E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria mban premtimin për furnizim të pandërprerë me energji elektrike

 - Qeveria i akordon KESH 26 milion euro subvencion dhe kredi për të bërë importe të tjera të energjisë.

Kryeministri Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se një pjesë e fondit të rialokuar do të përdoret si kredi dhe subvencion për KESH-in.

Kryeministri u shpreh se KESH ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme të energjisë, duke u shkëputur kështu nga praktikat e kufizimit të energjisë, si dhe duke përmbushur një premtim të qeverisë  se fundi i vitit 2007 do tu japë  fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. “Ka qenë një premtim i hershëm i imi se fundi i vitit 2007 do tu japë fund ndërprerjeve të energjisë elektrike. Gjatë këtij viti, në përputhje me ketë premtim, KESH ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për importin e sasive maksimale të mundshme, në mënyrë që të shkëputemi nga praktika ndëshkuese e shkëputjeve të energjisë elektrike. Ne kemi blerë energji këtë vit, i cili është viti i dytë, i importit më të madh te energjisë, pas vitit të kaluar.

Dhe këto ditë që qytetarët shohin se shirat janë të bollshme , por që digat ishin në nivelet më minimale, edhe këto ditë ne kemi blerë dhe do të blejmë energji, pavarësisht nga moti. Nuk kemi derdhur një pikë ujë dhe kjo është e rëndësishme. Drejtuesit kanë qenë në krye, 24 orë në 24 orë për të menaxhuar me turbinat dhe kanë përballuar situata mjaft kërcënuese në Vaun e Dejës dhe në Koman,por nuk është derdhur nga tunelet asnjë pikë ujë”

Kryeministri informoi se shuma e akorduar KESH-it si subvencion dhe kredi do të jetë 26 milion euro dhe do të përdoret për të bërë importe të tjera të energjisë. Si rezultat i këtij regjimi importi, u shpreh Kryeministri, u arrit që të mos ketë ndërprerje të programuara të energjisë, por vetëm ndërprerje aksidentale apo për shkak të remonteve.

“Përsëri ne po importojmë. Prapë do të importojmë. Uji në diga është rezerva më e shkëlqyer që ne mund të kemi, prandaj dhe qeveria ka vendosur ti akordojë KESH edhe 26 milion euro subvencion dhe kredi për të bërë importe të tjera. Dua të informoj qytetarët se vjet, gjatë dimrit ne kemi importuar dhe ky regjim importi bëri që këtë vit të mos ketë ndërprerje të programuara. Nuk them se nuk ka patur aksidentale apo ndërprerje për shkak të remonteve. Në mënyrë absolute direktiva ka qenë të mos ketë asnjë minutë ndërprerje.”

Duke e konsideruar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, si domosdoshmëri absolute, Kryeministri theksoi se si rezultat i mbajtjes së këtij premtimi, tremestri i tretë i vitit u mbyll me një rritje ekonomike 2 shifrore.

“Furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje ka patur efektin më të shkëlqyer se sërish tremestri i tretë u mbyll me rritje 2 shifrore. Në qoftes se do të kishte patur ndërprerje energjie ju garantoj se nuk do të kishte një rritje të tillë. Ndaj dhe dot i japim KESH, kredi dhe subvencion, ujësjellësve për të paguar, në mënyrë që të futemi në rrugën e sigurisë së furnizimit të energjisë elektrike. Mund të them se në vitin 2008 ne hymë në këtë rrugë. Kjo rrugë përforcohet me ndërtimin e TEC-it në Vlorë dhe vullneti ynë është importi në të gjithë sasinë e nevojshme për qytetarët.”

Duke theksuar se ky dekret dëshmon për një performancë më të mirë nga parashikimi, Kryeministri u shpreh se do të vazhdohet në rrugën e reformave dhe të zbatimit të ligjit, si rruga më  e sigurt për performanca të tilla.


15/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›