E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon vizita në familjet e dëshmorëve, me rastin e ditës së 28 Nëntorit

Kryeministri Berisha në vijim të nderimeve për të rënët e kombit, në ditën e 28 nëntorit, i shoqëruar nga Prefekti i Tiranës,  z.Keltis Kruja, zhvilloi vizita në familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari dhe në familjen e Heroit të Popullit Musa Kame (Fratari).  

Kryeministri Berisha i përcolli pjesëtarëve të Familjes Hajdari nderimet më të thella të tij për Azemin  por dhe për të gjithë ata që siç u shpreh kryeministri, vendosën sakrificën në themel të lirisë së kombit.

Kryeministri theksoi se lirinë askush nuk  ta dhuron  por ajo fitohet dhe, në këtë drejtim, shqiptarët kanë bërë sakrifica të mëdha. “E vërteta është se dhjetori ’90 është çlirimi i dytë i Shqipërisë , çlirimi i dytë dhe i vërtetë i saj dhe, në këtë vepër, Azem Hajdari ka pasur rol kryesor. Sa më shumë konsolidohet liria, aq më e ndritur bëhet vepra e tij””, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ndërsa gjatë vizitës në familjen e nipit të Heroit të Popullit Musa Kame Fratari, Kryeministri Berisha i përcolli pjesëtarëve të familjes, urimet për Ditën e Pavarësisë, si dhe u shprehu atyre nderimin e tij të madh për sakrificën sublime të Musa Kame (Fratari), sakrificë me të cilën ka ushqyer rrënjët e kësaj dite që shqiptarët gëzojnë sot. “Sot është më shumë se çdo gjë tjetër ditë mirënjohjeje, ditë nderimi, ditë respekti sepse pa veprën e tyre, çdo komb nuk do ishte i lirë, por ne shqiptarët në mënyrë të veçantë, pasi  e  kemi fituar lirinë me shumë sakrificë”, tha Kryeministri Berisha.


28/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›