E Shtunë, 31 Tetor 2026

This is a Miracle of Doktori

29-03-2013 / Edison Ypi

Balta propagandistike kurviste e gazetave dhe televizioneve është vuajtje e madhe. Kur e kalon një kufi, ky pisllëk duhet hequr.
Mënyra më e sigurtë për ta hequr nga vetja baltën e neveritëshme, është të shkosh diku.
Mëngjez i grinjtë.
Ku?
Tek tuneli i Elbasanit?
Atje isha njëdizanj hoqa ca baltë nga vetja. Nuk ngopem të vete edhe një mijë herë rresht atje. Edhe të ngrysem e të gdhihem brenda në atë tunel nuk përtoj Por duhet të pres pak të vete përsëri. Se po të shkosh shpesh në të njëjtin vend për të hequr të njëjtën baltë, ndodh si me antibiotikët, që s’të bëjnë më efekt.
Tek fillimi i Rrugës së Arbërit ?
Ide e mirë. Por është afër. Vajtje-ardhje nja 1 orë, nuk është kohë e mjaftueshme për heqje balte.
Në Paskuqan ?
Plot me dibranë nga Kalaja e Dodës, atje është aq bukur sa mund të ndodhi që të vete për të hequr baltrat por ka rrezik të luaj nga fiqiri duke kqyrur vilat gjigande, rrugët e asfaltuara dhe një mijë mrekullii të tjera.
Po futem në autostradë drejt Durrësit.
Të Kthesa e Kamzës nuk mund të kthehem. Po u ktheva aty, nga gjithato rrugë të asfaltuara drejt bregdetit mund të më përpijë Veriu dhe mund të përfundoj në Shkodër, Pukë, ndoshta Ulqin, ndoshta Prishtinë. Nuk e kam ndërmend sot t’i shkaktoj vetes një "shock estetik" aq të fortë që do më shkundë jo vetëm baltën por edhe kockat.
As në Maminas drejt Gjirit të Lalzit nuk ma mban revolucionarja të kthehem. Do përfundoja në një vorbull ndjesirash dhe bukurirash të pafundme nga katundet rrëzë kodrave ku ka 90 vjeçarë entuziastë të paepur të Punës dhe Lirisë që korrin barin me kosore, kamionçina që hyjnë e dalin nëpër ara. Po të vete deri tek Kepi i Rodonit, ndoshta do t’i heq baltrat propagandistike, por pasi të kem hequr baltrat do kem lajthitur nga mentë. Aq i bukur është Kepi i Rodonit. Sidomos tani që po e pastrojnë.
Sukth, Shijak?
Mos o Zot. Edhe ajo më duhet. Të humb brenda labirinteve të asfalteve, plantacioneve të ullinjve, shushurimës së Erzenit, legjandave për Haxhi Qamilin.
Në Durrës ?
S’kam ç’bëj në Durrës, Durrësi është xhep. Dhe antikitetet s’janë për heqje balte.
Rrugët e asfaltuara në lindje të rrugës për Kavajë?
Jo. T’u futem atyre kodrave mbetem nja një javë atyre bukurirave duke ndjekur rrugën nga e cila Ashiku i Vorrit të famshëm shkonte nga Kavaja në Ndroq.
Rrugët e asfaltuara drejt detit?
Ato rrugë të çojnë nëpër plazhe. E unë s’jam nisur t’ja heq vetes e ta ndot detin me baltë propagandistike bolshevike. Një zgjidhje mund të ishte që nëpërmjet njërës prej atyre rrugëve të shkoj tek Kalaja e Bashtovës. Baltë kurviste brenda mureve të kështjellës mesjetare?! Punë që s’bëhet.
Ta kaloj Urën e Rrogozhinës t’ja ther në Divjakë ose Lushnje? E pamundur. Përtej urës vigjëlon myzeqari demokrat më i flaktë që ka parë historia, Roçi Xhepa. Roçi të nisi të më llafosi mua për kohën e kulakllëkut, dhe unë të nis t’i mollois Roçit adhapet e mia, s’mbarojmë kurrë, mbetem në Çermë gjashtë muaj.
Drejt Rrogozhinës dhe Peqinit?
Duket e vetmja zgjidhje për të gjetur një vend të përshtatshëm për të shkundur baltën propagandistike kurviste, si atë të printuar dhe atë elektronike.
Peqini dhe katundet e Peqinit tashmë s’dallohen aspak nga qytetet e vogla dhe katundet e Italisë së jugut. Do ta heq nga trupi baltën bolshevike të Tiranës duke bërë muhabet me demokratat peqinas.
Fjalë goje. Nga Rrogozhina Peqini më rrëshqiti para syve pa e vënë re fare. Kanë një të keqe autostradat, i shkurtojnë distancat.
Pasi më iku nga duart Peqini, them me vete; Po vazhdova me justifikime dhe baltra që këtu hiqen e atje s’hiqen, s’do ta flak dot kurrë baltën, do më mbetet në tru dhe në trup për gjithë jetën.
Me të kaluar Peqinin, autostrada bëhet si autostradat e Kalifornisë. Në të dy anët e Shkumbinit, si splash-a ngjyra-ngjyra hedhur mbi faqe kodrash nga një piktor modern, rrezëllijnë katunde magjepsës. Aty Suzuki nis e dridhet. Kali SUZUKI diçka nuhati. Kuajt janë largpamës. Ndal. Dal të shoh mos ka ndonjë problem kali, ndonjë rrip i këputur a ndonjë gjë tjetër. Gjithçka në rregull. Iki. Duke ikur dridhjet shtohen. Vë re diçka; Po ta kthej timonin pak nga e djathta, dridhjet paksohen, po ta kthej nga e majta, shtohen. Çfarë ka kali që hedh ickla ?! Diku bëj një eksperiment. E kthej pak yzengjinë e kalit, domethënë timonin e Suzukit, në një kthesë nga e djathta. Dridhjet dhe shkuma nga goja e kalit paksohen, por nuk ndalin. Pak matanë Pajovës ku lokalet, dyqanet, bizneset, karburantet, banderolat, të gjitha janë blu, kali, pasi hodhi disa shkelma, nguli këmbët në tokë dhe s’lëvizi. Aty ç’bëra ? Një ta kthyer frerin më të djathtë drejt një ure mbi Shkumbin. Kali u qetësua. Dhe balta komuniste më nis të shkrijë e të rrjedhë.
Matanë urës s’bëhet fjalë për naze japoneze, turfullima, hingëllima, ickla, shkelma. Këtu nis Dumreja magjike. Tabloja që shtrihet para syve është një incanto e pafundme. Ndjej çorapet të më lagen. Janë baltrat e shkrira nga trupi dhe truri që rrjedhin drejt tokës. Fshatrat plot me shtëpi të reja, ara të mbjella, blerimi marramendës i korijeve, e të tjera e të tjera.
Ndonjëri që nuk e ka parë me sy Dumrenë dhe lexon këto rradhë thotë: Hë mo se ky i bën shumë idilike këto gjëra.
Por këto pamje janë 1000 herë më idilike se arrin pena ime modeste ta shprehi. Çfarë të bëj unë? T’i nxij me zor këto ylbere? T’i bëj me pahir prozaike këto magjira?
S’e bëj dot. Se ja, më pengon kjo Zonja katundare që idilizmit panoramik i shton idilikë njerëzore gjithë lëng jete Dumreje; Zonja ka katër çupa. Tre të martuara në Greqi me emigrantë. Emigrantët kanë ardhur enkas i kanë rrëmbyer perritë e Dumresë dhe i kanë marrë me vete. Zonja po vete tek shtëpia e njërit prej dhëndurëve në atë fshatin atje matanë që quhet Trash. Që fshat i thënçin, se, në fakt, në këto vite, në këtë Trash, janë grumbulluar aq shumë pasuri sa në kohën e kurvit s’ka pasur Lushnja, Kavaja, Fieri, së bashku.
-E mban mënt kooperativën e kurvit ti ? pyes njërin që vjen përball me një tjetër kalë niponik, një NISAN sa një vagon treni.
-Mos ma kujto se më dridhet mishi, thotë banori i katundit Shez të Dumresë.
Ndërkohë kali im rrëshqet mbi asfalt si mbi vaj. Po ashtu rrëshqasin edhe baltrat propagandistike, dhe ndjej lehtësimin.
Karburante, servise, vila, ara të mbjella, kodra të buta, baxha, dhe natyrisht të kudondodhurat fuoristrada.
Ky vend i çuditshëm është i tëri një makth i bukur që s’ka të mbaruar. Një makth, ku mund të jetë e mërkurë, por të duket e martë. Ku pas së premtes vjen një tjetër e premte. E hëna zgjat tre javë. Jo rrallë e shtuna dhe e djela nuk ekzistojnë. Kodrat i bien flautit. Liqeret luajnë në Harpë. Qielli në violinë. Interneti nuk është shpikur. Për email s’bëhet fjalë. Peshqit e liqereve kullosin bar nëpër korije. Skrapari ndodhet prapa kodrës. Lushnja krahaqafë me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë nën një hënë të zbehtë në mes të ditës. Dy kthesa më tutje shtrihet Gjermania. Italinë mund ta prekësh me dorë. Amerika po bën muhabet me ca çuna në një kafene. Shkodra topless ta bën me dorë ta marrësh deri në Çërragë. Lezha po lan Benzin me ujë pusi. Puka ka ndalur në mes të rrugës se i është çpuar goma. Larg në horizont kullosin dele me përmasa kilometrike që i ruan një bari me gunë dhe kërrabën që i nis në Rroskovec kalon mbi Shpirag dhe mbaron në majë të Tomorrit. Po të hysh në një rrugë që të çon në mbretërinë e serave Hysgjokaj, kur të kthehesh sheh me habi se në qiell po ndrijnë dy diej, ndonjëherë edhe tre, madje edhe pesë. Pas një vizite që mund t’i bësh fshatit Matjan, që është fshati i Dëshmorit të parë të NATO-s Hamit Matjani, kur kthehesh liqeret i gjen plot me raki.
Belshi, liqeret parajsore, rruga e asfaltuar, korijet e blerta, arat e mbjella, i njëjti makth që ta mbush trurin me gjak, dhe natyrisht t’i shkrin baltrat.
Njëri më i hatashëm se tjetri, me radhë, fshatrat; Seferan, Çepë, Hardhi’, Fjerëz, Çërragë, Kosovë e Madhe, Kosovë e Vogël.
-Si keni jetuar në kohën e kurvit?
-Më keq se qeni, më pis se morri, më të heshtur se krimbi, më të uritur se çakalli, më të etur se Sahara.
Grua e re që shkul qepë në kopësht thotë se burrin e ka në çmendinë në Elbasan. E rrahu shumë herë policia greke duke kaluar kufirin pa pasaportë, dhe e zuri ajo sëmundja, si quhet dreqi se e harrova, ah po, mu kujtua, depresion, dhe u çmend.
Tjetër Zonjë fshati. Rreth të pesëdhjetave. Unë, thotë Zonja, isha në arë, mora spinaq. Tani po kthehem. Do bëj një byrek. Jam e lumtur.
Zonjë o Zonjë kij mëshirë, mos më luaj nga fiqiri. Arë, spinaq, byrek për drekë për burrin dhe kalamajtë! Lumturi të tillë, kaq të vërtetë, kaq të plotë, kaq të përsosur, s’e kam hasur as imagjinuar kurrë. Të kam zili o Zonjë e Madhe rrethuar me Liqere.
Dumreja ka qenë plot me pyje të dendur. I preu kurvi që j’u djegtë varri. Të mos fshiheshin heronjtë e vërtetë të Shqipërisë, diversantat. Duhet pyetur për këtë i gjithdijshmi Artistokrat Shefqet Deliallisi, Prefekti i Elbasanit.
Të vetmit që vështrimit tim pyetës "Si e kaloni ?" ju përgjigjën me shtrembërim turiçkash ishin dy mesoburra. Kot i pyeta. E kishin të shkruar në ballë që ishin klysha kurvi. Kishin dhe një shenjë dalluese cilës rrace i përkisnin. Të dy hipur mbi gomar. E kam nga përvoja; Demokratat nuk hipin kurrë mbi gomar. Komunistat nuk lenë gomar pa i hipur.
Në "Kosova e Vogël" duket sikur këtij makthi të bukur i vjen fundi.
Jo-jo, prit edhe pak.
Diku dikush po lan çizmet nga balta. Jo nga balta propagandistike, nga balta e arave.
Baltë për baltë, thashë me vete, unë baltë bolshevike ky baltë bujqësie, po i flas;
-Ti mor Zotni, a hyre nga asfalti për të vajtur tek serat ? i them.
-Po, ma pret.
-Pra je duke vajtur nga pastërtia tek balta. Po të veje nga balta tek pastërtia duke pastruar paraprakisht çizmet, do ta kuptoja këtë veprim tëndin. Por kështu si bën ti, që pastron baltën para se të hysh në baltë, un s’kuptoj asgjë.
-E paske në terezi ti. Ore unë jam Kryetari i Partisë Demokratike i fshatit "Kosovë e Vogël" po të them. Më quajnë Bektash Nezha. Çfarë çizmesh e çfarë pastërtish thua ti. Ne kemi qenë 70 shtëpi kulakësh në fshat. Për të ardhur këtu duhej leje e posaçme nga Dega e Brendshme e kurvit. Mos më pyet më për baltra dhe çizme.
-Pse mos të pyes ?
-Sepse tani jam...
-Si je tani ?
-I lumtur.
Faleminderit Bektash Nezha.
Me të dalë nga "Kosova e Vogël" makthi i bukur bashkë me baltën bolshevike, mbarojnë.
Më tutje ka bukurira të tjera. Por jo si Pajovë-Kosovë e Vogël ku sapo isha, hoqa baltën, e desh’ më lojti mendja.
Në të dalë të Lushnjes, kali japonez nis ca ickla si ato të Pajovës. Hec, i them kalit, dhe i bie me yzengji, domethënë i jap gaz, hec, mos bëj naze, ky është vendi im, që e dua pafund.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›