Kryeministri Berisha miting elektoral në Roskovec,prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Fierit
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në Roskovec ku mori pjesë në inaugurimin e sheshit të këtij qyteti. Ky shesh ka një gjatësi prej 6 kilometrash, sipërfaqe prej 45124 m2 , me vlerë 86 milion lekë. Në këtë bashki vetëm gjatë vitit të fundit janë realizuar mbi 3.6 milion dollarë investime. Qeveria ka investuar ndërtimin e unazës së re të Roskovecit me gjatësi një kilometër, kjo është një rrugë totalisht e re që shmang në periferi trafikun e rrugës Fier-Berat. Investime të tjera të realizuara në këtë bashki janë rruga Roskovec- Kurjan më gjatësi 10 km, rruga Qendër Roskovec me gjatësi 1.5 km, rikonstruksion i shkollës 9-vjecare “Alush Grepcka”, rikonstruksion i shkollës së mesme “Adem Vrapi”, ujësjellësi i qytetit të Roskovecit që furnizon me ujë 400 familje, gjithashtu ka krijuar mundësinë e vaditjes së 500 ha toke bujqësore.
Bashkia e Roskovecit mbetet në vëmendjen e qeverisë dhe në vitet e ardhshme do të realizohen një sërë projektesh të rëndësishme si, ndërtimi i ujësjellësit të ri në lagjen nr.1, i cili furnizon 500 familje me ujë të pijshëm. Do të realizohet plani i përgjithshëm urbanistik i Roskovecit. Asfaltimi dhe rregullimi i të gjitha rrugëve të lagjeve, të cilat janë zgjeruar nga bashkia.
Gjithashtu gjatë 2 viteve të fundit bashkia ka ndërmarrë aksione të shumta për prishjen e mureve rrethues për zgjerimin e rrugëve të lagjeve, të cilat ishin shumë të ngushta dhe është e nevojshme që të rregullohen dhe rikonstruktohen këto rrugë .
Gjatë këtyre viteve do të ndërtohet rruga kryesore në fshatin Jagodine. Do të përfundojë ndërtimi i kopshtit të ri në lagjen nr.2. Fusha e sportit të Roskovecit do të kthehet në pronësi të bashkisë për të qenë në shërbim të komunitetit.
Kryeministri Berisha falenderoi banorët e Roskovecit për pritjen e përzemërt dhe premtoi se qeveria do të realizojë të gjitha projektet për zhvillimin e kësaj zone, duke përfunduar totalisht infrastrukturën dhe se vëmendja e qeverisë do të kthehet tek vaditja duke bërë të mundur që në katër vitet që vijnë Shqipëria të ketë sistemin më modern të vaditjes.
Shtimi i vendeve të punës, mbështetja e fermereve, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, rritja e mëtejshme e rrogave dhe pensioneve, ndërtimi dhe rindërtimi i të gjitha shkollave, qendrave shëndetësore, ujësjellësve dhe kanalizimeve, janë disa nga prioritet e kësaj qeverie në katër vitet e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Roskovecit.
Vëllezër dhe motra.
Zonja dhe zotërinj.
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen time më të madhe, më të thellë ndaj jush për mbështetjen e shkëlqyer që ju i keni dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë në përpjekjen e saj për të ndryshuar Roskovecin, për të ndryshuar Fierin, për të zhvilluar Fierin dhe Roskovecin, për të zhvilluar Shqipërinë.
Zonja dhe zotërinj.
Në këto pak vite në rast se mendojmë për një çast, besoj se pavarësisht nga bindjet politike ne konstatojmë se Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë. Shqipëria e këtyre viteve është Shqipëria anëtare e NATO-s. Shqipëria e këtyre viteve është Shqipëria e qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Europën, e qytetarëve që ecin të sigurtë për të marrë statusin e vendit kandidat. Shqipëria e këtyre viteve, është Shqipëria, e cila ka njohur ndërtimin dhe vazhdimin në ndërtim të njërës prej infrastrukturave më moderne në rajon. Është Shqipëria, në të cilën rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve u rritën mbi dy herë, është Shqipëria, në të cilën u ndërtuan mbi 10 mijë kilometra rrugë, këtu në qarkun e Fierit dhe në Roskovec, disa qindra kilometra. Është Shqipëria, në të cilën u ndërtuan dhe rindërtuan mbi 1300 shkolla, në qarkun e Fierit dhe në Roskovec rreth 92 prej tyre. Është Shqipëria, në të cilën u ndërtuan dhe rindërtuan mbi 360 ujësjellësa, 430 kanalizime, në qarkun e Fierit dhe Roskovec dhjetëra e dhjetëra prej tyre. Është Shqipëria, në të cilën 42 mijë fermerë shqiptarë u subvencionuan me grante për suksesin e fermave të tyre dhe vetëm në qarkun e Fierit mbi 2800 hektarë, 3600 fermerë dhe disa qindra prej tyre këtu në Roskovec. Shqipëria, e cila vetëm pak vite më parë nuk ekzistonte në hartën e turizmit botëror, në vitin që shkoi sipas Bankës Botërore u rendit në 10 vendet me rritjen më te shpejtë të turizmit në botë. Shqipëria me mundin tuaj, me djersen tuaj, përkushtimin tuaj ka ndryshuar në mënyrë të padiskutueshme. Por Shqipëria, Roskoveci , Fieri kanë nevojë për ndryshime edhe më të mëdha. Këto ishin vite krize dhe në këto vite, çdo shqiptarë e di, mbarë Europa dhe bota e di, që ekonomia e vogël shqiptare nuk ra në recension, ajo siç konfirmon Fondi Monetar, Banka Botërore, Komisioni Europian, Banka e Europës , vazhdojnë të rritet vazhdojnë të krijojnë vende pune dhe këtë vit ekonomia jonë po rritet. Duke ardhur tek ju mora informacionin e fundit, eksportet në katër muajt e fundit janë rritur në 21 përqind krahasuar me katër muaj më parë në vlerë dhe janë rritur me 30 përqind në 500 mijë tonë në peshë, pra rriten eksportet rritet punësimi, rriten të ardhurat për shqiptarët. Ajo që ne kemi objektivin më madhor, së pari të ecim drejt Bashkimit Europian, të marrim statusin, të hapim negociatat. Çdo qytetar duhet të mendojë pavarësisht nga bindjet se anëtarësimi në NATO, firmosjen e marrëveshjes se stabilizim-asociimit, rekomandimin për status, e pati me qeverinë e Partisë Demokratike, kjo sepse ne nuk mund të imagjinojmë kurrë të pengojmë këtë proces, kjo sepse ne sëbashku me ju e konsiderojmë këtë proces jetik për të ardhmen tonë. Ndaj dhe ne do të marrim statusin, do të hapim negociatat. Por pala tjetër, ju jeni dëshmitar se të nesërmen e anëtarësimit në NATO organizoi mitingun e protestës dhe vetëm para një jave do tu deklarojë Shqiptarëve se NATO është natë dhe nuk është as bukë, as ujë, as punë. Dua ti them këtu zotërisë se NATO-ja është liri, liri kombëtare e garantuar përjetësisht, se NATO-ja është prestigj i madh për Shqiptarët, siguri madhore e tyre, se NATO-ja është investime dhe besim i madh tek Shqiptarët , është vende pune, është mirëqenie është e ardhmja. Në kohën kur ne sëbashku do të merrnim vizat bëri gjithçka me greva urie, me protesta për të bllokuar heqjen e vizave. Në kohën kur Komisioni Europian rekomandoi statusin e mbajti peng derisa e humbëm për një vit, 236 ditë për tre ligje, të cilat në fund u detyrua ti votojë.
Vëllezër dhe motra
Ne duam votën tuaj, sepse ne duam të krijojmë në Fier, Roskovec, në mbarë Shqipërinë 250 mijë vende pune. Ne krijojmë vendet e punës, sepse në vitet që shkuan në reformat tona, bizneset e vogla në Shqipëri u rriten 80 përqind, bizneset e mesme dhe të mëdha u rritën 200 dhe 300 përqind, po kështu u rritën dhe vendet e reja të punës. Ne krijojmë vende të reja pune sepse ne për rritjen e mëtejshme të bizneseve ne hoqëm taksën mbi çdo lloj kapitali, mbi çdo lloj makinerie dhe materiali për bizneset dhe jam i sigurtë, në rast se ne arritëm më marrim 4.2 miliard dollarë investime në katër vitet e shkuara, katër vitet e ardhshme ne do të marrim së paku 6 miliard dollarë dhe do të krijojmë me to 30 përqind më shumë vende pune në industri, sesa deri më sot.
Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune sepse, gjatë katër viteve të shkuara me grantet tona prej 56 milion dollarësh me investimet shumë herë më të mëdha private në bujqësi u krijuan 100 mijë vende pune. Në katër vitet që vijnë ne do të financojmë bujqësinë shqiptare jo me 56, por me 165 milion dollarë dhe do të rrisim së paku me 30 përqind krijimin e vendeve të punës në bujqësi. Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune, sepse ne krijuam Shqipërinë turistike sëbashku dhe sot turizmi punëson 150 mijë shqiptarë direkt dhe indirekt. Ne jemi të sigurtë, që në katër vitet që vijnë numri i turistëve do të rritet nga 4.7 në 7 milion dhe 30 përqind më shumë shqiptarë do të punësohen në këtë sektor. Ne do të krijojmë vende pune, sepse Shqipërinë dixhitale që nuk ekzistonte e bëmë realitet për shqiptarët, sot kjo punëson 13 mijë qytetarë, 26 mijë do të punësojë vitet që vijnë. Ne do të punësojmë 250 mijë shqiptarë, sepse vetëm tre projekte gjigande, Kaskada e Devollit, gazsjellësi i TAP dhe gazifikimi i Shqipërisë do të punësojnë sëbashku mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë. Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është alternativa e punësimi, alternativa e ndërtimit të infrastrukturës moderne.
Zoti kryetarë.
Zotërinj deputetë.
Zotohem para jush këtu, se sëbashku me këta deputet me qeverinë vendore do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të Roskovecit dhe të gjithë territorit të tij. Do të ndërtojmë të gjithë ujësjellësat e fshatrave dhe lagjeve të Roskovecit, do të ndërtojnë sistemin e kanalizimeve. Katër vjeçari që vjen është katërvjeçari i vaditjes, sistemi vaditës më modern në Shqipëri. Ne po shkojmë drejt përfundimit të rrugëve, kemi ndërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë në zonat rurale, do të ndërtojmë çdo kilometër. Projekti ynë më i madh do të jetë vaditja, vaditja e mbarë tokave shqiptare kudo që mbillet. Alternativa tjetër flet vetë. Rama thotë se, i kërkon Berishës punë, ai të thotë rrugë! Tani le ti them këtu në emër tuaj, se padija nuk është kurrë argument. S’ke arritur akoma të kuptosh se rruga më shumë se çdo gjë tjetër është punë dhe punësimi, sepse ne në ndërtimin e mbi 10 mijë kilometra rrugë kemi punësuar mbi 57 mijë shqiptarë, sepse çdo njëri e di se aty ku shkon rruga, aty shkon shpresa aty shkon biznesi, aty ndërtohet ferma. Se ndërtuam rrugë u dy dhe trefishuan bizneset, sepse ndërtuam rrugë u punësuam në fermat shqiptare mbi 100 mijë shqiptarë. I kërkon Berishës thotë ai shërbim shëndetësor të thotë rrugë! Qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar gjatë kësaj periudhe 400 qendra shëndetësore dhe spitale, 1600 ambulanca në fshatrat e vendit, por prapë shoku i autobusit rruga është kryesore për shërbim cilësor shëndetësor. Dil nga autobusi ta kuptosh se pa rrugë të mira nuk ka shërbim shëndetësor të mirë. I kërkoni Berishës shkolla ai të thotë rrugë! Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në Shqipëri, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollave kemi katërfishuar numrin e studentëve, por përsëri rruga është shkollë, dhe pa rrugë nuk ka shkolla nuk ka cilësi mësimi nuk ka internet. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për infrastrukturën më modern për ju banorët e Roskovecit, banorët e Fierit banorët e të gjithë Shqipërisë. Një mesazh miqësor kam ndaj jush.
Vëllezër,
Duhet ta dini se ato që duken larg njëra- tjetrës në pamje të parë ekonomia dhe politika në të vërtetë nuk ka asgjë më të lidhur njëra me tjetrën se këto dy fusha. Dhe lidhja më kryesore janë taksat dhe politika fiskale.
Të dashur fermerë të Fierit, Lushnjës mbarë Shqipërisë
Shoku në autobus premton se do të heqë TVSH për disa produkte kryesore ushqimore, për qumështin, për grurin, për mishin, për vezën. Çfarë është kjo, kjo është falimentim i fermave tuaja. Kjo do të thotë që mishin i Brazilit, i Argjentinës i vendeve të tjera, i cili prodhohet me një kosto shumë më të lirë të vijë këtu dhe me çmimet pa TVSH të zhduke çdo interes tuajin për të rritur bagëti për mish. Kjo do të thotë që qumështi i lopëve që subvencionohen me 3.5 euro në ditë, të vijë këtu me vagonë e kontejnerë dhe të bëjë që qumështi juaj të mos shitës asnjë litër për shkak të çmimit. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që qumështi pluhur të vijë me kontejnerë dhe vagonë dhe qumështi i lopëve tuaja të mbetet pa shitur. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gruri i Ukrainës, i Kanadasë dhe Argjentinës të vijë këtu pa TVSH dhe gruri juaj të mbetet në ara. Ky është premtimi. Ne zotohemi se do t’ju mbrojmë juve, do të mbrojmë prodhimet tuaja. Do të subvencionojmë tre herë më shumë dhe se do tu japim para në dorë akcizën e naftës dhe se do tu japim para në dorë TVSH e të gjitha makinerive, inputeve, farave dhe fidanëve, që ju do të mbillni për prodhimin bujqësor.
Ftoj fermerët le të ulen, le të lexojnë, le të gjykojnë, a ekziston një mbështetej më e plotë se kjo që ofrojmë ne, për katër vitet që vijnë.
Edhe njëherë, me shumë mirënjohje për këtë tubim madhështor, për mbështetjen tuaj
Përpara dhe votoni numrin 44, votoni Partinë Demokratike, votoni për zhvillimin e Roskovecin
Votoni 44, votoni për punësimin, për integrimin e Roskovecit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian
Rrofshi ju.
Rroftë Shqipëria!”
04/06/2013