Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e grupit parlamentar të PD
- Ne borxhin e kemi gjetur 70 për qind e GDP-së, dhe në kulmin e krizës e kemi sjellë në 59 për qind të GDP-së. Ndaj dhe dua t’ju informoj ju këtu se programi i parashtruar para shqiptarëve do të vazhdojë të zbatohet me përpikmëri
Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para deputetëve të pranishëm ai u shpreh:
Zonja deputete, zotërinj deputetë!
Sot para jush dua të paraqes dy çështje të rëndësishme. Për njërën ju mund të ndjeheni pak të çuditur, se vërtetë është e pazakontë, por njeriu nuk mund të mos ndajë të mirën me të tjerët. Dhe ajo që unë dua të ndaj me ju, është kënaqësia e Ipad. Ky është kompjuteri që unë kam pritur prej 30 vitesh. Që ditën që në laboratorin ku punoja, ne arritëm të sigurojmë një Apple 2, të Steve Jobs, dhe gjer këto ditë në kërkim të një kompjuteri të tillë, jam përpjekur të siguroj dhe të blejë çdo prodhim që shënonte hapa drejt tij. Dhe këtë e realizoi sërish Steve Jobs. I bën njerëzimit një dhuratë të madhe shumë. Bill Gates, 5 vite më parë, në një editorial të botuar në Herald Tribune, Nju Jork Times, do të paralajmëronte se 5 vitet që vijnë, do të jenë vitet të cilat në fushën e ICT do të sjellin më shumë se 25 vitet e shkuara. Në këtë shkrim fondamental Gates paralajmëronte kompjuterin tablet. Por ëndrrën e Gates dhe të gjithë atyre që pritën me padurim këtë kompjuter që ka përmasat e faqes së një libri, i ka shkrirë në një. Iphone, ipod që transformoi muzikën e botës me dixhitalizimin e saj dhe i dha mundësi njerëzimit të ketë formën më të pastër të muzikës, të regjistruar në formën më të pastër, i shtoi edhe laptopin. Natën që shumë prej jush ndiqnin Interin me Barcelonën, unë ndiqja pasionin tim të vjetër. Mund ta lija, por po familjarizohesha. Mund t’u them se nuk kam patur kurrë në dorë një gjë më të mrekullueshme, më njerëzore, më miqësore, më të sofistikuar se Ipad. Po bëj unë një reklamë tregtare për këtë prodhim të Steve Jobs? Steve Jobs ka qenë idhulli im, për dy gjëra. E para i ka dhënë njerëzimit kaq shumë dhe i dha edhe këtë; së dyti është një hero i vërtetë në luftën kundër sëmundjes. Qëndresa e tij, është legjenda e qëndresës së njeriut ndaj një sëmundje jo të mirë. Dhe kushdo që lexon për të nuk mund të ketë tjetër veçse një admirim të pakufishëm. Kështu që nuk ka të bëjë asgjë me aspektin tregtar, përveçse me vendimin tim që një të mirë mund ta ndajë edhe bashkëpunëtorët dhe qytetarët e mi. Kjo ishte çështja e parë që unë doja të paraqisja para jush.
çështja e dytë, është një lajm pozitiv që ka të bëjë me ekonominë e vendit. Sot sërish në botë flitet për krizë. Ndoshta jo më globale, por krizë e thellë në vende dhe zona të caktuara. Dhe kjo është një vërtetë e pamohueshme. Për fat të keq kësaj radhe është e përqendruar kryesisht, por të mos thënë tërësisht, në hartën e Evropës dhe në zonën më vitale të saj, që është zona e Euros. Megjithatë ajo që është pozitive, është marrëveshja e fundit, që u arrit mes qeverisë greke, sepse kurrë nuk sheh mirë, nëse një gjë e keqe, apo e rëndë, ndodh te fqinja yt, qoftë ai në shtëpi, qoftë në vend, në çdo rrethanë. Kështu që e kemi ndjekur me shumë vëmendje dhe vazhdojmë të ndjekim zhvillimet të lidhura me borxhin e Greqisë. Por marrëveshja është arritur dhe do ketë një paketë të fuqishme në 3 vjet prej 120 miliardë euro, e cila e shoqëruar me reformat e shpallura nga qeveria greke, do të shënojë kthesën e sigurtë në ekonominë e këtij vendi.
Sot flitet për papunësi dhe ky është një realitet shumë i hidhur. Vendet që për dekada kanë patur papunësi prej 3-4 për qind, apo papunësi fiziologjike siç quhet, thjeshtë çështje përzgjedhje dhe asgjë tjetër, sot e kanë rreth 10 për qind. Rreth 10 për qind është papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 10 për qind është papunësia në zonën më të mëkëmbur të Evropës, që nuk e ka patur ndonjëherë, në zonën e Euros. Nuk ka dyshim se ku cunam i madh financiar botëror, u shoqërua me humbjen e miliona e miliona vendeve të punës. Nuk ka dyshim se në këtë situatë botërore, ekonomia shqiptare do të kishte reperkusionet veta, sepse jo vetëm që jemi pjesë, një segment i vogël i ekonomisë globale, por ekonomitë e vendeve të vogla janë të destinuara, të detyruara, të jenë hiperglobale, më globale shumë herë se sa ato të vendeve më të mëdha. Megjithatë dua të them se në kontrast të plotë me ekonomitë në krizë, është ekonomia shqiptare. Them që i ka ndjerë pasojat, por që është mbajtur dhe që rezistoi me një rritje ekonomike, më të madhe në Evropë, gjatë vitit të kaluar. Dhe që gjatë këtij viti ka disa tregues jashtëzakonisht premtues.
Të nderuara deputete dhe deputetë!
Më lejoni që t’ju njoh me eksportet e 4-mujorit, janar-prill të vitit 2010, krahasuar këto me janar prill të viti 2009.
Eksportet e prillit 2009, kanë qenë 1 milion e 114 mijë tonë të barabarta të 2.6 miliardë lekë për atë çka është “Made in Albania”, kurse në prillin 2010, këto eksperte janë rritur në 1 milion e 163 mijë tonë dhe kanë kapur vlerën 7 miliard lekë, nga 2.6 miliardë lekë. Po është e vërtetë se nga këto 7 miliardë, 2 miliardë janë energji elektrike, por është e vërtetë se edhe pa energjinë elektrike, eksportet “Made in Albania” janë dyfishuar në muajin prill.
Në prill të vitit 2010, janë rieksportuar dhe materiale importi 32 mijë e 400 tonë me një vlerë prej 7.5 miliardë lekë, ndërkohë që rieksportet e vitit 2009 kanë qenë 11 mijë e 500 tonë dhe janë 5.2 miliardë lekë, pra ka një shtesë 2.3 miliard lekësh. Në 4-mujor vlera totale e eksporteve nga Shqipëria, për vitin 2010, është 48 miliard lekë; vlera totale e eksporteve nga Shqipëria për vitin 2009, në këtë 4-mujor është gjithsej rreth 30 miliardë lekë. Pra janë afro 180 milionë dollarë më shumë, janë 180 milionë dollarë prodhime më shumë, vende pune më shumë, djersë e derdhur me shumë. Këto zotërinj kanë një kusht themelor për t’u rritur dhe një nga kushtet me themelore është forca e punës, e angazhuar në këtë proces. Ndaj edhe ata të cilët bërtasin se papunësia dhe u fryjnë borive të krizë dhe borive të zisë, dua tu them se pa diskutim krizën dhe zinë, e keni në mendjet tuaja. është jashtë çdo lloj logjike që të themi që nuk pasqyrohen pasojat e krizës botërore, por nuk ka më të forta se këto statistika. Ata që hedhin gjyq institucionet e statistikave të vendit, le të shkojnë dhe të hedhin gjyq sipërmarrjet që prodhojnë qindra mijëra tonë mallra më shumë se vitin e kaluar. Të mos bëjnë Don Kishotin me Institutin e Statistikave. Instituti i Statistikave të vendit nuk prodhon asnjë statistikë, ai merr të gjitha nga institucionet respektive. Ata që dyshojnë të dhënat e doganave shqiptare për eksportet, le t’u referohen doganave të vendit, ku materialet kanë shkuar. Në qoftë se nuk janë të motos “rroftë kriza, poshtë qeveria”, moto kjo kryekëput e gabuar, çnjerëzore. Kjo është një krizë botërore dhe qeveria ka meritën më të madhe, ndër më të mëdhatë, sepse zbatoi parimet më të ndershme, me solide ekonomike. Kjo qe arsyeja që ajo u pasqyrua, por nuk e rrëzoi ekonominë shqiptare. Të kesh rritje eksporti me 60-70 për qind në vlerë, krahasuar me një vit më parë, me 2009, tregon një dinamizëm, tregon një entuziazëm, tregon një punësim, tregon një besim, tregon një cilësi.
Zotërinj deputetë, zonja deputete!
Asgjë nuk sintezon në një këta faktorë së bashku, më shumë se eksporti “Made in Albania”. Ne nuk jemi një ekonomi e udhëhequr nga eksportet; këto nuk kanë ndodhur në parqe industriale eksportesh, do t’i kemi edhe ato dhe është gjë shumë pozitive, këto kanë ndodhur nga gëlimi i ekonomisë shqiptare kudo, në çdo vend.
Ka një tregues tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm, në këtë periudhë dhe ky tregues është rritja e kursimeve. Kursimet janë rritur me 13.7 për qind. Cili është raporti kursime dhe kreditim nga bankat? Kursimet janë 718 miliardë në totalitein e tyre në bankat e këtij vendi, ndërsa kreditë janë 450 miliardë. Në rregullin më të ndershëm dhe më klasik, ky raport duhet të jetë 0.85. Ky raport është 1.6 me sa duket. çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që bankat shqiptare, janë ndër bankat më solidet përsa i përket likuiditetit. Nga se erdhi kriza, pasi ishte krizë kredish. Për 100 lekë, institucionet financiare morën aventurën piramidë, duke kredituar 300 lekë, nga 85 lekë që duhej të kreditonin. Pra e çuan drejt stratosferës. Në Shqipëri të nderuar deputetë, disponohen 750 miliardë depozita, janë në kredi gjithsej vetëm 450 miliardë. Pra raporti jo që nuk është 0.85, por as 0.6 nuk është. është më i shëndetshmi i më të shëndetshmëve. Ndaj dhe dua t’ju informoj ju këtu se politika dhe programi i parashtruar para shqiptarëve do të vazhdojë të zbatohet me përpikmëri. Edhe ngrirja 20 për qind e buxhetit do të zbatohet, nuk e çlirojmë atë. Jo, do të ulim borxhin. Keni dëgjuar ju që flasin për borxh me gjuhën antikapitaliste. Një gjë duhet të dini ju zotërinj: ne borxhin e kemi gjetur 70 për qind e GDP-së, e kemi sjellë në 59 për qind të GDP-së. Kjo është e vërteta absolute. Erdhëm në pushtet dhe gjetëm një borxh 70 për qind. U them këtyre antiglobalëve, pasi këta po e përdorin borxhin, njëlloj si në kohën e Enverit, se na latë me një borxh 70 për qind dhe e sollëm në kulmin e krizës me një borxh 59 për qind. Kjo është e vërteta dhe prapë do ta ulim. Kemi një inflacionin thellësisht të kontrolluar dhe leku, më duhet t’u them kësaj here, se ka qëndruar njëlloj si Skënderbeu. Ritvani të gjitha betejat nuk i bënte ballë për ballë, disa i bënte edhe me krahëmarrje. është luhatur nga 8-10 për qind, në kohën e një trazire të paparë monetare. Ndaj edhe i garantoj qytetarët se ne e ndjekim me seriozitetin më të madh çdo zhvillim në Evropë dhe në botë, në rrafshin ekonomik, sepse ne jemi parcelë e vogël ekonomisë globale, por nuk jemi ishull. Përkundrazi. Më hiperglobalë se shumë të tjerë, por parimet mbi të cilët ne vendosëm ekonominë bënë që ajo të amortizojë më mirë se çdo ekonomi tjetër cunamin e madh financiar evropian dhe botëror. Me mediat do të kisha folur edhe për një çështje shumë të rëndësishme, por e pata temë të një konference shtypi dhe nuk po ndalem aty. Ju ftoj edhe ju gazetarëve që të blini Ipad, pasi do të ngeleni shumë të kënaqur.
Ju faleminderit!
03/05/2010