Kryeministri Berisha priti Lordin anglez, sociologun e njohur Anthony Giddens
Kryeministri Berisha priti sot paradite Lordin anglez, sociologun me famë botërore, prof. Anthony Giddens, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe e vlerësoi si një nga sociologët që e kish ndjekur me më shumë vëmendje në tre dekadat e fundit, sidomos si nismëtar i “Rrugës së Tretë”.
Kryeministri Berisha duke e njohur Lordin Giddens me realitetin ekonomiko- financiar shqiptar e vuri theksin tek rëndësia që i jepte qeveria shqiptare sektorit energjetik me ndërtimin e 316 hidrocentraleve të madhësive të ndryshme, që do të respektonin e ruanin mjedisin. “Ne,- tha Kryeministri Berisha, - presim një vendim shumë të rëndësishëm në muajin qershor, për të qenë gazsjellësi TAP, i cili kalon përmes Shqipërisë, fituesi për furnizimin e Evropës me gazin azer, çka do sillte në vend miliarda euro investime si edhe gazifikimin e Shqipërisë”.
Ndërsa e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, Lordi Anthony Giddens vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në këtë fushë, e cila, sipas tij, mbetet faktori kryesor për prosperitetin e një vendi. Ai tha se Shqipëria, krahas prodhimit duhet t’í kushtojë vëmendje përfshirjes në rrjetin evropian të energjisë. Profesor Anthony Giddens tha se Evropa duhet të rrisë vrullshëm investimet brenda vetes dhe Shqipëria si pjesë e saj, gjithashtu.
Kryeministri Berisha i bëri të njohur Lordit anglez lehtësirat për investitorët e huaj, sidomos të sektorit energjetik.
Kryeministri Berisha e uroi prof. Anthony Giddens për titullin “Honoris Causa” që iu dha atij nga Universiteti Evropian i Tiranës. Profesor Giddens i dhuroi Kryeministrit librin e tij “Pasojat e modernitetit” të përkthyer në shqip.
09/04/2013