E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ndjek ceremoninë e inaugurimit të Papës Françesko I, në Vatikan

Me ftesë të Selisë së Shenjtë, Kryeministri Berisha ndoqi sot meshën e inaugurimit të Papës Françesko I, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan (Romë). E pranishme ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli.

Pas ceremonisë së inaugurimit papal, Kryeministri Berisha dhe zonja Topalli u patën një takim përshëndetës me Papa Françeskon I.  

Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një ditë historike dhe një meshë mbresëlënëse, si dhe shprehu kënaqësinë që pati rastin t’i shprehte personalisht urimet më të mira Papa Françeskos I, në misionin e tij hyjnor.

Në një prononcim për mediat, Kryeministri u shpreh:

“Ditë historike për Romën dhe botën. Papa Françesko I dha meshën e tij madhështore, e ndjekur mbi 1 milionë besimtarë të ardhur nga mbarë bota dhe shumë prej tyre nga Shqipëria, në prani të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të  130 vendeve. Ishte vërtet një ceremoni shumë madhështore e mbresëlënëse.

Papa Françesko I ka zgjedhur të jetë papa i dhembshurisë njerëzore, i përkujdesjes për ata që janë në nevojë e të varfër. Pata rastin të shtrëngoj dorën shumë miqësisht dhe t’i uroj sukseset më të mëdha, në misionin e tij hyjnor në udhëheqje të Kishës Katolike botërore, por edhe ta ftoj të vijë në Shqipëri si një mik i madh e i shquar i popullit shqiptar.

Nuk mund të mos theksoj një koincidencë fatlume në karrierën time politike. Që nga viti ’92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë, nga Papa Gjon Pali II tek Papa Françesko I, çka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme, për të mos thënë që edhe qielli vegoi. Por të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, drejt fitores së bekuar nga Ati i Shenjtë.”

Në Vatikan, Kryeministri Berisha pati një takim edhe me Kryeministrin e Kosovës HashimThaçi, që kryesonte delegacionin e Kosovës në ceremoninë e inaugurimit papal.


19/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›