Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës Tranzite Postare në Tiranë
-Kryeministri theksoi se Posta Shqiptare, ky institucion jetik dhe i rëndësishëm, i vjetër sa vetë shteti ka shënuar këto vitet e fundit arritje shumë të mëdha, të cilat në një mënyrë pasqyrojnë ritmet e ndryshimit të Shqipërisë.
-Kryeministri shprehu besimin se me ndryshimet e mëdha që ka pësuar Posta Shqiptare, me transformimin e madh të shërbimeve të saj, në vitet e ardhshme ajo do të jetë një nga postat më moderne në rajon dhe më gjerë, duke iu ofruar qytetarëve shqiptarë shërbime të shumëllojta dhe të cilësisë së lartë, të njëjta me ato që homologet e saj iu ofrojnë qytetarëve të vendeve anëtare të BE.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në inaugurimin e Qendrës Tranzite Postare në Tiranë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, zoti Genc Pollo, Drejtori i Përgjithsëhm i Postave, zoti Arqile Gorea, punonjës të postës shqiptare, etj
Në fjalën e tij, Drejtori i përgjithshëm i Postës shqiptare, zoti Arqile Gorea falënderoi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha për mbështetjen maksimale që i ka dhënë postës shqiptare, e cila në këto 4 vite është shndërruar tërësisht duke ofruar për qytetarët shërbime të nivelit evropian. Zoti Gorea u shpreh posta shqiptare ka rritur cilësinë e shërbimeve të saj, jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale të vendit. Kështu posta shqiptare është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, si dhe në kontrollin e fundit të auditit të PostEuropës, ajo u klasifikua në nivele evropiane të shërbimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare tha se Posta Shqiptare ëshët e gatshme që në bazë të potencialit që ajo zotëron, të gjitha shërbimet që kryhen nëpër zyrat postare tu ofrohen shqiptarëve në çdo shtëpi, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore.
Duke marrë fjalën në ceremoni, kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe përgëzimet për punën jashtëzakonisht të çmuar që posta kryen në shërbim të qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin. Kryeministri theksoi se ky institucion jetik dhe i rëndësishëm, i vjetër sa vetë shteti ka shënuar këto vitet e fundit arritje shumë të mëdha, të cilat në një mënyrë pasqyrojnë ritmet e ndryshimit të Shqipërisë.
Duke kërkuar nga drejtuesit dhe punonjësit shtimin e mëtejshëm të shërbimeve të modernizuara që posta ofron, kryeministri u shpreh se qeveria do të japë mbështetjen maksimale që në sportelet e postës shqiptare qytetarët shqiptarë të marrin një numër sa më të madh shërbimesh.
Kryeministri shprehu besimin se me ndryshimet e mëdha që ka pësuar Posta Shqiptare, me transformimin e madh të këtyre shërbimeve, në vitet e ardhshme ajo do të jetë një nga postat më modern në rajon dhe më gjerë, duke iu ofruar qytetarëve shqiptarë shërbime të shumëllojta dhe të cilësisë së lartë, të njëjta me ato që homologet e saj iu ofrojnë qytetarëve të vendeve anëtare të BE.
Në kuadrin e ditës botërore të mediave, Kryeministri Berisha kërkoi nga Drejtori i përgjithshëm i postave që me bordin të shqyrtojë mundësinë e përgjysmimit të tarifave të transportit të të gjitha gazetave që dëshirojë të shpërndahen me postë në mbarë vendin, gjë që që synon të realizojë një shpërndarje sa më të mirë të gazetave, për lexuesin shqiptar dhe natyrisht me sa më leverdi ekonomike, për botuesit e tyre.
Më pas, kryeministri Berisha vizitoi mjediset tërësisht të rinovuara të Qendrës Tranzite Postare dhe u takua e bisedoi me punonjësit e kësaj qendre. Në përfundim të vizitës, kryeministri u shpreh për mediat:
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
"Së pari dua të shpreh nderimin tim më të madh, vlerësimin tim dhe përgëzimet e mija për punën jashtëzakonisht të çmuar që ju kryeni, në shërbim të qytetarëve shqiptarë në mbarë vendin. Posta është shërbim emergjence, posta është shërbim prestigji, dinjiteti , por mbi të gjitha është shërbim besimi.
Postieri është një punonjës i dashur, jo vetëm për familjen , por për të gjithë bllokun , lagjen, fshatin ku ai shërben. Në këtë kontekst, dua të theksoj se ju përfaqësoni në çdo vatër shqiptarë fytyrën dhe imazhin e qeverisë shqiptare, ndaj dhe unë do të doja duke njohur dhe vlerësuar shumë punën tuaj, tu bëj thirrje që në mënyrë të vazhdueshme të synojmë cilësi të reja shërbimi.
Ky institucion jetik dhe i rëndësishëm, i vjetër sa shteti ka shënuar këto vitet e fundit arritje shumë të mëdha, arritje të cilat në një mënyrë pasqyrojnë dhe ritmet e ndryshimit të Shqipërisë.
Posta ka katërfishuar vëllimin e punës së saj. Posta ka shkurtuar tre herë kohën e lëvrimit dhe të shërbimeve të objekteve postare. Posta ka shtrirë aktivitetin e vet dhe në skajet më largëta të vendit. Posta ia ka dalë të krijojë një prestigj jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.
Ajo në këtë periudhë ka bërë përpjekjet më serioze për modernizimin e shërbimeve të saj dhe këto janë arritje të prekshme nga çdo qytetar që ndjen shërbimet e këtij institucioni. Ia ka dalë të konkurrojë dhe të jetë e aftë të konkurrojë me shërbimet privatë të këtij lloji. Sot ne inaugurojmë epiqendrën e shërbimeve postare, apo qendrën e tranzitit postar, një investim prej rreth 2 milion dollar. Projekte të tjera të mëdha janë përpara. Ne jemi të vendosur që tek sporteli juaj dhe tek ju qytetarët shqiptarë të marrin numrin më maksimal të shërbimeve që është e mundur. Në mënyrë të përsëritur kam diskutuar me drejtuesit e postës me zotin drejtor, me ministrin dhe ministra të tjerë. Ne do tu mbështesim ju , në mënyrë që ju të mund të ofroni në të tërë rrjetin tuaj shërbimet më të larmishme , më të qytetëruara, më eficente të qytetarëve shqiptarë. Posta sigurisht që lehtësohet me rrjetëzimin e postës elektronike, por sërish vëllimi i saj, punët dhe shërbimet e saj mbeten të një rëndësie jetike dhe parësore, duke filluar nga letra, tek koliposta, tek shërbimet postare financiare dhe shërbime të tjera.
Ndaj dhe unë ju uroj dhe shpreh besimin tim të madh, se ju me ndryshimet e mëdha që keni pësuar, me transformimin e madh të këtyre shërbimeve gjatë viteve që vijnë do të jeni nja nga postat më moderne në rajon dhe më gjerë, do tu ofroni qytetarëve shqiptarë, ato shërbime të shumëllojta dhe të cilësisë më të mirë, që homologet tuaja ju ofrojnë qytetarëve të vendeve anëtare të BE.
Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj shumë për punën e madhe që bëni, për përkushtimin që dëshmoni, për përfaqësimin me dinjitet që ju i bëni administratës shtetërore nga çdo derë, në çdo vatër që trokisni, për të ofruar shërbimet tuaja të mira."
Në përfundim, kryeministri u shpreh për gazetarët:
“Drejtorit të përgjithshëm të postave i kërkova që me bordin të shqyrtojë mundësinë e përgjysmimit të tarifave të transportit të të gjitha gazetave që dëshirojë të shpërndahen me postë në mbarë vendin, xhest ky në kuadrin e ditës botërore të mediave dhe që synon të realizojë një shpërndarje sa më të mirë të gazetave, për lexuesin shqiptar dhe natyrisht me sa më leverdi ekonomike, për botuesit e tyre.
04/05/2010