Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugëve Gosë e Madhe dhe Gosë e Vogël, investim me vlerë 94 milionë lekë

Ky projekt realizohet në kuadër të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për përmirësimin e rrugëve lokale dhe dytësore edhe u vjen në ndihmë rreth 8 mijë banorë të fshatrave Gose e Madhe, Gose e Vogël dhe Okshtun të komunës Lekaj, të cilët do të lëvizin në kushte komode transporti drejt rrugës nacionale Kavajë – Rrogozhine, drejt qendrës së komunës Gosë dhe, njëkohësisht, lehtësohet transporti i produkteve bujqësore dhe blegtorale për t’i tregtuar më lehtësisht në tregun e Kavajës, Rrogozhinës dhe më gjerë.
Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorë të kësaj komune, të cilët vlerësuan këtë investim, si dhe shprehën besimin edhe mbështetjen e tyre për Kryeministrin Berisha dhe për programin e Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha premtoi për katër vitet që vijnë një përpjekje më të madhe për Gosën turistike, e cila krahas punës së tyre në bujqësi do të shumëfishojë tregun dhe të ardhurat për ta; trefishim të të gjitha granteve për fermat e Gosës, për ullishtat dhe vreshtat e tyre; vazhdim i rritjes së mëtejshme të pensioneve për banorët e Gosës dhe të mbarë Shqipërisë.
***
Në këto 8 vjet në komunën Gosë janë ndërtuar 30 kilometër rrugë, ku përfshihet edhe ndërtimi i autostradës në territorin e kësaj komune, investime me vlerë 30 milionë dollarë. Gjithashtu, është ndërtuar shkolla 9-vjeçare Gosë e Vogël, investim me vlerë 12.3 milion lekë dhe rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare Gose Qendër, investim me vlerë 36 milionë lekë. Në sektorin e bujqësisë janë dhënë 500 milionë lekë subvencione, në 400 hektarë me ullinj, vreshta, arrorë.
Në rrethin e Kavajës këto 8 vjet është investuar në 180 milionë dollarë, 20 herë më shumë se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, ku janë ndërtuar 135 kilometër rrugë, me vlerë 111 milionë dollarë; 16 shkolla e kopshte; ndërtimi i Spitalit Rajonal të Kavajës, me vlerë 9.5 milionë dollarë; 24 qendra shëndetësore e ambulanca; 12 ujësjellës e KUZ, me vlerë 21 milion dollarë. Gjithashtu, ka filluar dhe brenda dy viteve përfundon investimi prej 24 milionë dollarë për furnizimin me ujë të pijshëm pa ndërprerje të zonës së Kavajës; ka filluar dhe brenda një viti përfundon sistemimi KUZ dhe zgjerimi i Impiantit të Ujërave të ndotura me vlerë financimi 4.7 milionë euro në zonën turistike të Golemit. Nga subvencionet në bujqësi kanë përfituar 1000 fermerë, 1.84 milion dollarë.
Të dashur banore dhe banorë të komunës Gosë,
Kryetar i komunës,
Zotërinj kandidatë për deputetë,
Miq të dashur,
Përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë ju banorëve të Gosës për mbështetjen që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Gjatë këtyre viteve në komunën tuaj, në rrugën kombëtare dhe rrugët e komunës tuaj janë investuar 30 milionë dollarë. Në këtë komunë është ndërtuar një nga rrugët më të bukura të bregdetit dhe rruga Gosë - Vil Bashtovë, me vlerë 710 milionë lekë, rrugë e cila ka bërë të mundur që Shqipëria edhe bota njihet me bukurinë përrallore të Vil Bashtovës dhe brigjeve të Adriatikut në komunën Gosë.
Zoti Kryetar, unë jam këtu për tu zotuar para jush se gjatë 4 viteve që vijnë do të financojmë çdo projekt, do të rindërtojmë dhe ndërtojmë çdo kilometër rrugë, çdo ujësjellës, kanalizim, kanale ujitëse, shkolla. Gosa ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe projekte të mëdha parashikohet të zhvillohen gjatë 4 viteve që vijnë, në të cilat do të punësohen banorë të Gosës, por edhe qytetarë nga Kavaja dhe mbarë Shqipëria.
Qeveria ka subvencionuar në këtë komunë dhe në rrethin e Kavajës me qindra e qindra fermerë dhe janë mbjellë gjithsej rreth 400 hektarë ullinj. Gosa është në krye të përpjekjeve të fermerëve shqiptarë për ndërtimin e fermave moderne, të bujqësisë moderne.
Vëllezër e motra,
Ne po ecim drejt zgjedhjeve. Ajo që unë ju premtoj ju fermerëve të Gosës është një përpjekje më e madhe për Gosën turistike, e cila krahas punës tuaj në bujqësi do të shumëfishojë tregun dhe të ardhurat për ju. Së dyti, trefishim i të gjitha granteve për fermat e Gosës, për ullishtat dhe vreshtat e tyre. Së treti, vazhdim i rritjes së mëtejshme të pensioneve për fermerët e Gosës dhe të mbarë Shqipërisë. Ju premtoj kthimin e TVSH-së me para në dorë për çdo makineri, mjet, input, fara dhe çdo gjë që ju do të përdorni për fermën tuaj. Premtoj rimbursimin me para në dorë të akcizës së naftës edhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e prodhimeve tuaja dhe për tregje për prodhimet tuaja.Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në zonat rurale edhe fshatrat e Shqipërisë 8 mijë kilometër rrugë, mbi 1000 shkolla, mbi 1600 ambulanca dhe 313 qendra shëndetësore. Unë ju jap fjalën dhe i qëndroj fjalës time se aty ku jetojnë fermerët do të kenë infrastrukturë të njëjtë me qytetin. Këtu në Gosë dhe jo vetëm këtu, ne do të rindërtojmë të gjithë rrjetin energjetik, në mënyrë që të furnizoheni me energji njëlloj si Kavaja, Durrësi dhe Tirana.
Alternativa tjetër është alternativë e rrezikshme për ju. Fort e rrezikshme, sepse zotëria po premton çdo ditë heqjen e Takës së Vlerës së Shtuar (TVSH) për importet e 5 ushqimeve bazë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gruri juaj, mishi juaj, mielli juaj, qumështi që prodhoni në fermat tuaja t’ju mbetet në dorë, sepse, natyrisht, në qoftë se heqim TVSH-në e grurit, gruri i Ukrainës, i Kanadasë, i Argjentinës del me kosto shumë herë më të ulët. Në qoftë se heqim TVSH-në për qumështin dhe mishin, sigurisht mishi i Brazilit, i Argjentinës do të bëjë të pamundur tregun e mishit në Shqipëri, sepse ai do të shitet më një çmim shumë herë më të ulët. Në qoftë se heqim TVSH-në për qumështin, kontenierët me qumësht të huaj pluhur do të vërshojnë drejt tregut tonë dhe qumështi i lopëve tuaja do të mbetet pa shitur, sepse do të konkurrojë në mënyrë të pandershme qumështi i importuar.
Pse bëhet kjo? Ju garantoj se sot dhe asnjëherë, nëse hiqet kjo TVSH, çmimet e tyre nuk do të ulen, sepse ata do të krijojnë monopolet e mishit, të qumështit, të ushqimit. Cili tregtar i ka ulur çmimet se ka ulur qeveria taksat? As edhe një i vetëm. Ndaj dhe ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm.
Cili është qëndrimi ynë? Qëndrimi ynë është qëndrim i ndershëm. Ne rrisim rrogat dhe pensionet në mënyrë që qytetarët të mund të blejnë. Ne kemi dyfishuar pensionet në fshat, kemi dyfishuar rrogat e mësuesve, kemi dyfishuar rrogat e infermierëve.
Shoku i autobusit thotë janë rritur çmimet. Po more shok, çmimet rriten në të gjithë botën. Ligji i kapitalizmit është rritja e çmimeve. Në kapitalizëm në qoftë se çmimet nuk rriten, nuk rritet ekonomia, nuk zhvillohet ekonomia. Kur çmimet bien, ekonomia është rënie të lirë, shkon drejt krizës pa shpresë. Çfarë bën qeveria? Qeveria rrit rrogat, rrit pensionet. Qeveria i rrit rrogat shumë më tepër se çmimet, rrit pensionet më shumë se çmimet.
Ndaj dhe ju ftoj vëllazërisht të votoni për Partinë Demokratike. Në rast se mendoni vetëm njëherë, nuk do të gjeni kurrë një forcë politike që 60 përqind të të gjitha investimeve të kenë shkuar në rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, kopshte qendra shëndetësore për fshatin shqiptar; të ketë financuar 45 mijë fermerë dhe të jetë e vendosur të trefishojë këtë financim; të jetë e vendosur për të hequr çdo taksë për çdo makineri dhe për çdo input për prodhimet tuaja.
Edhe në herë ju ftoj më 23 qershor të votoni 44-ën, votoni Partinë Demokratike, votoni fitoren.
Rrofshi ju!
Rroftë Gosa!
Rroftë Kavaja e Shqipëria!”
04/06/2013