Kryeministri Berisha prezanton në Çorovodë, kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit
Të dashur qytetare e qytetarë të Çorovodës dhe të Skraparit përshëndetjet e mia më vëllazërore, falenderimin tim të përzemërt për këtë pritje e të ngrohtë e miqësore dhe zotimin tim para jush se me deputetët e parlamentit të ardhshëm, përfaqësuesit tuaj, do të vazhdojmë të ndërtojmë në Skrapar e në çdo skaj të tij infrastrukturën moderne që ju meritoni.
Skrapari është një rreth me potenciale të mëdha. Skrapari është një territor, në të cilin banorët e saj mund të begatohen, mund të kenë mirëqenien më të mirë që meritojnë. Rrethi juaj është rrethi i grave dhe burrave punëtorë, i njerëzve të mençur e të ndershëm, njerëzve me një ambicie pozitive për të ndërtuar një jetë më të mirë. Skrapari është një rreth me pasuri të pafundme, rrethi në të cilin prodhimi, frutikultura mund të marrë zhvillim dhjetë herë më shumë se sot. Ne jemi këtu për t’u zotuar para jush se do të financojmë çdo projekt të banorëve të Skraparin për ullishte, vreshta, qershi e dru të tjerë frutorë kudo ku ti mbjellin.
Skrapari ka ndër potencialet e turizmit malor më të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Tani po ecim drejt Përmetit dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se shumë shpejt do të ecim drejt Tomorit dhe do ta bëjmë Tomorin të njohur në Europë e në botë, për potencialin e tij të jashtëzakonshëm turistik. Zotimi im është të bëjmë gjithçka për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm turistik të malit të Tomorit, në të gjitha anët e tij. Me infrastrukturën e ardhshme, ju do të keni lidhjen me Përmetin, lidhjen me Gramshin dhe në trajektoren e gazsjellësit Trans-Adriatik, rrugën me Korçën. Kam kënaqësi t’ju informoj se shumë shpejt merret vendimi për TAP, shumë shpejt gjeografia e gjendja juaj do të ndryshojë në mënyrën më thelbësore.
Skrapari ka kanionin më të gjatë e më të bukur në Shqipëri, në rajon e më gjerë. Ne ndërtuam rrugën dhe unë jam shumë i sigurt se rafting, krahas resorteve fantastike të skive do ta bëjnë Skraparin të njohur në Europë e në botë.
Në malet e tij, Skrapari fsheh gurë dekorativë, me të cilët po ndërtohen sot pallatet më të mira në Europë e në botë. Skrapari ka ujërat, në të cilat po ndërtohen e do të ndërtohen dhjetëra hidrocentrale, ku do të punësohen qindra e mijëra qytetarë të tij. Skrapari ka traditën e shkëlqyer të prodhimit të rakisë më të mirë në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka, ta bëjmë të njohur në Europë e në botë brand-in e rakisë së Skraparit.
Në këto vite, ne kemi ndërtuar rrugë në Skrapar, në të gjitha drejtimet. Dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë në fshatra e komuna, ndërtuam e rindërtuam 20 shkolla e 22 ujësjellës. Kemi financuar mbi 520 familje fermerësh për vreshta, ullishte, sera e ferma të tjera bujqësore. Ne do të trefishojmë financimet tona për fermerët e Skraparit.
Vëllezër e motra,
kjo është rruga jonë, një rrugë jo e lehtë. Ajo kalon me sakrifica, mund e djersë, por një rrugë e sigurt që çon drejt zhvillimit, begatisë, prosperitetit.
Cila është rruga tjetër?
Ktheni sytë, kur ishin në pushtet, çfarë bënë për Skraparin. Edhe rrugën Poliçan-Skrapar ia dhanë Koços dhe e katranosi. U detyruam ta asfaltojmë për së dyti dhe ju jap fjalën se segmenti i mbetur do të rindërtohet me shpejtësinë më të madhe.
Ndaj, ata, të cilët duan të shoshin Skraparin turistik, Skraparin e fermerëve që mëkëmben gjithnjë ë më shumë, Skraparin e punonjësve që ju rriten rrogat e pensionet, Skraparin e hidrocentraleve që ndërtohen njëri pas tjetrit, të votojnë Partinë Demokratike.
Unë flas lirshëm. Në nuk jam rritur rrëzë Tomorit, por jam rritur rrëzë Shkëlzenit. Ndaj do t’i kërkoj një gjë Ilir Metës, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe Edi Rama të kërkojë falje para skraparllinjve për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve. Këtë duhet ta bëjë dhe po se bëri këtë, asnjë votë. Votoni për veten tuaj. Kaq t’i kërkoni, sepse askush në botë nuk ka të drejtë t’ju fyejë juve kolektivisht. Ju keni një histori, me të cilën krenoheni dhe do të krenoheni gjithmonë, sepse në çdo rast që ka pasur nevojë kjo tokë, ju nuk keni kursyer asgjë për mbrojtjen e saj. Ndaj edhe zotëria që shëtit me autobusin mavi të vijë këtu e të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë për origjinën skraparlli ndaj aleatit të tij të sotëm.
Për të tjerat nuk kam asnjë dyshim se ju jeni njerëz të mençur dhe ai që përpiqet t’ju shesë shqiptarëve sapunin për djathë, ai është i falimentuar, i ka sheshet bosh, qytetarët e kanë braktisur, fabrikon poll-e çdo ditë, vë lente të kamerave për të zmadhuar sheshet. Ja ku jemi gra e burra të lirë që presim me padurim datën 23 qershor, për të firmosur fitoren tonë, për të firmosur statusin e vendit kandidat vitin e parë të mandatit, për të firmosur hapjen e negociatave për statusin e anëtarit të plotë, për të trefishuar fondet për fermerët, për të ndërtuar infrastrukturën në të katër anët e Skraparit. Një gjë jua garantoj, se mandatin e ardhshëm jo që nuk do të jeni më një xhep në gjeografi, por do të jeni një qendër e fuqishme e kalimit nga Korça, Përmeti, Gramshi, Berati, nga të katër anët. Fitore!. Votoni 44-n! Votoni Partinë Demokratike. Përpara! Përpara! Përpara!
07/06/2013