E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e ndërtimit të rrugës të plazhit Palasë

-Kryeministri Berisha: “Ne kemi premtuar se do të asfaltojmë çdo rrugë që zbret drejt detit dhe ne këtë po bëjmë.”


Kryeministri Berisha vizitoi dje disa fshatra të Bregut të Jonit, ku inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e disa rrugëve të rëndësishme që zbresin drejt detit. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë vizitë nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe drejtues të pushtetit vendor.

Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në Palasë dhe inauguroi fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Palasë, investim me vlerë 10 milion euro. Projekti i rrugës, që fillon në Palasë dhe shkon deri në Kakome dhe në Shën Vasil, përfshin 8 rrugë të shkurtra që lidhin fshatrat e kësaj zone me bregun, me gjatësi të përgjithshme prej 25 kilometra.   

Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme, pasi ajo përmirëson ndjeshëm infrastrukturën jo vetëm për komunitetin lokal, por edhe për turistët që zgjedhin bregun e Jonit për të kaluar pushimet.  

“Ky projekt, - u shpreh Kryeministri - sjell një përmirësim jashtëzakonisht të rëndësishëm të infrastrukturës për komunitetin lokal dhe për turistët e panumërt që vijnë për të kaluar pushimet në bregun e Jonit. Këto rrugë do të përfundojnë përpara fillimit të sezonit të ardhshëm turistik dhe pushuesit e panumërt që frekuentojnë Bregun do të gjejnë vitin e ardhshëm një Breg me infrastrukturë shumë më moderne dhe shumë më të përshtatshme.”

Ndërtimi i kësaj rruge, theksoi Kryeministri, është një premtim i dhënë që po mbahet. “Ne kemi premtuar se do të asfaltojmë çdo rrugë që zbret drejt detit dhe ne këtë po bëjmë.”

Kryeministri Berisha tha se e njëjta platformë që ekziston për rrugët do të zbatohet edhe për furnizimin me ujë të pijshëm.


29/08/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›