Kryeministri Berisha fton PS-në të reflektojë mbi zgjerimin e konsensusit për Kodin Zgjedhor
Kryeministri Berisha ftoi sot Partinë Socialiste të reflektojë mbi mundësinë e zgjerimit të konsensusit në lidhje me Kodin Zgjedhor. Këtë ftesë Kryeministri Berisha e bëri publikisht, pas prezantimit të dokumenteve të reja të identitetit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
“Kodi zgjedhor është në diskutim. Dua të jem fare i hapur dhe ftoj zotin Rama të dëshmojë sens kompromisi me forcën politike që ka 8 deri në 10 për qind të elektoratit. Nuk është në interesin e vendit përjashtimi total nga përfaqësimi në procesin zgjedhor i kësaj force politike. Këtë ftesë nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër përveçse për faktin se realitetet nuk duhen mohuar. Në vendime të rëndësishme, nëse injoron realitetin, të pëlqen apo jo, vendimi mbetet me probleme. Kur nuk i pëlqen, realitetet janë për t’u ndryshuar, por jo për t’u mohuar. Në këtë kontekst, uroj dhe dëshiroj të shqyrtohet mundësia e një hapësire edhe për atë forcë që, e ndrydhur nga fenomeni i ‘dushkut’ dhe për këtë duhet të jemi realistë, sepse nuk mund të themi ndryshe, ka përfaqësuar 8 apo 10 për qind të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2005 dhe në vitin 2007 ndoshta edhe më shumë, pasi ka qenë në koalicion.
Kam qenë shumë i lënduar nga greva e urisë dhe këtë e them hapur. Pavarësisht se kundërshtarë, por për vendin, për Europën e botën, sado që askush nuk e mbështeste vendimin për të hyrë në grevë urie, por faktikisht ishte e tillë, 10 deputetë në grevë urie ishte një lëndim dhe përbënte një lajm aspak të favorshëm për vendin.
Normalisht një çështje e tillë nuk përbënte një objekt trajtimi, por jam i bindur se shpreh mendimin e mazhorancës në këtë rast, ku duhet të përpiqemi të korrigjojmë ndonjë gjë. Ne nuk dalim jashtë teorisë së gabimeve. Mundësia është për reflektim, prandaj të reflektojmë. Nuk kam asnjë qëllim tjetër, por vetëm përfshirjen. Ne kemi një konsensus me PS-në dhe këtë nuk e mohoj, por nëse e zgjerojmë më shumë do të ishte mirë për vendin,” u shpreh Kryeministri Berisha.
17/12/2008