E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave.

Të pranishëm në këtë takim ishin ministra të qeverisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani, Kryeprokurorja Znj. Ina Rama,  Drejtues të Institucioneve anëtare në Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave etj..

Gjatë kësaj mbledhjeje, çdo institucion raportoi mbi masat e marra në zbatim të Programit Kombëtar “Për kontrollin e lëvizjes së monedhës Cash në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu u diskutua mbi bashkërendimin ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave si dhe në mundësinë e ndërhyrjes në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe regjistrat publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në kudër të programeve të binjakëzimit.

Të pranishmit u ndalën edhe në nevojën e ushtrimit të veprimeve në këtë luftë me transparencë të plotë dhe bazuar mbi kritere të qarta vlerësimi.

Kryeministri u kërkoi pjesëmarrësve angazhim të madh në këtë luftë të vështirë, duke e cilësuar pastrimin e parave një fenomen tejet të rrezikshëm, një autostradë të krimit. Kryeministri theksoi se krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave.

Kryeministri shtoi se ashtu si për luftën kundër krimit të organizuar, edhe ndaj fenomenit të pastrimit të parave duhet adoptuar toleranca zero.

Në mënyrë më specifike, pjesëmarrësit diskutuan mbi fuqizimin e strukturave që luftojnë pastrimin e parave, trajnimin e stafit bazuar mbi ekspertët dhe eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e rrjetit të IT-së dhe përdorimin e tij sa më gjerësisht në luftën kundër pastrimit të parave.


16/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›