Kryeministri Berisha i dërgon një mesazh urimi z. Mahmoud Jebril, Kryetar i Këshillit Transitor Kombëtar të Libisë
Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi z .Mahmoud JEBRIL, Kryetar i Këshillit Transitor Kombëtar të Libisë. Në këtë mesazh Kryeministri i përcolli z. Mahmoud JEBRIL, në emrin e tij, të qeverisë dhe të qytetarëve shqiptarë, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore, për një epokë të re të suksesshme në realizimin e aspiratës madhore të qytetarëve libianë për liri, rindërtim dhe zhvillim të mëtejshëm të vendit, pas daljes nga skena njëherë e përgjithmonë të ish - diktatorit Muammar Gaddaf.
Në këtë mesazh, Kryeministri shkruan:
“I nderuar zoti Kryetar,
Kam kënaqësinë e veçantë që në ditën historike, për Libinë dhe kombin tuaj, mik të shqiptarëve, por edhe për çdo qytetar të lirë të planetit tonë, të daljes nga skena njëherë e përgjithmonë të ish - diktatorit Muammar Gaddaf, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për ju personalisht, për Këshillin Transitor Kombëtar dhe për mbarë vendin tuaj, për një epokë të re të suksesshme në realizimin e aspiratës madhore të qytetarëve libianë për liri e për rindërtimin e zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Shqiptarët urojnë që vrasja e tiranit Gaddaf të jetë një ngushëllim për familjarët e mijëra e mijëra burrave dhe grave, fëmijëve e të moshuarve libianë, që ranë në pranverën arabe nga barbaritë e tij, dhe u bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të pafajshme të prehen në paqe.
Qeveria dhe populli shqiptar ka ndjekur me vëmendje të veçantë përpjekjen titanike të popullit libian për liri dhe ka mbështetur që në fillim veprimtarinë e Këshillit Transitor Kombëtar dhe programin e tij për një Libi demokratike. Si vend anëtar i NATO‑s, Shqipëria mbështeti fuqishëm të gjitha përpjekjet e NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar për shpëtimin e popullatës së pafajshme nga masakrat që po përgatiste regjimi i kriminelit më të madh në historinë moderne të Libisë, i cili meritonte ndëshkimin më të ashpër që njeh ligji ndërkombëtar për krimet e rënda kundër njerëzimit, të kryera nga ish - diktatori ndaj popullit të tij.
Shqiptarët festojnë sot së bashku me ju këtë ditë të shënuar, që i jep fund robërisë 42-vjeçare të kombit tuaj.
Dëshiroj, me këtë rast, t’ju siguroj se qeveria shqiptare mbetet e vendosur të mbështesë edhe në të ardhmen aspiratat e larta të popullit libian për demokraci e zhvillim dhe për ndërtimin e një bashkëpunimi të gjerë në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë.
Me sigurimet e konsideratës sime më të lartë,
Juaji
Sali BERISHA”
25/10/2011