E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bashkëbisedon me gjimnazistë e maturantë të shkollave të Tiranës, në vijim të konsultimeve për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim miqësor e të frytshëm me gjimnazistë e maturantë të shkollave të mesme publike e jopublike të Tiranës, në vijim të serisë së konsultimeve me qytetarë për të dëgjuar mendimin, opinionin, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Ky bashkëbisedim u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

“E kam pritur me shumë interes, me shumë kënaqësi, këtë takim me ju, në kuadër të bisedave që kam vendosur të zhvilloj me qytetarët shqiptarë, në mbarë vendin, me qëllimin më kryesor të dëgjoj mendimet, propozimet, sugjerimet, opinionet, kritikat e tyre, për programin e 4 viteve që vijnë, program i cili natyrisht ka të gjithë dijet, mendjen e ekspertëve më të mirë të fushave. Por jam i bindur se mendimi juaj për fushat më me interes, por edhe, në tërësi, mendimi i qytetarëve është i një rëndësie të pa zëvendësueshme, në mënyrë që programi i katër vitet që vijnë të jetë projekti i Shqipërisë vend i zhvilluar, projekti i Shqipërisë evropiane.

Ju sot jeni qytetarë të një vendi i cili ende nuk është vend i zhvilluar, por që ka, në mënyrë absolute, të gjitha potencialet për t’u renditur në grupin e vendeve të zhvilluara. Unë mund t’ju them se në disa tregues themelorë, që janë të lidhur me individin, me njeriun, Shqipëria renditet sot në grupin e vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi të njëjtë me vendet e zhvilluara ndjekjen e shkollave të mesme, nga nxënësit që mbarojnë klasën e 9-të dhe kjo është një arritje e madhe. Sot ne kemi edhe më të lartë se jo pak vende të zhvilluara ndjekjen e universiteteve nga maturantët që mbarojnë shkollat e mesme. Sot ne kemi nivelin e disa vendeve të zhvilluara dhe lëmë pas disa prej tyre, për numrin e banesave për 1 mijë banorë. Ju hidhni sytë e shihni ngado banesa të reja. E vërteta është se qytetarët, të cilët në vitin 2001 kishin banesa për 1 mijë banorë më pak se të gjithë kombet e tjera të Evropës, sot kanë banesa për 1 mijë banorë, më shumë se sa kanë 5 kombe anëtare të BE-së. Sot ne kemi vdekshmërinë foshnjore në nivelin e disa vendeve të zhvilluara, një tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe domethënës për të gjithë nivelin social, ekonomik të shoqërisë, të cilin e kemi pasur shumë problem. Ne kemi pasur shifra afrikane (të dikurshme) të kësaj vdekshmërie, pra, shifra shumë të larta. Ne sot e kemi këtë shifër 8 për mijë dhe është në nivelin e disa vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi jetëgjatësinë mesatare të nivelit të disa vendeve të zhvilluara. Sot ne kemi vdekshmërinë e përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish- komuniste,  disa prej të cilave renditen në vendet e zhvilluara.

Pra, ne kemi një sërë treguesish të cilët i kemi kapur, por kemi edhe shumë të tjerë që duhet të luftojmë për t’i kapur. Ne e kemi filluar këtë rrugë me të ardhura që askush nuk mund t’i imagjinojë, me 204 dollarë për frymë në vit. Sot jemi me 9 mijë si mesatare. Kemi akoma rrugë për të bërë, sepse duhet të kapim të paktën shifrën 16 mijë dollarë, për të kapur disa nga vendet e zhvilluara.

Pra, i gjithë synimi ynë është që katër vitet që vijnë, duke shfrytëzuar potencialet njerëzore të vendit, së pari mendjet tuaja, të të rinjve dhe të shqiptarëve në tërësi, rezervat e mëdha natyrore që ka Shqipëria, potencialet e jashtëzakonshme të saj turistike, të cilat ka njohur rritje shumë të madhe, - nga 300 mijë turistë në vit, ka ardhur në 4.7 milionë turistë në vit, në një hark kohor shumë të shkurtër, - pra, duke shfrytëzuar potencialet e mëdha nëntokësore e mbitokësore, ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të ICT-së në rajon. Në këtë moment, ne llogarisim, para së gjithash e mbi të gjitha, mendjen tuaj, aftësitë tuaja. Nuk ka asgjë më të lidhur njëra me tjetrën sesa zhvillimi i high tech-ut me të rinjtë, për Shqipërinë. Por kështu ndodh edhe në botë.

Në fillim të vitit 2006, Shqipëria kishte një përdorim të telefonave celular, gjithsej 48 për qind. Në fillim të vitit 2006, përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 për qind,. Ndërsa importi i internetit ishte gjithsej 34 mega bite. Por ku jemi sot ne në këtë fushë, në përpjekjen tonë për Shqipërinë dixhitale? Sot telefonia celulare ka një penetrim 186 për qind. Shqiptarët kanë nga përdorimet më të larta në Evropë dhe në botë të telefonave celular. Cimet e tyre janë ulur 3 deri në 5 herë, pa llogaritur këtu paketat e ofertave, të parapagimit dhe të kontratave. Nga 17 lloje tarifash që kanë ekzistuar, sot janë 134 lloje. Po të shtojmë këtu edhe të preferuarat tuaja si what’s up, skipe, etj, biem dakord që, në tërësi, problemi i komunikimit është zgjidhur pa dhimbje koke dhe ju komunikoni qindra e mijëra herë më shumë se sa komunikonim ne, jo në moshën tuaja, por edhe pasi kishim përfunduar universitetin, ose deri para 20-25 viteve. Por paralel me këtë, është bërë një punë shumë e madhe me internetin, nga 34 mega bite në sekondë, sot, në këtë moment importohen 44  giga bite në sekondë dhe sot ekzistojnë kapacitetet e autostradës që inauguruam para dy muajsh, për 130 giga bite. Ju, me të drejtë, prisni që të ulen akoma çmimet dhe unë ju jap fjalën se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të ulen çmimet e internetit në maksimumin e mundshëm. Përveç faktit që po furnizohen me internet falas, qysh dje kur u inaugurua projekti përkatës, 1250 zyra në mbarë vendin, ne do të shkojmë duke i shtuar ato, në mënyrë që çdo i ri, çdo qytetar, të mund të lundrojë në internet. Por hap akoma më i madh do të jetë ai kur ne të lidhim me telefonin tuaj, me telefonin e qytetarit, të gjitha shërbimet e këtij shteti, të gjitha të dhënat e tij. Kjo do të fillojë shumë shpejt. Javën që vjen ju do të shihni që do ne procedojmë me mobile tax, me taksën e telefonit dhe biznesmenët do të mund të paguajnë taksën dhe të kontrollojnë taksën e tyre nëpërmjet kësaj mënyre. Gjatë muajve që vijnë, ne do të bëjmë të mundur që çdo transaksion i parave të bëhet me celular. Atë që ne e quajmë “One Stop Shop” për shërbime, do ta kemi tashmë jo vetëm në kompjuter, por edhe në celular.

Pra, ”Shqipëria mobile” është projekti i katër viteve që vijnë. Ne jemi të bindur se kjo do të jetë një lehtësi për ju, në të gjitha aspektet.

Ne ecim me vendosmëri, investojmë dhe do të bëjmë gjithçka për shkollën dhe arsimin. Për ne, përparësia më madhore është dhe mbetet shkolla dhe edukimi. Së pari, dëgjojmë tek thonë se u bë masive hyrja në universitete dhe ka shumë studentë. Askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo. E frikshme është nëse ne, me masa burokratike, marrim përsipër të ndrydhim, të shkatërrojmë ëndrrën universitare të të rinjve. Secili nga ju sot ka një ëndërr; të marrë maturën dhe ëndrra tjetër më e madhe është të marrë diplomën universitare, të bëhet universitar, të hyjë në shtëpinë intelektuale të kombit të vet, të shoqërisë së vet. Kjo është një ëndërr fisnike. Kjo ëndërr nuk duhet, në konceptin tim, të rrënohet nga burokracia, secili duhet të ketë mundësinë të provohet nëse i del dot zot projektit të tij të ëndrrës universitare.

 Së dyti, trashëgimia jonë është shumë e hidhur në këtë drejtim. Kombet e zhvilluara kanë midis 19 dhe 32 për qind të popullatës me universitet. Shqipëria, para 4 vitesh, ka pasur vetëm 3.4 për qind të popullatës me universitet. Kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë përpjekje më të jashtëzakonshme për të kapur kombe të tjera, në mënyrë që të vendosim Shqipërinë në shinat e dijes. Ju, djem e vajza të shkolluar, mund të jepni shumë më tepër për veten dhe vendin tuaj, nëse u krijohet mundësia të studioni, të specializoheni, të profilizoheni në degët që ju doni. Vetëm një Shqipëri e dijes, vetëm ajo Shqipëri që vendoset në shinat e dijes, do të jetë një Shqipëri vërtetë e zhvilluara.

Ne po lëvizim dhe po ecim me shpejtësi në drejtim të arsimit. Por, a ka probleme cilësie gjatë këtij procesi? Ka dhe janë jo të pakta. Ndaj, ne do të vazhdojmë përpjekjet që, nëpërmjet reformave, ta bëjmë arsimin sa më të zhdërvjellët dhe të ecim me shpejtësi drejt cilësisë. Këtu, një rëndësi shumë të madhe ka reforma e kurrikulave tuaja. Nuk është ngarkesa apo mbingarkesa që ju bën juve më të dijshëm. Ajo që ju bën juve më të dijshëm është thelbi, janë gjerat thelbësore për ju. Ne duhet të synojmë që shkolla t’u japë nxënësve njohuritë më thelbësore, në mënyrën më të kthjellët, më të qartë dhe të kuptueshme. Duhet të synojmë që shkolla 9 vjeçare, shkolla e mesme, të ketë dy shtylla. Ndërsa të tjerat duhet të jenë satelite të këtyre dy shtyllave. Këto 2 shtylla do të jenë gjuha dhe matematika. Në qoftë se ne do të arrijmë ta organizojmë shkollën në këtë mënyrë, do të arrijmë të rrisim në mënyrë të ndjeshme cilësinë e saj.

Ju jeni një gjeneratë fatlume. Në fakt ju jeni gjenerata e facebook-ut, e internetit. Unë e di që prindërit tuaj e kanë jo pak preokupim kohën që ju harxhoni në internet e FB. Por unë jam me ju, sepse FB është një mrekulli komunikimi. Eshtë e faktuar nga studimet serioze psikologjikë se lidhja njëri- me tjetrin me këtë mënyrë komunikimi është një faktor shumë pozitiv dhe ndihmon në pasurimin kulturor, në zhvillimin, është pozitive në konfortin e jetës, etj. Lidhja e zakonshme  është e llogaritur  në një rreth të ngushtë, ndërsa FB është me qindra e mijëra miq, me të cilët ndan shumë gjëra. Por para së gjithash, ndan dijet. Me komentet, opinionet, çdo njeri pasurohet. Krahas kësaj, interneti, koha që ju harxhoni në internet, është kohë në të cilën ju qëmtoni të vërteta, përpiqeni të gjeni të vërteta. Dua t’ju them diçka shumë private, po shikoja një ditë historikun në FB të njërës prej mbesave të mia. Aty unë pashë që ajo kishte mbledhur literaturë për origjinën shqiptare të Napoleon Bonopartit. Është a nuk është shqiptar kjo është histori tjetër dhe le t’ua lëmë historianëve, por për hir të së vërtetës, disa nga burimet e mbledhura aty ishin jashtëzakonisht serioze. Imagjinoni ju se çfarë avantazhi është kjo për ju. Një ditë unë vizitova një gjimnaz dhe mësuesja, duke e ditur që unë jam kardiolog, kishte përgatitur si mësim në atë orë funksionin e zemrës. Kur unë pashë në tabelën dixhitale zemrën, mu kujtua koha ime student, që mund të më duheshin edhe 5-6 muaj punë me tablotë, që të arrija të kuptoja atë që nxënësi i sotëm kuptonte për një çerek ore, me të gjithë rrugën, krijimin, formimin e impulseve, kalimin e gjakut, etj. Pra, ju sot jeni në një rrafsh dijesh shumë më të lartë sesa paraardhësit tuaj dhe, në një kohë shumë më të shkurtër, ju akumuloni dije shumë më tepër sesa akumulonin paraardhësit tuaj.

Ndaj unë, edhe njëherë, dua të dëgjoj me shumë vëmendje problemet dhe sugjerimet tuaja të gjithanshme, pasi projekti i Shqipërisë së zhvilluar ka si shtyllë kryesore ambiciet, ëndrrat e të rinjve shqiptar dhe është kusht kryesor që ai projekt të bëhet realitet.

Jam shumë i hapur për çdo pyetje që do të dëshironi.

Pyetje: Ka shumë nxënës që ndjekin shkollat, por ka edhe nga ata që varfëria i detyron të braktisin shkollat,. Çfarë ka në plan qeveria për këtë kategori dhe a keni një shifër se sa është numri i fëmijëve që kanë braktisur shkollën?.

Kryeministri Berisha: Çfarë bëjmë ne për nxënësit me ekonomi të varfër?. Së pari, për arsimin para universitar, ata kanë librat gratis, nga klasa e parë deri në maturë. Së dyti, familjet e tyre kanë një ndihmë ekonomike, e cila gjatë këtyre viteve është dyfishuar. Sërish ajo është e pamjaftueshme dhe ne po fillojmë një skemë të re të luftës kundër varfërisë, skemë e cila bazohet në një praktikë suksesi botëror. Kjo skemë bazohet në besimin se asnjë njeri nuk është i varfër për shkak të vetes së tij. Janë rrethanat që e bëjnë të tillë. Atëherë, për ta ndihmuar atë, ne do të adoptojmë sistemin e mikro-kreditit. Mikro-krediti është një sistem mirëbesimi, dhëniesh shumash parash në mirëbesim për të hapur një biznes të vogël, ose nëse personi është në fshat, për t’i dhënë mundësinë të ndërtojë një fermë të vogël, për të  blerë një  a dy lopë, etj. nevoja. Ne e bëjmë këtë sepse këta qytetarë nuk kanë akses në banka. Nëse ata shkojnë në banka, ato nuk ju japin kredi, sepse ata nuk kanë çfarë të vendosin si kolateral, si garanci. Kjo skemë është provuar si skemë efikase.

Çfarë bëjmë tjetër ne për këtë kategori nxënësish? Të gjithë nxënësve që duan të vazhdojnë shkollat profesionale ne u japim bursë në shkollat e mesme, për të 4 vitet, kudo që ata janë. Edhe në zonat e largëta  po të jenë, ne i sistemojmë në konvikte.

Së treti, në universitet, asnjë njeri nuk mbetet, për shkaqe ekonomike, pa ndjekur universitetin, pasi të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike, apo që kanë prindërit të papunë, përfitojnë të drejtën e bursës. Në fakt, ky sistem financimi që ne kemi për universitetet, do të transformohet. Përsëri ne do të vendosim një mbrojte të sigurt për ata të cilët nuk kanë. Unë dua t’ju garantoj se preokupimi im më madhor, më absolut, është shkollimi i tyre, sepse ai që ka është në rrugën e mundësive, ndërsa ai që nuk ka është i vendosur para murit të pamundësisë. Në qoftë se ne nuk kujdesemi për të, ai mbetet në varfërinë e tij. Përveç kësaj, në aspektin afatgjatë, shkollimi, është konsideruar, konsiderohet dhe mbetet gjithmonë një nga mekanizmat më kryesor për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria. Edhe ky faktor na nxit që ne të bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve, pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike.

 Tani le të vijmë te shifrat e analfabetizmit që është baza. Ne kemi një regjistrim dhe ky regjistrim tregon, si drita e diellit, se në Shqipëri ka gjithsej 1300 fëmijë që nuk ndjekin shkollën. Ky është numri real i tyre. Çdo përqindje jashtë kësaj është absolutisht joreale. Megjithatë, ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort edhe pas këtyre 1 mijë fëmijëve. Ne duhet të bëjmë gjithçka, sepse nëse lejojmë që një fëmijë të rritet duke mos ditur shkrim e këndim, në një farë mënyre ne pranojmë që ai të mos e ketë shumë të qartë të ardhmen e tij. Edhe për këta fëmijë, ne, me programe speciale, do të bëjmë gjithçka që ata të mësojnë shkrim e këndim. Këto janë mendimet e mia për ata të cilët mund të përballen me vështirësi serioze për shkak të varfërisë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, në shumë aktivitete të zhvilluara si nga bashkia e Tiranës dhe nga vet qeveria, gjimnazet jopublike në një farë mënyre duket sikur kanë një distancim. Në reformën tuaj arsimore, a do ti jepni përparësi sistemit jopublik?

Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se kam besim të palëkundur dhe shumë të madh për sektorin jopublik. Së pari, të kuptohemi, qeveria është e detyruar të bëjë gjithçka për standardet më të larta në sektorin publik, sepse këtu është shumica dhe këtu është detyrimi madhor. Por, qeveria ka vlerësim dhe e ka synim zhvillimin e sektorit jopublik të arsimit. Sepse, publik e jopublik, rëndësi themelore ka financimi. Nëpërmjet sektorit jopublik, shoqëria mobilizon fonde të mëdha për edukimin e të rinjve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe krijohet një lehtësi tjetër, krijohet dhe një lloj gare midis dy sistemeve.

Qeveria do të bëjë gjithçka për stimulimin e sistemit privat. Shumë shpejt ne do të kalojmë në parlament ligjin “ Tokë për shkolla”. Kjo do të thotë qe ne do t’u ofrojmë troje falas atyre biznesmenëve që duan të hapin shkolla 9-vjecare, të mesme, apo universitete. Sot për sot, rreth 9 për qind e të gjithë nxënësve të arsimit para-universitar janë në shkolla private. Sot për sot, rreth 21 për qind e studentëve të vendit janë në universitete private. Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Nuk ka as edhe një lloj diskriminimi, përveçse vlerësim real për kontributin real që bëjnë në shoqëri këto shkolla që financohen me fonde jo publike.

Nisur nga ky parim, TVSH-në e parë që ne kemi hequr, ka qenë për shkollat private. Kemi bërë shumë mirë, pasi prindërit tuaj, pra ata që çojnë fëmijët në shkolla private, paguajnë taksa edhe për shkollën publike. Në këtë aspekt, qeveria duhej të ishte e drejtë me ta. Ata janë kontributor me taksat e tyre në sistemin publik. Ndaj, duke hequr TVSH-në e shkollave private, kemi pasur qëllimin e mirë që aty, pagesat për nxënësit të jenë pak më të arsyeshme.

Pyetje: Zoti kryeministër, zgjedhjet dhe fushata zgjedhore e këtij viti, a do të ketë influencë në provimet tona shtetërore dhe nëse qendrat e numërimit që në zgjedhjet e kaluara ishin shkollat, a do të jenë edhe këtë herë, gjë që do të sjellë vonesë në rezultatet tona?

Kryeministri Berisha: Më keni bërë një pyetje jashtëzakonisht të veçantë. Zgjedhjet janë një moment shumë i rëndësishëm për shoqërinë, një herë në katër vjet. Çdo qytetar, me votën e tij, firmos  për katër vitet qe vijnë për vendin e vet. Ndërkohë, provimet janë një ngjarje jashtëzakonisht për ata që kanë për të dhënë provime, për ju. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që ju ato t’i jepni të qetë. Do të shohim dhe do të udhëzojmë bashkitë dhe komunat që, në organizmin qendrave të votimit dhe qendrave të numërimit, të mos ndërhyjnë në provimet tuaja, të mos shtyhen ato, në mënyrë që ju t’i jepni ato në kohën e duhur. Por edhe të votoni, sepse krahas provimit, ju duhet të votoni patjetër. Kësaj radhe, janë hapur mijëra qendra votimi më shumë, në mënyrë që të mos ketë më shumë se 700 zgjedhës për qendër votimi dhe që gjatë atyre 12 orëve, të mund të votohet pa vështirësi.

Pyetje: Zoti kryeministër, çfarë politikash po ndiqni për sa i përket arsimit profesional, pasi ne kemi laboratorët dhe praktikat për të bërë dhe këto kërkojnë fonde?. Laboratorët janë, por duhen fonde.

Kryeministri Berisha: Arsimi profesional për ne është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe dua t’ju rrëfej këtu që, në rast se ka një raport që e kemi shumë të zhdrejtë, është raporti arsim i përgjithshëm - arsimin profesional. Vende të tjera këtë raport e kanë 1 me 1, sepse një nga objektivat më kryesor të shkollimit është përshtatja me tregun, përgatitja e nxënësit për tregun, për vendin e punës. Ne e kemi pasur shumë të ulët përqindjen e nxënësve në arsimin profesional. Jemi përpjekur shumë dhe mund t’ju them se ne kemi sot shkolla moderne profesionale, të ngritura me ndihmën dhe eksperiencën më të mirë të vendeve si Gjermania, Zvicra e vende të tjera. Ne, para dy vitesh, për këtë qëllim, nxorëm një vendim për t’u dhënë bursë të gjithë nxënësve që vijnë nga periferia në shkolla profesionale. Për fat të keq, mbetën pa u përdorën jo më pak se 400-500 bursa të parashikuara. Pra, ne paguajmë bursë çdo nxënësi që shkon në shkollë profesionale. Ndërsa për sa u përket laboratorëve dhe kostove për to, ne do të përcaktojmë në mënyrë të padiskutueshme, të gjithë fondin për shkollën, në mënyrë që shkolla të mund të funksionojë në misionin e saj polivalent, në përgatitjen e profesioneve të ndryshme. Ky është qëllimi për të cilin është ngritur shkolla.

Pyetje: Në shkollat profesionale, janë nxënësit të cilët detyrohen të financojnë blerjen e lëndës së parë për kryerjen e praktikave. A mendoni se ka ardhur koha për financim nga ana e shtetit, i cili do të ndihmonte në kryerjen e këtyre praktikave në një stad të avancuar?

Kryeministri Berisha: Ky moment jo vetëm ka ardhur, por ka kaluar dhe kjo do të bëhet në mënyrë të padiskutueshme. Unë të falënderoj që e ngrite këtë çështje. Kjo do të bëhet shumë shpejt. Është një çështje shumë e drejtë dhe është një qëndrim absurd, pasi në këtë mënyrë i bie që nxënësi të tatohet për shkollën. Kjo është e papranueshme. Është një praktikë që do të zhduket menjëherë. Ju jeni nxënës aty dhe nuk mund të paguani ju për mjetet mësimore. Ato janë detyrim i i qeverisë, i shtetit dhe shteti do t’i përgjigjet deri në 1 detyrimit të vet.

Pyetje: Cili do të jetë roli i rinisë në të ardhmen, në planin tuaj?

Kryeministri Berisha: Në planin tim të ardhshëm, por edhe në këtë që është sot, por dua ta them këtu hapur, për sa kohë unë të jem në pushtet, nuk mund të kem përparësi më absolute sesa axhenda e rinisë. Nuk kam pasur dhe nuk kam aleatë më të shkëlqyer sesa të rinjtë e këtij vendi, të cilët kanë qenë faktorë përcaktues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike.

Përsëri, ne do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e shkollave. Ju studioni në shkollën “Ibrahim Rugova” dua t’ju them një gjë; gjatë këtyre viteve në qytetin tuaj, Kamzë, në këtë hark kohor të shkurtër 6 vjeçar, janë ndërtuar 13 shkolla të reja, pasi para 6 vitesh, gjendja e arsimit aty ka qenë katastrofale, bëhej mësim me tre turne dhe me orë mësimi 30 minuta. Pikërisht se kemi këtë përparësi, ne kemi bërë gjithçka për të normalizuar atë trashëgimi që patëm. Në qoftë se në Kamzë janë ndërtuar 13 shkolla dhe ri konstruktuar 5-6 të tjera, në shkallë vendi ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, në të katër anët e vendit. Sërish janë edhe 500-600 të tjera, sepse shkollat ishin në një rrënim të përgjithshëm. Këto 1300 shkolla që kemi bërë, janë shkolla të standardeve më të mira. Po në këtë kontekst, me një projekt kombëtar, ne shtrimë internetin në çdo shkollë, në Kamzë, por edhe në zonat më të largëta të vendit, në mënyrë që interneti të mos ishte një “mollë e ndaluar”. Unë ju garantoj që, në shumicën e zonave, interneti është marrë me satelit, sepse në atë kohë nuk ka pasur rrjet.

Gjithashtu, që shkolla të funksionojë si duhet, detyrimisht mësuesi është në qendër, është figura qendrore. Unë ju them se nuk ka ndonjë vend tjetër në Evropë ose më gjerë  që, në një hark kohor 6 vjeçar, të ketë rritur rrogat e mësuesve nga 120 – 150 për qind. Këtë ne e kemi bërë për ju, e kemi bërë që mësuesi të ketë kushte dhe të mund të përqendrohet më shumë te mësimi juaj.

Prandaj dhe axhenda jonë, së pari, është përpjekja për një shkollim masiv dhe cilësor. Është përpjekja për një punësim me përparësi i të rinjve. Ju jeni dëshmitar se qeveria ka shpallur nismën që, për çdo të ri që punësohet për herë të parë, qeveria do të marrë përsipër të paguajë për 3 vite sigurimet shoqërore për të dhe sipërmarrësi të mos paguajë asnjë taksë.

Do të bëjmë gjithçka këtë katërvjeçar për një Shqipëri sportive, do të bëjmë çdo gjë që edhe në komunat më të largëta të vendit të ndërtohen terrene sportive, kjo në funksion të të rinjve. Unë besoj se sporti është i një rëndësie jetike për shëndetin, për kalitjen, për performancën në tërësi të të rinjve të vendit. 4-vjeçari që vjen do të jetë 4-vjeçari i terreneve sportive, në çdo komunë të vendit, i ndërtimit të palestrave në çdo shkollë të vendit, katër vitet që vijnë për ju do të jenë katër vitet e 4 G-së, teknologji e cila ju jep mundësinë të merrni në celularin tuaj internet deri në 100 giga në sekondë. Këto janë disa nga drejtimet tona.

Pyetje: Në 21 janar të këtij viti, është krijuar këshilli bashkiak i nxënësve të Tiranës. Bashkia na ka mbështetur dhe e ka promovuar këtë projekt pilot. Cili mund të jetë kontributi i qeverisë për të shtrirë dhe rrjetëzuar këtë këshill në gjithë territorin e Republikës?

Kryeministri Berisha: Unë e kam ndjekur me shumë interes themelimin e këtij Këshilli dhe kam përshëndetur këtë nismë të Bashkisë së Tiranës, si një nismë shumë të dobishme. Eshtë në interesin më të mirë të atyre që qeverisin, por edhe të shoqërisë, që të dëgjojnë zërin tuaj, sepse kam bindjen më të madhe se me mendimet tuaja ju pasuroni programin e gjithsecilit, qoftë në qeverinë lokale, qoftë në qeverinë qendrore. Ndaj dhe ju garantoj që këtë nismë do të kërkoj ta përshtatin të gjitha qeveritë vedore të Shqipërisë. Kur thashë se gjatë 4-vjeçarit që vjen kemi ndërmend të investojmë në terrene sportive dhe lehtësi të tjera, kisha ndërmend gjithnjë të rinjtë. Dëgjimi i zërit të tyre është jetik për shoqërinë, për shkollat.  Unë dua të ndalem në një moment. Ne përpiqemi të ecim drejt një modeli i cili e ka vendosur Finlandën, në arsimin para-universitar, në krye të arsimit të botës, për sa i përket cilësisë së këtij arsimi. Ky sistem finlandez bazohet në një bashkëpunim të ngushtë prind- nxënës- mësues. Kjo sjell një mënyrë menaxhimi të shkollës shumë më të suksesshëm, pasi nuk ka diskutim që nxënësit janë një zë për t’u dëgjuar që, në tërësinë e tyre, kanë veçse interesa pozitive për shkollën, për veten, prindërit po ashtu dhe, po ashtu, edhe mësuesit. Por edhe në komunitet, këshilli bashkiak apo i komunës, nuk mund të ketë interesa më të mira, apo nuk mund të gjejë kund mendime më të vyera sesa të këshillit rinor, tek nxënësit më të shquar, më të mirë të komunës së vet. Ndaj, do të bëj gjithçka që kjo iniciativë e mirë e bashkisë së Tiranës të përhapet në të gjitha qeveritë vendore në Shqipëri.

Pyetje: A ka krijuar qeveria juaj një kanal, qoftë në rrjete sociale, ose faqe të ndryshme, në mënyrë që ne nxënësit të informohemi drejtpërdrejtë nga qeveria për këto probleme që mund të kemi?

Kryeministri Berisha:  Qeveria, Kryeministri, ministria e Arsimit, kanë Facebook-un, në të cilin jeni të ftuar të shprehni lirshëm mendimet tuaja. Ndërkohë, faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit ka të gjitha problematikat e lidhura me shkollat, faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me sistemin arsimor. Për dijeni tuaj, ne po punojmë në fushën dixhitale dhe shumë shpejt do të vendoset sistemi i kërkesës së përgjithshme, ankesës së përgjithshme. Kjo do të thotë që, çdo kërkesë e paraqitur me sms, e-mail, me zë, të shkojë në destinacionin e vet, në agjencinë përkatëse, nga agjencia te personi përkatës dhe person-kërkuesi të marrë përgjigje. E njëjta gjë edhe kur kemi të bëjmë me ankesat. Ky sistem do të bëhet realitet në një afat të shkurtër. Një kompani e vogël private, e përbërë nga të rinj, ka hartuar dhe po punon në softin e këtij sistemi dhe unë kam shumë besim te ata dhe se shumë shpejt do ta bëjmë realitet. Kjo është një gjë jashtëzakonisht  e madhe dhe lehtësuese.

Pyetje: Për sa u përket bursave që mbështesin artistët, nxënësit e Liceut Artistik apo studentët e Akademisë, a do të ketë një mbështetje nga qeveria me bursa për studime jashtë vendit?

Kryeministri Berisha: Përgjigjja ime është pozitive. Në dijeni time, mbështetjet e para janë dhënë. Në qoftë se nuk gabohem, në një nga shkollat më të njohura të Anglisë, studion një muzikante e talentuar shqiptare. Ajo aplikoi, paraqiti argumente të qëndrueshme, përmes një letre tek unë, ku më shkruante; zoti Kryeministër, kjo shkollë është e veçantë në fushën e muzikës, mund të mos ketë jehonën e Kembrixhit e Oxfordit, por në fushën e muzikës është e një niveli si ato. Ajo kishte të drejtë dhe ne e përfshimë atë. Pra, ne do t’i mbështesim këto bursa pa diskutim.

Pyetje: A do të krijoni një program efikas ku nxënësit të orientohen për sa u përket hapave që duhet të ndjekin për të aplikuar për studime jashtë shtetit?

Kryeministri Berisha: Ka shumë mundësi që kjo gjë të ekzistojë në ministrinë e Arsimit. Megjithatë, unë do t’i kërkoj ministrisë që ta ekspozojë shumë më qartë këtë program. Ne si qeveri garantojmë bursë për të gjithë nxënësit shqiptarë që aplikojnë dhe fitojnë të drejtën e studimit, në një nga 15 universitetet më të mira të botës në fushat jo teknike. Ndërsa në shkencat teknike, e kemi zgjeruar në një nga 50 universitetet e para të botës. Unë mund t’u them se ka, jo një, por disa studentë shqiptarë që kanë përfituar këto bursa, ndonëse janë bursa shumë të kushtueshme. Fatmirësisht, ka edhe studentë që nuk banojnë në Shqipëri, por banojnë në vende të tjera dhe që kanë përfituar bursë. Ne e quajmë këtë Fondi i Ekselencës dhe ky fond ka ardhur në rritje dhe do të vijë në rritje. Natyrisht, kjo bëhet kundrejt një kontrate, në rast se shkon në një nga këto universitete, qeveria jep bursën, ndërsa studenti është i detyruar të kthehet, pas studimeve, e të punojnë disa vite në vendin e tij. Më pas, është i lirë të punojë ku të dojë.

Pyetje: Dimë që në Durrës është hapur një universitet profesional. A është e mundur që të aplikohet ky model edhe në Tiranë apo në qytete të tjera? 

Kryeministri Berisha: Ai model është një model shumë i çmuar, që u ngrit me ndihmën e qeverisë gjermane dhe është plotësisht i mundshëm. Pra, bëhet fjalë për modelin 2-vjeçar të universitetit të Durrësit. Ai mund të hapet plotësisht në Tiranë, në Elbasan e në qytete të tjera. Është me shumë interes. Ai u konsolidua në Durrës dhe është një histori suksesi atje, ndaj këtë sukses duhet ta përhapim edhe në qytete të tjera.

Pyetje: Një pyetje lidhur me zgjedhjet, përse në rrethin e Kurbinit nuk është parë e mundur asnjëherë që të ketë një përfaqësues të PD-së nga vendi i tij?

Kryeministri Berisha: Rrethi i Kurbinit gjithnjë ka qenë i përfaqësuar në grupit parlamentar të PD-së me një deputet nga rrethi i Kurbinit. Më parë ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi dhe anëtar kryesie, që sot është Prefekt i Qarkut, Pal Dajçi. Sot është një zonjë e nderuar, e përgatitur, Pavlina Hoti. Kurbini është gjithnjë një përparësi për PD-në. Unë të përgëzoj ty për ambicien që ke dhe të garantoj se i ke dyert e hapura.

Pyetje: Zoti Kryeministër, vërtetë interneti nuk është më “mollë e ndaluar” nëpër shkolla, por mund të themi se është “mollë e ndarë në 4 pjesë”, sepse në çdo kompjuter punojnë 4 nxënës dhe kjo është e vështirë për një orë mësimi 45 minuta. C ‘mund të bëhet më tej për këtë situatë?

Kryeministri Berisha. Nisma tjetër tashmë është; nga “internet në çdo shkollë” në “internet në çdo klasë”. Ne do të ecim përpara, do të kalojmë ne mësimin dixhital dhe do të përdorim metodat më moderne që ekzistojnë. Çdo gjë të teknologjisë më të avancuar, të parët që do ta kenë, do të jenë të rinjtë, nxënësit dhe studentët.

Pyetje: Të gjithë ne që jemi sot këtu kemi një lloj ndjenjë admirimi ndaj jush dhe do të doja më tepër të merrja një këshillë personale nga ju; çfarë na këshilloni të bëjmë, në mënyrë që të sjellim ndryshim, të vazhdojmë përpara?

Kryeministri Berisha: Nuk është e thjeshtë për mua t’ju këshilloj, por ajo që mund t’ju them është se nuk ka asgjë më fisnike për njeriun sesa përpjekja për të bërë realitet ëndrrën e tij. Po të shikoni arritjet e njeriut, të gjitha janë përpjekje për të shndërruar një ëndërr në realitet. Ëndërr dite sigurisht, jo ëndërr nate. Prandaj, ajo që unë ju këshilloj është, së pari, të jeni ambiciozë në kuptimin pozitiv të fjalës dhe, me përkushtim, të punoni në projektin që ju pëlqen më shumë. Ka jashtëzakonisht mundësi që ju të zgjidhni. Këtu, detyra është më shumë e shoqërisë dhe shtetit. Shoqëria, shteti dhe familja duhet të pajtohen me zgjedhjet tuaja. Zgjedhja që mund të bëni ju, në tërësi, është më e drejta. Mund të ketë gabime në të, por gabimet më të mëdha janë në rast se juve ju imponojnë zgjedhjet, pasi një gjë që e zgjedh vet, i përkushtohesh dhe i del në krye. Kjo është ajo që mund t’ju them.

Pyetje: Në këtë mandat keni ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, po në mandatin tuaj tjetër, sa shkolla të tjera keni menduar të ndërtoni?

Kryeministri Berisha: Eshtë absolutisht objektiv i pandryshueshëm; do ndërtojmë çdo shkollë kudo që ndodhet, pasi unë dua që shtëpia e dytë e nxënësve, e fëmijëve, pra shkolla, të jetë sa më komode, sa më e bukur, sa më dinjitoze. Ne, gjatë këtij mandati që vjen, në mënyrë të pa diskutueshme, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë që ka mbetur. Jemi të sigurt për këtë.

Pyetje: A keni një plan konkret për përmirësimin e kurrikulës aktuale shkollore dhe infrastrukturës shkollore?. Së dyti, duke ju uruar suksese për fitoren e mandatit të tretë qeverisës, ju ftojmë të na vizitoni për herë të dytë në gjimnazin tonë, gjimnazin “Sami Frashëri”.   

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë për ftesën dhe dua t’ju tregoj këtu se mbeta shumë i mahnitur nga ajo vizitë aty, sepse gjeta një gjimnaz të ndërtuar shumë mirë nga ana funksionale, laboratorë të shkëlqyer, por edhe mësues të përkushtuar. Në laboratorin e anglishtes, mësuesja më demonstroi se si me atë platformë, nxënësit komunikonin edhe on-line nga shtëpia e tyre. Mësuesja, në mënyrë të sinqertë, më tha se, fillimisht, kjo për ta kishte vështirësi, por kur e përvetësuan, ishte një lehtësi e jashtëzakonshme. Pastaj ajo më foli me shumë pasion për këtë platformë. Po ashtu, edhe në laboratorët e tjerë. Pra, atje unë pashë një gjimnaz me standardet më të mira teknologjike. Unë i kam kërkuar ministrisë së Arsimit që ai format high tech që ishte vendosur aty, të vendoset në çdo gjimnaz të Shqipërisë. Ne do ta bëjmë këtë me çdo kusht.

Pyetje:  Kemi dëgjuar shumë mediatikisht për debatin mazhorancë-opozitë për tre ligje që ende nuk po miratohen në parlament. A mund të na jepni ju një informacion më të detajuar se në çfarë konsistojnë këto 3 ligje dhe çfarë të mirash sjellin ato për shoqërinë?

Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Këto tre ligje  u bënë të famshme në të gjithë Evropën, jo për rëndësinë e tyre kapitale, por për mos votimin e tyre.

Njëri prej tyre, është një amendim, një shtesë në ligjin për Gjykatën e Lartë, i cili i shton Kolegjin Administrativ, Gjykatës Administrative, sepse u miratua ligji për Gjykatën Administrative. E vërteta është që, ata që sot nuk e votojnë, ishin nismëtarët, apo propozuesit e këtij amendamenti.

Ligji i dytë ka të bëjë me statusin e Shërbimit civil. Shërbimi civil ka të bëjë me disa mijëra punonjës në administratë, të cilët nuk janë politik, të cilët kanë një mbrojtje ligjore, por që ky ligj u jep edhe disa liri politike, le ta themi, ose më saktë u jep mundësi që të shprehin tendencën e tyre politike, të marrin pjesë edhe në fushata zgjedhore, etj. Ky është një ligj i standardeve evropiane.

Ligji i tretë ka të bëjë me disa amendime të rregullores së parlamentit. Pra, ligjet në vetvete, nuk është se janë ligje që mbushin ndonjë boshllëk, përveç amendamentit të  Gjykatës Administrative. Problemi i tyre është se përse nuk votohen? Ne po shkojmë drejt procesit të integrimit dhe integrimi është një proces universal reformash vendimesh, ligjesh, me të cilat t’i afrohesh gjithnjë e më shumë me një lloj standardi apo kriteri të vendeve anëtare të BE-së. Këto tre ligje nuk i voton kryetari i opozitës, sepse mendon se në rast se do t’i votonte ato, Shqipëria merr statusin e kandidatit dhe kjo do ta dëmtonte atë dhe interesat e partisë së tij. Absolutisht nuk është kështu. Nëse ai do t’i votonte, qeveria dhe opozita merrnin vlerësimin nga qytetarët e vendit të vet dhe të tjerët dhe vendi ynë merrte statusin. Kjo do të thoshte disa qindra e qindra milionë euro më shumë për Shqipërinë.

Së pari, sepse, nëse konsiderohesh vend me statusin e vendit kandidat për në BE, ky është një lajm pozitiv për gjithë investitorët e huaj. Unë dua t’ju informoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë ndër faktorët më kryesorë që ka rritur 300 për qind investimet e huaja në Shqipëri, sepse për biznesmenin apo sipërmarrësin e huaj, kur sheh se Shqipëria është anëtar i NATO-s, do të thotë se ka siguri të shkojë e të investojë. Por nëse do të shihte se Shqipëria është edhe vend i NATO-s, edhe vend me statusin kandidat në BE, kjo është siguri edhe më e madhe për atë.

Së dyti, vet statusi ka një implikim direkt në raport me Komisionin Evropian. Fondet nga Komisioni Evropian rriten rreth 150 euro për frymë, çka nuk janë pak.

Së treti, të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të aplikojnë në universitete të vendeve anëtare më lirshëm dhe të gjejnë aty të drejta studimi,  pse jo edhe bursa, në kushte më të favorshme. Po kështu, edhe për të sëmurët që duan të shkojnë të spitale më të specializuara e moderne.

Ky është një veprim që nuk e ka bërë kush, kurrë, në proceset e integrimit në Evropë. Por çfarë do të bëjmë ne? Unë jam këtu edhe për të marrë mendimin tuaj. Unë e shpalla edhe në FB, - ku pata një mbështetje të jashtëzakonshme, mbi 250 mijë persona lexuan kërkesën dhe mijëra prej tyre e mbështetën, - të shkojmë në referendum për këtë çështje, pas zgjedhjeve. Kjo sepse, nuk mund të mbahet procesi i  integrimit peng i dëshirave të këtij apo atij. Procesi i integrimit është proces jetik për qytetarët shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij. Unë ju siguroj se ecja drejt BE-së është rruga më e sigurt për t’i bërë qytetarët shqiptarë më të lirë, për të garantuar më shumë liritë e tyre, është rruga më e sigurt për t’i bërë qytetarët shqiptarë më të mëkëmbur, për të bërë që ata të ecin drejt niveleve të reja të mëkëmbjes e prosperitetit. Kjo është e ardhmja më e mirë. Para zgjedhjeve kjo nuk lejohet, sepse në afatin 6 mujor para zgjedhjeve, ligjet e vendit përcaktojnë se nuk mund të ketë referendum. Pas zgjedhjeve, do të shkojmë t’i votojmë dhe unë jam i sigurt se shqiptarët do t’i votojnë në mënyrën më plebishitare, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Unë sigurisht do të marr edhe mendimet tuaja, por mendoj se kjo është rruga më e drejtë për t’i dhënë fund këtij diskutimi që nuk na bën nder aspak si vend.

Pyetje: Në shkollën “Ismail Qemali” problemi i vetëm mbeten mësimi me 2 turne për shkak të mungesë së ambienteve shkollore. A parashikon  plani juaj qeveritar zgjerim të ambienteve shkollore?

Kryeministri Berisha: Le të flasim hapur. Dy turnet janë jo aq të përshtatshme, por Gjermania, vendi më i pasur i këtij kontinenti, shkollat në qytete i ka me dy turne dhe i ka, jo për arsye tjetër, por vetëm për arsye ekonomike. Ne kemi hequr turnet në disa qytete ndërkohë. Por do të doja t’ju pyesja juve: më parë, duhet të heqim turnet në Tiranë, apo të ndërtojmë shkollat më të rrënuara që janë pas Dajtit, apo në zona më të thella?. Në Tiranë, do të ndërtohen edhe 13 shkolla të tjera. Bashkia ka gjetur trojet, ka edhe fondet, sepse kjo situatë në Tiranë nuk u krijua për shkak të mungesës së parave, sepse ne i kemi dhënë bashkisë së mëparshme të Tiranës 21 milionë euro, kredi të Këshillit të Evropës, me garanci qeveritare. Por problem ishin trojet. Tashmë ky problem është zgjidhur dhe do të ndërtohen 13 shkolla. Nuk mund të them nëse këto 13 shkolla e bëjnë tërësisht të mundur heqjen e turnit të dytë, por jam i sigurt se këto 13 shkolla bëjnë plotësisht të mundur që klasat të kenë jo më shumë se 30 nxënës.

 Pyetje: Zoti Kryeministër, jam përfaqësuese e Shqipërisë në Dancing Sportiv dhe kisha një kërkesë. Në vitin 2010 ju keni qenë mbështetës i paradës së maturës që u bë me gjithë maturantët e Tiranës dhe që u unifikua me gjithë maturat e Evropës, do të doja që edhe këtë vit kjo paradë të kishte mbështetjen tuaj. Do të doja t’ju jepja edhe një dhuratë simbolike, që është një foto e paradës së vitit 2010.

Kryeministri Berisha: Shumë faleminderit dhe me shumë kënaqësi. Unë do ta mbështes plotësisht këtë paradë. Është parada më e bukur që mund të ketë qyteti.

** *

Unë së pari, dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht për mendimet shumë të çmuara që shprehët, sugjerimet e vyera që më bëtë. Shpresoj të takohemi edhe njëherë tjetër e të diskutojmë së bashku edhe për fusha krejtësisht të tjera, sepse edhe aty unë dua të mësoj nga ju. Unë jam një fans i muzikës dhe jam shumë interesuar të di shijet tuaja, ose të diskutojmë për librat, çfarë librash pëlqeni më shumë, çfarë ju lexoni. Ne folëm për botën virtuale e dixhitale, por ajo nuk e zëvendëson librin, përkundrazi, ajo zbukurohet shumë me librin, qoftë virtual, qoftë real.

Unë ju shpreh mirënjohjen për këtë pjesëmarrje, për pyetjet, për mendimet që më dhatë dhe mbetem gjithnjë shumë i hapur për sugjerimet tuaja në FB, në sms, në what’s up. Faleminderit shumë. 


23/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›