E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Raporti i Freedom House na rendit të parët për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit

Raporti i Freedom House për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë e rendit Shqipërinë të parën në rajon për përmirësimin e ndjeshëm të pavarësisë së institucioneve dhe kuadrit ligjor në qendër të të cilit janë gjyqësori dhe prokuroria.
Ky është raporti i tretë prestigjioz pas raportit të “Doing Business” dhe Transparency International që e vlerëson Shqipërinë për cilësinë e suksesit të reformave të ndërmarra në eknonomi dhe luftën kundër korrupsionit nga Kryeministri Berisha dhe nga qeveria.
Sipas Freedom House nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, këtë vit Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon duke përmirësuar indeksin me 0.5 pikë, nga 4.5 në 4.00. Raporti vlerëson punën e bërë nga qeveria për miratimin e ligjeve në parlament që vijnë si detytrim i përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, sikurse ligji i organizimit të gjyqësorit, mbrojtja e të dhënave personale , ndryshimet në ligjin për falimentimin, ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat e të dënuarve me burgim apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve.
Gjithashtu në këtë raport vlerësohen dhe projektligjet e draftuara tashmë nga Ministria e Drejtësisë me ekspertë të huaj dhe vendas. Sipas Freedom House qeveria ka miratuar një sërë ligjesh që presin miratimin e parlamentit, ndërsa diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe me grupet e ndryshme të interesit, sikurse është projektligji “Për administratën gjyqësore”; ndryshime në Kodin Penal për përmirësimin e dispozitave lidhur me alternativat e dënimit dhe ngritjen e Shërbimit të Provës; përmirësimin e statusit të policisë së burgjeve për arritjen e një trajtimi më cilësor të të dënuarve me burgim; ndryshime në ligjin për profesionin e avokatit; propozimi për liberalizimin e profesionit të noterit; rregullimi i ndihmës juridike që shteti u ofron personave me mundësi të pamjaftueshme ekonomike, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme në gjykata apo organe të tjera shtetërore; reformimi i institucionit të Avokatit të Shtetit në ndjekje të modelit spanjoll; reformimi i sistemit përmbarimor, nëpërmjet liçensimit edhe të përmbaruesve privatë; krijimi i gjykatave të specializuara administrative për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve; projektligji që reflekton detyrimet që Republika e Shqipërisë ka marrë përsipër me anë të ratifikimit të Konventës Civile kundër Korrupsionit, Konventës në fushën e krimeve kompjuterike, në kuadër të Këshillit të Evropës.
Raporti vlerëson se në bashkëpunim me ekspertë të huaj dhe vendas, Ministria e Drejtësisë ka në proces draftimi projektligjin për ndryshime dhe shtesa “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për të drejtën ndërkombëtare private”; projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”; projektligjin “Për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar”; Projektligjin për policinë gjyqësore, etj.
Të treja këto raporte ndërkombëtare pasqyrojnë progresin e pamohueshëm të Shqipërisë në tre vitet e fundit dhe janë tregues i vlerësimit të qartë të organizatave ndërkombëtare të reformave të ndërmarra nga qeveria “Berisha” gjatë këtyre tre viteve.
Këto reforma e kanë larguar Shqipërinë nga e kaluara e saj problematike dhe në të njëjtën kohë janë një indikator i qartë i vullnetit të qeverisë për të mos u kënaqur me rezultatet e deritanishme, por për të vazhduar me rrugën e reformave që të çon drejt Bashkimit Europian.

Konferenca
Pyetje: Zonja Bregu ka patur disa deklarata të Ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili është shprehur se pavarësia e institucioneve të drejtësisë po shkelet nga Ministria e Drejtësisë?
Znj Bregu: Besoj se edhe ajo për të cilën unë jam këtu sot, pra pikërisht për të përshendetur raportin e Freedom House për ruajtjen dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve dhe shkallëve që ka ngjitur Shqipëria si vendi i parë në rajon në këtë raport, duke lënë pas vende, të cilat janë shumë më përpara në hapat e tyre drejt Bashkimit Europian tregon se asgjë nuk ka më të rëndësishme për këtë vend dhe për këtë qeveri se sa respektimi i pavarësisë së institucioneve.

Pyetje: Në raport përmendet edhe projektligji i prokurorisë, deri ku ka shkuar diskutimi i tij dhe kur do të paraqitet në parlament ?
Znj Bregu: Projektligji i Prokurorisë ka përfunduar tashmë 95 % diskutimi i tij jo vetëm me prokurorinë por edhe me EURALIUS, i cili aktualisht ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë dhe pas diskutimit edhe të elementëve të tjerë ligji do të mbërrijë në qeveri dhe më pas në parlament. Ka pasur një dakordësi në koceptet kryesore të këtij projektligji.

Pyetje: A është e përfshirë në projektligj heqja e imunitetit ?
Znj. Bregu: Është një nga çështjet që është ende në diskutim nga Ministria e Drejtësisë me Prokurorinë.

Pyetje: Zonja Bregu cili do të jetë qëndrimi i qeverisë shqiptare lidhur me tragjedinë që ndodhi në liqenin e Butrintit?
Znj. Bregu: Së pari më lejoni t`ju shpreh ngushëllime familjarëve të atyre që kanë humbur jetën në këtë tragjedi që ndodhi dje në liqenin e Butrintit. Në fakt sigurisht qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe marrja e masave për të penguar që kjo tragjedi të shumëfishohej kanë qenë prezent që në orët e para të ngjarjes. Ju e dini tashmë se keni patur një deklaratë zyrtare nga Ministria e Brendshme. Sigurisht që asnjë ngjarje e cila ka viktima nuk është një ngjarje që mund të kalohet lehtësisht. Ne kemi dëshmuar gjatë gjithë kësaj kohe një menaxhim dhe siguri më të mirë të kufijve tanë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka raste sporadike të kalimit klandestin të kufirit.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›