Kryeministri Berisha bashkëbisedon me specialistë të IT-së, për teknologjitë e reja dhe programimin

Ndër të tjera, kompania ka realizuar me sukses një numër projektesh të rëndësishme për qeverinë shqiptare: sistemi elektronik i Prokurimit; regjistri elektronik i bizneseve; sistemi elektronik i lejeve dhe licencave; deklarimi elektronik i taksave; regjistri i punonjësve të Shtetit; regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit; sistemi i menaxhimit të çështjeve për agjencitë qeveritare; sistemi Informatik i Gjykatave për Menaxhimin e Çështjeve Civile dhe Penale; SIMS - Sistemi i Infrastrukturës së Menaxhimit te Shkollave; sistemi Informatik i Gjykatave për Menaxhimin e Çështjeve Civile dhe Penale, etj.
Në këtë bashkëbisedim, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e kësaj kompanie si një ndër promotorët kryesorë të zhvillimit të ICT-së në Shqipëri, si dhe u njoh më nga afër me propozimet, kritikat dhe objeksionet e tyre, me qëllim që në katër vitet që vijnë qeveria të përmbushë objektivin e saj, shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi rajonale në procesin e programimit.
Gjithashtu, një tjetër objektiv i qeverisë për katër vitet që vijnë është edhe m-Albania. “Po punojmë shumë që shërbimet e administratës të jenë tërësisht dixhitale dhe që qytetarit t’i ofrohen të gjitha shërbimet në celularin apo kompjuterin e tij. M-Albania do të jetë objektivi i katër viteve që vijnë”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha, gjatë bashkëbisedimit me specialistët e ikubINFO, u shpreh se do t’u krijojë këtyre kompanive të gjitha lehtësirat e nevojshme fiskale. “Qeveria është e gatshme të nisë së bashku me ikub dhe kompani të tjera zhvillimin e Tirana Hightech Park. Tirana Hightech Park do të jetë një territor me regjim fiskal tërësisht tjetër, për të mos thënë krejtësisht simbolik, një territor në të cilin do të bëhet gjithçka për të ndërtuar infrastrukturën më moderne”, tha Kryeministri.
Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me punonjësit e kompanisë ikubINFO, kompani për zhvillimet software në Shqipëri:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes, të falënderoj mikpritësit për këtë mundësi, të zhvilloj një bisedë me ju për një nga problemet më të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë, çështjen e përmbledhur në “Shqipërinë dixhitale”.
Historia e zhvillimit fakton se sot proceset dixhitale, mosha dixhitale, progresi i saj, janë një burim i madh dhe shumë i rëndësishëm i punësimit të mendjeve ndër më të kthjellëtat; janë një burim i madh avancimi dhe janë procese që realizojnë, në rrafshin e administratës, transparencën më të madhe; mundësojnë zhvillimin më të shpejtë në kohë, por mundësojnë edhe shërbimin me koston më të ulët. Unë dua të përgëzoj këtë kompani, e cila me stafin e saj, me aftësitë, me vizionin e lidershipit të saj ka qenë dhe është një ndër promotorët kryesorë të zhvillimit të kësaj fushe në Shqipëri.
Historiku i Shqipërisë dixhitale është një histori jo e gjatë. Në vitin 2005 ne kishim shkallën më të ulët të përdorimit të internetit në botë, 4.8 përqind, dhe kishim një treg telekomunikacioni shumë problematik, sot ne kemi të bëjmë me një quantum lip të zhvillimit të këtij sektori në Shqipëri, hapat e bërë kanë qenë një hop. Ky është historiku i zhvillimit deri diku edhe i kompanive të kësaj fushe. Ky është historiku i zhvillimit edhe i konceptit të shqiptarëve për potencialin e jashtëzakonshëm të ICT-së dhe moshës dixhitale. Ne synojmë që Shqipëria të bëhet një vend lider në rajon, në fushën e programimit. Ne duam të kemi një dialog me kompanitë e fushës, t’u krijojmë atyre çdo lehtësi të nevojshme, në mënyrë që me të vërtetë të mund të tërheqim dhe të mund të përthithim mendjet më të mprehta, më inteligjente për këtë fushë dhe t’u krijojmë atyre mundësi të pakufishme. Këto ditë u zhvillua në konkurs dhe një djalë, në shkollë të mesme, përfaqësuesit e Johns Hopkins e kishin përzgjedhur dhe kishin mbetur të mahnitur prej tij. Po kështu, 2 vjet më parë një maturant shkoi me studime në shkollat më të avancuara të kësaj fushe. Bota është globale sot, por e sigurt është që potenciali i të rinjve, nuk mohoj edhe potencialin e të tjerëve, në programim është i pakufishëm. Ne kemi arritje. Sot jemi vend i e-Gjendje Civile, e-prokurime, e-punësim, po punojmë për e-tokë dhe do ta përfundojmë atë brenda këtij viti. Regjistri elektronik i tokës që përbën regjistrin e dytë më themelor për këtë vend, pas Regjistrit të Gjendjes Civile. Ne kemi dixhitalizuar të gjithë sistemin e drejtësisë, gjykatat. Ne po ecim në të gjitha fushat. Së shpejti do të kalojmë në e-ankand, në blerje të vogla dixhitale. Ne po punojmë shumë që administrata të jetë tërësisht dixhitale dhe qytetarit t’i ofrohen të gjitha shërbimet në celularin apo kompjuterin e tij. M-Albania do të jetë objektivi i katër viteve që vijnë. Ky do të ishte një zhvillim skeletik, në qoftë se ne nuk do t’ia dalim të shndërrojmë Shqipërinë në një qendër të fuqishme, në një superfuqi rajonale në procesin e programimit.
Unë jam këtu për të biseduar me ju, se cilat janë mendimet tuaja, kritikat, objeksionet, propozimet, sugjerimet që ne t’i arrijmë këto objektiva gjatë katër viteve që vijnë.
Pyetje: Përshëndetje! Unë kam nisur të punoj në ikub që studente, jam fituese e ‘Imagine Cup’, e vitit të kaluar. Tani punoj këtu me kohë të plotë dhe me projekte shumë interesante, si edhe me projektin e-Albania. Pyetja ime lidhet me studentët, se si qeveria mund t’i ndihmojë ata që të jenë më aktivë, pasi kanë nevojë për shtytje, dhe të jenë më aktivë me pjesëmarrjen në kompeticione të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare. Kjo ndihmon shumë në krijimin e kontakteve ndërmjet studentëve dhe biznesit.
Kryeministri Berisha: Qeveria po punon për një kuadër të përcaktuar për studentët e talentuar. Qeveria në fushën e ICT-së do të bëjë gjithçka që të inkurajojë kërkimin shkencor në departamentet dhe katedrat e universiteteve. Kërkimi shkencor përfshin dhe do të përfshijë studentët. Gjithashtu, ne duhet të përcaktojmë fonde të veçanta për këto katedra, për këto fakultete dhe një qëndrim i diferencuar është i domosdoshëm, që të nxisim.
Në rast se ne flasim për nxitje programimi, fakultetet, departamentet dhe katedrat e fushës janë djep i shkëlqyer i mundësive të kërkimit shkencor. Nuk është se po ndodh kaq shumë, por nw qoftw se nuk ndodh, kjo jo se studentët dhe pedagogët nuk kanë aftësinë, por se diçka mungon në organizimin e punës, mungojnë incentivët, mbështetja e programeve, nxitja e ambicies. Ne jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë që të gjitha këto. Ne llogarisim shumë punën me studentët, natyrisht, edhe me pedagogët e tyre.
Pyetje: Përshëndetje! Unë kam mbaruar studimet në Itali. Jam punësuar këtu dhe kam marrë pjesë në dy projekte të rëndësishme, një prej tyre e-Albania. Pyetja ime lidhet me studentët e tjerë që do të kthehen në Shqipëri pas studimeve jashtë. Çfarë ka diçka konkrete qeveria që t’i nxisë ata që të kthehen apo duhet t’i besojnë më shumë kompanive private?
Kryeministri Berisha: Qeveria ka një kuadër në të cilën favorizon ekselencat, kthimin e tyre nga vendet ku janë. A mendon qeveria se këto kontigjente studentësh, të shkolluar jashtë, do të jenë vetëm për administratën? Jo, ne nuk kemi këtë koncept. Ndonëse, dua t’ju informoj, në vitin 2005 ka pasur vetëm 1 përqind të punonjësve të administratës të shkolluar jashtë, ndërsa sot janë mbi 22 përqind. E vërteta është që qeveria do të bëjë gjithçka për të rekrutuar numrin më të madh të mundshëm të studentëve, të specialistëve dhe ekspertëve të kualifikuar jashtë. Në rrafshin zhvillimor, promotor kryesor në konceptin tonë të zhvillimit është sektori privat. Ne jemi shumë të kënaqur që forca me një kualifikim të lartë angazhohen dhe punojnë edhe në sektorin privat. Gjithnjë, në raport me zhvillimin. Qeveria, sigurisht, ndërmerr reformat dhe reformat e një qeverie ndikojnë shumë në ecurinë e ekonomisë së këtij vendi dhe zhvillimin e tij, por përcaktues është sektori privat, në distancë nga potenciali i qeverisë.
Pyetje: Ne jemi afërsisht 40 vetë në sektorin e zhvillimit të software, shumica e tyre kanë studiuar jashtë shtetit. Unë jam Bledi, kam studiuar në Itali, kam punuar për disa vite atje dhe tani punoj te ikubINFO. Në kompanitë jashtë ka procese të stabilizuara për menaxhimin, për strategjitë, etj., shumë nga këto gjenden edhe në kompanitë që janë në Shqipëri. Megjithatë, mendimi im është që kompanitë me shumë eksperiencë jashtë kanë akoma shumë gjëra për të dhënë në këtë sens. Si mund të ndihmojë qeveria apo sektorët e tjerë, në mënyrë që të bëhet më i thjeshtë kontakti me këto kompani dhe marrja e kësaj eksperience nga kompanitë e huaja?
Kryeministri Berisha: Në tërësi janë kompanitë shqiptare ato që kanë sjellë këtu gjigandët e ICT-së, të cilat punojnë me IBM apo me kompani të tjera të mëdha. Ky bashkëpunim, pa diskutim, ka pasur rëndësinë e tij të madhe në zhvillimin e këtyre kompanive. Ato kanë filluar si bashkëpunëtorë dytësor apo tretësor, por sot janë bërë shumë të rëndësishëm. Qeveria nuk merr përsipër të rregullojë marrëdhëniet private të kompanive me kompanitë e tjera, por qeveria krijon një kuadër ligjor shumë të favorshëm dhe përmirëson kuadrin ligjor për praninë e kompanive të huaja në Shqipëri. Qeveria është thellësisht e interesuar për zhvillimin e kompanive të vendit. Vetë fakti që qeveria ka të programuara mbi 120 projekte për sektorin publik, përbën një stimul për kompanitë e fushës në Shqipëri. Ajo çka mund të bëhet në bashkëpunim me biznesin është se mund të organizohen seminare, workshop-e, por marrëdhëniet midis privatëve, më mirë se kushdo tjetër, i rregullojnë vetë ata.
Pyetje: Unë jam ende studente, në vit të 5-të për informatikë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Më duhet t’ju përshkruaj shkurtimisht procesin tim të punësimit në këtë kompani dhe pastaj të mund t’ju bëj pyetjen. Procesi i punësimit tim quhet Akademi ikubINFO dhe ka nisur me një lajmërim online, sikur unë sapo kisha marrë diplomën e 3-vjecarit Bachelor. Pasi plotësova këtë pyetësor, mësova se atë e kishin plotësuar edhe 140 studentë të tjerë. Prej tyre u përzgjodhën vetëm 70, të cilët kaluan një provim. Më pas, nga këta 70 u zgjodhën vetëm 30, të cilët kaluan hap pas hapi në një intervistë. Nga kjo intervistë u përzgjodhën vetëm 17 studentë, të cilën kaluan një proces të gjatë trajnimi, provimesh, projektesh dhe prezantimesh. Pas kësaj, të gjithë ne ishim të detyruar, në një farë mënyre, të jepnim një provim online të Microsoft. Kjo na u mundësua po nga kompania. Dhe në përfundim u zgjidhën 8 studentë. Pyetja ime është nëse qeveria mund të subvencionojë, të planifikojë që të financojë apo të mbështesë kompanitë që marrin iniciativa të këtij lloji.
Kryeministri Berisha: Qeveria mendon që këtyre kompanive t’u krijojë të gjitha lehtësirat e nevojshme fiskale në këtë fushë. Qeveria është e gatshme të nisë së bashku me ikub dhe kompani të tjera zhvillimin e Tirana Hightech Park. Tirana Hightech Park do të jetë një territor me regjim fiskal tërësisht tjetër, për të mos thënë krejtësisht simbolik, një territor në të cilin do të bëhet gjithçka për të ndërtuar infrastrukturën më moderne. Ne po bisedojmë dhe kemi nisur bisedimet me vende mike, të cilat kanë ekspertizën më të lartë në ndërtimin e Hightech Park. Ka një eksperiencë shumë të madhe dhe qëndrojnë të renditur shumë lart. Ne shpresojmë që shumë shpejt të nisim nga ky proces. Qeveria mund të konsiderojë edhe subvencionin, por unë e theksova këtë për fakultetet. Ky është një proces më i thjeshtë për qeverinë, ndonëse nuk ka kufizime. Qeveria për interesa zhvillimi mund ta ndërmarrë një gjë të tillë në çdo rast. Për ne është shumë e rëndësishme që më të talentuarit e kësaj fushe të gjejnë hapësirën për të zhvilluar talentin e tyre. Një vit më parë unë vizitova në një vend mik, ata qëndrojnë jashtëzakonisht lart në Cybernetik dhe Kryeministri i atij vendi më tha: kjo tek ne është vepër e 22- vjeçarëve. Ndaj edhe ne kemi këtë dialog me kompanitë. Ndaj dhe unë vij e dëgjoj sugjerimet tuaja. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim vendimet tona, të ndërmarrim vendimet e duhura.
(Koment nga Romeo Sherko, ikubINFO) - Ne vijojmë akoma me “Akademi ikub”. Momentalisht janë edhe tetë studentë të tjerë. Kam mbetur i habitur nga energjia, nga pasioni i këtyre të rinjve për tu futur në garë. Komenti im tjetër është se nga ata të 30, 20 prej tyre janë duke punuar me kompanitë simotra. Ata kanë marrë rekomandime nga ne për të punuar atje dhe janë pothuajse të tërë të punësuar.
Kryeministri Berisha: Cila është arsyeja që janë 8 dhe jo 16 të përzgjedhur? Cili është kufizimi dhe çfarë do të kërkonit ju nga qeveria për të ndihmuar që këta të mos jenë 8, por të jenë 16? Kjo, sepse nga ajo që shpjegoi Rigersa (një studente e punësuar në ikub) procesi është shumë selektiv dhe një pjesë që nuk kalojnë filtrin, përsëri kanë dhuntitë e tyre. Cila do të ishte mbështetja që qeveria mund t’ju jepte ju për një përzgjedhje pak më të madhe në numër?
Romeo Sherko, ikubINFO: Një pjesë e përgjigjes ishte tek pyetja që Rigersa bëri. Ne mendojmë që qeveria mund të bëj programe për të bashkëpunuar me të gjithë kompanitë IT-së, për të suportuar këtë lloj iniciative, për edukimin e specializuar profesional dhe jo për t’u mjaftuar vetëm më atë të shkollave. Tjetra është që ne patjetër mund të marrim jo 8 po 16 studentë, por kjo patjetër ka lidhje me tregun e punës, me projektet e mundshme që organizohen, që tenderohen nga qeveria. Unë dua të bëj një koment personal. Opinioni im personal është që qeveria shqiptare vërtetë ka marrë disa iniciativa, do të thosha tejet të guximshme, për të arritur në disa drejtime në nivele që i bëjnë kuriozë dhe të çuditur edhe persona të tjerë që ne njohim nga shtetet. Madje një ndjesi që unë kam është se qeveria ka investuar mjaftueshëm në e-Government dhe unë ndjej që ka një lloj boshllëku ndërmjet investimeve dhe iniciativave të qeverisë edhe aftësisë së sektorit privat për t’i përballuar këto.
Ne jemi kompania më e madhe softweare, kemi APP, QKR, QKL, gjykatat, por unë mendoj që ka ardhur koha që të mos jetë më te një kompani. Qeveria duhet të punojë shumë herë më tepër për të rritur nivelin e përgjithshëm të kompanive private. Kjo është një nga ato që unë mendoj.
Tjetra është që hapat kanë qenë aq të mëdha, saqë qeveria duhet të investojë më shumë edhe në institucionet e saj të IT-së saj. Investim si me staf, ashtu edhe me buxhet, sepse do të bëhet shumë e vështirë vala tjetër për t’u përballuar. Pra është një sfidë e vërtetë. Edhe ngritja e nivelit të kompanive private ka nevojë, por edhe më shumë investime duhen në vetë institucionet publike që merren me IT-në.
Kryeministri Berisha: Jam absolutisht dakord me ju, që ne të përpunojmë një program bashkëpunimi nxitës dhe për ne kjo ka një rëndësi shumë të madhe në ambicien tonë për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të ICT të programimit në Rajon. Kjo është e një rëndësie shumë të madhe dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka me ju dhe me fakultetet, për të bërë që të avancojë ky projekt, i cili është shumë i rëndësishëm dhe i mundshëm. Ne si administratë publike kemi vendosur disa standarde, që janë ndër më të avancuarat, sepse ne kërkojmë shërbime dhe ato i paguajmë.
Ju shtruat një problem tjetër, zhvillimin e kompanive të tjera. Ne jemi shumë të interesuar, por në kushtet e tregut InfoSoft ka fituar si proces kryesor dixhitalizimin, sepse ka qenë kompani që ka ofruar çmimin më të mirë dhe garancitë më të mëdha. Nuk është se ne bëjmë ndonjë favor, në mënyrë absolute jo. Ne jemi vendi i parë që vendosëm prokurimet elektronike 100 përqind dhe janë kualifikuar të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit, që të përdorin sistemin. Unë kam bindjen se sot në administratë ka sisteme që nuk përdoren gjerësisht dhe njëri prej tyre është e -Tax, një sistem i mrekullueshëm, një sistem që tani me e-Payment, të cilin e inauguruam para pak javësh, është ndër më të përditësuarit në botë. Më thoni ju mua, agjenti tatimor ulet në mëngjes për të para situatën! Druaj se jo. Unë ju kam kërkuar ministrive agjencive, që strukturën e tyre ta ndryshojnë, është moshe dixhitale, nuk është mosha manuale. Ndryshimi është se duhet të ketë sa më shumë njerëz të mirë kualifikuar në IT. Unë nuk mund të them se agjentët tanë tatimor do të jenë vetëm të formimit të informatikës, jo , sepse duhet të jenë juristë, financier etj, por shkallën e kualifikimit duhet ta kenë të lartë, sepse pa këtë shkallë kualifikimi, ç’na ndodh, ai ulet në zyrë dhe i kthen shpinën kompjuterit, ku i ka të gjitha të dhënat dhe në vend që ta ndjekë dhe të bëjë analizën ku është risku e rreziku në kompjuter, i cili ia thotë të gjitha, ai vazhdon në orbitën e tij para dixhitale. Në lidhje me trajtimin financiare, ke kemi një trajtim të diferencuar, punonjësit e ICT kanë një trajtim qartësisht të diferencuar dhe do e zgjerojmë numrin e tyre, por ajo që dua të theksoj është se ne duhet të kemi një bashkëpunim më të ngushtë në sensin zhvillimor, ne duhet të bëjmë gjithçka që kompanitë tona të fuqizohen, të ofrojnë shërbime edhe jashtë vendit dhe të marrin pjesë edhe në vende të tjera.
Pyetje: Ka aplikime për pjesëmarrje në vendet e Rajonit. Mund të përmend Bosnjën dhe Turqinë. Nga fakti se projektet që kemi zhvilluar në Shqipëri kanë qenë të një magnitude të tillë që na lejojnë që të shkojmë dhe të konkurrojmë në këto vende?
Kryeministri Berisha: Për këta të rinj që kanë ardhur këtu. Në vitin 2005 për kompanitë e rrugëve kishte një rregull. Çfarë ishin kompani shqiptare nuk fitonin dot tender më shumë se 1 milion dollarë dhe imagjinoni ju gjendjen e trishtuar të tyre, sepse ato llogarisnin një diskriminim total dhe e vërteta është se ishte vendosur jo nga autoritete shqiptare, por me një këshill. Punën e parë që bëmë ne e hoqëm atë. Ne e ngritëm tavanin në 10 milion dollarë, ato mjetet i kishin për 1 milion, por me shpejtësi të madhe u rritën dhe sot ato përveç rrugës që ndërtoj Bechtel Enka, kurse në të gjitha veprat e tjera janë ato, kështu është historiku edhe i kompanive të ECT, të cilat janë bërë kompani të fuqishme dhe me atë që kanë ndërtuar në Shqipëri jam i bindur se mund të ndërtojnë kudo. Turqia ka projekte shumë të mëdha se është vend i madh, natyrisht Bosnja ka projektet e veta, por mua më vjen mirë, që shkalla e zhvillimi të ECT në vendin tonë është vepër e kompanive, qeveria ka vullnetin por zhvillimi vjen nga kompanitë.
Pyetje: Zhvillimi i konceptit të mirëmbajtjes të aplikimeve softuer dhe kthimi i tyre në vendim qeveria më duket një vendim mjaft i mirë. Megjithatë mendoj se ka më shumë nevojë për vëmendje në planifikimet kohore të këtyre kontratave, pasi krijohet një boshllëk nga një kontratë në një tjetër . Mendoni ta përmirësoni këtë proces?
Kryeministri Berisha: Kontrata e mirëmbajtjes, ju garantoj se jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera përbën një problem që do zgjidhje shumë më të mirë. Kur vrapon në një drejtim mendon sesi të arrish objektivin, por nuk përqendrohesh në shkallën e duhur në mirëmbajtje. Natyrisht do të përmirësojmë kuadrin ligjor të mirëmbajtjes të kontratës dhe nuk them në këtë fushë, por në fusha të tjera, sepse kjo është një fushë, e cila avancon në një mënyrë të paimagjinueshme, sepse horizonti i saj është më i vështiri për të renduar pas tyre. Sa kujton se ti i ke kapur ai ka ikur dhe kjo është e vërteta. Kemi qenë bashkë tre vjet më parë në një takim kur flisnim për e - Cloud, kthenin kokën dhe tani ata kanë zhvilluar këtë dhe sot është realitet. Ky është një horizont që ecën me shpejtësi, ndërsa të tjerat kanë një lloj dinamizmi më të vogël. Ne duhet të përqendrohemi dhe duhet të standardizojmë mirëmbajtjen dhe të përcaktojmë fonde për mirëmbajtjen.
Pyetje: Kompania jonë i kushton rëndësi drejtimit të research dhe aktualisht kompania është në një konsorcium bashkë me 5-6 grupe Europiane me një research mobile security. Ju përmendet E-Albania, mendoni se do të ishte mirë ti kushtohet një rëndësi e veçantë sigurisë përsa i përket Mobile- Aplicacion?
Kryeministri Berisha: Çështja e sigurisë, është çështje shumë kryesore në këtë fushë, është aq kryesore saqë gara tani zhvillohet midis trurit dhe sistemit dixhital, e vërteta është se studimet për shkaqet e sigurisë kanë filluar të përqendrohen në tru, në mënyrë që të mos mund të lexohen në kompjuter, e dhashë këtë shembull për të treguar se çfarë rëndësie ka. E vërteta është ajo që thoni ju që çështja e sigurisë në mobile është shumë më mbrapa dhe për ne ka një rëndësi shumë të madhe. Ne ju inkurajojmë ju dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë gjerësisht për të krijuar shkallën më të lartë të sigurisë. Pasi ne filluam me E-Taks do të kalojmë shumë shpejt brenda qershorin në E Doganë, do të kalojmë në të gjitha E Punësim, çfarë është I do të jete E, në mënyrë që të jetë lehtësia më e madhe për qytetarin. Ju siguroj se pa arritur në zyrë hakersat më kanë çuar mua një sms në Facebook për këto që po them.
Pyetje: A ka politika qeveria jonë që masterat profesionalë në formimin universitar të përshtatjes me prirjet që ka tregu ynë shqiptarë këtu ?
Kryeministri Berisha: Si vullnet është më kryesori që ne të përshtatim sistemin me tregun. Si realitet nuk mund të them se ekziston një përshtatje e asaj shkalle që duhet të jetë, reforma mes akademizmit, administratës dhe tregut ekziston një distancë. Unë nuk mund të them se është e dëmshme krejtësisht, pasi akademikët ndjekin studime kërkimore, të cilat i shërbejnë apo jo tregut dhe shoqërisë kjo shihet më pas. Por është e rëndësishme që të bëhet gjithçka që projektet të përshtaten për sektorët dhe fushat e tregut, druaj se jo. Universitete kanë tani 540 projekte nuk mund të them janë shumë apo pak, por duhet të dihet nëse ky numër përshtate për 540 fusha të tregut apo jo. Por përpjekja duhet të bëhet. Ju shtruar një probleme, a ekziston masteri, kjo duhet të shikohet. E-Government është një nga fushat më të gjëra dhe E-Goverment do të jetë në sportelin one stop shop për qytetarin.
Pyetje: Duke parë bumin teknologjik në kompanitë e IT relativisht të reja në krahasim me shtetet e Europës a ka ndërmend qeveria të ulë taksat dhe të ndjek politikat lehtësuese për ti dhënë më shumë frymëmarrje këtij sektori dhe për ta bërë më konkurrues në Ballkan dhe pse jo në Evropë?
Kryeministri Berisha: Për dijeninë tuaj, ne jemi vend taksë ulët në të gjithë definicionin dhe doktrinën fiskale , për shkak të nivelit të taksave ne jemi pothuajse në çatinë e botës për lirinë fiskale. Tani çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka sjellë që këto muajt e fundit ne në tërësi kemi ruajtur uniformitetin d.m.th 10 %, ne kemi bërë vetëm një përjashtim për arsimin, të cilin i kemi hequr TVSH dhe kemi vënë TVSH tek ilaçet absolutisht për qëllimin e vetëm, sepse ka një spekulim të madh në çmim. Qeveria do ta bënte këtë me shumë lehtësi në një park teknologjik, nëse ne do të mund të zhvillonim një park teknologjik, ne aty do të mund të vendosim kuadrin për ne, më të favorshme që mund të ekzistojë. Çfarë bëmë ne ? Kompanitë që mund të përfitojnë më shumë nga punësimi i të rinjve tre vjet pa taksa janë kompanitë e ECT, nuk bëhet fjalë se do të jenë të pakta ata që janë jo të moshës suaj që do të futen për të konkurruar në këtë fushë, mund të ketë edhe përjashtime. Unë po lexoja shtypin amerikan që një shqiptarë 80 vjeç mbrojti doktoratën në SHBA dhe kjo është e vërtet. Po në parkun teknologjik, do të ishte e domosdoshme të ofrojmë një mbështetje për kërkim. Ne kemi një agjensi të kërkimeve shkencore, ajo punon me projekte dhe ju them se që të gjithëve aty, ne ju kemi thënë që të drejtojnë fondet drejt ECT. Kemi një fond tjetër kooperimi me Italinë. Ne jemi përpjekur që ta orientojmë drejtë kësaj fushe. Të themi se a ka lehtësia specifike për këtë degë?! Nuk them dot se ka lehtësia specifike, por jemi të gatshëm të shqyrtojmë në këtë kuadër që fola, sidomos në fushën e kërkimit, e aplikimit projekteve kërkimeve shkencore pranë agjensisë që ne kemi, kjo është plotësisht e mundshme.
Nëse ne shikojmë këtë fushë jetike për zhvillimin e vendit për punësim, për shërbimet për transparencën mund të them se të gjitha përpjekjet tona, nuk janë shoqëruar me një ecje të njëkohshme të hardit dhe të softit. Softi është para, hardi është shumë herë më i pa rëndësishëm se Softi, ndaj në këtë fazë mendoj se përpjekjet tona të jashtëzakonshme duhet të jenë me ambicie dhe të jemi ambicioz për Softin. Softi ka ndryshuar botën dhe ata që e ndryshuan botën ata ishin burra, Bill Geist, Steve Jobs, Mark Zuckerberg, ata ishin gjeni edhe në kushtet që ta janë bërë gjeni, duke punuar në garazhde. Nxitja juaj, nxitja e të rinjve, angazhimi i tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe këto kompani kanë bërë një punë shumë të madhe, por më shumë në përket ne të bëjnë për ta shndërruar Shqipërinë në një vend lider në Softe dhe në të gjitha fushatë e ECT.
Unë ju uroj suksese dhe ju falënderoj për ftesën ishte shumë kënaqësi për mua. Mbetem i vendosur dhe i besoj shumë rëndësisë së jashtëzakonshme, që ka për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë i përmbahem një koncepti, por besoj se nuk është tejkaluar akoma se asgjë nuk ndryshon më shumë në jetën e njeriut, më shumë sesa kompjuteri dhe kjo ka qenë një koincidencë e imja me kompjuterin dhe e vërteta është se më ka ndryshuar në mënyrë thelbësore jetën shumë vite më parë dhe tani po ai është. Tani ai kompjuter që kisha unë ishte gjithsej me 64 kB, u ngushëllova kur lexova një ditë se kaq kishte qenë fuqia e kompjuterit që kishte drejtuar Apollo.
27/03/2013