Qeveria shqiptare përshëndet raportin e Global Insight sipas të cilit Shqipëria renditet vendi i parë në Evropë dhe e dhjeta në botë për rritjen e lartë ekonomike për vitin 2009.

Deklaratë për shtyp e Ministres së Integrimit Evropian dhe zëdhënëses së qeverisë, znj.Majlinda Bregu
- Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dhjeta në botë, si vendi me rritjen më të lartë ekonomike për vitin 2009.
Siç edhe jeni vënë në dijeni ky eshte rezulati i dalë pak ditë më para nga Instituti Ndërkombetar Global Insight, ndër më prestigjozët në botë, i mirënjohur për eksperiencën e tij ndërkombëtare 40 vjeçare në fushën e analizës, informimit e parashikimit ekonomik, financiar e politik të 204 vendeve të botës.
Në një përfundim të tillë paralelisht me Global Insight kanë dalë edhe një serë institutesh e organizmash të tjerë ndërkombëtare si Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Departamenti Ekonomik e Social i Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksioni Intelligence Unit dhe Instituti Vienez për Studime Ndërkombëtare Ekonomike.
I ardhur vetëm pak kohë pas vlerësimeve të Bankës Botërore, e cila e shpalli Shqipërinë si vendin e dytë në botë për zhvillimin ekonomik dhe të Trasparency International që e renditi Shqipërinë të dhjetën në botë për luftën kundër korrupsionit, ky klasifikim i ri konfirmon edhe një herë vlerësimin që organizatat më të mira ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërrmara nga qeveria shqiptare, që në krye të mandatit të saj.
Duke komentuar raportin e Global Insight, shtypi botëror shprehet se:
“Në Tiranë flamuri kombëtar mund të valëvitet i qetë.
Shqipëria është vendi me ekonomi të shëndoshë e rritjen ekonomike më të madhe në Evropë për vitin 2009”.
E në mënyrë figurative Shqipëria cilësohet si: “Nxënësi më i mirë i klasës në Evropë për vitin 2009 në fushën e rritjes ekonomike”.
Eshtë e rëndësishme për t’u theksuar se kjo rritje ekonomike e Shqipërisë nuk ka ardhur si rezultat i vlerësimit të ndonjë malli të rrallë e specifik si nafta apo gazi në tregun botëror, (sic ka ndodhur me Turkmenistanit që bën pjesë në 10-she), por ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rezultat i politikave të suksesshme ekonomike të qeverisë shqiptare.
Për ne, në një kohë kur e gjithë bota është e prekur nga kriza ekonomike, lajmi se Shqipëria shënon rritjen ekonomike më të madhe në Evropë, dëshmon edhe një herë se:
-Shqipëria është vendi surprizë në ekonominë botërore,
me demokraci të maturuar, liri tregu të kombinuar me reforma ambicioze, inflacion të ulët dhe stabilitet makro-ekonomik.
Përfundimi i Global Insight, Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Departamentit Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara, “The Economist”, seksionit Intelligence Unit dhe Institutit Vienez per Studime Nderkombëtare Ekonomike, konfirmon lajmin e mirë se Shqipëria është shkëputur përfundimisht nga imazhi i keq i vendit të prapambetur, i vendit që sjell vetëm probleme, duke përcjellë tashmë imazhin real të një vendi në zhvillim.
21/02/2009