E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e kompanisë SOCAR Rovnag Abdullayev

Gjatë qëndrimit dje në Baku, Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e kompanisë SOCAR, zotin Rovnag Abdullayev.

Kryeministri Berisha parashtroi mundësitë e investimit nga kompania SOCAR në Shqipëri në fushën e energjisë, të eksplorimit e shfrytëzimit të gazit e naftës. Gjithashtu, Kryeministri informoi Presidentin e SOCAR mbi ecurinë e përgatitjeve rreth gazsjellësit Trans-Adriatik, kuadrin ligjor, rregullator e mjedisor të përmbushur tashmë, të nevojshëm për konsorciumin e Shah Deniz. Kryeministri ritheksoi avantazhet e dukshme të projektit të TAP, duke ofruar garancitë për mbarëvajtjen e tij dhe angazhimin maksimal të të gjithë rajonit, për të bërë të mundur përzgjedhjen e tij përfundimtare.

Zoti Abdullayev shprehu mirënjohjen për punën serioze që qeveria shqiptare ka bërë, në përpjekje për të adresuar kuadrin rregullator të nevojshëm në mbështetje të TAP, përmes negociimit, firmosjes dhe ratifikimit të marrëveshjeve lidhur me TAP. Ai shprehu edhe mirënjohjen për miratimin e përjashtimit të palëve të treta nga tre rregullatorët e vendeve respektive. Presidenti i SOCAR shprehu angazhimin e tij në identifikimin e projekteve të tjera me interes në Shqipëri në fushën e energjisë, sikurse edhe gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në projektin e madh të saj të gazifikimit të vendit.


09/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›