodhuese të qumështit në Shqipëri. Ferma Ramilli është bërë simbol i përdorimit të teknologjive më të avancuara. Kur ndonjëherë, nga mbledhja e qeverisë, unë ju flisja qytetarëve e të pranishmëve për lopët me chip në vesh, të shumtë ishin ata që nënqeshnin e nuk e besonin, por lopët e kësaj ferme menaxhohen bazuar në teknologjinë më të lartë dhe janë të rendimenteve më të larta.
Duke ardhur tek ju, unë gjeta një infrastrukturë të mirëndërtuar. Konstatoj se ferma Ramilli mbarështon jo vetëm 500 lopë race, me një prodhim mesatar secila prej 6000 litrash në periudhë laktacioni dhe ka bërë një investim prej 3.2 milionë euro. Ajo ka hapur një fabrikë në Kashar dhe prodhon bio të cilësisë më të mirë. Të zotët e saj kanë mbjellë edhe 30 mijë rrënjë ullinj. Tokën që kanë e përdorin në funksion të fermës këtu. Ata punësojnë 40 punëtorë në mënyrë permanente dhe 70 në kulme pune në sezon.
Të dashur miq,
për qeverinë time, për Partinë Demokratike, zhvillimi i qëndrueshëm rural, zhvillimi i bujqësisë dhe i të gjithë sektorëve të saj mbeten një përparësi absolute në projektin tonë Shqipëria, vend i zhvilluar. Ne besojmë se ky projekt kalon para së gjithash, nga zhvillimi rural i qëndrueshëm, zhvillimi i fshatit shqiptar. Ndaj gjatë viteve të shkuara, në një nga aktet më madhore, për të dëshmuar këtë interes e përkushtim, ne mbi dyfishuam pensionet e qytetarëve shqiptarë në fshat. Ne kemi angazhuar më shumë se 60 përqind të të gjitha investimeve në Shqipërinë rurale. Këtë e bëmë se ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës. Nuk do të harroj fillimin e vitit 2006, kur shkova në Peqin, një rreth 40 kilometra nga Tirana dhe inauguruam një rruge që lidhte komunën e Pajovës me rrugën kombëtare. Ai ishte segmenti i parë rrugor, jashtë akseve kombëtare, që ishte asfaltuar në këtë komunë që nuk ndodhej në Tropojë, nuk ndodhej në Malësi të Madhe, nuk ndodhej në Kelmend apo në Mokër, por ndodhej fare afër, midis Tiranës e Elbasanit dhe një zonë me një kapacitet të madh prodhues. Gjatë këtyre viteve, ne kemi ndërtuar, rindërtuar e asfaltuar mbi 8 mijë kilometra rrugë në të gjithë Shqipërinë rurale. Ne jemi shumë të vendosur t’ju ofrojmë juve, të dashur fermerë, atë infrastrukturë që kemi në qytet, rrugë, drita, ujë, kanalizime, shërbim shëndetësor, shkollë moderne. Pak ditë më parë isha në Ishëm, ku festuam 100 vjetorin e shkollës. U gëzova kur, përveç kabineteve të informatikës së shkollës, ishte hapur edhe zyra e internetit falas për fshatarët e Ishmit, njëlloj siç gjendet në një zyrë në Tiranë. Por, në rast se ne kemi bërë përpjekje të mëdha, ne do të bëjmë përpjekje të tjera shumë më të mëdha, qoftë për zhvillimin rural, për të kompletuar tërësisht infrastrukturën moderne, ashtu edhe për zhvillimin e bujqësisë.
Të dashur miq, zhvillimi i bujqësisë sot në botë tregon se ata që përqendrohen për të ndihmuar në këtë sektor mund të bëjnë që prodhimi jo të rritet dy a tre herë, por të dhjetëfishohet. E ne do të bëjmë gjithçka që prodhimi të dhjetëfishohet. Isha në Vlorë dhe më thanë se prodhimi i vajit të ullirit ishte 3800 tonë në vitin 2007 dhe 13 mijë tonë në vitin 2012. Pra, duhet të kemi kurajë e duhet t’i besojmë projekteve, me të cilat ne absolutisht mund ta bëjmë Shqipërinë shumë, shumë më të begatë. Begatia juaj është begatia e Shqipërisë. Ne kemi financuar grante nga viti 2007 e gjer më sot për 42 mijë familje. Ne kemi subvencionuar 35 mijë fermerë, dhjetë lekë për litrin e qumështit. Gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të trefishojmë mbështetjen për fermerët shqiptarë.
Ne bëmë edhe një gjë tjetër të madhe. Ne hoqëm çdo lloj takse apo tarife për çdo lloj materiali importi që do ju duhet për suksesin e fermave tuaja. Unë ju garantoj se ky vendim mund të jetë ndofta i vetmi që ndonjë vend ka ndërmarrë. Alternativa ‘mavi’ thotë se do të heqë TVSH-në për prodhimet e qumështit. Por sot ne prodhojmë 343 litra qumësht për frymë dhe në qoftë se i heqim TVSH-në qumështit që vjen nga vende të tjera, natyrisht, konkurrenca bëhet shumë e pandershme. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë fermerët tanë, por nuk kemi buxhet që t’u japim 3 euro për lopë, çdo ditë. Ndaj ne heqim të gjitha detyrimet fiskale e të tjera. Kështu që ideja ‘mavi’ për të hequr TVSH-në për qumështin, grurin, miellin është sesi t’i rrënosh fermerët tanë në fushë, në stallë, në arë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk kanë shans. Një ditë vizitova fabrikën e përpunimit të peshkut “Koral”, ku thashë: t’i lëmë ata me ngjalat, ne të vazhdojmë projektin tonë.
Unë jam sot këtu, për të dëgjuar zërin dhe mendimet tuaja. Ju garantoj se ky program do të jetë i përbashkët. Ne kemi marrë mendimin e akademikëve dhe ekspertëve më të mirë të vendit, por absolutisht do të ishte shumë i mangët, pa mendimin, sugjerimet e propozimet tuaja. Kudo ku kam shkuar, kam mësuar për gjëra të reja, në Divjakë, në Kosovë të Lushnjes, në Vlorë e kudo, sepse ju jeni njerëzit e eksperiencës së avancuar e të përditshme dhe ne duhet të dimë të dëgjojmë në mënyrë që të përmirësojmë programin tonë dhe të bëjmë gjithçka që ju të keni fitime më të mëdha.
Zoti Kryeministër, ju urojmë mirëseardhjen. Ju jeni motori që nuk ndaloni dhe kjo vizitë tek ne është domethënëse, edhe se keni ardhur direkt një shtet tjetër [nga një vizitë]. Në vitin 2005, rrushi vinte nga Maqedonia me 300 lekë kilogrami. Kjo u ndalua dhe doli në favorin tonë. Duke ju rritur çmimi fermerëve, edhe fermerët zgjerojnë fermën. Unë kam një fermë bio 2 hektarë e gjysmë. Nga subvencionet jemi të kënaqur, por ka një mangësi, vitin e fundit nuk na është dhënë subvencioni. I kemi bërë letrat sipas ligjit shqiptar dhe vendimi nga Këshilli i Ministrave ka dalë, por nuk e di ku është pengesa. Ministria e Bujqësisë është edhe ajo për t’u falënderuar. Nuk ngelet gjë vetëm t’ju uroj qoftë fitore e shkëlqyer e 23 qershorit.
Kryeministri Berisha: Lidhur me detyrimin që ka agjencia, do ta shlyejë pa diskutim. Ndodhi një problem. Aplikimet qenë shumë më të mëdha, sesa fondi dhe ne vendosëm të bëjmë gjithçka për t’ju përgjigjur atyre. Por kjo nuk do të thotë se vendosëm t’i përgjigjemi atyre, për të mos shlyer detyrimet ndaj jush. Kjo ka krijuar një lloj vonese, por do t’i keni patjetër.
Jam nga malësia e Krujës. Unë mbarështoj 190 kokë bagëti të imta dhe ne si fermerë kemi pasur mbështetje nga Drejtoria e Bujqësisë së Rrethit, kemi pasur mbështetje për ilaçet falas dhe kemi marrë shpërblimet, siç na takojnë, sipas ligjit. Unë falënderoj qeverinë dhe ju, Kryeministër Berisha, për mbështetjen e madhe që po i jepni fermerit shqiptar, sepse kjo për ne është një ndihmë shumë e madhe. Unë kërkoj që në të ardhmen qeveria edhe ju, Kryeministri ynë, t’i shpërblejë ashtu siç i ka shpërblyer fermerët. Ju siguroj zoti Kryeministër se ne si fermerë do të na keni gjithnjë mbështetje dhe do të na keni përkrah. Në zgjedhjet e 23 qershorit ne fermerëve do të na keni përkrah. Unë, zoti Kryeministër, ju uroj suksese të mëdha dhe jetë sa më të gjatë. Faleminderit!
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju uroj shumë përzemërsisht. Ju siguroj se mandati i ri do të jetë një mandat i përqendrimit më të madh se kurrë te zhvillimi i bujqësisë, te Shqipëria rurale dhe te fermerët. Askush në Shqipëri nuk e siguron jetën me lumenj djerse siç e siguroni ju. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj. Dua t’ju rrëfej një moment. Gjatë këtyre viteve, siç e keni parë, ne kemi bërë përqendrim shumë të madh në rrugë, në ndërtimin e rrugëve rurale. Në mënyrë të përditshme dhe të përsëritur ka pasur edhe zyrtarë të ndryshëm që më thoshin: lëre një rrugë dhe të bëjmë diçka tjetër. Kjo vetëm më ka shtyrë për të bërë dy rrugë dhe jo diçka tjetër. Këtë e kam bërë, sepse nëse hynim në ‘lëre këtë, lëre atë’ ju mbeteshit të baltë. Unë ju garantoj se në mandatin e ardhshëm edhe ato fshatra dhe komuna që nuk e kanë infrastrukturën do ta kenë të plotë atë. Në mandatin e ardhshëm ne do të 3-fishojmë grantet për fermerët shqiptarë.
Të dashur miq, pak vite më parë, qeveria e mëparshme zhvilloi një koncept të pabesueshëm, konceptin e zonave ku nuk duhet të investohet, konceptin e zonave të asgjësë. Në qoftë se ju kujtohet, njëri prej tyre u bë kaq skandaloz saqë foli për rrugën e kombit, duke thënë rrugë e asgjësë, të çon në asgjë. Kjo është një e thënë e njohur. Në këtë mënyrë, po t’ua shihje hartën atyre, Shqipëria po shkonte drejt asgjëje. I kundërt është koncepti ynë. Koncepti ynë është që në Shqipëri nuk ka tokë pa fryte. Në Shqipëri toka është kudo e frytshme. Në Shqipëri në çdo metër katror mund të nxjerrim prodhim dhe ne do të bëjmë gjithçka për të nxjerrë prodhim. Ne shohim se çfarë progresi ka në sajë të punës tuaj. Sot janë mbi 600 mijë gjedhë në Shqipëri. Në Shqipëri prodhohen sot 343 litër qumësht për frymë dhe eksportohet qumësht. Në Shqipëri prodhohen 1 miliardë vezë. Shqipëria ka 3-fishuar eksportin e zarzavateve, por duhet të biem dakord se qëllimi është 10-fishimi i eksportit, pasi potencialet i kemi.
Përshëndetje, zoti Kryeministër! Jam një fermer nga Gjepale. Unë kam një fermë me standarde evropiane, punojmë, punësojmë njerëz dhe jemi të kënaqur. Dua t’ju them dy gjëra: jeni i pari Kryeministër që keni qenë tre herë komunën Gjepale deri më sot dhe ky është një sukses i madh për ne. Së dyti, këtë komunë e keni bërë të njohur ju, zoti Kryeministër, sepse deri më sot nuk ka shkelur njeri. Ne jemi komuna më e afërt me qytetin e Shijakut. Ju keni ardhur për herë të parë këtu në vitin 2007, në rrugën Pjezë - komuna Gjepalaj dhe na premtove dy gjëra të rëndësishme: urën dhe rrugën. Që të dyja këto premtime u realizuan. Ju na premtuat dy gjëra, por na çuat edhe rrugën nga Gjepale në Shahinaj. Kjo është plus. Na çove rrugën nga komuna Gjepale në fshatin Eminas i Vogël. Këto janë pluse të tjera që ju i bëtë pa na i premtuar. Urojmë që në 4-vjeçarin tjetër të kemi suksese më të mëdha, të shohim përpara dhe mos kthehemi më mbrapa. Kryeministër, të uroj jetë të gjatë dhe i shkoj pas edhe atij qytetarit të Vlorës që tha “je Skënderbeu i Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha: Unë shfrytëzoj këtë rast për t’ju garantuar ju dhe kryetarin e komunës tuaj se gjatë mandati të ri do të financojmë çdo projekt. Komunën të njohur dhe të famshme e keni bërë ju me punën tuaj, me mençurinë tuaj, me djersën tuaj. Zoti Ramilli më tha se po zhvillon edhe turizmin. Ai ka bërë edhe investime për të sjellë turistë. E vërteta është se udhëtim më të bukur turisti s’do bëjë. Kjo është një zonë e mrekullueshme për tu vizituar. Ne jemi të bindur se rruga e zhvillimit të Shqipërisë kalon në zhvillimin e Shqipërisë rurale.
Jam nga fabrika e përpunimit të qumështit “Mozzarella Italia”, në Shkallnur. Jam inxhinier prej 40 vjetësh, pedagog i jashtëm në Universitetin e Kamzës. Jam kthyer nga emigracioni, nga Italia, në vitin 1995 dhe e kam hapur aktivitetin tim me tre furnela shtëpie. Sot kam të punësuar 16 punëtorë. Krahas rezultateve shumë të mira që kemi pasur, fabrikën e kanë vizituar edhe ministra, ne kemi edhe një problem. Ne grumbullojmë sot 3 ton qumësht nga fshatarët. Qumështi i fshatarëve nuk njihet me 20 përqind TVSH, njihet më 6 përqind TVSH. Unë furnizoj TEG-un dhe shumë të tjerëve me 20 përqind TVSH. Unë, në qoftë se qumështin e blej me 6 përqind, si do ta shes mallin me 20 përqind TVSH? Kjo, mendoj se duhet të rregullohet dhe nuk besoj se ka ndonjë problem të madh. Mesa kam biseduar me kolegët e mi në Itali, atje ndodh që qumështi blihet me 10 përqind TVSH dhe ai që prodhon e shet me 4 përqind. Atëherë, unë 2 mijë litra naftë që harxhoj në muaj, këto i kompensoj, sepse mallin e blej me 10 përqind TVSH dhe e shes me 4 përqind TVSH. Kjo, sepse unë raportoj tamam dhe jo në informalitet. Duhet gjetur diçka për ta rregulluar këtë punë.
Meqenëse mu dha rasti të flas para një Kryeministri, që është diçka shumë e madhe, këta të komunës Rrushbull edhe rrugën që të çon te fabrika të ma rregullojnë.
Edhe diçka tjetër. Unë jam shumë i mërzitur nga ana ime familjare, sepse dy fëmijët e mi, njëri avokat e tjetri dentist. Unë vetë jam pedagog dhe njerëzit vijnë edhe paguajnë për të më marrë mënd. Në nuk e di se fabrika deri ku do shkojë. Unë për disa muaj nuk kam folur me djalin që u bë avokat, sepse më la prodhimin tim. Pora, shoh nganjëherë që djali më shërben, më ndihmon. Më thonë - pse ia ke vënë emrin fabrikës “Mozzarella Italia”, pse nuk ia ke vënë siç ia ke vënë kosit “Durrësi i bukur”? Unë ia vura “Mozzarella Italia”, sepse kisha hall të merrja vizën kur shkoja në ambasadë, pasi erdha nga emigracioni. Një shok që punon të tatimet më tha – Nazif, hiqe këtë emrin se shohin “Mozzarella Italia” dhe më mbytën gjobat. Sa të më vëri gjobë deri në 2 milionë lekë, për 3 gota kos, për këtë gjyqin e kam pasnesër, më mirë të shkojnë të kontrollojnë ndonjë lloto ose ndonjë gjë tjetër. Ne jemi prodhues dhe sado lekë që të na japin ne këtu do t’i investojmë, sepse këtë kemi zanat.
Unë e përgëzoj Ramillin për këtë fermë që ka bërë. Si kjo fermë unë kam parë një në Zvicër dhe e kam sjellë zviceranin këtu, të shohë që edhe ne kemi ferma ashtu si ata.
Kryeministri Berisha: Edhe unë të falënderoj shumë. Të informoj se unë nuk e kam vizituar fabrikën, por kam shijuar produktet e saj, djathin tuaj.
Së dyti, të falënderoj për sugjerimin që bërë. Pa diskutim, ne jemi të gatshëm të zbatojmë skemën më të përshtatshme. Unë do t’ju kërkoj autoriteteve të financave që e propozimin tuaj ta marrin seriozisht në konsideratë.
Së treti, për rrugën do të jap porosi ta konsiderojnë me përparësi. Prodhimet i ke shumë të mirë dhe më bëhet shumë qejfi që ke arritur të ecësh në treg.
Lidhur me qëndrimet, unë do ta shqyrtoj kërkesën tuaj. Natyrisht, zbatimi i ligjit është interesi më i mirë i të gjithëve, por në qoftë se ka arbitraritet në zbatimin e ligjit, absolutisht do të qëndrojmë në mënyrë shumë të vendosur. Për këto unë ju garantoj.
Edhe unë bie dakord me ju që ferma e Ramillit është me të vërtetë model. Më rikujtoi, megjithëse e kishte dhe bashkëpunimin, një fermë që unë kam vizituar në Austri. Natyrisht, kjo është 5 herë më e madhe, por teknologjia më moderne. Ky shërben edhe si një shembull frymëzues për fermerët e tjerë.
Përshëndetje! Ju falënderoj shumë për mbështetjen që u keni dhënë këtyre fermave dhe ju uroj punë të mbarë edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. Kur erdhe në pushtet në ’92 e gjete Shqipërinë me baltë dhe vetëm traktorët që janë futur në ’92 nuk i ka njohur Shqipëria ndonjëherë. Tetë vjet ecën me ritmin që le ti. Erdhe në 2005 dhe e gjete Shqipërinë jo vetëm pa rrugë rurale, por e gjete edhe pa rrugë kombëtare. Rruga nga Vora në Fushë Krujë ishte e paparë, ju e bëtë me asfalt dhe autostradë. Të falënderojmë shumë për këtë mbështetje që i jep të gjithë fermave të vendit. Unë jam një fermer i vogël. Ne kemi gjetur mbështetje në Drejtorinë e Bujqësisë, kemi marrë lekët sa na takojnë, sipas ligjit. Ju urojmë jetë të gjatë dhe të ecim kështu siç e kemi nisur edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm.
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falënderoj dhe, përsëri, ju garantoj që ne do ta shumëfishojmë mbështetjen për ju. Duhet të përqendroheni më shumë te racat, të bëjmë gjithçka për përmirësim racor. Ne e kemi sot mesataren e prodhimit të qumështit për lopë 2800 litra, ferma ‘Ramill’ e ka 6000 litra në periudhën e laktacionit, Evropa e ka rreth 5800 litra. Duhet të bëjmë gjithçka të kapim këto standarde.
Ju që rrisni bagëti të imëta duhet të përpiqeni shumë të përmirësojni racën. Midis dhive që kemi ne edhe dhive që mbarështojnë në zonat malore të Evropës, ndryshimi është jashtëzakonisht i madh, si në prodhim qumështi, ashtu edhe në shtim. Ne ju kemi mbështetur dhe do t’ju mbështesim. Ne hoqëm TVSH-në për importin e blegtorisë së racës dhe do t’ju mbështesim në maksimum që të përmirësoni sa më shumë racat e bagëtive.
Llafet e mira që do të thosha për ju, zoti Kryeministër, mi rrëmbeu bashkëfshatari im. Në komunën tonë është investuar në infrastrukturë dhe për këtë ne jemi të kënaqur si komunitet. Edhe subvencionet që komuna ka marrë në sajë të qeverisjes tuaj, komuna jonë i ka përhapur, njerëzit janë në punë, prodhimet shtohen nga viti në vit. Falë edhe infrastrukturës që është ndërtuar në komunën tonë, tani dalja në treg është më e lehtë, lidhemi më shpejtë me tregun e Durrësit dhe të Tiranës. Ne kemi problem, në të gjithë zonën tonë, se krahas infrastrukturës që është ndërtuar kudo, rruga nacionale Plepa-Tiranë lë për të dëshiruar. Nëse ka mundësi, kjo rrugë të riparohet.
Kryeministri Berisha: Absolutisht, keni të drejtë. Është në përparësitë tona për ta riparuar tërësisht atë rrugë. Ajo është një rrugë shumë e rëndësishme, në të gjitha aspektet. Ne do të bëjmë gjithçka që të përfundojmë sa më shpejtë projektin dhe të ndërmarrim riparimin e saj. Ju keni shumë të drejtë. Sikundër, ne jemi të vendosur të vazhdojmë me intensitet ndërtimin e infrastrukturës rurale kudo që është. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë, ashtu siç kanë qenë këto vite rrugët përparësi numër Një, shumë shpejtë do të jetë vaditja përparësia numër Një e jona për ju. Ne do të bëjmë çdo gjë për të ndërtuar një rrjet vaditës më modernin, më të mirin që mund të ekzistojë.
Përshëndetje zoti Kryeministër. Krahas shumë nismave që ndërmerr qeveria, shumë mirë keni bërë që jeni fokusuar edhe tek turizmi dhe bujqësia. Unë kam një shqetësim. Shohim shumë në media dhe në tryezat e analistëve, ujë italian apo të ndonjë vendi tjetër dhe të lind pyetja, nuk kemi ujë ne në Shqipëri? Unë dua që qeveria të mendojë dhe të marrë një nismë për produktet me origjinë shqiptare , pasi produktet i kemi shumë të mira. Mendoj se ne në Shqipëri nuk mund të prodhojmë as avionë dhe as helikopterë, ne produktet bujqësore dhe blegtorale kemi , ndaj nisma, “konsumoni produkte shqiptare”, duhet të zërë vend në çdo televizion, sepse duke konsumuar produkte shqiptare në rrisim nivelin e të ardhurave tona, nuk shkojnë lekët jashtë për të ardhur ujë, qumështi, apo mishi, sepse mishi, uji e qumështi janë me shumë bollëk në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj shumë për këtë çështje që ngritët. Të themi realitetin, ushqimet shqiptare janë pakrahasimisht më të shijshme se të çdo vendi tjetër. Kjo është e vërteta. Po të garantoj se unë personalisht nuk konsumoj, ushqim importi, produkte importi, vetëm po u fut në mënyrë klandestine, sepse ndryshe nuk hyjnë ndonjëherë në shtëpinë time. Sëbashku me ministrinë e Bujqësisë duhet të pranojmë se kjo është një nismë që duhet ta kishim ndërmarrë me kohë, por do ta ndërmarrim sa më shpejt, pasi ky është interesi më i mirë i qytetarëve i konsumatorëve, të cilët kanë rastin të konsumojnë ushqimet të freskëta të mrekullueshme. Përsa u përket analistëve, bota e tyre është kafeneja, është Rogneri, është Sheratoni. Ke parë ti të flasin një fjalë për Shqipërinë rurale, të flasin një fjalë për njerëzit e punës, të djersës, e kanë të vështirë, sepse e tërë bota e tyre është tek trekëndëshi, Rogner-Sheraton dhe ndonjë lokal tjetër. Por ata fjalët e tyre dhe punët e tyre ne punët tona. Të dy palët i urojnë suksese njëri -tjetrit dhe kaq.
Zoti Kryeministër unë jam një fermer dhe në radhë të parë dua t’ju përshëndes për iniciativën, për heqjen e TVSH-së për importimin e racave të pastra me material biologjik, është një e ardhur që fermeri shqiptarë merr për çdo mëshqerrë që blen nga importi në 300-400 euro për kokë. Unë kisha një pyetje për politika e qeverisë për katër vitet e ardhshme në drejtim të përgatitjes dhe teknikës profesionale të punonjësve për zbatimin e këtyre teknologjive, si në mbarështimin e lopëve, në përpunimin, në blegtori, në vreshta, sepse këto teknologji të përparuara kanë nevojë edhe për njerëz të ditur?
Kryeministri Berisha: Unë ju falenderoj shumë për pyetjen që ngritën. Do të thosha jo kanë nevojë, por kanë nevojë jetike dhe në qofte se ka një sektor, në të cilin në katër vitet që vijnë, duhet të organizohemi shumë më mirë është sektori i trajnimit, i kualifikimit të fermerëve. Po të vini në Universitetin e Kamzës, ju do të shikoni se është fuqizuar dhe ka një numër shumë të madh studentësh. Kanë laboratorë shumë moderne dhe do ti kenë edhe në të ardhmen, por prapë se parë asgjë nuk zëvendëson shkollimin e fermerit dhe kualifikimin e tij. Do të bëjmë gjithçka për të ngritur një rrjet shkollash dy vjeçare, një vjeçare, shkolla kualifikimi të vazhdueshme të fermerëve. Z. Tivari tha këtu se ka dy djem dhe ata ndjekin pasionet e tyre, kjo është normale pasi është fat i madh që ata mund të ndjekin pasionet e tyre, por nesër njërit prej tyre mund ti shkrepë të rikthehet me ide të reja, me mendime të reja për fermën. Natyrisht ka nevojë për kualifikim, natyrisht ka nevojë për të marrë dije. Procesi i kualifikimit të vazhdueshëm, mbi kulturat bujqësore, blegtorale, teknologjitë është dhe do të mbetet një përparësi shumë e madhe për ne. Kemi krijuar një bazë, jo dhe aq të plotë, por do të përpiqemi ta plotësojmë dhe ta vëmë në lëvizje në mënyrë të vazhdueshme.
Zoti kryeministër tani që u çlirova nga emocionet do të bëj edhe një kërkesë tjetër që ka të bëjë me azhornimin e tokave. Ne me deputetët e kemi diskutuar këtë problem, por vendimi juaj është më i fortë dhe dua të di diçka nga ju?
Kryeministri Berisha: Dua t’ju siguroj se gjëja me serioze që është në zhvillim e sipër tani është regjistri dixhitale i tokës dhe nuk është i thjeshtë, por ecuria e tij deri tanishme është plotësisht e mbarë. Ne bëjmë gjithçka për të krijuar siç kemi regjistrin dixhitale të gjendjes civile, regjistrin dixhitale të çdo parcele toke. Kjo do të krijojë mundësinë pir pushtetin lokal siç kemi bërë edhe me dy vendimet që kemi miratuar duke u dhënë kompetenca të plota komunave. Jemi të gatshëm edhe më shumë ti kalojmë ato, sepse sërish vjen një ankesë se vendimet janë mirë, por i duhet dhënë zgjidhje problemit të raportit hipotekë-komunë dhe ky problem do të zgjidhet në favor të komunës. Ne do të bëjmë gjithçka që t’ua lehtësojmë juve këtë proces. Jemi shumë të interesuar për regjistrin e tokës, i cili është regjistri më i rëndësishëm pas regjistrit të njerëzve dhe ne do ta bëjmë atë.
Përshëndetje z. Kryeministër dhe mirësekeniardhur në fermën tonë. Ju e patë të gjithë infrastrukturën që kishte ferma jonë, synimi është trajnimi për fermeret e reja, dhe ju e shikoni që salla nuk ka fermere. Trajnimi i këtyre fermereve do të ishte mirë të bëhej në ambientet e fermës dhe të jemi përfituese për grandet që vijnë për këto kualifikime?
Kryeministri Berisha: Shqetësim shumë i drejtë. Në mos gaboj në Trevllazër një nga fermeret u ngrit dhe tha: si e sheh punësimin kjo Ministria e Punës, që të gjitha fondet e punësimit të shkojnë në qytet! Unë ju garantoj se do të bëjmë një shpërndarje shumë të drejtë dhe kjo që thoni ju është një ndihmë e madhe për ne. Në radhë të parë në interesin tonë të madh, për kualifikimin e fermerëve dhe mënyra më e sigurtë për ta shpejtuar këtë proces është angazhimi juaj, përfitimi i fermerëve i koncepteve më të avancuara e praktikave më të mira. Unë do ti kërkoj ministrisë së punës, e cila krahas qendrave të punësimit dhe punës që bën në qytet të shtrijë veprimtarinë në të gjitha zonat rurale.
I nderuar zoti kryeministër unë jam një 83 vjeçar dhe jam shumë i nderuar që jam sot këtu me ju. Të uroj për punët që ke bërë dhe për angazhimet që ke ndaj vendit, siç është edhe ky takimi i sotëm, pasi vjen këtu pas një vizite në Azerbajxhan. Unë të falenderoj për të gjitha investimet që ke bërë në komunën tonë, për ndërtimin e shkollës, ndërtimin e rrugës dhe mbi të gjitha ndërtimin e urës, e cila ishte më kryesorja , sepse në atë urë janë mbytur njerëz dhe sot ajo është model dhe në shërbim të të gjithëve. Unë të uroj suksese edhe në këtë katër vjeçare se me ato që unë kam dëgjuar dhe biseduar 75 përqind i ke të garantuara dhe në këto zgjedhje.
Kryeministri Berisha: Të lumtë goja dhe fitoren e kemi. Të uroj jetë të gjatë dhe unë dhe ju përgëzoj. Mua sot në këtë komunë më ka sjellë suksesi i Agronit dhe i familjes suaj. Një sukses që i bën nder të gjithë Gjepalajt, Durrësit, por edhe Shqipërisë. Një sukses i ndërtuar mbi mundin djersën përkushtimin e mençurinë dhe unë ju përgëzoj shumë përzemërsisht.
Përshëndetje unë jam Andi Ramilli jam student për administrim biznesi. Të ardhmen time e shikoj në bujqësi megjithëse është një investim i babait tim. Ju falenderoj për mbështetjen që ju keni dhënë fermerëve në mbarë vendin dhe ju uroj punë të mbarë.
Kryeministri Berisha: Falënderimi ju takon juve. Ju takon të gjithë atyre grave dhe burrave, të cilët me lumenj djerse po ndërtojnë një të ardhme që e meritojnë dhe kjo është e një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për ne. Kudo që shkon sot sheh djersen në çdo rrënje të mbjellë, në çdo fermë, sepse është djersa e njerëzve punëtor, por e rëndësishme është fakti se një kthesë e ndjeshme është arritur dhe duhet ta çojmë para këtë sukses dhe mundësitë i kemi. Kam lexuar një libër të një mikeshe të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në atë kohë kur ajo udhëtonte, nuk fliste dot për bujqësinë me gjithë dëshirën që kishte, sepse ajo nuk kishte prodhim, ishte kënetë e male, por njëlloj sikur të ishte profetë, ajo thotë se këta janë në këtë situatë sot , por këta një ditë me këtë tokë, ujë e diell do të bëhen shumë të njohur për prodhimet e tyre bujqësore në mbarë Europën dhe për hir të së vërtetës drejt asaj rruge po ecim. Unë isha në Vlore dhe kompania Musai mori dy medalje ari me vajin e ullirit “Extra Vergine” , një në Itali dhe një në Kroaci. Kështu që sa më shumë të eksportojmë aq më shumë do të pëlqehen prodhimet tona.
Unë ju falenderoj për mendimet e çmuara, për propozimet e vyera që bëtë dhe ju garantoj se ato do të mishërohen plotësisht në programin tonë të ardhshëm. Ne do ta vazhdojmë këtë dialog me ju, në interesin më të mirë të zhvillimit të Shqipërisë rurale, të punësimit të qytetarëve shqiptarë dhe të begatimit të tyre.
Dhe njëherë ju uroj sukseset më të mëdha.
Urime.”
09/04/2013