E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha çel siparin e 100 vjetorit të Pavarësisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në Koncertin e organizuar në Teatrin Operës dhe Baletit , i titulluar “Flaka e Jubileut”, që përbën edhe një nga momentet më të veçanta të festimeve për nder të ditës së 28 Nëntorit, në Tiranë.

“Flaka e Jubileut” iu dorëzua Kryeministrit Berisha, i cili me përshëndetjen e tij në këtë koncert, çeli siparin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “Flaka e Jubileut” do të qëndrojë e ndezur dhe do të shëtisë në çdo qytet e zonë të vendit, deri në 28 nëntor të vitit që vjen.

Të pranishëm në koncertin festiv në Teatrin e  Operës dhe Baletit ishin Presidenti i Republikës z. Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulëzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë e të ftuar të tjerë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zoti President,

Zonja Kryetare e Parlamentit,

Zotërinj ministra,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të dashur qytetarë të Shqipërisë!

 Kam nderin në këtë koncert të çel siparin e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë. Shqipëria hyn në 100 vjetorin e saj më e re, më e bukur, më nuse se kurrë në historinë e saj, kjo sepse shqiptarët sot, kudo që jetojnë, janë të lirë, sepse shqiptarët sot kudo që janë po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri. Ndaj le të urojmë së bashku një vit të madh.

Viti i 100 vjetorit të pavarësisë, para së gjithash, është një vit i madh mirënjohjeje të thellë për qindra e mijëra gra e burra, vajza e djem shqiptarë që flijuan jetën, rininë e tyre, që ne të jemi të lirë, që Shqipëria të mbetet përjetë e re. Është mirënjohje ndaj miqve tanë kudo në botë, që në momente kritike për historinë tonë kombëtare qëndruan krah nesh dhe ne fituam. Është mirënjohje për të gjithë ata shqiptarë që me mundin, djersën dhe  intelektin e tyre, në këto vite, bënë që Shqipëria të vijë në 100 vjetorin e saj më e zhvilluar, më krenare, më e mirë se kurrë.

Viti që ne hyjmë është viti i vizionit të ri për këtë vend, viti në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të përcaktojnë si të ardhmen më të mirë ëndrrën e vogëlushëve që lindin këtë vit.

Edhe njëherë gëzuar Pavarësinë, nder përjetë atyre që ranë për të fituar pavdekësinë, për lirinë, dinjitetin, pavarësinë e vendit.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!”


28/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›