Kryeministri Berisha i dërgon një telegram urimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, z. Li Keqiang
Në këtë telegram, Kryeministri Berisha shprehet:
“I nderuar Zoti Kryeministër,
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj Kryeministër i Republikës Popullore të Kinës, t’Ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e rëndësishme përpara. Kam ndjekur me vëmendje e vlerësim prezantimin e vizionit Tuaj qeverisës dhe mbetem me bindjen e thellë se nën drejtimin Tuaj, me largapamësinë, përkushtimin dhe integritetin që Ju karakterizon, Kina mike do të vijojë rrugën e reformave e të suksesit në shërbim të zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të saj, si edhe në shërbim të paqes e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Jemi shumë të lumtur që dy vendet tona ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera, mbështetur në ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale mes dy popujve tanë, ndaj unë pres me padurim për të vijuar e thelluar bashkëpunimin e ngushtë me Ju dhe qeverinë Tuaj në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë në dobi të së mirës të të dy popujve. Marrëveshja e Partneritetit Strategjik, nënshkruar katër vite më parë në Pekin, përbën një bazë e kuadër solid e të shkëlqyer në këtë aspekt dhe unë dëshiroj me këtë rast t’Ju ripohoj vendosmërinë e qeverisë sime për të mirëpritur e mbështetur investimet nga vendi Juaj, të cilat do të shndërrohen në histori suksesi si për investitorët kinezë, ashtu edhe për Shqipërinë.
Duke Ju uruar edhe një herë suksese në përmbushjen e misionit Tuaj fisnik, shfrytëzoj këtë rast për t’Ju përcjellë njëherazi dëshirën time për t’Ju pritur në Tiranë, si mik i madh e i shquar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, në kohën më të përshtatshme për Ju.
Me sigurimet e konsideratës e respektit tim më të lartë,
Juaji,
Sali Berisha”
19/03/2013