E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret përfaqësuesin e Komisionit Evropian në vendin tonë, Ambasadorin Helmut Lohan.

15 tetor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot përfaqësuesin e Komisionit Evropian në vendin tonë, Ambasadorin Helmut Lohan, i cili i dorëzoi Kryetarit të Shtetit shqiptar Raportin vjetor të Përparimit që ky Komision ka hartuar për Shqipërinë.

Në këtë takim, Presidenti Topi falenderoi Ambasadorin Lohan për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë në procesin e përmbushjes së standardeve dhe kërkesave për integrimin në familjen e madhe evropiane, ku vendi ynë dhe populli shqiptar aspirojnë të jenë pjesë me arritjet dhe vlerat e tyre më të mira. Presidenti vuri në dukje përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga shtetit shqiptar me këtë asistencë për forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e institucioneve, forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë dhe profesionalizmin e medias, respektimin e të drejtave të njeriu dhe nënvizoi se ne jemi të vetëdijshëm për punën dhe sfidat e reja që na presin, për përballimin e së cilave kemi vullnetin dhe angazhimin maksimal.

Pasi i dorëzoi Presidentit Topi Raportin vjetor të Përparimit të KE-së, Ambasadori Lohan shprehu kënaqësinë për këtë takim me Kryetarin e Shtetit duke vënë në dukje rolin pozitiv të Presidentit si autoriteti më i lartë moral i vendit dhe si garantues i integritetit të Kushtetutës dhe të ligjit. Ambasadori Lohan vlerësoi gjithashtu edhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›