E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedim i Kryeministrit Berisha me fermerë të rrethit të Lushnjes

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerë të rrethit të Lushnjes, në fshatin Kosovë. Kryeministri u ndal në impiantin e serave të një fermeri të zonës, për të takuar për të tretën herë brenda pak javësh, prodhuesit dhe përpunuesit e perimeve dhe produkteve të tjera të agrikulturës.

Në rrethin e Lushnjes, në tetë vite, qeverisja e PD-së ka investuar 4.3 miliardë lekë në 220 kilometra rrugë që i shërbejnë maksimalisht produktivitetit të sektorit bujqësor. Vetëm në projekte të bujqësisë dhe kullimit janë investuar 228 milionë lekë të reja. Si subvencion janë dhënë 257 milionë lekë (të reja), nga e cila kanë përfituar rreth 1100 fermerë.

Ndërsa theksoi se "bujqësia është e një rëndësie kapitale, pasi nuk ka Shqipëri të zhvilluar, pa fshat të zhvilluar", Kryeministri Berisha parashtroi objektivat në fushën e bujqësisë, në katër vitet e ardhshme:

investimi në bujqësi është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt  e punësimit të qytetarëve. Gjatë katër viteve që vijnë, me subvencionet tona, në sektorin privat të punësohen së paku 130 mijë punonjës;

rritje e mbështetjes për të rritur konkurrueshmërinë në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar;

trefishim i granteve për fermerët, në katër vitet e ardhshme;

ndërtim i  sistemit më modern të ujitjes;

finalizim i rrugëve rurale.

Bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me fermerët e rrethit të Lushnjes.

“Së pari dua të falenderoj përzemërsisht  të zotin e shtëpisë  Yzeir Neza dhe t’ju falenderoj të gjithëve ju që jeni sot, këtu, në këtë takim miqësor, ku unë kam ardhur me qëllimin më kryesor: të dëgjoj zërin tuaj, të dëgjoj mendimet, sugjerimet, idetë, pikëpamjet e kritikat tuaja, në mënyrë që të hartojmë një projekt për katër vitet që vijnë dhe të përpiqemi sëbashku të shumëfishojmë atë që kemi arritur deri më sot, me një përpjekje të madhe. Dua t’ju siguroj se për ne, bujqësia, Shqipëria rurale është e një rëndësie kapitale. Ne besojmë dhe jemi të bindur se Shqipëria nuk do të mund të jetë kurrë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar, pa një bujqësi të zhvilluar.

Nga viti 2005 e deri më sot, nëse i referohemi buxhetit, mbi 60 përqind e tij, është investuar në Shqipërinë rurale, në rrugë, në kanale kulluese, në shkolla. Ne kemi besuar dhe besojmë se ndërtimi i rrjetit rrugor është i një rëndësie vendimtare për tregun, për jetën, për shëndetin, për shkollën. Ne kemi shpallur parim të ndërtojmë në çdo fshat, atë infrastrukturë që ekziston në lagjet e qytetit: rruga, ujë, drita, shkolla, qendra shëndetësore, të tjerat natyrisht i bëni vetë. Por, krahas kësaj përpjekjeje të madhe për një infrastrukturë moderne, jetike që ju të dilni në kohë dhe me koston më të ulët në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, ne jemi përpjekur me një skeme granti dhe është i vetmi sektor ku ne japim para grant, domethënë financojmë falas. Nga viti 2007 e deri më sot, ne kemi financuar 42 mijë familje fermerësh në mbarë Shqipërinë. Kemi financuar rreth 1100 në rrethin e Lushnjes. Nga viti 2007 e deri më sot, ne kemi përfshirë në këto skema 26 sektorë të bujqësisë dhe blegtorisë. Ne këtë periudhë kemi vendosur një paketë të re ligjore, e cila heq çdo lloj tarife apo takse doganore, TVSH, për gjithçka ju duhet për prodhimin bujqësor, qofshin ato makineri, kimikate, medikamente për fermat blegtorale apo qofshin ushqime të caktuara për sektorë të blegtorisë. Ne kemi hequr çdo tatim që rëndonte më parë direkt apo indirekt mbi fermerin shqiptar.

Qëllimi ynë është që ju të jeni sa më kompetitivë në tregun ndërkombëtar dhe tregun e vendit, por, nga ana tjetër, e lidhur direkt me ju, një nga zhvillimet më pozitive e më të rëndësishme ka qenë dhe qëndron në faktin se Shqipëri pret çdo vit, mbi 4 milionë turistë dhe vizitorë, gjë e cila ka pothuaj dyfishuar fuqinë blerëse dhe tregun për prodhimet tuaja të mrekullueshme. Mendoj se këto që kemi arritur janë inkurajuese, por unë ju garantoj se katër vitet që vijnë ne do të trefishojmë grantet për fermerët e Lushnjes, për fermerët e  Shqipërisë.

Qëllimi ynë më kryesor është punësimi i qytetarëve shqiptarë dhe dua t’ju rrëfej këtu se investimi në bujqësi, subvencionimi i fermerëve është rruga më e shkurtër dhe më e sigurt  e punësimit të qytetarëve. Ne kemi subvencionuar 42 mijë familje. Por, nëse hedhim sytë përreth, ajo çka kemi bërë, nuk është më shumë se ¼ e asaj që fermerët kanë bërë vetë, me mundin, djersën e kursimet e tyre. Në qoftë se  supozojmë se ne kemi subvencionuar 10 hektarë ullinj, 40 të tjera i kanë mbjellë vete fermerët e Lushnjes, të Mallakastrës dhe të mbarë Shqipërisë.  Një gjë është e sigurt që bujqësia në këtë vend po merr gjithnjë e më shumë  një hov zhvillimi që kurrë nuk e ka pasur. Në katër vitet që shkuan, me subvencionet e qeverisë dhe investimet private janë  punësuar në bujqësi së paku 100 mijë punëtorë, krah pune, ne synojmë dhe kemi qëllim madhor që gjatë katër viteve që vijnë,  me subvencionet tona, në sektorin privat të punësohen së paku 130 mijë punonjës. Ne synojmë që në katër vitet që vijnë  jo vetëm të trefishojmë subvencionet. Ju garantoj se siç ndërtuam mbi 10 mijë kilometra rrugë, nga të cilat rreth 8 mijë i përkasin Shqipërisë rurale - dhe kemi prapë për të ndërtuar, - ashtu do të ndërtojmë  sistemim më modern të ujitjes që ekziston. Sot, në Lushnje janë mbi 111 hektarë që ujiten me pika. Ne do të bëjmë gjithçka që kjo sipërfaqe të dhjetëfishohet në katër vitet e ardhshme. Pra, projekti ynë është shumë konkret. Ne e konsiderojmë zhvillimin e bujqësisë një ndër faktorët më kryesorë për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar, për të punësuar shqiptarët.

Natyrisht, unë  jam sot, këtu, pikërisht për të dëgjuar mendimet dhe sugjerimet tuaja, sesi do t’i arrijmë këto objektiva shumë të rëndësishëm. Dua t’ju falenderoj edhe njëherë juve dhe të zotin e shtëpisë për mikpritjen dhe punën e   mrekullueshme.

Z. Yzeir Neza: Zoti Kryeministër të falenderoj pa masë, unë, familja ime dhe fshati im. Me të vërtete më vlerësuat punën dhe erdhët patë sërën time. Kjo serë ka ardhur nga Italia me djersën e djemve. Është 13 vjet punë e të dy djemve të mi në Itali, të cilët bënë 11 dynym sera italiane. Në sajë të punës së djemve dhe organizimit tim arritëm që këtu të prodhojmë mall bio, duke nisur nga lakra që kam sot. Mall eksporti që vete në Rusi dhe në Poloni dhe jo vetëm këtë vit, por qëkur kam filluar punën në këto sera, konsiderata ime ka qenë për eksport dhe ajo u bë. Djemtë e mi morën rrugën nga Italia për në Shqipëri, qëkur mori pushtetin z. Berisha, i cili në premtimet e tij elektorale tha se pikë e parë janë rrugët dhe rruga u bë dhe më pas u bënë serat. Dhe të gjithë bënë sera. 70 përqind e fshatit këtu janë bërë me sera, edhe me mundin e djersën e vet dhe i thanë kurbetit ‘lamtumirë’. Kam për të falenderuar drejtuesit e komunës që na kanë ndihmuar për kullimet, Institutin Bujqësor të Lushnjes, specialistët e të cili na janë gjendur prezent. Po ashtu në sajë të PD-së dhe Kryeministri Berisha i është vënë pika mbi “i” çështjeve të bujqësisë si energjia elektrike, pasi kjo serë ka sistemin e vaditjes me energji elektrike.

Sot, malli im shkon në Europë dhe kjo në sajë të punës sime e të familjes sime dhe të PD-së që kanë dhënë fushë veprimi dhe i kanë dhënë lirinë e vërtetë këtij populli.

Do t’i sugjeroja Kryeministrit diçka. Këtu tek ne, farat duhet të kenë një kujdes kontrolli nga shteti, sepse këtu e kemi dobësinë më të madhe, pasi farërat e pa kontrolluara të japim rendimet të ulët, nuk japim cilësinë e duhur dhe nuk konkurrojmë dot në botë. 10 përqind e ka fermeri, por 40 përqind e ka specialisti që merr farat.

Kryeministri Berisha: Edhe njëherë zoti Yzeiri ju falenderoj shumë përzemërsisht dhe ju përgëzoj për këtë model të shkëlqyer që keni krijuar, gjithçka vepër e mundit e djersës tuaj, djemve e familjes suaj. Ju siguroj se çështja e farërave është dhe mbetet një çështje kryesore, për ne dhe do të bëjmë gjithçka për të forcuar gjithnjë e më shumë kontrollin mbi cilësinë e tyre, do të bëjmë gjithçka për të forcuar laboratorët e kontrollit të tyre, do të bëjmë gjithçka për një përgatitje më të mirë të kuadrove dhe specialistëve të fushave të ndryshme të bujqësisë, të farërave, të mbrojtjes së bimëve, të fidanëve dhe në tërësi.

Të dashur miq, një nga leksionet më të mëdha të krizës europiane dhe botërore është se është fatale, në qoftë se shkëputesh nga bujqësia, në qoftë se nuk përpiqesh të marrësh prodhimet më të mëdha nga toka që ke. Dhe ne po përpiqemi bashkë.

Kam ngritur në bazë të ligjit kooperativën e parë bujqësore të tipit kapitalist. Kërkoj nga qeveria mbështetje jo vetëm me subvencione, por edhe me lidhjen e kontratave me jashtë, kryesisht në rajon e deri në Rusi. Problem tjetër jetik është infrastruktura. Rruga në fshat është bërë pothuajse  e pakalueshme.

Kryeministri  Berisha: Së pari, ju përgëzoj për iniciativën e shkëlqyer që keni ndërmarrë, të krijimit të një kooperimi, mbi bazën e interesit të lirë. Në raste analoge, ky sistem ka pasur rezultate të shkëlqyera. Unë mund të them se një grup i vogël fermerësh të kooperuar në Bushat, 2 vjet më parë kanë eksportuar në Kosovë 30 mijë ton shalqi.

Së dyti, lidhur me kontratat, do të bëjmë gjithçka t’ju ndihmojnë nëpërmjet promovimit të prodhimeve tuaja dhe ekspertëve, të cilët janë të profilizuar në çështjet e kontratave. Qeveria, Ministria e Bujqësisë do të marrë të gjitha masat të promovojë prodhimet tuaja.

Së treti, kam dijeni të plotë për rrugën dhe absolutisht do të ndërhyjmë sa më shpejt. E di se rruga është një problem për ju dhe do të bëjmë gjithçka që në një hark kohor sa më të shkurtër të rregullohet. Këtu në Lushnje kemi ndërtuar 270 kilometra rrugë  kombëtare dhe jo kombëtare dhe kemi sërish rrugë për të ndërtuar. Ne do t’i finalizojmë ato dhe ju siguroj se do të jenë ndër investimet e para, ajo rrugë dhe rruga që ma kërkuan në Divjakë, nga Divjaka në Çermë. Pra, ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni kushtet sa më të mira për punën tuaj.

Në radhë të parë ju falenderoj për ndërtimin  e rrugës nga Lapidari tek 3  Urat, se e kishim problem. E dyta ju falenderoj  për iniciativën për heqjen e akcizës së inputeve,  për heqjen e TVSH-së së makinerive bujqësore që është një nismë që duhet bërë sa më shpejt, sepse që të vihet në jete ka shumë probleme, duhet kontrolluar në doganë shumica që merr inputet nga jashtë, duhet të shihet si e vendos çmimin, por unë mendoj se këtu duhet të vihet edhe një ligj që këto pika shumice që marrin këto inpute të kenë një përqindje e jo të lihet në dorën e tyre. Për shembull të thuhet se mori një preparat  dhe shtesa të mos jete më shumës e 20-30% e rritjes e jo të shkojë dyfishi i çmimit. Pra, duhet pasur kujdes në këtë drejtim, sepse kjo e ul koston e prodhimit dhe na bën që ne të shtojmë njerëz në punë. Së treti, qeveria po bën përpjekje dhe ka nxjerrë dy vendime, i parë për akcizën e karburantit për serat me ngrohje dhe në të dytin ka bërë një shtesë tjetër, por që është e njëjta gjë, për ne sorollatje e madhe. Ne duhet të shkojmë tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe më pas tek tatimet, pra, nga një zyrë në një tjetër. Unë mendoj të shikohet kjo gjë. Të shikohet një subvencionim me njësi prodhimi. Të fillohet nga 1 tetori deri në 30 prill. Unë prodhoj domate në dimër dhe nuk ka ç’më duhet të shkoj sa në një derë, në një tjetër. Të kem një subvencionim siç e ka gjithë bota, të kem një shtesë 20 leke për kilogram prodhimi. Pastaj sesi prodhoj është puna ime. Unë marr naftën, por e di që marr një subvencionim. Në do të ulim koston e prodhimit dhe do të fusim njerëz në punë. Lushnja është një rreth i madh. Bota punon me distributorë. Një distributor i tillë të ngrihet edhe në Lushnje, pasi ka prodhim për të nxjerrë jashtë. Avantazhet e distributorit është për të grumbulluar prodhimin e të gjithëve.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj shumë për diskutimin dhe për çështjet që ngritët, si dhe  për përkushtimin e madh që tregoni ndaj këtij sektori, për vendin dhe familjet tuaja. Ligjet e heqjes së të gjitha tarifave doganore dhe taksave, TVSH-së, mbi çdo lloj inputi, vegël, makineri që përdoret në bujqësi, blegtori, peshkim patën një vonesë, sepse donim të kapnim shkallën më maksimale, të mos mbetej asgjë pa u përfshirë në listën e veprimit të tyre. Tani janë në parlament, do të votohen këto 2-3 javë dhe do të hyjnë në fuqi. Ne do të bëjmë gjithçka për zbatimin e tyre sa më të shpejte dhe sa më të plotë. Ajo që më vjen shumë mirë është një interes shumë i madh nga fermerët, për hyrjen e tyre sa më shpejt në fuqi.

Lidhur me skemën e akcizës, unë ju përgëzoj. Ju keni bërë propozimin më të ndershëm dhe më të drejtë dhe unë ju them se çdo formë tjetër, përveç grandit që ne japim me një qëllim të caktuar, por edhe format e tjera  të mbështetjes më të ndershme, më të saktë, më të pa korruptuarat, janë ato që bazohen në njësi prodhimi dhe unë ju mbështes plotësisht dhe do ta shqyrtojmë këtë me përparësinë më të madhe. Natyrisht, ne do të ruajmë grantin, por kur të vijë puna për të subvencionuar  tek ato që ekzistojnë, ne ato do t’i subvencionojmë mbi bazën e prodhimit. Kjo është më nxitësja, më e drejta dhe me transparentja dhe ju keni dhënë një mendim shumë të vyer.

Lidhur me distributorin, është shumë e vërtetë se ju keni ecur më shpejt se disa mekanizma të tregut. Prodhimi është rritur dhe prodhimi kërkon distributorin. Ne do ta konsiderojmë shumë seriozisht me Ministrinë e Bujqësisë, nëpërmjet kreditimit, sepse si qeveri, më së shumti preferojmë të kreditojmë privatin dhe ta bazojmë në iniciativën e privatit këtë. Kjo funksionon më mirë, sesa po ta marrim ne si shtet në administrim, pasi, në çdo vend, administratori më i shkëlqyer është privati.  Ju shihni se ka mangësi, ka të meta, por, në tërësi, ne mbetemi shumë të përkushtuar për fshatin, për bujqësinë. Unë kam bindjen se ky është sektori i vetëm ku ne mund të dhjetëfishojmë prodhimin, nëse investojmë, nëse e mbështesim dhe ju siguroj që është qëllim kryesor i yni të nxitim sa më shumë prodhimin në këtë sektor.  

Për planin katërvjeçar që do të vijë, për të shtuar këtë sipërfaqe të bukur, unë mendoj se ne si fermerë të Çermës, problem kemi bashkimin e copave të tokës. Duam ta bashkojmë, ekziston iniciativa e familjeve, por nuk gjejmë mbështetje tek zyrat e shtetit. Mendoj se dokumentacioni që ne të regjistrojmë tokën tonë duhet të fillojë në komunë, por kemi shumë pengesa. Komuna jonë ka  marrë subvencione për naftën, por nuk dihet se ku kanë shkuar. Një vëmendje edhe për plehrat, pasi një fermer kosovar e blen plehun më lirë sesa ne.

Kryeministri  Berisha: Unë ju falenderoj shumë për çështjet që ngritët. Lidhur me çështjen e parë , në dy ligje dhe vendime qeverie, ne kemi kaluar gjithçka në kompetencë të kryetarëve të komunave. Ka një problem, më thotë Ministria, për t’u plotësuar ende në zyrën e hipotekës. Absolutisht do të zgjidhim çdo problem. Ne jemi të konceptit që territorin e ka qeveria vendore, nuk ka punë qeveria qendrore me territorin. Kryeministri i territorit është kryetari i komunës. Ky është koncepti ynë dhe nëse ka një pengese, ne do të ndërhyjmë në ligj dhe do t’i japim zgjidhjen përfundimtare. Kemi një moment të vogël për të sqaruar. Ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës. Siç bëmë regjistrin dixhital të qytetarëve, do të bëjmë edhe regjistrin dixhital të tokës, i cili përfundon brenda vitit 2013. Kemi ecur shumë në këtë drejtim. Ky është regjistri i dytë më i rëndësishëm i këtij shteti dhe një Task-force, e kryesuar nga Kryeministri,  e ndjek në mënyrë  të pandërprerë këtë proces. Kjo do të jetë një arritje  e madhe për vendin.

Ju falenderoj shumë edhe ju, sikundër zotërinjve të tjerë, që shtroni problemin e bazimit tek prodhimi. Dua t’ju them miqësisht se për ne, masa e fundit që kemi marrë për heqjen e çdo lloj takse mbi makineritë dhe mbi çdo gjë tjetër për bujqësinë, edhe TVSH-në për ato që do të blini brenda për prodhimin, ka një kosto jo më pak se 60 milionë euro. Akciza e naftës, që mund t’ju shpërndanim juve, e ka shumë herë  më të pakët vlerën. Por, nëse kufizohemi për të shmangur  korrupsionin, sepse nuk duhet të ndodhë ajo që ju thoni, që qeveria të parashikojë tollonat dhe fermeri të mos i shohë me sy ato, por të përfundojnë në xhepat e të tjerëve, skema e bazuar mbi prodhimin është skema pa korrupsion, është skema më e afërt me të vërteten. Ne absolutisht do ta vlerësojmë shumë këtë kërkesë dhe do ta konsiderojmë në mënyrën më serioze. Kështu duhet: unë prodhoj, ti më vlerëson mbi bazën e prodhimit dhe marr atë që më takon.

Zoti Kryeministër, pyetja e parë lidhet me fragmentimin e tokës. Problemi i fragmentimit ka një zgjidhje, që është edhe e vetmja, iniciativa e lirë, sipërmarrja private. Sot, në treg ka kërkesa për shitje, por ka edhe kërkesa për blerje, por kjo ka një vështirësi burokratike, e cila nuk është shumë e vështirë  për t’u zgjidhur. Çmimi i referencës. Për çdo njësi sipërfaqeje që do të shesë fermeri ka një çmim referencë që do të paguajë fermeri, 10 përqind e vlerës së tokës. Për shembull, në zonën tonë për çdo 1 hektarë tokë që shitet duhet t’i paguaj shteti 5 milionë lekë të vjetra. Kjo është mirë që të zgjidhet,  që të çlirohet kapitali privat. Ka një zgjidhje të  thjeshtë, t’i jepet e drejta çdo fermeri që do të shesë tokë, të bëjë rivlerësim në zyrën e kadastrës, siç ishte ligji i amnistisë që shumica nga ne nuk e mori vesh. Kjo është një pengesë serioze, e cila pengon konsolidimin e fermave të mëdha dhe besoj se ju mund ta zgjidhni.

Pyetja e dytë ka të bëjë me sistemin e vaditjes. Iniciativa për të përmirësuar sistemin e vaditjes  është iniciativë e rëndësishme. Sot, ne vadisim me sistemin me rënie të lirë. Të bëhet një studim fizibiliteti dhe nga sistemi me rënie të lirë të futet nën presion. Kjo do të eliminonte shumë probleme.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj shumë për problemet që ngritët. Kam shumë kërkesa nga qytetarët, për të rivendosur përsëri mundësinë e rivlerësimit dhe ju garantoj se do ta rivendosim. Kemi qindra e mijëra emigrantë, të cilët edhe ata kërkojnë të njëjtën gjë, kërkojnë mundësinë e rivlerësimit të pronave dhe banesave që kanë në Shqipëri. Ne do ta shohim me shumë përparësi dhe unë jam plotësisht në favor të kësaj.

Së dyti, për mua, vaditja është një nga projektet më madhore të këtij vendi dhe duhet jemi të përgatitur për një investim shumë të madh për vaditjen, në shkallë kombëtare. Koncepti im është që, siç bëmë rrugët, duhet t’i kthehemi vaditjes. Nuk kemi bërë dot atë që duhet, vetëm për fondet, sepse kemi përparësuar rrugët. Në mënyrën më të përsëritur kam dëgjuar fermerët,  të cilët, me të drejtë, me sms më shkruajnë se nuk na duhet rruga, por na duhet kanali vaditës. Ne kemi filluar me rrugët, sepse pas ndërtimit të rrugës, rruga të ndërton ty. Kjo është historia e rrugës dhe tani do t’i kthehemi vaditjes. Ministri më informon se sistemi me presion do të vazhdojë së shpejti në Shqipëri dhe zonë pilot do të jetë Lushnja. Do të bëjmë gjithçka për vaditjen më moderne. Ne jemi vend plot ujëra dhe duhet të garantojmë vaditjen.

Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam shumë i kënaqur edhe nga politikat e qeverisë, edhe nga prodhimet e mia. Keni bërë gjënë më të madhe që na keni bekuar fshatin, një fshat nacionalistësh prej 50 vitesh, në të cilin edhe një mik që donte të vinte, duhet të merrte leje nga dega e brendshme. Falë demokracisë kemi kuadro të mirë, kemi njerëz të mirë. Sa për opozitën, Edi Rama të mos lodhet kot, ai le të mbajë pikturat shkarravinat.

Kryeministri Berisha: Ju falenderoj shumë, por kam një sugjerim. Tani ka nxjerrë teorinë se do të rilindë toka e bukës. Ndaj ftojeni këtu, i thoni: urdhëro zoti Edi, shikojë ka rilindur apo jo, kjo tokë.

Këtu po diskutohet për bujqësinë, kryesisht për serat dhe produktet bujqësore, por Myzeqeja ka dhe blegtori. Si fermer që merrem me blegtori kemi dhe ne problemet tona. Problemet tona nuk janë prodhimi, por janë tregu. Nga prodhimi ynë deri tek tregu është një rrugë e gjatë dhe e ndërlikuar. Përveç kësaj, që të kesh një stallë, me një numër të madh, nuk e mban dot në fshat ose në një qendër të banuar, ne jemi larguar nga fshati nga 2 deri në 3 kilometra, por nuk kemi energji elektrike. Nga komuna Gradisht tek nënstacioni elektrik deri në komunën Çermë ekzistojnë gjurmët e një rrugë kryesore, ku mund të shpërndahet energjia. Tek kjo rrugë janë disa mijëra hektarë tokë. Thuhet se bota është në krizë, por qeveria jonë për disa shtylla dhe tela alumini nuk besoj se është. Kështu që një linjë kryesore që të fitojnë gjithë komunat dhe fermerët që merren me blegtori mendoj se nuk do të ishte problem për ju, zoti Kryeministër, në mandatin e ardhshëm?

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për çështjen që ngritët dhe ju përgëzoj për përpjekjet që bëni për prodhimin blegtoral. Në Lushnjë ka një progres real në mbarështimin e lopëve të racës dhe prodhimin e produkteve blegtorale. Edhe në një takim që bëra në Lushnje, më shumë se një muaj më parë, biznesmenët e Goresë më ngritën problemet që kanë me energjinë, në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ju ngrini problemin që keni me korrentin në stallat e lopëve dhe ky është një shqetësim shumë serioz, pasi është një pengesë. Për problemin e Goresë, unë i kërkova drejtorit të Sipërmarrjes së Shpërndarjes së Energjisë dhe ai dërgoi një ekip, të cilët së bashku me autoritetet vendore kanë bërë një plan për ta trajtuar. Ajo që kërkoni ju është shumë logjike, shumë e drejtë dhe unë ju siguroj se menjëherë do t’i kërkoj drejtorit të CEZ-it të konsiderojmë me përparësi të madhe ngritjen e linjës së tensionit, në trajektoren që ju thoni. Kërkesa është shumë e drejtë dhe ne do ta bëjmë atë.

Zoti Kryeministër, faleminderit shumë që keni ardhur. Jam një fermer nga komuna Karbunarë e Vogël, në kufi me qarkun e Elbasanit. Jemi shumë larg me tregun e Lushnjës. Disa vite më parë ka ardhur një fond, por ne nuk dimë më shumë për të. Rruga arriti deri te ish depot e shtetit dhe aty ka mbetur. Edhe rruga nga aty e deri ku bashkohet me qarkun e Elbasanit është  shumë e vështirë për t’u kaluar. I kemi thënë edhe kryetarit të komunës, edhe para pak ditësh e kemi dëgjuar emrin në televizion dhe përsëri ai na thotë kur të na vijë vendimi. Unë kam vreshta, kam sera, por më shkojnë kot. Segmenti rrugor është nga ish depot e shtetit në Karbunarë të Vogël dhe lidhet me komunën Fierzë, bashkia Belsh.

Edhe diçka lidhur me problemin e energjisë elektrike. Kemi që më 28 nëntor që na është djegur transformatori. Sot e kësaj dite është lidhur me një kabinë gjetkë, monofaze dhe nuk na punon asnjë pajisje si për vaditje, po ashtu edhe në shtëpi.

Kryeministri Berisha: Rrugën besoj se e ka bërë Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Në qoftë se është miratuar projekti, fondi do të kalojë 100 përqind. Në qoftë se e keni vënë re, me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve kemi bërë një portal dhe ai është i ekspozuar në internet. Ju mund të kontrolloni çdo projekt të miratuar, mund të kontrolloni çdo projekt të financuar. Unë ju them që është bërë dhe bëhet një punë shumë transparente.

Unë do ta ndjekë edhe këtë rastin tuaj dhe shpresoj që ta vazhdojmë. Ne jemi përpjekur shumë me lidhjet, për të zbritur nga Dumreja drejt Lushnjës dhe drejt Kuçovës. Ne këtë rrugë do ta bëjmë.

Unë vij nga komuna Rremas. Neve nuk na ka mbetur gjë për të kërkuar, pasi ju me qeverinë tuaj i keni plotësuar të gjitha. Unë kisha dëshirë t’ju falënderoj dhe t’ju uroj edhe katër vite të tjera.

Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falënderoj për komentin që bëtë. Ju garantoj ju e çdo fermer të Lushnjës dhe të Shqipërisë, se ne jemi përpjekur dhe në Shqipërinë rurale kemi bërë investimet më të mëdha se në çdo fushë tjetër, por synojmë të bëjmë shumë më tepër. Ne do të bëjmë gjithçka që të harrohet kjo që kemi bërë dhe të bëjmë shumë më tepër katër vitet që vijnë. Ky është interesi më i mirë i juaji, i shoqërisë shqiptare dhe i vendit në tërësi.

Unë vij nga Athina dhe posaçërisht për t'ju takuar. Jam nga Kuçova dhe them se së bashku si shqiptarë do të ecim përpara, sepse nuk ka kala që nuk merret. E dyta, pa fshat nuk ka qytet, pa kuadro nuk ka punëtorë, janë të lidhura me njëra tjetrën. Ju uroj shëndet të plotë dhe iniciativa e bashkimit të kombit është një nga prioritet më të mëdha që duhet të kemi ne. Unë kam një porosi nga djali dhe vajza, të bëj një fotografi me ju.

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj shumë ju dhe familjen tuaj. Përshëndes të gjithë shqiptarët në emigracion.


26/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›