E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret në takim Drejtoreshën e re të BB-së dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, znj. Ellen Goldstein

Kryeministri Berisha priti  në një takim Drejtoreshën e re të Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore,  Znj. Ellen Goldstein,  e cila shoqërohej nga Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri  znj. Kseniya Lvovsky.

Gjatë takimit, zonja Goldstein i shprehu Kryeministrit  Berisha kënaqësinë e madhe që vizitonte Shqipërinë dhe për faktin se kishte konstatuar ndryshime të mëdha dhe shumë të dukshme impresionuese, ekonomike dhe shoqërore.  “Ndihem krenare që shoh gjithashtu që partneriteti i qeverisë shqiptare me Bankën Botërore është mishëruar në kaq shumë projekte të dukshme infrastrukture, konsulence dhe asistence”, u shpreh znj. Goldstein.

Gjithashtu, ajo e falënderoi Kryeministrin Berisha personalisht për mbështetjen e madhe, dhënë projekteve të Bankës Botërore, në mbështetje të prioriteteve të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe të Bankës Botërore, projekte të tilla madhore si; programi për sigurimet shoqërore, për regjistrin e pronave të paluajtshme, projekti i inspektimeve, etj. Në këtë aspekt, Drejtoresha e Bankës Botërore e vlerësoi qeverinë shqiptare si një partner shumë  i përgjegjshëm dhe produktiv në zbatimin e projekteve, duke mundësuar përdorimin e instrumenteve gjithnjë e më efektiv, që çojnë përpara vendin drejt aspiratave të tij në Bashkimin Evropianë.

Nga ana e tij, duke i shprehur kënaqësinë e kësaj vizite, Kryeministri Berisha e uroi  zonjën  Goldstein për detyrën e re. Ai vlerësoi faktin se për dy dekada, Banka Botërore ka qenë një partnere e shkëlqyer për popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare, duke i dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në projekte infrastrukture dhe në projekte të tjera, si në  konsulencë, studime etj, projekte këto jetësore për transformimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria.

Kryeministri Berisha theksoi se dialogu me Bankën Botërore ka qenë, është dhe do të jetë i vazhdueshëm, bazuar në marrëdhënie të hapura, në vullnet të mirë dhe besim.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha  i prezantoi  zonjës Goldstein   paketën e reformave të ndërmarra nga qeveria për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shpejtë të vendit.  Në këto muajt  e fundit, theksoi Kryeministri,  është përgatitur një paketë tjetër lehtësish për bërjen e biznesit, meqë prioriteti  i qeverisë ka qenë gjithmonë mbështetja  e zhvillimit nga sektori privat.  Për t’iu përgjigjur lehtësive fiskale dhe administrative të ofruara kohët e fundit, qeveria, pas 6 mujorit të parë, do të adaptojë buxhetin, praktikë kjo gjithmonë e suksesshme në këto 8 vite qeverisjeje.

Kryeministri Berisha shprehu besimin se, së shpejti,  dy projektet madhore, ai i kaskadës së Devollit,  të kompanive Statkraft  dhe EVN dhe realizmi i projekti TAP, do të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike.

Më tej, Kryeministri nënvizoi se reformat e qeverisë shqiptare kanë konsistuar jo vetëm në  lehtësinë e të bërit biznes dhe lehtësitë fiskale, por edhe në  prezantimin e  praktikave dhe procedurave, që rrisin transparencën dhe kontrollin mbi një sërë aktivitetesh si; markimi i karburantit, skanimi në doganë i mallrave të importit, kasat etj. Këto ditë, theksoi ai, në kuadrin e lehtësive dhe dixhitalizimit të shërbimeve, hyn në përdorim edhe pagesa e taksave me telefon mobile. Kryeministri theksoi  gjithashtu  se, në të gjitha reformat e ndërmarra, qeveria shqiptare ka pasur si partner Bankën Botërore dhe për këtë, “ne ju jemi shumë mirënjohës”.

Drejtoresha e Bankës Botërore, zonja  Ellen Goldstein, e përgëzoi  Kryeministrin Berisha për mënyrën e  qeverisjes dhe  reformat e implementuara, reforma, të cilat e bënë Shqipërinë të mos bjerë në recension dhe të mbajë rritje ekonomike edhe në kushtet e krizës së rëndë mbarë botërore. Ekonomia shqiptare ecën më shpejt dhe më mirë se ekonomitë e tjera, por ajo nuk mund t’i shpëtojë efekteve të kësaj krize të gjatë, ndaj, në këtë kuadër, kujdesi për ekuilibrat makro ekonomik, është gjithmonë i domosdoshëm, vijoi znj. Goldstein.

Gjithashtu, znj. Ellen Goldstein , i tha Kryeministrit Berisha që Banka Botërore do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe financojë projekte që konsiderohen prioritare  për qeverinë shqiptare dhe ekonominë reale, duke pasur prioritet sektorin e energjisë, si dhe sektorë të tjerë, për të cilët do të vendoset  pas diskutimeve të përbashkëta.

 Kryeministri Berisha e falënderoi edhe njëherë  znj. Ellen Goldstein  për bashkëpunimin e suksesshëm dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar dhe kontribuar në zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshme të Shqipërisë, nëpërmjet projekteve dhe asistencave që Banka Botërore ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë.


23/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›