E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Indonezisë, Z. Susilo Bambang Yudhoyono

Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Indonezisë, Z. Susilo Bambang  Yudhoyono  pas tërmetit të rënë në ishullin e Sumatrës.

Në këtë mesazh shkruhet:

Shkëlqesi,

Me hidhërim të thellë mësova lajmin për pasojat tragjike të shkaktuara nga tërmeti i rënë së fundi në ishullin e Sumatrës. Me këtë rast, dëshiroj që në emër të Qeverisë shqiptare t’Ju transmetoj, Shkëlqesi, ngushëllimet e mia më të sinqerta për viktimat e mëdha dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara si pasojë e këtij tërmeti.

Më lejoni t’Ju siguroj se në këto momente Qeveria dhe populli shqiptar i gjendet pranë Qeverisë dhe popullit të Republikës së Indonezisë, duke ndarë dhimbjen e thellë që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore dhe t’Ju shpreh ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit dhe ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e viktimave. Dëshiroj, gjithashtu, t’Ju informoj se, duke shpresuar që të lehtësojë sadopak dëmet e kësaj fatkeqësie natyrore që preku vendin Tuaj, Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të akorduar një fond simbolik asistence prej 30,000 Euro, i cili do të vihet në dispozicion nëpërmjet kanaleve zyrtare.   

Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.

Sinqerisht Juaji,

Sali Berisha


04/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›