E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron ish-të dënuarin dhe të përndjekurin politik, Vasil Dhimitri, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”

24 tetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, dekoroi sot në mjediset e Presidencës në një ceremoni zyrtare, ish-të dënuarin dhe të përndjekurin politik nga regjimi komunist, Vasil Dhimitri, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, Drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, zoti Adrian Kati, përfaqësues të tjerë të shoqatave të të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, miq e familjarë si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit Shqiptar shprehu nderimin dhe vlerësimin e lartë për kontributin e zotit Vasil Dhimitri ndër dekada, duke e dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Për guximin dhe kurajon e treguar në pjesëmarrjen që nga fillimet e lëvizjes demokratike për përmbysjen e regjimit komunist dhe për qëndresën ndaj torturave çnjerëzore nga policia e shtetit diktatorial”.

Me këtë rast, zoti Vasil Dhimitri shprehu mirënjohjen duke theksuar:

“I nderuar zoti President!
Të nderuar miq e dashamirës që ndodheni këtu duke më nderuar mua dhe familjen time!

Zoti President,

Dëshiroj t’ju falenderoj për vlerësimin që më keni bërë si një nga protagonistët kryesorë të “Demonstratës së Heshtur” të Tiranës, që daton afërsisht 21 vjet më parë! Njëkohësisht, dua të falenderoj dhe Shoqatën Mbarëkombëtare të të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të cilët bënë propozimin për këtë dekoratë! Njëkohësisht ky vlerësim u dedikohet edhe qytetarëve të Tiranës, që protestuan ashtu të heshtur, pavarësisht nga masat e egra që kishte marrë ai pushtet nën presionin e ditëve të fundit të tij. Me dëshirën e ethshme dhe aprovimin e heshtur të të gjithëve, në një ditë të caktuar nga Zoti dhe në një orë të urdhëruar nga Perëndia, gjatë pasdites së vonë të 28 janarit 1990, një pasdite sa e qetë aq edhe e egërsuar, por plot shpresë, kur zëri i madh i Tiranës, qytetarët e saj, që u mblodhën në Sheshin ‘Skënderbej’ për t’u thënë fundërrinave kriminale: ‘Shporruni!’

Demonstrata e heshtur ishte lëvizja e parë qytetare që nga viti 1944 kundër regjimit komunist më të egër në Evropën Lindore. Ishte shkëndija që ndezi njëra pas tjetrës të gjitha ngjarjet e tjera të atij viti. Historianëve nuk u ngelet gjë tjetër veçse të shkruajnë me vërtetësi historinë e këtij vendi, prandaj uroj dhe dëshiroj që hulumtimi dhe mishërimi i ardhjes së demokracisë, dhe ndërrimi i atij sistemi, të shkruhet ashtu siç ishte në të vërtetë! Ju faleminderit!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›