E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon një letër përshëndetëse zonjës Hilary Klinton

29-03-2013 / Gazeta 55

Nën drejtimin Tuaj të Departamentit të Shtetit, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë shënuan një intensifikim edhe më të madh e forcim të bashkëpunimit frytdhënës në shumë aspekte


Kryeministri Sali Berisha i dërgon një letër përshëndetëse, ish Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, zonjës Hilary Klinton, në të cilën shprehet: "E nderuar Sekretare Clinton, E dashur mike, Kam kënaqësinë e veçantë, që, me anë të kësaj letre, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta e miqësore, si dhe t’Ju falenderoj nga zemra për letrën që më dërguat me rastin e përfundimit të detyrës si Sekretare e Shtetit e SHBA-së. Nën drejtimin Tuaj të Departamentit të Shtetit, marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë shënuan një intensifikim edhe më të madh e forcim të bashkëpunimit frytdhënës në shumë aspekte, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kontekstin rajonal e atë ndërkombëtar. Vizita Juaj historike dhe mesazhet thellësisht miqësore e inkurajuase gjatë fjalës Suaj mbresëlënëse në Kuvendin e Shqipërisë do të mbeten të pashlyera në kujtesën e të gjithë shqiptarëve dhe përbëjnë një kontribut tjetër të jashtëzakonshëm për konsolidimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet të dy vendeve dhe popujve tanë miq e aleatë. Ndaj dëshroj, me këtë rast, që, edhe në emër të çdo qytetari të vendit tim, t’Ju përcjell urimet më të përzemërta në projektet Tuaja të ardhshme, si edhe t’Ju ripohoj dëshirën time e të të gjithë shqiptarëve për t’Ju mirëpritur në Shqipëri, në çdo kohë, si mike e madhe dhe e shquar e vendit tim dhe e gjithë shqiptarëve"- thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›