E Diel, 1 Nëntor 2026

er" align="center"> PËR

V E N D I M

 

 

PËR

 

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8737, DATË 12.2.2001, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI  BERISHA

    P R O J E K T L I GJ  

 

PËR   DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8737,  DATË 12.2.2001, “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 81, 83, pika 1, 148 e 149, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.8737, datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

Neni 1

Pas nenit 3 shtohen nenet 3/a, 3/b, 3/c, 3/ç e 3/d, me këtë përmbajtje:

“Neni 3/a

Organet e prokurorisë dhe përfaqësimi i saj

1.  Organet e prokurorisë janë:

a) Prokuroria e Përgjithshme e Republikës;

b) Prokuroria,  pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda;

c) Prokuroritë, pranë gjykatave të apelit;

ç) Prokuroria, pranë gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda;

d) Prokuroritë, pranë gjykatave të shkallës së parë.

 

2.  Përfaqësimi i prokurorisë bëhet nga:

a) Prokurori i Përgjithshëm;

b) Drejtuesit e prokurorive, pranë gjykatave të apelit;

c) Drejtuesit e prokurorive, pranë gjykatave të shkallës së parë.

Neni 3/b

Shkalla e hierarkisë në prokurori

 

1. Shkalla e hierarkisë në prokurori, sipas niveleve të organizimit dhe të funksionimit në drejtimin e centralizuar, nga prokurori më i lartë te prokurori më i ulët, është, si më poshtë vijon:

a) Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme janë prokurorë më të lartë se prokurorët e prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe të  prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë.

b) Prokurorët e prokurorive pranë gjykatave të apelit, në gjykimet e çështjeve të apeluara që kanë në juridiksion, janë prokurorë më të lartë se prokurorët e prokurorive, pranë gjykatave të shkallës së parë, të cilët i përkasin atij juridiksioni.

c) Prokurorët pranë gjykatave të shkallës së parë, sipas kompetencës, lëndore dhe tokësore, janë prokurorë të nivelit të parë në prokurori.

2. Prokurorët, drejtues të drejtorive në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtues të prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe drejtues të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë, janë prokurorë më të lartë se prokurorët në strukturat përkatëse, ku ata ushtrojnë funksionet.

Neni 3/c

Kufizimet e pushtetit të prokurorit më të lartë

 

1. Prokurori, në çdo rast të mbështetur në ligj dhe në prova, refuzon përmbushjen e urdhrit ose të udhëzimit, që është haptazi në kundërshtim me ligjin.

2. Refuzimi bëhet me akt të shkruar, në të cilin prokurori arsyeton shkaqet e refuzimit.

3. Në rast refuzimi, drejtuesi i prokurorisë ose prokurori më i lartë, që ka dhënë urdhrin ose udhëzimin, ka të drejtë të zëvendësojë prokurorin, që refuzon, duke proceduar personalisht ose duke ia ngarkuar ushtrimin e ndjekjes penale një prokurori tjetër.

4. Me përjashtim të rasteve haptazi në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë objekt refuzimi:

a) vendimet e marra në rrugë hierarkike, në zbatim të ligjit procedural penal;

b) urdhërat dhe udhëzimet e nxjerra nga prokurori i Përgjithshëm.

 

Neni 3/ç

Shmangia e konfliktit të interesit

 

1.  Drejtuesit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, drejtuesit të prokurorisë pranë gjykatës së apelit, prokurorit të apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme apo prokurorit të Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 e 17,  pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, i ndalohet t’i japë urdhëra dhe udhëzime, me shkrim, prokurorit të çështjes apo të ndikojë në çdo mënyrë tjetër.

2. Në këtë rast drejtuesi në konflikt interesi njofton, me shkrim, prokurorin e Përgjithshëm.  Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht ose me kërkesë vendos me shkrim për përjashtimin e drejtuesit në konflikt interesi nga procedura e dhënies së urdhërave dhe udhëzimeve. Në këtë vendim, prokurori i Përgjithshëm cakton nëse dhe në ç’pjesë kanë vlerë veprimet e kryera në bazë të urdhërave dhe udhëzimeve të dhëna më parë nga drejtuesi në konflikt interesi.

3. Në rastin kur prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim, në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron, me shkrim, gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin, që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit.  Në këtë rast, urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejtor në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Neni 3/d

Drejtimi në prokurori

 

1. Prokurori i Përgjithshëm drejton organin e prokurorisë dhe ndihmohet nga drejtuesit e strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme.

2. Prokuroritë pranë gjykatave të apeleve drejtohen nga drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, i ndihmuar nga zëvendësi i tij.

3. Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë drejtohen nga drejtuesi i prokurorisë, i ndihmuar nga zëvendësit dhe përgjegjësit e sektorëve, aty ku ka të tillë.”.

 

 

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 3 pas fjalës “... me shkrim...” shtohet  fjala “... të    arsyetuara...”.

b) Paragrafi i dytë, i pikës 3, shfuqizohet.

 

Neni 3

Pas pikës 1 të nenit 7, shtohen pikat 1/1, 1/2 e 1/3, me këtë përmbajtje:

“1/1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e drejtësisë dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.

1/2. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi.

1/3. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barazvlefshëm me vendin e mëparshëm.  Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit të Përgjithshëm.”.

Neni 4

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Prokurori i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:

a) Përfaqëson prokurorinë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese.

b) I propozon Presidentit të Republikës numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve, për çdo prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

c) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve.

ç) Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara në këtë ligj.

d) Miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të prokurorive pranë gjykatave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

dh) Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

e) Emëron dhe shkarkon sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive.

ë) Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët, në nivel qendror.

f) Kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetutese të prokurorisë.

g)  Drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Prokurorisë dhe të policisë gjyqësore.

gj) Nxjerr akte normative (rregullore, urdhëra dhe udhëzime), për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta, të cilat janë të detyrueshme për prokurorët dhe policinë gjyqësore.

h) Urdhëron kryerjen e inspektimeve, fillon procedimin disiplinor dhe vendos për marrjen e masave disiplinore, si dhe urdhëron fillimin e procedimit penal kundër prokurorëve.

i) Fillon procedimin disiplinor dhe urdhëron procedimin penal të policisë gjyqësore, në përputhje me ligjin e veçantë.

j) Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në prokurori.

k) Thërret mbledhjen e këshillit të prokurorisë dhe mund të drejtojë mbledhjet e tij. 

l) I delegon me shkrim kompetenca drejtorëve, përgjegjësve të sektorëve ose prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas parashikimeve në këtë ligj ose në ligje të veçanta, me përjashtim të atyre që parashikojnë shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “e”, “h”, “i”, të kësaj pike.

ll) I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë.

m) Kryen detyra të tjera, të parashikuara në ligj.”.

           b) Pikat 3 e 4 shfuqizohen.

Neni 5

 

Pas shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 9, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) zyra e ndihmësve ligjorë.”.

 

 

Neni 6

Neni 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 10

Kompetencat

1. Këshilli i prokurorisë kryen funksione këshillimore, në ndihmë të prokurorit të Përgjithshëm.

2. Mendimet e këshillit të prokurorisë paraqiten në formë të shkruar, të arsyetuara, dhe nënshkruhen nga kryetari. Aktit i bashkëlidhet, detyrimisht, edhe mendimi i anëtarëve në pakicë.

3. Këshilli i prokurorisë ushtron këto kompetenca:

a) Organizon konkursin për emërimin e kandidatëve për prokuror dhe i jep mendim prokurorit të Përgjithshëm për emërimin e prokurorëve në detyrë, shkarkimin e tyre, si dhe çdo nismë tjetër, në natyrë disiplinore;

b) Shqyrton vlerësimin e punës së prokurorëve dhe i paraqet, për miratim, prokurorit të Përgjithshëm raportin e vlerësimit përfundimtar të aftësive profesionale të prokurorëve;

c) I jep mendim prokurorit të Përgjithshëm për ngritjen në detyrë të prokurorëve, transferimin (lëvizje paralele ose ndryshime të ngjashme), si dhe kandidaturat e drejtuesve të prokurorive dhe zëvendësit e tyre, duke paraqitur mendimin e tij për kandidatët pas procedurës së konkurrimit të tyre;

ç) Jep mendim për miratimin, nga prokurori i Përgjithshëm, të rregullores së këshillit të prokurorisë;

d) Jep mendim për planin vjetor të inspektimeve dhe tematikën e tyre;

dh) Merr në shqyrtim dhe jep mendim për vlerësimet e ministrit të Drejtësisë lidhur me inspektimet e kryera në organe të prokurorisë;

e) Jep mendim për projektaktet normative të prokurorit të Përgjithshëm, për unifikimin e politikës së ndjekjes penale, në hetim dhe në gjykim, si dhe propozon masa për organizimin e brendshëm dhe miradministrimin e prokurorisë apo përmirësimin e legjislacionit në fushën penale;

ë)  Kryen çdo detyrë tjetër, të caktuar me ligj.

4. Këshilli i prokurorisë shqyrton ankesat për vlerësimin e prokurorëve dhe mund të refuzojë ose ka të drejtë të fillojë rishikim të vlerësimit, që nuk është pranuar nga prokurori përkatës, sipas rregullave të përcaktuara nga prokurori i Përgjithshëm.

5. Në rastet kur prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga këshilli, vendimarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar.”.

Neni 7

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Këshilli i prokurorisë përbëhet nga shtatë anëtarë, nga të cilët gjashtë prokurorë dhe një përfaqësues i ministrit të Drejtësisë. Në mbledhjen e këshillit mund të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Presidentit të Republikës.”.

         b) Në fund të pikës 2 shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Përbërja e Këshillit duhet të jetë, si më poshtë vijon:

a) Tre prokurorë, që ushtrojnë funksionet në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë;

b) Dy prokurorë, që ushtrojnë funksionet në prokuroritë pranë gjykatave të apeleve;

c) Një prokuror, që ushtron funksionet në Prokurorinë e Përgjithshme.”.

Neni  8

Pas shkronjës “e”, të nenit 17, shtohet shkronja “ë” me këtë përmbajtje:

“ë) ka cilësi të larta morale dhe profesionale.”.

Neni  9

Në nenin 18 bëhen ky ndryshim dhe kjo shtesë:

         a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) ka punuar jo më pak se 5 vjet oficer i policisë gjyqësore.”.

        b) Në fund të shkronjës “b” shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Me propozimin e prokurorit të Përgjithshëm, Presidenti i Republikës mund të emërojë në prokuroritë e shkallës parë, deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurorëve, shtetas, të cilët kanë punuar më parë prokurorë, gjyqtarë apo oficerë të policisë gjyqësore, që përmbushin kriteret e shkronjave “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “e” e “ë”, të nenit 17, dhe të shkronjës “b”, të këtij neni.”

Neni 10

 

Neni 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 21

Emërimi

1. Prokurori në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e prokurorit të Përgjithshëm, pasi ky i fundit të ketë marrë mendimin e këshillit të prokurorisë.

2. Prokurori në prokurorinë pranë gjykatës për krime të rënda emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me jetëshkrime, pasi:

a)     të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë;

b)     të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;

c)     të jetë vlerësuar “Shumë mirë”, për aftësi profesionale, dy herët e fundit;

ç)  të mos ketë masë disiplinore në fuqi.

3. Ndërmjet prokurorëve, që kandidojnë për në prokurorinë pranë gjykatës për krime të rënda dhe që plotësojnë kushtet e pikës 1, të këtij neni, këshilli i prokurorisë dhe prokurori i Përgjithshëm përzgjedhin, sipas pikëve, kandidatin, në përputhje me kriteret e përcaktuara në pikën 3, të nenit 43, të këtij ligji.

4. Presidenti, brenda 30 ditëve, dekreton emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga prokurori i Përgjithshëm.  Pas këtij afati, propozimi vlerësohet i rrëzuar.”.

  Neni 11

 

Neni 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 24

Transferimi dhe ngritja në detyrë

1. Transferimi i prokurorit nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tij, përveç kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të prokurorisë. Transferimi i prokurorit mund të bëhet vetëm në të njëjtin nivel prokurorie. Kur, për nevoja të riorganizimit të prokurorisë, transferimi i prokurorit shoqërohet me ulje në nivel prokurorie, ai trajtohet me pagën që kishte.

2. Përjashtim nga pika 1, e këtij neni, përbën rasti kur jepet masë disiplinore “kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të prokurorisë”, parashikuar në  shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 33, të këtij ligji.

3. Ngritja në detyrë e prokurorit bëhet, në bazë të kritereve të njohura dhe objektive, si meritat dhe përvoja, të parashikuara në nenet 21, pikat 2 e 3, e 43, të këtij ligji.”.

Neni 12

Në fund të shkronjës “a”, të nenit 25, shtohet një fjali, me këtë përmbajtje:

“Ky afat mund të zgjatet deri në tetë muaj, nëse prokurori i komanduar jep pëlqimin.”.

 

Neni 13

Pas pikës 1, të nenit 26, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Prokurori pezullohet nga ushtrimi i detyrës, kur ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet.”.

  Neni 14

Shkronja “b”, e pikës 3, të nenit 27,  ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Kur merret masë disiplinore sipas shkronjave “c”, “d,” dhe “dh”, të nenit 32, të këtij ligji.”

  Neni 15

Pas nenit 27 shtohen nenet 27/a, 27/b, 27/c e 27/ç, me këtë përmbajtje:

 

“Neni 27/a

Kushtet dhe emërimi i drejtuesit

1. Drejtuesi i prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë, drejtuesi i prokurorisë pranë gjykatës së apelit dhe drejtuesi i hallkave të strukturës në Prokurorinë e Përgjithshme emërohen nga prokurori i Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente.

2. Kandidatët për drejtues, sipas niveleve të prokurorisë, duhet të plotësojnë këto kritere:

        a) Të kenë punuar, si rregull, jo më pak se pesë vjet si prokurorë në prokurori  të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta.

    b) Të jenë vlerësuar “shumë mirë” dy herët e fundit.

    c) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

ç) Të kenë aftësi organizuese dhe administruese.



Neni 27/b

Largimi dhe shkarkimi nga detyra i drejtuesit

 

1. Drejtuesit, sipas niveleve të prokurorisë, shkarkohen nga detyra e drejtuesit:

a) kur nuk përmbushin detyrat e parashikuara në nenin 27/c, të këtij ligji;

b) në raste të shkarkimit të prokurorit, të parashikuara në nenin 27, të këtij ligji.

2. Drejtuesi, sipas niveleve të prokurorisë, largohet nga detyra e drejtuesit kur:

a)  jep dorëheqjen nga kjo detyrë;

b) janë raste të largimit të prokurorit, të parashikuara në nenin 27, të këtij ligji;

c) është në pamundësi fizike të ushtrimit të detyrës, për më shumë se        3 muaj.

2. Largimi apo shkarkimi i drejtuesit nga detyra, sipas niveleve të prokurorisë, bëhet me urdhër të arsyetuar të prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 27/c

Kompetencat e drejtuesit

1.  Drejtuesit, sipas niveleve të prokurorisë, përveç ushtrimit të funksioneve si prokuror më i lartë, kryejnë edhe këto detyra:

a) Përfaqësojnë prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët në njësinë administrative, që ushtron funksionet prokuroria;

b) Bëjnë organizimin e punës në prokurori dhe ndarjen e prokurorëve, sipas njësive administrative ose drejtimeve, me grup veprash penale;

c) Në fillim të çdo muaji, caktojnë listën e shërbimit të radhës në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, si dhe planifikojnë shpërndarjen e kallzimeve/referimeve të ardhura në prokurori, sipas kritereve të përcaktuara me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të parimeve të specializimit të prokurorëve dhe të ndarjes së barabartë të punës;

ç) Organizojnë diskutime për çështje të natyrës juridike, në bazë të përgjithësimit të përvojës së ushtrimit të ndjekjes penale dhe të praktikës gjyqësore, të vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë, të vendimeve të Gjykatës Kushtetues dhe vendimeve të tjera gjyqësore në fushën penale, urdhërave, udhëzimeve dhe qarkoreve/porosive të prokurorit të Përgjithshëm, akteve të kontrollit dhe inspektimeve të ushtruara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë;

d) Mbikëqyrin respektimin e etikës së prokurorit dhe planifikimin e punës së tyre, si dhe përmbushin angazhimet ligjore për vlerësimin profesional të prokurorëve dhe të oficerëve të policisë gjyqësore;

 dh) Marrin kontakt me ekipet e inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë, njihen me qëllimin dhe objektin e inspektimit dhe u krijojnë atyre mundësi në ushtrimin e detyrës;

e)  Mbikëqyrin disiplinën në punë të prokurorëve;

ë) Bashkërendojnë punën me drejtoritë përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Shkollën e Magjistraturës, për çështje të ngritjes profesionale të prokurorëve dhe të policisë gjyqësore;

f)  Kujdesen për çështjet e ruajtjes dhe të sigurisë në prokurori;

g) Kryejnë detyra të tjera, në funksion të drejtimit administrativ të prokurorisë, të parashikuara në aktet, ligjore ose nënligjore, në fuqi.

            2. Kur drejtuesi mungon, detyrat e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, kryhen nga zëvendësdrejtuesi i autorizuar prej tij.

Neni 27/ç

Regjistri i prokurorëve

Në Drejtorinë e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore, në Prokurorinë e Përgjithshme, krijohet regjistri i prokurorëve të prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, të prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili përmban të paktën:

a) gjenealitetet e çdo prokurori;

b) të dhënat e edukimit të tij akademik;

c) datën e emërimit;

ç) pjesëmarrjen në kualifikime dhe trajnime;

d) masat disiplinore, nëse ka;

dh) vlerësimin e tij si prokuror;

e)     të dhëna për karrierën;

ë) të dhëna në fushën e publikimeve.”

  Neni 16

Në pikën 1, të nenit 30, pas fjalëve “... duke u paraqitur vetë...” shtohen “... dhe/ose mbrojtësi i zgjedhur prej tij...”.

Neni 17

 

Paragrafi i dytë, i nenit 34, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Kundër masës disiplinore “shkarkim nga detyra’, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit, Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate, në gjykatën e apelit më të afërt.  Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë.”.

 

Neni 18

Neni 36 shfuqizohet.

 

Neni 19

Në pikën 2, të nenit 39, pas fjalës “...mësimdhënies...” shtohen fjalët “... e cila rregullohet me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm...”.

Neni 20

Neni 42 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 42

Vlerësimi i punës

1. Vlerësimi i punës së prokurorit bëhet për aftësitë profesionale dhe personale, aftësitë dhe qëndrimin shoqëror, aftësitë administruese, si dhe për respektimin e disiplinës në punë dhe masat disiplinore.

2. Vlerësimi paraprak i punës së prokurorit bëhet nga drejtuesi i prokurorisë. Ky vlerësim shërben si propozim për vlerësimin final të bërë nga prokurori i Përgjithshëm, që mund të zëvendësojë vlerësimin paraprak, për shkak të një krahasimi të drejtë, në shkallë vendi, të vlerësimeve.

3. Për vlerësimin e punës të prokurorit, Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore kryen inspektimin e planifikuar, jo më pak se një herë në tri vjet.

4. Këshilli i prokurorisë shqyrton vlerësimin paraprak të punës dhe ia paraqet mendimin e vet prokurorit të Përgjithshëm, i cili duhet te shprehet brenda       15 ditësh.

5. Në rastet kur një prokuror bën kërkesë për ngritje në detyrë, transferim ose në një pozicion tjetër, duhet të bëhet nje vlerësim i ri, përveç kur vlerësimi i fundit është bërë brenda gjashtë muajve të fundit. Prokurori duhet të njihet me vlerësimin, që i është bërë.

6. Vlerësimi i punës së prokurorit është:

 - “Shumë mirë”;

 - “Mirë”;

 - “Mjaftueshëm”;

 - “I paaftë”.

7. Vlerësimi “I paaftë” përbën shkak për fillimin e procedurës, për shkarkimin nga detyra të prokurorit.

8. Në rastet kur prokurori është vlerësuar “Mjaftueshëm”, brenda një viti, bëhet rivlerësimi i tij.

9. Për efekt të karrierës profesionale, Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore, në Prokurorinë e Përgjithshme, mban një listë të përhershme të renditjes së prokurorëve, për rezultatet e punës, e cila përditësohet në vijimësi.

10. Rregullat për vlerësimin e punës së prokurorit dhe për kriteret e renditjes së prokurorëve në listën e përhershme përcaktohen nga prokurori i Përgjithshëm, pasi të ketë marrë mendimin e këshillit të prokurorisë.”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›