E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në Forumin Ekonomik Botëror

Fillimisht dëshiroj të të falenderoj zoti President, për mikpritjen shumë të ngrohtë dhe që më ftuat të jem këtu, si dhe dëshiroj të falenderoj organizatorët për punën e jashtëzakonshme që ka bërë për organizimin e këtij forumi.

Zoti President,

kryeministra,

të dashur miq,

ky forum dhe Azerbajxhani janë shumë frymëzues. Forumi trajtoi kryesisht bashkëpunimin rajonal dhe është vërtetuar si mënyra më e mirë për të promovuar paqen, stabilitetin, prosperitetin dhe fqinjësinë e mirë. Duhet t’i shprehim mirënjohje Presidentit të Azerbajxhanit, qeverisë së Azerbajxhanit, pasi në një rajon jo aq të qetë, ata u treguan të guximshëm, morën vendime të guximshme mbi projekte shumë të rëndësishme rajonale dhe tani, ata janë në prag të një vendimi shumë të madh mbi çështjet e energjisë, për të gjithë Europën, i cili është vendimi që do të merret nga konsorciumi Shah Deniz dhe do të përcaktojë të ardhmen e gazit dhe sigurisë së energjisë në një rajon më të gjerë se sa ky.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është një vend i vogël. Më lejoni t’ju them disa fjalë për të. Shqipëria është një vend i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Regjimi komunist i ka bërë vendit tim çdo të keqe që një regjim komunist mund të bëjë si i tillë. Rënia e perdes së hekurt e gjeti vendin tim si një nga vendet më të varfra në botë, me të ardhura për frymë prej 204 dollarësh amerikanë, me një infrastrukturë dhe situatë të shkatërruar.

Por në 21 vjet, në këtë rrugë, vendi im ka pasur një rritje të GDP-së prej 11 herësh dhe një zhvillim të vërtetë, të shpejtë dhe intensiv. GDP-ja jonë është rritur me 11 herë, para së gjithash, për shkak të reformave tona. Ne ishim në një situatë të dëshpëruar. Ne zgjodhëm taksat e ulëta, privatizime të plota, liberalizim të plotë, vendosëm regjimin më të ulët të fiskal të viteve 90-të dhe vendi im kërceu në një rritje 2 shifrore. Pasi u ktheva në pushtet në vitin 2005, iu riktheva parimit tim të taksave të ulëta. Vendosëm taksën e sheshtë  10 përqind dhe hoqëm shumë tarifa të tjera. Muajin e kaluar hoqëm çdo taksë apo tarifë mbi çdo lloj kapitali që do të përdoret për prodhim, në vendin tim; hoqëm taksën mbi të ardhurat për pagat e ulëta, taksë e cila ishte 10 përqind; hoqëm çdo detyrim fiskal për ata që do të punësojnë dhe do të trajnojnë të rinjtë, për një periudhë 3 vjeçare.

Ekonomia jonë, pavarësisht vështirësive serioze si pasojë e krizës të dy partnerëve tanë tregtar, kryesorë, Italisë dhe Greqisë, rritja më e ulët që regjistroi ishte vitin e kaluar, prej  2 përqind, në vitet e tjera ka qenë më e lartë. Ne bëmë gjithçka për të përmirësuar klimën e biznesit në vendin tim. Falë anëtarësimit në NATO dhe përpjekjeve tona të mëdha për një klimë më të mirë biznesi, investimet e huaja direkte u rritën 340 përqind vitin e kaluar, eksportet në dy vjet u dyfishuan. Por vendi ynë ende përballet me kufizime të mëdha. Sistemi ynë bankar është pothuajse nga zona euro dhe ato nuk investojnë në bazë të rregullave të bankave të tyre mëma. Është  prioritet i lartë i ynë për të diversifikuar sistemin tonë bankar.

Ne kemi bërë investime të mëdha këto vite, sepse politika jonë e taksave të ulëta u shpërblye. Në gjashtë vite, ne morëm  9.2 miliardë dollarë amerikanë të ardhura më shumë se qeveria e mëparshme. Të gjitha i përdorëm në dy drejtime kryesore: së pari, në infrastrukturë, ku ndërtuam dhe rindërtuam më shumë se 10 mijë kilometra rrugë, duke hapur korridoret e tregjeve në të gjitha këndet e vendit. Investuam shumë në edukim dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (ICT). Në vitin 2005 ishim në nivele shumë të ulëta të ICT. Norma e penetrimit ka qenë 8.4 përqind, por tani jemi krejtësisht ndryshe, norma e penetrimit të ICT është mbi 60 përqind, veçanërisht përsa i përket shërbimeve ndaj bizneseve, ne kemi disa nga praktikat më të mira. 

Në Shqipëri ka potenciale shumë të mëdha natyrore. Ne jemi një vend plot me ujëra. Nuk kemi lumenj të mëdhenj, por lumenj që vijnë nga male të larta. Po ndodh një garë e fuqishme për ndërtimin e hidrocentraleve, falë një ligji shumë të mirë të votuar në vitin 2007. Nga ky vit deri më tani kemi nënshkruar me sektorin privat për ndërtimin e 360 hidrocentraleve. Kompani botërore nga Norvegjia, Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Izraeli dhe nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në vendin tim. Investitorët tuaj janë mëse të mirëpritur. Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha në ujëra për të shfrytëzuar dhe ky proces po vazhdon.

Shqipëria ka zona bregdetare dhe male të jashtëzakonshëm. Kemi pasur një bum në turizëm. Në vitin 2004 kishim 300 mijë turistë dhe vizitorë, ndërsa vitin e kaluar pritëm 4.7 milionë. Jemi kombi më malor në Europë, me lartësi mesatarë 708 metra. Malet tanë janë të jashtëzakonshëm. Nuk jemi Kaukazi, as Alpet zvicerane, por Alpet shqiptare quhen si Himalajat e Europës për shkak të misticitetit të tyre dhe pamjeve mrekullueshme që ofrojnë. Kushdo që investon në malet tona, për shtatë vjet do t’i ketë taksat zero. Shqipëria është shumë e pasur në trashëgimi kulturore. Kur shkëlqesia juaj, Kryeministri i Mongolisë do të vizitojë Shqipërinë do t’ju tregoj disa gjurmë të fqinjëve tanë. Të gjitha perandoritë erdhën dhe lanë civilizimet e tyre. Kushdo që viziton vendin tim kënaqet dhe pasurohet, kur ai ose ajo largohet nga vendi.

Mendoj se kjo krizë ka nxjerr disa mësime. Ne duhet të fokusohemi dhe të përdorim gjithë potencialin për prodhimin e mallrave. Skema jonë po funksionon me modesti dhe do të punojë më mirë në të ardhmen.

Sërish, zoti President më lejoni t’ju falenderoj nga zemra për mirëpritjen tuaj dhe për këtë rast të madh. Largohem nga ky vend i frymëzuar nga pikëpamjet tuaja të bashkëpunimit rajonal.

Faleminderit.”


09/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›