E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task Force për Reformën Rregullatore

- Në këtë mbledhje u shqyrtua gjerësisht e gjithë problematika dhe rekomandimet e Doing Business mbi klimën e biznesit në Shqipëri.

U mblodh sot pranë Këshillit të Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Task Force për Reformën Rregullatore.

Në këtë mbledhje u shqyrtua gjerësisht e gjithë problematika dhe rekomandimet e Doing Business mbi klimën e biznesit në Shqipëri. Nga problemet e rëndësishme që rrjedhin mbi klimën e biznesit janë pagesa e taksave lokale dhe përshpejtimi i procedurave on-line për pagimin e tyre, përfundimi i Planeve Urbanistike të qyteteve të vendit, adaptimi i kontratave tip dhe shkrirja e mureve mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Kryeministri Berisha kërkoi që Ministria e Financave të lëshojë udhëzime të reja mbi pagesën e taksave lokale, si dhe detyrimin që ato të paguhen vetëm on-linë.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit  që të kërkojë sjelljen e Planit Urbanistik të Tiranës në KRTSH  për miratimin, si dhe kërkoi shpejtimin e përgatitjes së planeve urbanistike të qyteteve të mëdha të vendit, si një kusht përcaktues për përmirësimin e klimës së biznesit.

Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Drejtësisë që të shqyrtoje një për një të gjitha procedurat  e bashkëfunksionimit mes Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, si dhe të ndërhyjë në Kodin Civil në funksion të saktësimit të zbatimit të kontratave.

Në përfundim të Task Force për Reformën Rregullatore u la si detyrë që në mbledhjen e ardhshme të muajit mars të shqyrtohen me imtësi zbatimi i këtyre detyrave  të dala nga mbledhja e muajit shkurt.


20/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›