E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën kushtuar botuesit Ismail Mal’ Osmani, nw Bibliotekën Kombëtare

- Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi sektorin e Informatikës dhe Teknologjive të Reja, në Bibliotekën Kombëtare, dhe premtoi se qeveria do të financojë sistemet më moderne të dixhitizimit, në mënyrë që fondi i bibliotekës të mund të bëhet disponibël kudo për qytetarët shqiptarë

Kryeministri Berisha vizitoi pasditen e sotme ekspozitën kushtuar botuesit Ismail Mal’ Osmani, e çelur në Bibliotekën Kombëtare me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe njëkohësisht në 100 vjetorin e lindjes së këtij botuesi.

Kryeministri përgëzoi drejtorin e Bibliotekës Kombëtare z. Aurel Plasari dhe të gjithë stafin e saj, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm të shkëlqyer bënë të mundur çeljen e kësaj ekspozite, kushtuar shtëpisë botuese më të njohur shqiptare të të gjitha kohërave. “Kjo shtëpi botuese, siç edhe mund të konstatoni duke vizituar stendat, shpërndan dritë dhe dije në të katër anët e trojeve shqiptare. Kjo shtëpi botoi kryevepra të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, të cilat u bënë një bazë e fuqishme për formimin e mendimit intelektual të kombit shqiptar. Unë pashë këtu shumë botime me të cilat kam kaluar ditë dhe net të tëra në rininë time të hershme. Ishin libra të ndaluar, por unë i siguroja nëpërmjet një bukinisti të jashtëzakonshëm dhe ky ishte Tahir Dizdari”, u shpreh Kryeministri Berisha, ndërsa shton se zoti Dizdari ishte një erudit dhe orientalist i jashtëzakonshëm.

Më tej, Kryeministri u shpreh se në këtë ekspozitë gjeti edhe libra të disa prej mësuesve të tij, siç është Fejzi Dika, por edhe libra të shumë autorëve të pavdekshëm në letërsi, për të cilët u shpreh se do të ishte mirë që shtëpitë botuese t’i ribotonin.

Pas ekspozitës, Kryeministri Berisha vizitoi sektorin e Informatikës dhe Teknologjive të Reja, në Bibliotekën Kombëtare, i cili po punon për dixhitalizimin e fondit të bibliotekës. “Ajo që më kënaqi shumë, më entuziazmoi, ishte përkushtimi i punonjësve për të dixhitizuar fondin e bibliotekës. Unë ju premtoj se qeveria do të financojë sistemet më moderne të dixhitizimit, në mënyrë që fondi të mund të bëhet disponibël kudo për qytetarët shqiptarë”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri vizitoi edhe Fondin e Koleksioneve të Rralla. “Gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në bibliotekë u njoha me përpjekjet shumë të mëdha që po bën drejtori dhe punonjësit e saj në drejtim të ruajtjes së fondit, të librave të vjetër dhe pasurimit të tij. Biblioteka Kombëtare ka një pasuri të shkëlqyer. Ka një fond shumë të pasur librash, të botuara në të gjitha kohërat. Drejtori i Bibliotekës, z. Aurel Plasari, më tha se kanë një kopje të Aristotelit në arabisht. Ju e dini që besohet se Aristoteli, nga rilindja e më pas, u bë i njohur nëpërmjet librave të tij të përkthyera arabisht. Pra, biblioteka ka një fond shumë të gjerë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në këtë ekspozitë, Kryeministri Berisha shoqërohej edhe nga ministri i Kulturës z. Ferdinant Xhaferri.


05/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›