E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon mesazh ngushëllimi kryeministrit turk Recep Tayyip Erdoğan

Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh Kryeministrit turk z. Recep Tayyip Erdoğan, ku në emër të tij dhe të qeverisë shqiptare, si edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave, qeverisë dhe popullit mik turk, për tre marinarët turq që humbën jetën në aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtarë 20 milje larg portit të Durrësit.

Në mesazhin dërguar homologut turk, Kryeministri Berisha thekson se një operacion i gjerë kërkimi është angazhuar për gjetjen e 5 personave të tjerë që rezultojnë të humbur.

Në këtë mesazh Kryeministri Berisha shprehet:

"I dashur zoti Kryeministër,

Me keqardhje të thellë kam mësuar për aksidentin tragjik të përplasjes së anijes së pasagjerëve “Ankara” me anijen “Reina 1”, ndodhur në ujërat ndërkombëtarë 20 milje larg portit të Durrësit, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën tre marinarë turq dhe pesë të tjerë konsiderohen të humbur.  Më lejoni t’ju përcjell juve dhe, përmes jush, familjeve të viktimave të kësaj fatkeqësie të rëndë, qeverisë dhe popullit mik turk ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare si edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Dëshiroj me këtë rast t’ju bëj me dije se qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pas ngjarjes së rëndë, duke nisur një operacion të gjerë kërkimi në të cilin janë angazhuar disa anije të rojes bregdetare, si edhe një helikopter. Dy anëtarë të ekuipazhit  janë shpëtuar, dhe ndodhen tashmë jashtë rezikut në Spitalin Rajonal të qytetit të Durrësit, ku po marrin kujdesin e plotë shëndetësor. Ndërkohë, po vijojnë përpjekjet intensive për gjetjen e pesë të humburve, të ndihmuara edhe nga anija turke "Barbados", për të cilën gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë. Duke shpresuar që këto përpjekje të japin rezultatin e dëshiruar, shqiptarët luten së bashku me popullin mik turk, që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të prehen në paqe.

Me sigurimet e konsideratës më të lartë,

JUAJI
SALI BERISHA"

22/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›