Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin Spitallë-Porto Romano, në zonën e Durrësit, investim me vlerë 101 milion lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e ujësjellësit Spitallë-Porto Romano, në zonën e Durrësit. Ky investim kap vlerën e 101 milion lekëve dhe është financuar nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës dhe sipërfaqja ku janë shtrire tubacionet e reja të këtij ujësjellësi është rreth 850 ha. Nga ky ujësjellës përfitojnë ujë 24 orë mbi 25.000 banorë.
Gjatë fjalës së tij para banorëve të zonës së Porto Romanos, kryeministri Berisha theksoi se ujësjellësi i ri erdhi pas premtimit që ai ju kishte bërë banorëve të kësaj zone. Gjithashtu Kryeministri premtoi se pas ujësjellësit për banorët e Spitallës, Kënetës dhe Porto Romanos do të vijnë investime të tjera të rëndësishme. Kryeministri iu garantoi banorëve të këtyre zonave shërbimet më cilësore. “Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, çdo qendër shëndetësore, do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Ne do të rrisim punësimin tuaj, sepse ne jemi të vendosur të rrisim, të dyfishojmë turizmin për Durrësin, Gjirin e Lalzit dhe të gjithë brigjet e Durrësit”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësit, Spitallës, Porto Romanos.
Vëllezër dhe motra.
Zonja dhe zotërinj.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike, qeverisë dhe përpjekjeve tona të përbashkëta, për ndërtimin e një jetë më të mirë, për zhvillimin e Spitallës, Porto Romanos, Kënetës dhe të të gjithë Durrësit.
Vëllezër dhe motra.
Kam kënaqësi të madhe që vij sot këtu, pasi po në këtë shesh premtova solemnisht ujësjellësin dhe ujë 24 orë për ju. Sot ju pas një pune të madhe investimeve të qeverisë dhe ndërmarrjes së ujësjellësit jeni zona që merrni ujë 24 orë, siç e meritoni.
Ju keni ardhur në këto zona keni investuar lumenj djerse, mundi, sakrificash keni ngritur këtu një qytet të tërë, i keni dhënë Durrësit dimensionet më të mëdha në historinë e tij, keni sjellë energji të madhe dhe ne do të bëjmë gjithçka që ndërtimet tuaja, përpjekjet tuaja, bizneset tuaja të kenë shërbimet më të mira. Fjala ime për ju është se katër vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë të Spitallës, Kënetës dhe të Porto Romanos. Do të garantojmë shërbimet më cilësore do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, çdo qendër shëndetësore, do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj.
Vëllezër dhe motra.
Ne hoqëm taksën mbi makineritë dhe çdo material tjetër që ju duhet bizneseve për prodhim. Kjo do të shtojë dhe zgjerojë në mënyrë të ndjeshme bizneset, por ju këtu keni Porto Romanon , një nga portet energjetike në të ardhmen më të mëdhenj të Rajonit.
Ne do të rrisim punësimin tuaj, sepse ne jemi të vendosur të rrisim, të dyfishojmë turizmin për Durrësin, Gjirin e Lalzit dhe të gjithë brigjet e Durrësit.
Ne do të rrisim punësimin, sepse ne do të trefishojmë grantet për fermerë t shqiptarë dhe do të krijojmë në fshat një numër të madh sipërmarrjesh për punësim dhe prodhim, ne do të rrisim punësimin, sepse këtë katër vjeçar ne po ndërmarrim projektet më të mëdha në historinë e vendit. Porti i Durrësit do të marrë anije 44 mijë tonësh, do të fillojë ndërtimi i gazsjellësit TAP, projektit më të madh Europian që kalon nëpër Shqipëri.
Do të fillojë gazifikimi i mbarë Shqipërisë për të punësuar mijëra qytetarë dhe për të ulur çmimet për energjinë për ngrohje dhe gatim për çdo familje shqiptare. Këto janë premtimet tona. Të gjithë ata të cilët besojnë në zhvillimin, infrastrukturën e rrugëve, infrastrukturë moderne, ata që duan rrugë, drita, ujë 24 orë, kanalizime, krijim vendesh punë të reja, klimë miqësore për biznesin, të votojnë 44, të votojnë Partinë Demokratike.
Edhe njëherë për të patur të qartë mashtrimet e shokut të autobuzit mavi, ju ftoj të shkoni tek një biznes i vogël në qendër të Durrësit e të pyesë sesa taksa paguan nga Vangjushi (Dako) i Ramës. Shkoni në qendër të Tiranës dhe pyesni po atë biznes sesa taksa paguan në Tiranë. Në rast se taksat e Tiranës nuk janë 40 përqind më të ulëta se këtu në Durrës, atëherë ju keni të drejtë të votoni taksat e Vangjushit.
Ju bëj thirrje, ftojeni shokun e autobuzit mavi, të vijë këtu, sepse deklaron çdo ditë se jemi në mesjetë, jemi pa ujë. Më duhet ti them këtij nihilisti se vetëm pesë vite më parë, më pak se 60 përqind e shqiptarëve merrnin ujë të rrjedhshme, sot 90 përqind e shqiptarëve marrin ujë të rrjedhshme, ende jo 24 orë, por çdo javë, çdo muaj, çdo vit po rritet numri i qytetarëve që po marrin ujë 24 orë.
Prandaj i thoni shokut të autobuzit mavi hajde sille autobuzin tënd këtu, që të shpëtosh nga mesjeta e Shqipërisë, sepse këtu kemi ujë 24 orë.
Ju jap fjalën se Partia Demokratike, lumenjtë e djersës, që ju keni derdhur për të ndërtuar qytete të terë, do ti shpërblejmë për ndërtimin e infrastrukturës më moderne, që ju meritoni.
Votoni numrin 44, votoni Partinë Demokratike, votoni fitoren.
Përpara drejte fitores, përpara drejt Integrimit në Bashkimin Europian
Fitore, Fitore, Fitore!”
08/06/2013