Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve për rindërtimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetet e Beratit dhe Kuçovës
Kryeministri Berisha, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve për fazën e parë "Furnizimi me Ujë të Pijshëm" për qytetet e Beratit dhe Kuçovës, pjesë e projektit “Furnizimi me ujë i Shqipërisë së Mesme” i bashkëfinancuar nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW Entwicklungsbank) me 11.2 milion euro
Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri Gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim, Z. Dirk Neibel, Ministri i Inovacionit dhe i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, Zv. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Z. Ylli Manjani, Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Znj. Carola Müller-Holtkemper, si edhe të tjerë funksionarë të lartë.
Faza e parë e projektit, bashkëfinancohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW Entwicklungsbank) me 6.6 milion euro dhe parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, instalimin e matësave të ujit në qytetin e Beratit, si edhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë me një gjatësi prej 12 km. Projekti ka si qëllim t’i sigurojë popullatës, prej 120.000 banorësh, në zonat ku ky projekt shtrihet një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, i cili përmbush të gjitha kriteret e një uji të pastër higjenikisht.
Gjatë fjalës së tij kryeministri tha:
I nderuar zoti Ministër Niebel.
Zotërinj anëtarë të Bundestagut.
Zonja ambasadore Carola Müller-Holtkemper .
Zotërinj ministra.
I nderuar zoti kryetar I Bashkisë, qeveritarë vendore dhe drejtues të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Berat-Kuçovë.
Së pari duhet të falenderoj edhe njëherë me shumë mirënjohje qeverinë gjermane, taksapaguesit gjerman, Kancelaren Merkel, për ndihmën e madhe bujare, që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përpjekjen e tyre për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, në një vend i cili ecën i sigurtë drejt të ardhmes së saj Europiane.
Zoti ministër, dje ne sëbashku inauguruam një autostradë të një rëndësie të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare të energjisë, e cila për nga rëndësia i jep lirisë së tregut dhe tregut energjitike një dimension të ri dhe në fakt ajo ishte vetëm pjesë e projekteve të mëdha që qeveria dhe vendi juaj financon në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë rrjetin energjitike më të përshtatshëm për bashkëpunim rajonal dhe për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sot ne inaugurojmë këtu fazën e parë të ujësjellësit Berat-Kuçove, projekt ky i kompletuar dhe i përfunduar me përgjegjësi të lartë dhe parametrat më të mirë nga kompanitë e ndërtimit dhe supervizorët, financim tërësisht i qeverisë gjermanë.
Ky është një projekt simbolik edhe pse kushton rreth 15 milionë euro, pasi qindra e qindra milionë euro të tjera janë investuar në shumë projekte nga veriu ne jug te vendit. Shfrytëzoj rastin për të falënderuar KFW për punën e shkëlqyer dhe për angazhimin e tyre që po drejtojnë një proces, i cili ka për qellim zgjidhjen përfundimtarë të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në vendin tim.
I jam mirënjohës gjithashtu Komisionit Evropian pasi rëne dakord për të zgjedhur KFW si kompani drejtuese në këtë proces.
Ky projekt për këtë rajon është i një rëndësie themelore. Ky vend është një vend i përjetshëm. Historia thotë se është 2500 vjeçar, por nëse kthehemi pas në kohë, do të gjejmë gjurmë 3000 vjet më të hershme.
Ky vend është shume i veçante në trashëgiminë e vet kulturore. Por një nga gjërat e shquara të këtij vendi është mënyra se si qytetaret e këtij vendi ruajtën jo vetëm qytetin e tyre, por edhe librin. Njeri nga librat është trashëgimi kulturore botërore. Vjen nga shekulli i 6 dhe nuk u ruajt nëpër arkiva, por në arkivat e familjes dhe u përçua gjeneratë pas gjenerate, deri ditët e sotme. Dhe ky është Kodiku i Purpurtë i Beratit, që sot është trashëgimi botërore.
E theksova këtë, sepse dëshiroj që taksapaguesit gjermanë të dinë se ku po investojnë. Paratë e tyre në këtë rast, po shpenzohen për njerëz dhe për një vend, që ka kontributin e vet për njerëzimin tone.
Thirrja ime për autoritetet vendore është kjo: Mënyra më e mirë për ti shprehur mirënjohjen taksapagueseve gjermanë është të adoptojmë disiplinën dhe parametrat gjermane, në menaxhimin e ujërave dhe kjo është pa diskutim mënyra më e mire për ti shprehur mirënjohjen ndaj tyre.
U gëzova kur dëgjova drejtorin e kompanisë, i cili na tregoi se sa ndërhyrje kishin bërë për të normalizuar furnizimin me ujë për Kuçovën. Qytetarëve tanë u mungonte furnizimi me ujë, por tani më shumë se 95 përqind e shqiptarëve furnizohen me ujë të rrjedhshëm. Sigurisht jo 24 orë, por të paktën kanë ujë të rrjedhshëm. Por është themelore për ne, të angazhohemi për një menaxhim nga më të mirët.
Edhe një herë ju falenderoj zoti ministër dhe ju shpreh bindjen , se ky kooperim do te vazhdojë. Ju jemi mirënjohës, por edhe nevojtarë për suportin tuaj për të ndryshuar sa më shumë këtë vend.
06/08/2011