Kryeministri Berisha inauguron Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut Urban, në Tiranë
Kryeministri Berisha vlerësoi maksimalisht realizimin e këtij projekti që synon përmirësimin e trafikut në kryeqytet, gjendja e të cilit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se falë ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vitet e fundit, më kryesori sistemi i sheshit “Skënderbej”, është arritur të përmirësohet cilësia e ajrit. “Ndotja e ajrit në sheshin e qytetit dhe te ‘21 Dhjetori’ e tejkalonte 2-3 herë çdo lloj limiti dhe kalonte në nivelet e rrezikut edhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më sot. Këto aparatura tregojnë se sot qytetarët e Tiranës thithin ajër të atyre standardeve dhe normave si në qytetet miqësore ndaj mjedisit”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe angazhimin e kryetarit të bashkisë, zotit Lulzim Basha, i cili po bën realitet iniciativën e shpallur prej vetë atij dhe Partisë Demokratike – Tirana një qyteti shëndetshëm. “Sot është kënaqësi e madhe për mua t’ju afirmoj se qeveria do të mbështesë vendosmërisht, si një interes kombëtar, çdo projekt të madh në këtë qytet”, tha Kryeministri Berisha. “Ne, - theksoi Kryeministri, - do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në lartësinë e ëndrrës së qytetarëve të saj”.
***
Elementet e Qendrës së Kontrollit të Trafikut Urban janë sipas kësaj arkitekture: Qendra Operacionale e Kontrollit (TOCC) e pajisur me serverë dhe poste pune kompjuterike për operatorët e menaxhimit të sistemeve, mbledhjen e të dhënave nga gjithë pajisjet e nënsistemeve dhe stacioneve në rrugë nëpërmjet sistemeve bashkëkohore të komunikimit si 3G dhe Fibër Optike; nënsistemi Urban Traffic Control (UTC), ku është realizuar vendosja e sistemeve të reja të pjesës së kontrollorëve ekzistues në 51 kryqëzime, instalimi dhe vënia në punë në 9 kryqëzimeve të reja, instalimi i teknologjisë LED në 4 kryqëzimet e planifikuara për vendosje UPS, furnizimin me UPS në 4 kryqëzime semaforike; nënsistemi i Tabelave elektronike me mesazhe të ndryshueshëm (VMS), ku është realizuar instalimi i tabelave flag në 5 vendndodhje; një tabelë Gantry VMS, me një pictogram dhe 3 rreshtame nga 20 karaktere me teknologji LED; një program aplikativ qendror për VMS, i cili është instaluar në TOCC; instalimi i sensorëve rrugorë për të mbledhur informacion në lidhje me trafikun pranë VMS, të integruar me sistemin UTC; Close Circuit Television System (CCTV) – Kamerat, ku është ka përfunduara infrastruktura dhe instalimi i 23 CCTV kamerave; një program aplikativ qendror për CCTV, I cili do të instalohet në TOCC; një nënsistem për rrjetin e telekomunikimit, Telecommunication Network (TN), ku është realizuar furnizimi i shërbimit 3G dhe të internetit, është bërë instalimi i Fibrës Optike në TOCC për lidhjen me sistemin Albtelekom, është koordinuar procesi për instalimin e FO në lidhjen e pajisjeve të T-UTC në kryqëzime, si dhe është bërë lidhja e 66 kryqëzimeve në Networkun e FO të Albtelekom.
Në fjalën e tij, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të kompanive që keni realizuar këtë projekt të mrekullueshëm, i cili e vendos Tiranën në listën e qyteteve më moderne në rajon dhe në Evropë për sa i përket kontrollit të trafikut dhe që është i një rëndësie jetike për banorët, për vizitorët dhe turistët e kryeqytetit.
Vetëm pak muaj më parë, Tirana bëri një lajm të madh në botë. Ajo u rendit në 20 qytetet më inteligjente të botës, qytete të cilat u ofronin qytetarëve të tyre shërbimet më të mira, të teknologjisë së lartë.
Ky inaugurim është një hap i madh i vendosjes së teknologjisë së lartë në shërbim të qytetarëve. Në bashkinë e Tiranës këto dy vjet kanë ndodhur ndryshime serioze, por për mua arritja e të gjitha arritjeve në këtë territor, në këtë kryeqendër të vendit dhe të kombit, ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”. Aparaturat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prej shumë vitesh e dëshmonin kryeqytetin si një qytet lartësisht kancerogjen. Ndotja e ajrit në sheshin e qytetit dhe te ‘21 Dhjetori’ e tejkalonte 2-3 herë çdo lloj limiti dhe kalonte në nivelet e rrezikut edhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më sot. Këto aparatura tregojnë se sot qytetarët e Tiranës thithin ajër të atyre standardeve dhe normave si në qytetet miqësore ndaj mjedisit.
Zoti kryetar i bashkisë,
Ka qenë zotimi yt dhe i Partisë Demokratike iniciativa – Tirana një qyteti shëndetshëm. Unë ju përgëzoj për këtë. Me guxim, me një grup arkitektësh dhe urbanistësh të rinj ju transformuat sheshin “Skënderbej”. Qytetarët e kanë pëlqyer shumë. Edhe kritikët, të cilët kanë të drejtat e tyre, sot janë të bindur se ai shesh, në historinë e tij, kurrë nuk ka qenë më njerëzor sesa pas transformimit të shpejtë që i bëri kryetari.
Gjëja më e çmuar dhe më e rëndësishme për një qytet është se sa ky qytet i shërben dhe se si i shërben qytetarit, sa njerëzor dhe sa i shëndetshëm është ai. Tirana ka një klimë të mrekullueshme. Tirana cilësohet si një nga vendet me klimën më të mirë. Rikthimi i normalitetit në trafik, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra do ta bëjnë Tiranën një nga qytetet më të shëndetshme në rajon dhe me gjerë.
Me këtë rast më lejoni të falënderoj përzemërsisht Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila është një nga institucionet e para që konstatonte problematikën e madhe të akumuluar në kryeqytetin tonë dhe që shprehu gatishmërinë e saj për të ndihmuar qytetin e Tiranës. Vite më parë, në një vizitë që zhvillova në zyrat qendrore të tyre në Londër, Presidenti i saj mu drejtua njerëzisht dhe më pyeti nëse ne si qeveri do të pranonim të na jepnin një kredi për bashkinë e Tiranës. Unë iu përgjigja pa asnjë hezitim, se isha plotësisht dakord. Dhe ajo nuk ishte një kredi e vogël. Por çfarë ndodhi? Kredia do të ishte për unazën. Unaza kishte një segment brenda qytetit dhe segmenti tjetër kryesor ishte në Farkë. Normalisht, një investim i tillë i takon qarkut, sepse ai është autoriteti mbi të dy njësitë, por ne nuk insistuam dhe thamë le ta ketë bashkia. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim bëri çdo përpjekje, ndërkohë që ne si qeveri pranuam çdo kusht për kredinë, por bashkia nuk i pranoi kurrë ato kushte. Banka kërkoi të ngremë një komitet të përbashkët, por u refuzua nga bashkia. Në çdo gjë jo të mirë, populli thotë – ku fle lepuri? Lepuri flinte te Koçua. Se po të ishte një komitet, do të kishte transparencë. Kjo është e vërteta.
Bashkia po bën ndryshime të mëdha. Ajo ka hapur punë të mëdha, por përsëri jam këtu për të garantuar qytetarët e Tiranës se pavarësisht nga pozicionet politike të kryetarit të mëparshëm dhe të miat, ne kemi trefishuar buxhetin për bashkinë e Tiranës. Unë kujtoj si sot kur së bashku me kryetarin e bashkisë Xhafzotaj z. Agim Hoxha inauguruam një rrugë, e cila u shtohej dhe bënte që në këtë bashki të ishin ndërtuar edhe rindërtuar gjithsej 49 kilometër, ndërkohë në kryeqytetin e vendit ishin vetëm 12 kilometër. Edhe çdo qytetar e dinte se po të ikje nga qendra, dilje baltë. Dhe të gjitha këto, sepse ato fonde avullonin.
Qeveria ia dha modelin kryetarit e bashkisë, por ai kishte modelin e tij. U dhanë 21 milionë euro për shkollat, të cilat nuk u ndërtuan kurrë. Nuk u ndërtuan, sepse shkollat kërkonin troje dhe trojet i hanin pallatet. Nxënësit e Tiranës mbetën si në asnjë qytete tjetër të Shqipërisë sot. Kjo është kohë e shkuar. Unë u ndala në këtë analizë edhe si një detyrim transparence ndaj qytetarëve të Tiranës. Kurrë ndonjëherë, nga dita e parë në pushtet e deri më sot, nuk më ka shkuar mendja dhe nuk mund të imagjinoj të injoroj domosdoshmërinë jetike të investimeve të mëdha në këtë kryeqendër të vendit.
Zoti Basha shpalosi një vizion para qytetarëve të Tiranës. Ai ishte vizioni i Partisë Demokratike për qytetin e Tiranës, vizion të cilin ne e mbështesim plotësisht. Ne e mbështesim dhe do ta mbështesim atë, do të bëjmë gjithçka që koha e humbur dhe prapambetja e Tiranës në infrastrukturën jashtë qendrës të kompensohet sa më shpejtë. Projektet janë të mëdha.
E vërteta është se këtë vit nis jetë Tirana e shekullit XXI. Me bulevardin e madh që priste prej vitesh dhe që fillon shumë shpejt ndërtimi; me sistemimin e lumit të vetë të mrekullueshëm, i cili do të shndërrohet në një nga zonat më rekreative për qytetarët e saj; me vendosjen më vonë të sistemit të tramvajit, Tirana do të listohet krahas simotrave të veta evropiane.
Shqiptarët po ecin drejt Evropës. Destinacioni ynë jetik dhe vendimtar është Evropa, por do të bëjmë gjithçka që të ecim me dinjitet, të paraqitemi me dinjitet dhe Tirana i ka të gjitha mundësitë. Kudo që shkoj nuk gjej një panorama kaq të bukur, një pozicion gjeografik dhe një klimë si kjo e kryeqytetit tonë.
Zoti kryetar i bashkisë,
të dashur qytetarë të Tiranës,
Sot është kënaqësi e madhe për mua t’ju afirmoj se qeveria do të mbështesë vendosmërisht, si një interes kombëtar, çdo projekt të madh në këtë qytet. Tirana është ëndrra e çdo shqiptari, kudo që ai jeton. Në të katër skajet e Shqipërisë dhe kudo që ndodhet, mendjen dhe dëshirën më të mirë e ka në Tiranë. Ne do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në lartësinë e ëndrrës së qytetarëve të saj.
Unë ju përgëzoj juve, përgëzoj ekipin e bashkisë, falënderoj me mirënjohje qytetarët e Tiranës, përulem me nderimin më të madh para tyre, sepse me atë manifestim madhështor, me uraganin madhështor të tyre, ata dëshmuan njëkohësisht se qëndrojnë në anën e vlerave, se ata nuk mund të pranojnë kurrë dhe ndjehen të ofenduar nga aleanca e amalgamave të të gjitha llojeve që nuk i shërbejnë Tiranës, nuk i shërbejnë Shqipërisë.
Edhe një herë faleminderit shumë zoti kryetar që ke shpallur një përparësi të madhe, trafikun, i cili më shumë se me çdo gjë tjetër ka të bëjë me shëndetin e fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave tona, vogëlushëve tanë dhe që në një hark të shkurtër kohor e nxore Tiranën nga harta e qyteteve lartësish kancerogjene.
Faleminderit shumë!”
14/05/2013