Kryeministri Berisha takon delegacionin e rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG)
- Në kuadër të fuqizimit të partneriteteve për të koordinuar strategjitë rajonale në fushën e shëndetësisë dhe atë sociale ky rajon ofron mbështetje për Shqipërinë që zhvillimi t`i shërbejë mbi të gjitha integrimit europian.
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG) të kryesuar nga drejtori i departamentit për shëndetësinë dhe politikat sociale. Zoti Vladimir Kosic, e falënderoi Kryeministrin për takimin dhe i përcolli përgëzimet dhe një ftesë nga presidenti i rajonit z. Renzo Tondo.
Në kuadër të fuqizimit të partneriteteve për të koordinuar strategjitë rajonale në fushën e shëndetësisë dhe atë sociale ky rajon ofron mbështetje për Shqipërinë që zhvillimi t`i shërbejë mbi të gjitha integrimit evropian. Z. Kosic u shpreh se ndër prioritetet që ata kanë në politikat e tyre shëndetësore janë fusha e onkologjisë, çështjet e personave me aftësi të kufizuar, kujdesi për nënën dhe fëmijën, teknologjia e avancuar biomjekësore, menaxhimi i sistemeve shëndetësore etj. Që prej vitit 1992 në spitalin Burlo Garofolo janë trajtuar pacientë nga Shqipëria, por është i mirëpritur formalizimi i bashkëpunimeve në fusha të ndryshme me Ministrinë e Shëndetësisë.
Në përbërje të delegacionit ishte dhe zv/presidentja e Informest znj. Silvia Acerbi e cila informoi Kryeministrin për aktivitetin e agjencisë për zhvillim e bashkëpunim ndërkombëtar ekonomik dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur Shqipërinë në projekte të ndryshme. Kryeministri shprehu mirënjohje në radhë të parë për ndihmesën në trajtimin e pacientëve shqiptarë si dhe theksoi se bashkëpunimi i tyre ofrohet në një moment shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe reformën e saj.
Kryeministri u shpreh se vetëm pak ditë më parë kërkoi që të punohet për kalimin e shërbimit të onkologjisë pranë QSUT-s në Institutin Onkologjik dhe se bashkëpunimi me qendrat më të mira të fushës në rajonin e FVG do t`i shërbejë jo vetëm diagnostifikimit e trajtimit më të mirë të sëmurëve por dhe përmirësimit të aktivitetit shkencor.
Duke vlerësuar përparësitë që ka ky rajon kryeministri Berisha u shpreh se çështja e personave me aftësi të kufizuar është trajtuar me kujdes nga qeveria dhe për këtë kategori janë bërë investime të mëdha, megjithatë është shumë e mirëpritur ndihmesa e tyre.
Në fund të këtij takimi z. Kosic vlerësoi shumë ndjeshmërinë dhe kontributet konkrete të kryeministrit në fushën e shëndetësisë dhe reformat që po ndërmerren në Shqipëri dhe u shpreh se ishte i impresionuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët për problemet e nevojat e rrugëzgjidhjen e tyre. Kryeministri Berisha e siguroi z. Kosic se do të ndjekë me kujdes zbatimin e ecurinë e marrëveshjeve dhe projekteve me rajonin FVG.
04/05/2010