E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron terminalin e ri të doganës së Tiranës

Kryeministri Berisha inauguroi sot paradite terminalit e doganës së re të Tiranës, në Vorë – Rinas. Dogana e re, investim me vlerë 25 milionë dollarë, shtrihet në një sipërfaqe prej 75.500 m², në të hapen si fillim 400 vende të reja pune, me perspektivë shtese rreth 120 persona në vit.

Kapaciteti përpunues ditor i saj është 420 kamionë, 120 furgonë dhe aktualisht përpunohen rreth 200 kamionë në ditë. Në mjediset e saj, krahas të gjithë ambienteve sociale, janë akomoduar 44 agjenci doganore, si dhe banka, shoqëri sigurimesh, shërbime postare, shërbime të kontrollit sanitar, kimik, etj. Terminali është siguruar 100 përqind me kamera kontrolli dhe magazina doganore me sipërfaqe 10.000 m².

Avantazhet e këtij investimi janë se rrit besueshmërinë e biznesit ndaj administratës doganore dhe përmirëson ndjeshëm imazhin e saj; minimizon  shfaqjet korruptive dhe rrit efektivitetin e luftës kundër kontrabandës; ulet koha e qëndrimit të subjekteve në doganë, pasi terminali i ri siguron 13 kontrolle fizike njëherësh; mundëson mbrojtjen e markës dhe patentës, shëndetit publik dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Vendosja e terminalit jashtë qytetit të Tiranës, gjithashtu, lehtëson dhe përmirëson  ndjeshëm qarkullim e mjeteve në hyrje të Tiranës.

Në këto vite për modernizimin e doganave janë investuar 28 milionë euro, investim i cili ka sjellë rritje të nivelit të të ardhurave rreth dy herë, krahasuar me vitin 2005; ka sjellë ulje të nivelit të kontrollit fizik pas implementimit të sistemit të skanimit, pasi kontrolli fizik nga 100 përqind që ishte në 2005, në vitin 2012 është 10 përqind dhe me tendence ulje të mëtejshme; ka ulur kohën e zhdoganimit, nga 457 minuta në vitin 2011 në 206 minuta ne 2013; ka sjellë reduktim të dokumenteve në eksport  nga 7 ne 3 dhe import nga 8 ne 4, si edhe rritje të transparencës ndaj biznesit; ka rritur transparencën nëpërmjet krijimit të portalit ku çdo biznes mund të konstatojë të gjitha stadet e deklaratës dhe nivelin e kontrollit, si edhe mundësinë e marrjes se informacionit nëpërmjet fletores zyrtare,  të pasqyruar në faqen ëeb-it; ka rritur niveli e kontrollit për efekt sigurie.

Në ceremoninë e inaugurimit përshëndetën edhe përfaqësues të biznesit, të cilët vlerësuan jo vetëm ndërtimin e doganës së re, nëpërmjet të cilës u krijohen lehtësira të mëdha përshpejtimin e procedurave në zhvillimin e aktivitetit të tyre, por edhe për reformat dhe vendimet e fundit që qeveria ka ndërmarrë në lidhje me biznesin, për nxitjen e tij, siç është heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, një reformat nga më përfitueset për biznesin.

Sipërmarrësja Donika Mici tha se që nga viti 1992, kur hodhëm hapat e parë në doganën e Tiranës, dogana ka bërë shumë përparime dhe është një nga sektorët më stabël në Shqipëri, që i ka dhënë biznesit shumë përkrahje dhe mbështetje. “Ky investim më jep kënaqësinë e madhe që nuk do të kemi më ato pengesa të mëdha që kemi pasur në doganën e Tiranës, për parkimin, për trafikun, për probleme nga më të ndryshmet, në mes të vapës, pa asnjë kusht. Ky është një nga investimet më të mira që është bërë sot për doganën e Shqipëri”, tha zonja Mici.          

Presidenti i shoqatës “Biznes Albania”, zoti Luan Bregasi, përshëndeti inaugurimin e doganës së re të Tiranës, të cilën e cilësoi si ‘shtëpinë e re të biznesit”.  “Kjo, - tha ai, - është një ditë shumë e gëzuar për sipërmarrjen private, kur ndjen përkujdesjen e shtetit për të rritur seriozitetin dhe për të kontrolluar veprimtarinë e biznesit në mënyrë korrekte dhe ligjore. Ky është modeli më i mirë i bashkëpunimit të shtetit me sipërmarrjen private, model që duhet nxitur dhe përkrahur nga qeveria edhe politika shqiptare, për t’i besuar më shumë sipërmarrjes private. Ky është simboli i lirisë së tregut”. Më tej, ai falënderoi qeverinë që i besoi sipërmarrjes private një mision të tillë, i uroi suksese kompanisë koncesionare dhe kompanisë që realizoi projektin, ndërsa theksoi se “kjo tregon forcën e madhe dhe shpirtin e iniciativës së lirë të sipërmarrjes private shqiptare”.

Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtij kompleksi ishte një domosdoshmëri në kuadër të përmirësimit të kushteve për biznesin.

Kryeministri Berisha u shpreh, gjithashtu, se  sipërmarrja private ka rol kryesor për zhvillimin e një vendi. “Ky kompleks është një terminal dinjitoz që u ofron biznesmenëve shërbimet më të mira, por thjesht i ofron shërbimet e merituara. Sot është një ditë në të cilën unë dua të shpreh nderimin më të madh ndaj tyre, ndaj përpjekjes së tyre, luftës së tyre të përditshme për suksesin e sipërmarrjes, guximin me të cilin ata përballojnë vështirësitë, të papriturat, ndikimet e konjukturat e tregut dhe me radhë. Ata në një sistem të lirë janë krijuesit e të mirave materiale, janë punëdhënësit kryesore të një vendi të lirë, të Shqipërisë, por edhe kudo”, tha Kryeministri.

“Më lejoni t’ju garantoj, - u shpreh Kryeministri, - se kjo qeveri e konsideron politikën miqësore ndaj jush, si platformën e palëkundur të saj”.

Kryeministri Berisha tha se “në marrëdhëniet tona mund të ketë arbitraritete, mund të ketë kundërshti, por një gjë duhet ta keni të sigurt, ka dhe do të ketë vetëm qëndrim miqësor; ka dhe do të ketë përpjekje më të madhe për mjedisin më miqësor të suksesit të investimeve dhe veprimtarisë tuaj”.

Në fjalën e tij, në këtë ceremoni Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht kompaninë Kastrati, e cila në një kohë rekord bëri të mundur këtë kompleks dinjitoz, të domosdoshëm, shumë të rëndësishëm, paraqitës për vendin, siç është kompleksi i terminalit të ri të doganës së Tiranës.

Kjo është një nga veprat e para të partneritetit publik privat dhe nga njëra anë dëshmon se çfarë potenciali i madh ekziston në këtë bashkëpunim, por nga ana tjetër dëshmon se qeveria është e vonuar në aplikimin e këtij partneriteti, në të gjitha fushat. Ai po shkëlqen në disa fusha jetike për vendin. I përafërt më të është koncesioni dhe rezultati në hidroenergji është i jashtëzakonshëm. Duhet me vendosmëri të zhdukim çdo barrierë, të thithim potencialin e jashtëzakonshëm të biznesit për interesat më të mira të qytetarëve. Është e përllogaritur se shumat që qarkullojnë në një ditë të gjitha qeveritë e botës të marra së bashku, qarkullojnë në një orë nga sektori privat. Ju garantojmë se do të bëjmë gjithçka, nëpërmjet kësaj nisme, t’u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë, të krijojmë për ta kushte jetesë, paga më të mira, punësim më të madh.

Ky kompleks është një terminal dinjitoz që u ofron biznesmenëve shërbimet më të mira, por thjesht i ofron shërbimet e merituara. Sot është një ditë në të cilën unë dua të shpreh nderimin më të madh ndaj tyre, ndaj përpjekjes së tyre, luftës së tyre të përditshme për suksesin e sipërmarrjes, guximin me të cilin ata përballojnë vështirësitë, të papriturat, ndikimet e konjukturat e tregut dhe me radhë. Ata në një sistem të lirë janë krijuesit e të mirave materiale, janë punëdhënësit kryesore të një vendi të lirë, të Shqipërisë, por edhe kudo.

Më lejoni t’ju garantoj se kjo qeveri e konsideron politikën miqësore ndaj jush, si platformën e palëkundur të saj. Ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka për një mjedis miqësor. Unë në një dialog konstant me ju jam gjithnjë i impresionuar nga objektiviteti i diskutimeve, nga objektiviteti i kërkesave tuaja. Në memorie nuk kam të regjistruar asnjë kërkesë absurde. Kjo, sepse ju të gjithë e dini që çelësi i suksesit tuaj qëndron në liritë tuaja, qëndron në respektin e lirisë së tregut. Dhe ju këtë kërkoni. Edhe ne këtë përpiqemi të bëjmë.

Unë e di se në veprimtarinë tuaj të përditshme përballeni me arbitraritete të punonjësve të administratës, të punonjësve të doganave, të tatimeve, por ju siguroj se punonjësit e administratës, të doganave dhe tatimeve do të bëjnë gjithçka për transparencën më maksimale në marrëdhëniet me ju. Punonjësit e doganave, të sistemit tatimor, punonjësit e sistemit të ministrisë së Financave janë institucionet që kanë bërë transformimet më të mëdha. Kjo është një meritë e madhe, por natyrisht janë institucionet të cilat duhet të përmirësojnë më tej punën e tyre.

Unë dje isha në Elbasan, biznesmenët e Elbasanit shprehën vlerësim të madh për këto ndryshime që janë bërë, por shtruan kërkesa të drejta, kërkuan të hiqen referencat për të gjithë mallrat që vijnë nga Bashkimi Evropian. Me qenë se kjo zonë ka transparencë të madhe, ne absolutisht do të ndërmarrim të gjithë hapat e duhur. Ata kërkuan me shumë të drejtë që jo gjithnjë pagesa e TVSH-së mund të jetë imediate, por kërkuan respektimin e radhës; kërkuan që dosjet të mos futen nën tavolinë; kërkuan barazi përpara ligjit. Ju garantoj se kjo do të ndodhë. Ne shumë shpejt, siç vendosëm M-payment, do të vendosim edhe sistemin e radhës, i cili do të jetë i pathyeshëm ndaj jush.

Ne jemi në shërbimin tuaj, sepse besojmë në filozofinë tonë. Liria, iniciativa e lirë e individit është themeli i mirëqenies së një shoqërie. Midis shtetit prodhues mirëqenieje dhe individit prodhues mirëqenieje, ne besojmë se individi është kryesori. Ai ka potencialet më të mëdha. Ne kemi ndërmarrë reforma të thella fiskale. Ka qenë një guxim i madh nga ana e punonjësve të sistemit doganor dhe tatimor, sepse janë ata që kanë detyrimin madhor të mbështetjes së të ardhurave.

Të dashur miq,

Një fakt është i pamohueshëm, se pothuajse çdo hap që ne kemi bërë drejt lirisë tuaj, në pamje të parë do të sillte rënie, por ka sjellë të kundërtën, ka sjellë rritje. Kjo, sepse liria juaj ekonomike ka bërë të mundur krijimin dhe zgjerimin e bizneseve tuaja, krijimin më të madh të të ardhurave. Ne ndërmorëm një paketë të re dhe jam shumë i lumtur. Ata që nisën bizneset e tyre në vitet ’90 e rikujtojnë, se ne e patëm vendosur atë në vitin 1995. Nuk duhet të taksohej kapitali që përdoret për prodhim, por duhet të taksohet prodhimi. Ky është rregulli i vërtetë. Tani e rikthyem dhe e rikthyem më gjerë. Ne mund të kemi një pasojë të përkohshme, por kam bindjen më të thellë, siç ka treguar praktika e deritanishme, se ajo do të shoqërohet me rritje të të ardhurave.

Unë ju garantoj se nuk ka paketë të fundit fiskale për këtë qeveri dhe këtë qeverisje, por ka paketë të radhës. Ne besojmë se liria e individit, liria ekonomike e iniciativës së lirë është vendimtare për prosperitetin, mirëqenien dhe zhvillimin e një vendi.

Ne ishim vendi më i hiperkolektivizuar i planetit. Ne nga viti 92 e deri më sot, nuk di të ketë ndonjë vend tjetër, kemi rritur 11 herë Prodhimin e Brendshëm. Kjo ka ardhur në një kohë kur prodhimi publik binte në mënyrë drastike. Pra ka ardhur plotësisht ka sektori privat. Unë u ndala në këto për të theksuar se në marrëdhëniet tona mund të ketë arbitraritete, mund të ketë kundërshti, por një gjë duhet ta keni të sigurt, ka dhe do të ketë vetëm qëndrim miqësor; ka dhe do të ketë përpjekje më të madhe për mjedisin më miqësor të suksesit të investimeve dhe veprimtarisë tuaj. Kjo është alternativë e provuar. Me këtë alternativë, në vitet më të vështira të historisë ekonomike të Evropës dhe më gjerë, në Shqipëri bizneset pothuajse janë dyfishuar. Kjo alternativë, në kulmin e një krize, ka bërë që ky vend të mbi trefishoje investimet krahasuar më para vitit 2007. Në katër vitet e fundit Shqipëria ka marrë 4.2 miliardë dollarë investime të huaja.

Cila është alternativa tjetër? Ajo është alternativa e kaosit. Por kaosi është rrënimi i biznesit.

Zonja dhe zotërinj,

Historia e ligjit është se ligji lindi aty ku lindi biznesi. Ligji lindi për të rregulluar marrëdhëniet e biznesit, si marrëdhënie themelore të shoqërisë njerëzore, të njeriut. Ai një ditë thotë do të vë taksën progresive. Kur i reagojnë, thotë jo, do ta vë taksën progresive vetëm për të ardhurat personale. E njëjta gjë është kjo. Taksa progresive është armiqësi ndaj biznesit, është një armiqësi e hapur ndaj tij.

Po pse u bënë 4 miliardë dollarë investime në Shqipëri? Si erdhën ato, në një kohë kur në vendet e tjera janë ulur mesatarisht me 37 përqind? Anëtarësimi në NATO dhe taksa e sheshtë. Këto u bënë ftuese për biznesin, e ndihmuan atë. Pra alternativa tjetër është te kaosi. Thotë do të heq taksën për biznesin e vogël. Zotëri, biznesi i vogël në Shqipëri ka taksën më të ulët në botë. Merrni dhe studioni, nuk ekziston kund, por është themel taksë. Ideja për të ngushtuar bazën e pagesës së taksave është absolutisht kriminale për një ekonomi. Ajo është një ide për të shembur ekonominë. Në doktrinë, në rrafshin social, çdo vend që i beson ekonomisë sociale zgjeron bazën e taksës. Kjo është e vërteta. Në qoftë se i sheh biznesmenët si kundërshtarë, për tu sjellë në mënyrë të tillë, ti rrënon vendin. Ky nuk është më vendi i sektorit publik në prodhim. Ky është vendi i sektorit privat në prodhim dhe në punësim. Pra kemi të bëjmë me një alternativë kaosi, një alternativë e cila apelon komisione speciale me fuqi të jashtëzakonshme. Në politikë, të tillë i krijuan pas revolucionit bolshevik. Ato janë komisionet më famëkeqe. Çdo vend i lirë ka kushtetutë dhe fuqitë speciale jepen vetëm në rast fatkeqësish të mëdha natyrore ose lufte. Pra është njëlloj si t’i thuash biznesit se do t’ju rregulloj nëpërmjet një procesi persekutiv. Kjo është një marrëzi.

Thotë do të krijojë një zyrë speciale pranë kryeministrit. Cili nga ju i është drejtuar kryeministrit dhe nuk është takuar me të? Absolutisht, gjithsecili që ka kërkuar është takuar. Kryeministri ju pret dhe ju dëgjon juve. Edhe ju garantoj se çdo shkresë, çdo dokument që dërgohet tek unë shqyrtohet, por shqyrtohet brenda ligjit. Kryeministri kurrë nuk mund të bëhet drejtor tatimesh. As ministri i Financave nuk bëhet dot drejtor tatimesh. Ka një sistem të ngritur me një ligj të standardeve më të mira, por në qoftë se ka defekte, urdhëro ta përmirësojmë bashkërisht, ta qartësojmë aty ku lindin keqkuptime. As kryeministri dhe as ministri i Financave nuk merr atribute. Kryeministri dëgjon me vëmendje dhe bën gjithçka që aty ku është e domosdoshme të përmirësojë. Pra ajo është një alternativë absolutisht e rrezikshme për biznesin.

Një nga zhvillimet më madhore të këtyre 4-5 viteve të fundit është hidro-energjia. Ne kemi një vendim, nuk i ndërtojmë si qeveri hidrocentralet, por ia kemi besuar sektorit privat. Investime shumë të mëdha po bëhen. Isha në lumin Luma, 50 milionë euro investime po bëhen në atë luginë, në 11 hidrocentrale që prodhojnë aq sa Ashta. Në Lapaj, një kaskadë e tërë po kaq ose më e fuqishme. Po kështu në Lurë, malet e Skraparit, Librazhdit dhe kudo. Çfarë ndodhi? Këto koncesione i shndërrojnë ujërat në vlera për qytetarët shqiptarë. Paguhet një fee, plotësojnë nevojën energjetike dhe pas 25 vitesh kompania ia dorëzon sektorit publik për tu riprivatizuar, sepse ne nuk i mbajmë. Ne jemi forcë politike e iniciativës së lirë. Po çfarë deklarojnë ata? Ata deklarojnë se do t’i njohin. Kërcënohen kompanitë. Me kompanitë nuk bëhet luftë, por duhet të zbatohet ligji. Nuk mund të thuash qoftë edhe një fjalë të vetme kundër biznesit, në qoftë se nuk ke të dhënat më të sigurta se është shkelur ligji, se janë ndjekur praktika të dënueshme.

Unë u ndala në këtë moment të rëndësishëm, sepse biznesi është promotori kryesor i zhvillimit të vendit. Klima ndaj tij, qëndrimi ndaj tij është përcaktues për suksesin e tij dhe suksesin e vendit.

Dua të përgëzoj me këtë rast të gjithë punonjësit e doganave, sepse ju keni bërë përmirësim shumë të madh të punës. Unë e kam ndjekur me shumë angazhim veprimtarinë tuaj. E vërteta e padiskutueshme është se ju keni punuar me përkushtim në tërësi për të konsoliduar standarde më të mira shërbimi ndaj bizneseve, por ju ftoj të bëjmë gjithçka t’u shërbejmë më mirë, të jemi më transparent ndaj tyre. Ky është një partneritet i mrekullueshëm. I tillë duhet të jetë në të gjithë veprimtarinë tonë.

Gëzuar!”


14/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›