Kryeministri Berisha prezanton në Paskuqan, kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës

Qytetare e qytetarë të Paskuqanit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj përshëndetje e mia më të përzemërta, më vëllazërore, mirënjohjen time më të pakufishme ndaj jush, grave e burrave, vajzave e djemve të Paskuqanit, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, reformave dhe qeverisë së saj. Por një mirënjohje të madhe dua t’ju shpreh këtu, banorëve autoktonë të Paskuqanit, që me fisnikërinë, bujarinë, sëbashku me ju ndërtuan Paskuqanin në qytetin e nëntë më të madh të Shqipërisë.
Vëllezër e motra, zonja e zotërinj,
këto vite kanë qenë vitet e ndryshimeve të mëdha. Sëbashku ne ia dolëm të meritojmë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, sëbashku ne ia dolëm të meritojmë firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sëbashku ne ia dolëm të meritojmë heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën, sëbashku në këto pak vite merituam statusin e vendit kandidat.
Paskuqani e Shqipëria nuk janë më ato që ishin vetëm pak vite më parë. Historia e tyre sot është tjetër. Është historia e vendit anëtar të NATO, historia e qytetarëve që lëvizin në Europë, që ecin të sigurt drejt Bashkimin Europian. Por në këto vite, ju gratë e burrat e Paskuqanit, njerëz të mrekullueshëm e punëtorë, me sakrificat, djersën e mundin tuaj ndërtuat këtu në këto kodra, qytetin e nëntë më të madh në Shqipëri. Zoti ju bekoftë, ju familjet tuaja!
Në këto vite, ne sëbashku ia dolëm ta bëjmë Shqipërinë me rrjet rrugor modern. Nga Morina e Kukësit deri në Konispol, qytetari udhëton në autostrada dhe rrugë që pak vite më parë as në ëndërr nuk ekzistonin. Në këto vite, ne ndërtuam mbi 10 mijë kilometra rrugë.
Në këto vite, në Paskuqan në investuam mbi 35 herë më shumë sesa investoi Partia Socialiste në 8 vitet e saj. Në këto vite, ne ndërtuam mbi 1300 shkolla, në Paskuqan u ndërtuan 4 shkolla të reja dhe të tjera janë në ndërtim e do ndërtohen, u ndërtuan 22 kilometra rrugë e dhjetëra të tjera janë ndërtim e do ndërtohen, u ndërtuan 8 ujësjellës dhe jam këtu për t’ju premtuar se do të ndërtojmë ujësjellësin e Babrru Qendër, Barru-Sharrë, të Fushës së Këçikëve e në çdo skaj të tij. Sikundër ju garantoj se projekte të mëdha do ta shndërrojnë Paskuqanin në një nga zonat më të bukura të metropolit të shqiptarëve.
Ne sëbashku ndryshuam Shqipërinë, sepse në mbarë vendin kemi ndërtuar mbi 360 ujësjellës, mbi 420 sisteme kanalizimesh, kemi ndërtuar e rindërtuar 400 qendra shëndetësore e spitale moderne. Këto vite, Shqipëria njohu bumin turistik më të paimagjinueshëm. Ajo renditet në 10 vendet me rritjen më të madhe të fluksit turistik në botë. Këto vite ia dolëm të ndërtojmë sëbashku infrastrukturën e Shqipërisë dixhitale. Përdorimi i internetit nga një mollë e ndaluar për 96 përqind të fëmijëve të Shqipërisë, sot ata lundrojnë në internet në të katër anët e vendit dhe Shqipëria e tyre është Shqipëria dixhitale.
Në këto vite të një krize të thellë, ne arritëm që Shqipëria të ruajë rritjen ekonomike falë punës e djersës suaj dhe reformave që ju mbështetet. Shqipëria mbeti vendi i vetëm që jo vetëm nuk pati rritje, por njohu ulje të papunësisë dhe krijoi 200 mijë vende pune. Jam këtu për t’ju garantuar juve, qytetarëve të Paskuqanit, që katër vitet që vijnë, punësimi juaj është objektivi ynë më madhor dhe se ne do të krijojmë në Tiranë e mbarë Shqipërinë 250 mijë vende pune. Ne do t’i krijojmë vendet e punës, sepse ne po krijojmë klimën më miqësore ndaj biznesit. Ne hoqëm taksat ndaj çdo lloj makinerie, materiali e mall importi që u nevojitet bizneseve të të gjitha llojeve, për prodhim, për zgjerimin e biznesit të tyre, për punësimin tuaj. Në katër vitet që shkuan, ne tërhoqëm në Shqipëri, 4.2 miliardë investime të huaja dhe katër vitet që vijnë, ne jemi të sigurt se do kemi së paku 6 miliardë dollarë investime të huaja. Vetëm projektet gjigande, kaskada e Devollit, gazifikimi i Shqipërisë, TAP janë së bashku rreth 2 miliardë dollarë. Në afërsi të Paskuqanit po ndërtohen dy parqe logjistike industriale, me 30 mijë vende pune dhe ju do të jeni nga ata që do të përfitoni më shumë.
Katër vitet që shkuan, ne bëmë çdo gjë për shkollimin e fëmijëve tanë. Ne tre-katërfishuam numrin studentëve në universitetet tona dhe do të bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë dhe punësimin e të diplomuarve tanë. Ndaj ne vendosëm që për katër vitet që vijnë, çdo i ri i punësuar do të jetë pa asnjë lloj detyrimi tatimor dhe qeveria do të marrë përsipër të gjitha kontributet, në mënyrë që ai të gjejë vendin e tij të punës.
Një ndihmë të madhe ne kemi dhënë për fermerët në Paskuqan e Shqipëri. Nga 56 milionë dollarë, ne do të subvencionojmë 165 milionë dollarë. Në katër vitet që shkuan punësuam mbi 100 mijë qytetarë, me grantet tona dhe investimet private. Me trefishimin e granteve tona dhe investimet private, katër vitet që vijnë, ne dot punësojmë 130 mijë qytetarë.
Turizmi do të marrë dimensione të reja. Shqipëria turistike është zhvillimi më madhor i këtyre pak viteve. Aty ku ne çojmë rrugën, aty çojmë turizmin. Vetëm pak ditë më parë, ne inauguruam rrugën në Kala të Dodës, rrugën Kukës-Peshkopi. Pamje mahnitëse! Një mik i imi më tha se dimrin që kaloi solli një grup austriakësh për vizitë në Shqipëri dhe me një agjenci i nisi për në Kala të Dodës. Aty, më tha ai, ata kishin mbetur të mahnitur nga bukuria përrallore e atyre zonave, e Korabit, Radomirës dhe vargmaleve midis Kukësit e Peshkopisë. Ne po ndërtojmë rrugët e zonave turistike, në mënyrë që ato zona të marrin zhvillimin e fuqishëm që meritojnë, të punësojnë sa më shumë qytetarë të tyre dhe qytetarë të tjerë shqiptarë.
Por ne që sëbashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO, që hoqëm vizat e lëvizim të lirë, ne që firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që merituam statusin e vendit kandidat në një kohë shumë të shkurtër, nga dhjetori i këtij viti do të marrim statusin e vendit kandidat dhe gjatë vitit në vazhdim do të hapim negociatat e do të ecim drejt Europës. Me pasaportën e statusit të vendit anëtar, ne do të thithim qindra e qindra milionë euro të tjera nga Komisioni Europian dhe sektori privat i vendeve anëtare, për të ndërtuar Paskuqanin në çdo skaj të tij, për t’i dhënë atij infrastrukturën moderne, pallat kulture, stadium të lojërave me dorë, palestrat e shkollave, qendrat kulturore dhe çdo gjë që ju meritoni si qytetarë të metropoli shqiptar.
Cila është alternativa tjetër?
Alternativa tjetër është alternativë mashtrimi. Në qoftë se e jona bazohet në besimin tek Zoti, besimin tek liria e individit, tek vlerat e solidariteti i familjes, tek puna e dashuria për Shqipërinë, alternativa e shokut të autobusit mavi bazohet tek shpifja, trillimi, sharja, mallkimi, përçmimi. Më lejoni që para jush t’i them dy fjalë. Zoti Rama, jeta jote personale nuk do të jetë ndonjëherë axhendë e imja. Axhendë e imja do të jenë problemet e qytetarëve shqiptarë, punësimi i tyre, rrogat e pensionet e tyre që i kemi rritur e do t’i rrisim më tej, shërbimi shëndetësor, infrastruktura, shkollomini i fëmijëve të tyre. Por ti që i ke bërë vitet e jetës sime axhendë elektorale tënden, dua të të them dy fjalë. Vitet e jetës sime janë krenaria ime, janë bekimi i Zotit. Çdo njeri, çdo vit jete e ka bekim nga Zoti. Nipërit e mbesat e mia janë gurra të frymëzimit tim të jashtëzakonshëm. Kur unë i shoh ata, frymëzohem dy herë më shumë, për të punuar për të gjithë vogëlushët e Shqipërisë. Katërvjeçari i ardhshëm ta gjejë Shqipërinë me telefonat e tyre celularë, me internet kudo. Ajo rritet gjeneratë e teknologjisë së lartë, ti rri në autobusin mavi dhe me një mungesë totale edukate mendon se mund të qortosh tjetrin, për vitet e tij.
Së dyti, por këtu do t’i bie shkurt, mos harro se unë jam mjek. Nuk kam dashur kurrë dhe nuk dua të merrem me probleme, por një gjë do të ta them. Në fëmijëri ke vuajtur nga kompleksi i Edipit dhe këtë e di gjithë Shqipëria. Ky kompleks është kompleks i rrallë, kompleksi i urrejtjes ndaj babait. Për këtë nuk je përgjegjës ti. Por tani që je baba vetë, ti duhet të frenosh, të bësh çdo gjë të mos shpallësh shprehjet e këtij kompleksi, sepse siç më thanë mediat, edhe në dokumentarin e vegjëlisë, pa kujtimet e bashkisë, babai mungonte, nuk ekzistonte. Zotëri, për këto gjëra intime të jetës tënde nuk mund të shprehësh ti urrejtje për baballarët dhe gjyshërit e tjerë, se ata kanë lumturinë e tyre, familjet e tyre. Unë nuk do të merrem më me ty, por me qytetarët, me hallet e dertet e tyre, me Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë mobile, do merrem me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përpara drejt fitores! Votoni 44-n, votoni Partinë Demokratike, votoni Paskuqanin europian, votoni Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë Europiane.
03/06/2013